Kreu Blog

Kur gjyshja në pushtet e ka për opozitë një stërgjyshe, së cilës nuk i beson më as pasqyra e vet!

0
Lirim Gashi, Prishtinë
____
Ky pushtet ka nevojë urgjente për një opozitë të vërtetë. Sepse, nëse vazhdon të qeverisë pa kundërshtarë seriozë politikë, shumë shpejt do të shndërrohet në një gjyshe politike, e cila do të përfundojë duke i vizituar ordinancat e mjekëve, më shpesh sesa që i vizitojnë ministrat zyrat e tyre.
Jo se ka punuar aq shumë sa t’i ketë konsumuar organet nga lodhja, por sepse, nga mungesa e çdo kundërshtimi të mençur, edhe ato kanë filluar të kërkojnë pensionim të parakohshëm. Disa madje janë plakur pa qenë ndonjëherë të prekura nga dora e njeriut. Një fenomen aq i rrallë mjekësor, saqë edhe Fakulteti i Mjekësisë ka filluar të dyshojë nëse bëhet fjalë për atrofi organesh apo për një formë të avancuar të papunësisë qeveritare.
Në fund të fundit, një pushtet pa opozitë është si një gjyshe pa pasqyrë:
Nuk e kupton se është plakur, derisa një ditë e thërret ambulancën për t’ia bërë një kontroll rutinor vetëkënaqësisë së saj.
Por këtu fillon komedia e vërtetë.
Kjo gjyshe politike, për fatin e saj të keq, e ka opozitë një stërgjyshe. Dhe jo çfarëdo stërgjysheje, por një të tillë që, gjatë kohës sa ishte në pushtet, kishte gënjyer aq shumë, kishte mashtruar aq gjatë dhe kishte vjedhur aq paturpësisht, saqë kishte arritur t’ia zhvlerësonte kuptimin edhe vetë së vërtetës.
Ajo kishte gënjyer aq shpesh, saqë edhe gënjeshtrat e saj kishin filluar të kërkonin azil politik, nga frika se mos po identifikoheshin me ndonjërën prej deklaratave të saj të mëparshme.
Kishte mashtruar aq gjatë, saqë edhe Pinokio, po ta kishte pasur përballë, do ta kishte këshilluar të mos e tepronte. Fundja, hundën mund ta zgjatësh sa të duash, por nuk mund ta kthesh në hundë të gjithë inventarin e gënjeshtrave.
Ndërsa me vjedhjet e kishte arritur një nivel aq të lartë profesionalizmi, saqë, po të ekzistonte një fakultet për këtë disiplinë, do të ishte shpallur profesoreshë emerite, me të drejtë ligjërimi edhe pas pensionimit.
Tani, kjo stërgjyshe del çdo ditë në oborrin politik, mbështetet në bastun, e rregullon shaminë, e merr një pamje tragjike dhe bërtet:
“O njerëz, po na shkatërrohet shteti! Po na rrjedh kulmi! Po na zbrazet kuzhina! Po na i vjedhin lugët! Kush do të japë llogari për këtë katastrofë kombëtare?!”
Por askush nuk e dëgjon më.
Jo domosdoshmërisht pse nuk thotë asgjë të vërtetë, por sepse gjatë gjithë karrierës së saj politike ka shpërdoruar aq shumë besueshmëri, saqë edhe kur e thotë të vërtetën, njerëzit fillimisht i kontrollojnë xhepat, pastaj kuletat dhe, në fund, ia hedhin një sy çdo cepi të shtëpisë për t’u siguruar që nuk u mungon ndonjë pjesë e mobilieve.
Madje, po të dilte stërgjyshja një mëngjes dhe të njoftonte se dielli do të lindte nga lindja, qytetarët nuk do të nxitonin të dilnin në ballkone. Fillimisht do ta kërkonin konfirmim nga meteorologjia, nga NASA, nga Observatori i Greenwichit dhe, për siguri të shtuar, edhe një deklaratë nga ambasadori amerikan.
Sepse, pas gjithë atyre viteve, askush nuk mund ta përjashtonte mundësinë që stërgjyshja ta kishte lidhur ndonjë marrëveshje të fshehtë me diellin, sipas së cilës ai do të lindte nga perëndimi, ndërsa faturën për ndryshimin e drejtimit do ta paguanin qytetarët.
Kështu, gjyshja në pushtet ka mbetur pa një opozitë që t’ia kontrollojë tensionin politik, ndërsa stërgjyshja në opozitë ka humbur aq shumë autoritet moral, saqë njerëzit nuk i besojnë më as termometrit të saj.
E para rrezikon të plaket para kohe nga mungesa e kritikës së mençur, kurse e dyta është plakur aq shumë politikisht, saqë edhe gabimet e saj të dikurshme kanë filluar të dalin në pension me më shumë dinjitet sesa ajo vetë.
Dhe pikërisht këtu qëndron tragjikomedia e demokracisë sonë:
Një gjyshe të cilen nuk ka kush ta kritikojë dhe një stërgjyshe të cilës nuk ka kush t’i besojë!
Njëra ka nevojë për opozitë që të mos i atrofizohen muskujt e pushtetit, ndërsa tjetra ka nevojë për një institut të posaçëm rehabilitimi të besueshmërisë, ku do t’i nënshtrohej një programi intensiv të detoksikimit nga gënjeshtrat, nga mashtrimet dhe nga nostalgjia për arkën e shtetit.
Ndërkohë, populli është ulur në korridorin e kësaj shtëpie geriatrike politike, me numrin e radhës në dorë, duke pritur që dikush, më në fund, t’ia kontrollojë shëndetin shtetit.
Por mjekët nuk po vijnë, sepse gjyshja dhe stërgjyshja janë zënë se kujt i takon stetoskopi, kush e ka vjedhur termometrin dhe kush duhet ta paguajë faturën e ambulancës.
Madje, nëse vazhdojnë kështu, një ditë do të na duhet ta thërrasim jo vetëm mjekun, por edhe arkeologun politik, që ta përcaktojë se cila prej tyre është më e vjetër: pushteti pa opozitë apo opozita pa ndërgjegje!
Sepse demokracia nuk ka nevojë as për një gjyshe që mendon se është e pavdekshme, as për një stërgjyshe që beson se qytetarët tashmë kanë harruar se çfarë ka bërë gjatë gjithë karrierës së saj politike.
Ajo ka nevojë për një opozitë të re, të besueshme dhe të aftë, e cila nuk e kundërshton pushtetin thjesht për t’u ulur vetë në kolltukun e tij, por për ta detyruar atë të punojë dhe të japë llogari.
Përndryshe, do të vazhdojmë të jetojmë në një shtëpi politike ku gjyshja e ka humbur pasqyrën, ku stërgjyshja e ka humbur besueshmërinë dhe ku popullit i kanë humbur nervat.
Dhe më e keqja është se të dyja pretendojnë të bëhen kujdestare të shtetit, ndonëse asnjëra nuk është më në gjendje të kujdeset as për arkivin e recetave të veta mjekësore!

Në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë u diskutua për të drejtat pensionale të mërgimtarëve

0

Nexhmije Mehmetaj, Gjenevë

Më 12 nëntor 2026

Të drejtat pensionale të mërgimtarëve, zbatimi i Marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, si dhe detyrimet ligjore që lidhen me përfitimet pensionale, ishin në qendër të një seance informative të organizuar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë.

Takimi, i mbajtur më 12 nëntor 2026, mblodhi bashkatdhetarë dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar, të interesuar për të marrë informacione konkrete mbi të drejtat e tyre pensionale në të dyja vendet.

Veprimtaria u organizua me iniciativën e znj. Luljeta Hajzeraj, juriste dhe përfaqësuese e organizatës EPER, në kuadër të programit Âge et Migration, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë.

Konsullja Floreta Kabashi: Konsullata mbetet e hapur për mërgatën

Seancën e hapi Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, e cila u uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe vlerësoi rëndësinë e takimeve informative në shërbim të komunitetit shqiptar.

Ajo theksoi përkushtimin e institucioneve konsullore për të qenë pranë bashkatdhetarëve, duke krijuar hapësira për informim dhe bashkëpunim. Sipas saj, dyert e Konsullatës mbeten të hapura për nisma që u shërbejnë interesave dhe nevojave të mërgatës.

Luljeta Hajzeraj: Njohja e të drejtave është thelbësore për një pensionim të sigurt

Juristja Luljeta Hajzeraj, përfaqësuese e EPER-it, foli për rëndësinë e informimit dhe të këshillimit të qytetarëve që po i afrohen moshës së pensionimit ose që tashmë janë pensionuar.

Ajo prezantoi rolin e programit Âge et Migration, i cili synon t’i ndihmojë personat me prejardhje migrimi të kuptojnë më mirë sistemin zviceran të sigurimeve shoqërore, të drejtat pensionale dhe procedurat administrative.

Vëmendje e veçantë iu kushtua Marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, e cila hyri në fuqi më 1 shtator 2019.

Kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që plotësojnë kushtet ligjore të realizojnë të drejtat e tyre nga sigurimi zviceran i pleqërisë dhe i të mbijetuarve (AVS/AHV), si dhe nga sigurimi i invaliditetit (AI/IV), në përputhje me dispozitat përkatëse.

Berat Zhinipotoku: Sqarime mbi pensionet kosovare dhe procedurat administrative

Marrëveshjen dypalëshe dhe zbatimin e saj e prezantoi z. Berat Zhinipotoku, udhëheqës i Divizionit për Pensione të Jashtme në Kosovë.

Ai trajtoi çështje me interes të drejtpërdrejtë për mërgimtarët, përfshirë kushtet për përfitimin e pensionit kontributpagues në Kosovë, dëshmimin e viteve të punës dhe procedurat që duhen ndjekur kur mungon libreza e punës ose dokumentacioni tjetër.

U diskutua gjithashtu për mënyrën e vërtetimit të së drejtës ose mungesës së të drejtës për pension kosovar, veçanërisht kur një dokument i tillë kërkohet nga autoritetet zvicerane gjatë shqyrtimit të përfitimeve plotësuese (Prestations complémentaires – PC).

Këto sqarime ndihmojnë qytetarët të kuptojnë më mirë procedurat dhe institucionet ku duhet të drejtohen për realizimin e të drejtave të tyre.

Pensionet nga Kosova duhet të deklarohen kur këtë e kërkon ligji zviceran

Një ndër çështjet e rëndësishme të takimit ishte respektimi i detyrimeve ligjore që lidhen me deklarimin e pensioneve dhe të ardhurave.

U theksua se përfitimi i pensioneve nga Kosova dhe Zvicra nuk përbën në vetvete shkelje ligjore. Megjithatë, mosdeklarimi i të ardhurave nga Kosova, kur një deklarim i tillë kërkohet, mund të ndikojë në përfitimet plotësuese ose në ndihmat e tjera që varen nga gjendja ekonomike e përfituesit.

Në raste të caktuara, kjo mund të sjellë detyrimin për kthimin e shumave të përfituara pa të drejtë dhe, në varësi të rrethanave, edhe pasoja të tjera juridike.

Prandaj, qytetarët u inkurajuan të informohen me kohë dhe të kërkojnë këshillim profesional për të shmangur gabimet administrative dhe pasojat financiare.

Ku duhet të drejtohen mërgimtarët për ndihmë?

Për qytetarët që kanë paqartësi lidhur me pensionet, vitet e kontributeve, dokumentacionin e munguar ose përfitimet plotësuese, ekzistojnë institucione kompetente ku mund të kërkojnë informim dhe ndihmë.

Në Gjenevë:

  • OCAS – Office cantonal des assurances sociales: Për pensionet zvicerane AVS/AI dhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Rue des Gares 12, 1201 Genève. Tel. +41 22 327 27 27. www.ocas.ch
  • SPC – Service des prestations complémentaires: Për përfitimet plotësuese (PC) dhe deklarimin e të ardhurave nga Kosova. Route de Chêne 54, 1208 Genève. Tel. +41 22 546 16 00. www.ge.ch
  • Caisse suisse de compensation (CSC): Për çështjet e pensioneve zvicerane të personave që jetojnë jashtë Zvicrës. Avenue Edmond-Vaucher 18, 1211 Genève 2. Tel. +41 58 461 91 11. www.zas.admin.ch

Për këshillim dhe orientim, mërgimtarët mund të informohen edhe pranë organizatës EPER, përmes programit Âge et Migration (www.eper.ch).

Qytetarët këshillohen të kontaktojnë paraprakisht institucionin përkatës për të verifikuar procedurat, dokumentet e nevojshme dhe mundësinë e caktimit të një takimi.

Në Kosovë, qytetarët mund t’u drejtohen institucioneve kompetente për administrimin e skemave pensionale, për të marrë informacione mbi pensionet kontributpaguese, dokumentacionin dhe procedurat përkatëse.

  • Divizioni për pensione të jashtme: Rruga Edit Durham 46, 10 000 Prishtinë. mpfvlc.rks-gov.net

Një iniciativë e mirëpritur për komunitetin shqiptar

Organizimi i kësaj seance informative përbën një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës, organizatave sociale dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Angazhimi i znj. Luljeta Hajzeraj, kontributi profesional i z. Berat Zhinipotoku dhe mbështetja e Konsullatës së Përgjithshme dëshmojnë rëndësinë e nismave që u shërbejnë drejtpërdrejt nevojave të mërgimtarëve.

Takimi u përmbyll me një koktej, gjatë të cilit pjesëmarrësit patën mundësinë të vazhdonin bisedat dhe shkëmbimin e mendimeve në një atmosferë miqësore.

Mesazhi kryesor i kësaj veprimtarie ishte i qartë: Njohja e të drejtave pensionale dhe respektimi i detyrimeve ligjore janë themeli i një pensionimi të sigurt dhe dinjitoz.

Një mërgatë e informuar është një mërgatë më e përgatitur për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e saj.

Egjipti ngriti alarmin në Europë: 35 organizata në listën e terrorizmit – Ballkani Shqiptar përballë sfidës së ekstremizmit politik

0

Luan – Asllan Dibrani, Durrës

Një vendim që kërkon vëmendjen e gjithë Evropës

Më 10 nëntor 2026, Gjykata Penale e Kajros mori një vendim me rëndësi ndërkombëtare: përfshirjen e 35 organizatave dhe 36 individëve në listat egjiptiane të terrorizmit për një periudhë pesëvjeçare.

Vendimi u publikua në Gazetën Zyrtare të Egjiptit dhe përfshin organizata të identifikuara me shtete të ndryshme të Evropës, ndër to Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Ky zhvillim ngre pyetje serioze për sigurinë, financimin e organizatave, ndikimin ndërkombëtar dhe marrëdhënien ndërmjet fesë dhe politikës.

E veçanta e këtij vendimi është se ai vjen nga Egjipti, një vend me shumicë dërrmuese të popullsisë së besimit islam.

Prandaj kjo çështje duhet trajtuar jo si konflikt ndërmjet feve, por si debat mbi ekstremizmin, ndikimin politik dhe respektimin e ligjit.

Lista e plotë e 35 organizatave të shpallura terroriste nga autoritetet egjiptiane

Më poshtë paraqitet përkthimi në shqip i emërtimeve të publikuara në vendimin egjiptian. Emërtimet nuk janë domosdoshmërisht identike me emrat juridikë të regjistruar në vendet përkatëse.

  1. Këshilli i Myslimanëve të Evropës, përfshirë degët e tij – Evropë.
  2. Fondacioni “Myslimanët e Francës” – Francë.
  3. Shoqata Myslimane e Britanisë – Britani e Madhe.
  4. Liga Myslimane e Zvicrës – Zvicër.
  5. Bashkësia Islame Gjermane – Gjermani.
  6. Shoqata Islame në Suedi – Suedi.
  7. Shoqata Islame në Itali – Itali.
  8. Shoqata Islame për Dialog dhe Bashkëjetesë – Spanjë.
  9. Shoqata Islame e Irlandës – Irlandë.
  10. Shoqata Islame në Poloni – Poloni.
  11. Shoqata Islame dhe Kulturore – Rumani.
  12. Shoqata e Myslimanëve të Hungarisë – Hungari.
  13. Shoqata “Al-Hikma” për Shkencë, Miqësi dhe Bashkëpunim – Turqi.
  14. Shoqata Kulturore “E Ardhmja” (Al-Mustaqbal) – Shqipëri.
  15. Këshilli i Myslimanëve të Ukrainës – Ukrainë.
  16. Liga Myslimane e Belgjikës – Belgjikë.
  17. Shoqata AKOS për Edukim dhe Kulturë – Bosnjë-Hercegovinë.
  18. Unioni i Organizatave Islame në Rusi – Rusi.
  19. Shoqata e Rinisë Islame – Maqedonia e Veriut.
  20. Shoqata Islame në Finlandë – Finlandë.
  21. Shoqata Islame në Norvegji – Norvegji.
  22. Fondacioni Kulturor për Shkencë dhe Arsim – Kosovë.
  23. Këshilli Islam Danez – Danimarkë.
  24. Kompleksi Kulturor Islam – Austri.
  25. Shoqata Islame Holandeze – Holandë.
  26. Shoqata Kulturore Islame “Al-Salam” – Moldavi.
  27. Qendra Arabo-Greke për Kulturë dhe Qytetërim – Greqi.
  28. Unioni i Studentëve Myslimanë – Çeki.
  29. Këshilli Evropian për Fetva dhe Kërkime.
  30. Këshilli Evropian i Imamëve.
  31. Këshilli Evropian për Familjen Myslimane.
  32. Këshilli Evropian për Kuranin e Shenjtë.
  33. Këshilli Evropian i Grave Myslimane.
  34. Forumi Evropian i Studentëve Myslimanë.
  35. Instituti Evropian i Shkencave Humane, përfshirë degët e tij.

Kjo listë përfshin organizata kulturore, arsimore, fetare dhe struktura me shtrirje ndërkombëtare. Vetë natyra fetare ose kulturore e veprimtarisë së tyre nuk është provë e terrorizmit.

Vendimi egjiptian ka pasoja sipas legjislacionit të Egjiptit. Ai nuk zëvendëson hetimet, vendimet gjyqësore apo procedurat e listimit në shtetet evropiane.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut: pse kërkohet transparencë?

Përfshirja e tri organizatave të identifikuara me këto vende në listën egjiptiane është një zhvillim që kërkon sqarim të menjëhershëm institucional.

A kanë autoritetet shqiptare, kosovare dhe maqedonase informacione për këto organizata?

A ekzistojnë të dhëna të dokumentuara mbi financimet e tyre, aktivitetet dhe lidhjet ndërkombëtare?

A janë shqyrtuar pretendimet e autoriteteve egjiptiane nga institucionet vendore?

Përgjigjet duhet të jepen përmes ligjit, dokumenteve dhe hetimeve profesionale, jo përmes supozimeve.

Edhe Lugina e Preshevës meriton vëmendje në analizat më të gjera mbi ndikimin politik dhe fetar në hapësirën shqiptare, pa pretenduar se vendimi egjiptian ka identifikuar ndonjë organizatë të saj.

Financimet e jashtme dhe rreziku i ndikimit ideologjik

Një nga çështjet që kërkon studim serioz është ndikimi i financimeve të huaja mbi institucionet kulturore, arsimore dhe fetare.

Ndërtimi i një objekti fetar, ndihma për familjet në nevojë ose financimi i arsimit nuk përbëjnë në vetvete veprimtari të paligjshme.

Por nëse financimi përdoret për të imponuar bindje politike, për të blerë besnikëri, për të nxitur urrejtje ose për të penguar të drejtat individuale, atëherë ndërhyrja e shtetit ligjor është e domosdoshme.

Në opinionin publik janë artikuluar edhe pretendime për pagesa, dhurata dhe stimulime financiare që synojnë të ndikojnë në praktikat fetare, përfshirë mbajtjen e mbulesës nga gratë. Pretendime të tilla, përfshirë shuma konkrete prej 300 eurosh, nuk duhen shpallur të vërteta pa prova dhe raste të dokumentuara.

Liria e besimit dhe liria e veshjes janë të drejta themelore. Ato duhet të mbrohen si nga detyrimi për të ndjekur një praktikë fetare, ashtu edhe nga presioni për ta braktisur atë.

Diaspora shqiptare dhe përgjegjësia e shteteve evropiane

Gjermania, Zvicra, Austria, Italia, Britania e Madhe dhe shumë vende të tjera janë bërë shtëpi për qindra mijëra shqiptarë.

Diaspora shqiptare ka krijuar shoqata kulturore, organizata humanitare, qendra komunitare dhe institucione të rëndësishme për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Këto arritje duhen mbrojtur.

Megjithatë, çdo përpjekje e provuar për ta përdorur diasporën si instrument të ndikimit të paligjshëm politik, ekstremizmit të dhunshëm apo financimit të organizatave terroriste duhet të hetohet.

Shtetet evropiane kanë përgjegjësi të mbrojnë sigurinë publike dhe lirinë fetare njëkohësisht.

Asnjë komunitet nuk duhet të stigmatizohet për shkak të fesë. Përgjegjësia penale është individuale dhe duhet të mbështetet në prova.

Islamizmi politik, demokracia dhe kufijtë e lirisë

Duhet bërë dallim ndërmjet besimit islam, pjesëmarrjes paqësore të qytetarëve fetarë në politikë dhe ekstremizmit që përdor dhunë, kërcënim apo detyrim.

Një shoqëri demokratike garanton të drejtën për bindje fetare dhe politike, por nuk pranon dhunën ose veprimet e paligjshme për t’i imponuar ato.

Pikërisht këtu qëndron sfida: si të mbrohen institucionet demokratike pa cenuar qytetarët e pafajshëm?

Përgjigjja nuk mund të jetë as heshtja ndaj kërcënimeve reale, as akuzimi kolektiv.

Ajo duhet të jetë transparenca, hetimi i pavarur, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe respektimi i të drejtave të njeriut.

Çfarë duhet të bëjnë institucionet shqiptare?

Së pari, duhet të kërkohet zyrtarisht vendimi egjiptian dhe dokumentacioni mbi të cilin është mbështetur.

Së dyti, institucionet përgjegjëse duhet të verifikojnë identitetin juridik të tri organizatave të përmendura në hapësirën shqiptare, aktivitetet dhe burimet e tyre të financimit.

Së treti, duhet të shqyrtohet nëse ekzistojnë prova që kërkojnë hetim penal ose masa administrative.

Së katërti, rezultatet e verifikimeve duhet të komunikohen publikisht, duke respektuar sekretin hetimor dhe të drejtat e subjekteve.

Së fundi, duhet të forcohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe partnerëve evropianë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Përfundim: Alarm për institucionet, jo gjykim ndaj besimtarëve

Vendimi i Egjiptit i datës 10 nëntor 2026 ka hapur një debat që shkon përtej kufijve të një shteti.

Përfshirja e 35 organizatave dhe 36 individëve në listat egjiptiane të terrorizmit kërkon vëmendje, sidomos kur në vendim përmenden organizata nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Por pesha e një vendimi ndërkombëtar nuk e përjashton nevojën për shqyrtim kritik të provave.

Shqiptarët kanë një traditë të rëndësishme të bashkëjetesës fetare, kulturës kombëtare dhe respektimit të dallimeve. Kjo trashëgimi nuk duhet të dëmtohet as nga ekstremizmi, as nga paragjykimet kundër besimtarëve.

E ardhmja demokratike e shqiptarëve ndërtohet mbi arsimimin, lirinë, dinjitetin njerëzor, sovranitetin institucional dhe sundimin e ligjit.

Feja duhet të mbetet e lirë. Politika duhet të mbetet demokratike. Institucionet duhet të mbeten të pavarura. Dhe çdo akuzë për terrorizëm duhet të provohet përpara drejtësisë.

Ky është standardi me të cilin duhet trajtuar vendimi egjiptian në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe në të gjithë Evropën.

Asnjë organizatë mbi ligjin. Asnjë fajësi pa prova. Asnjë imponim mbi lirinë e qytetarit.

Alfabeti i Dashurisë, poezi nga Nikolin Sh. Lëmezhi 

0
Nikolin Sh. Lëmezhi 
Poezi
Alfabeti i Dashurisë
____ 
Atë që di t’i bëjë gjërat më mirë se ti, imitoje!
Bëji shoqëri atij që rri gjithmonë vetëm!
Cakto objektiva dhe jeto me disiplinë, nëse dëshiron të jesh i suksesshëm!
Çrrënjos çdo të keqe nga vetja e nga të tjerët!
Dera e Parajsës na hapet nëse paraqesim një buqetë me sekrete!
Dhurata e parë që mund t’u bësh të tjerëve është t’i pranosh siç janë.
Ec nga ana e të dobëtit dhe të mundurit!
Është bukur të jetosh me dhimbjen e atij që qan!
Fali gabimet dhe dobësitë e të tjerëve!
Gëzohu kur dikush kthehet në rrugën e së mirës!
Gjej kohë për të dashur!
Harro shpejt të keqen që ta kanë bërë!
Imito Jezusin dhe shenjtërit!
Jepi faljen atij që e sheh se pendohet!
Kërko në çdo gjë dhe në të gjithë anën pozitive!
Lehtëso me buzëqeshjen tënde trishtimin e të tjerëve!
Llumi bie poshtë vetë kur të qëndrosh i kthjellët dhe në heshtje.
Mbaj qetësinë në momentet e vështirësisë!
Në lutje dhe në Heshtje shihet Realiteti!
Njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën – thotë populli.
Ofro paqe gjithmonë e mos e hidh mbi të tjerët peshën e vuajtjeve të tua!
Pranoje Zotin kur të jesh në dritë dhe kur të jesh në errësirë!
Qetëso emocionet dhe ndalo diskutimet mendore!
Respekto atë që mendon dhe jeton ndryshe nga ti!
Rregullo zemrën tënde, që të jesh i aftë për të ndihmuar atë që ka nevojë!
Sakrifiko që të ngushëllosh ata që vuajnë!
Shmang grindjen me atë që të kundërshton!
Trokit në derën e atij që është duke vuajtur!
Thellohu në lutje dhe në meditim, që të jesh vërtet i lumtur!
Ulu e prit në Heshtje Zotin!
Vetëm të lumturit bëjnë të lumtur!
Xixëllonjat janë drita të vogla: shkëlqe edhe ti aq sa ke mundësi!
Xheste të vogla, por me dashuri të madhe – mësonte nënë Tereza.
Yjet janë një spektakël i vërtetë në mes të territ.
Zoti të do: mos e harro kurrë këtë të vërtetë!
Zhduku ti, që të duket Hyji!
Nikolin Sh. Lëmezhi 
Shkodër, më 13. 11. 2026

Populli hebre: Nga tragjedia e Holokaustit te fuqia botërore e dijes, shkencës dhe teknologjisë

0

Luan – Asllan Dibrani, Durrës, më 9 nëntor 2026

Historia e popullit hebre është një ndër dëshmitë më të fuqishme të qëndresës, sakrificës dhe ringritjes njerëzore. Për shekuj me radhë, hebrenjtë përjetuan përndjekje, dëbime dhe diskriminim, ndërsa tragjedia më e rëndë ishte Holokausti, gjatë të cilit nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre vranë rreth gjashtë milionë hebrenj.

Megjithatë, ky popull arriti të ruajë identitetin, kulturën dhe traditat e tij.

Më 14 maj 1948, David Ben-Gurion shpalli krijimin e shtetit të Izraelit, të cilin presidenti amerikan Harry Truman e njohu po atë ditë. Krijimi i shtetit u shoqërua edhe me luftën e vitit 1948 dhe zhvendosjen masive të palestinezëve, pasoja që vazhdojnë të ndikojnë rajonin.

Hebrenjtë në Amerikë: Një komunitet i vogël me kontribut të madh

Sipas vlerësimeve të vitit 2023, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jetonin rreth 7,46 milionë hebrenj, pak më shumë se 2 për qind e popullsisë amerikane.

Por kontributi i këtij komuniteti në shkencë, arsim, mjekësi, ekonomi, drejtësi, letërsi dhe kinematografi është historikisht i rëndësishëm.

Studimet ofrojnë disa të dhëna domethënëse:

  • 65% me diplomë universitare: Sipas Pew Research Center, në studimin e publikuar më 19 shkurt 2026, 65 për qind e amerikanëve që identifikohen me fenë hebraike kanë diplomë universitare, kundrejt 35 për qind të të gjithë të rriturve amerikanë.
  • 50% e 200 intelektualëve të shquar: Sociologët Seymour Martin Lipset dhe Earl Raab raportuan se hebrenjtë përbënin gjysmën e një grupi historik prej 200 intelektualësh të njohur amerikanë gjatë dekadave të shekullit XX.
  • 20% e profesorëve në universitetet kryesore: Një tjetër vlerësim historik i të njëjtëve studiues.
  • 40% e partnerëve në firma të mëdha juridike: Shifër historike për firma të përzgjedhura në Nju-Jork dhe Uashington.
  • 26% në media: Përfaqësimi historik në një grup gazetarësh, redaktorësh dhe drejtuesish të mediave të mëdha amerikane.
  • 59% në kinematografi: Pjesëmarrja e hebrenjve ndër regjisorët, skenaristët dhe producentët e përfshirë në një studim të 50 filmave amerikanë me të ardhurat më të larta gjatë viteve 1965–1982.

Këto përqindje historike nuk përfaqësojnë gjendjen e të gjithë sektorëve amerikanë në vitin 2026. Megjithatë, ato dokumentojnë kontributin e rëndësishëm të komunitetit hebre në jetën intelektuale dhe profesionale amerikane.

Çmimi Nobel: Një përfaqësim i jashtëzakonshëm në shkencën botërore

Një ndër treguesit më domethënës të arritjeve intelektuale është Çmimi Nobel.

Sipas regjistrave të pavarur biografikë, rreth 22 për qind e laureatëve individualë të Çmimit Nobel gjatë historisë së tij kanë qenë hebrenj ose persona me prejardhje të pjesshme hebraike.

Kjo është veçanërisht domethënëse kur popullsia hebraike përbën sot vetëm rreth 0,2 për qind të popullsisë botërore.

Përfaqësimi historik sipas fushave, në klasifikimin e JINFO, është afërsisht:

  • Ekonomi: 40 për qind.
  • Mjekësi: 26 për qind.
  • Fizikë: 25 për qind.
  • Kimi: 19 për qind.
  • Letërsi: 14 për qind.

Rreth 36 për qind e laureatëve amerikanë Nobel janë klasifikuar si hebrenj ose me prejardhje pjesërisht hebraike.

Këto statistika nuk janë klasifikime zyrtare etnike të Fondacionit Nobel, por përmbledhje të pavarura biografike.

Ato dëshmojnë një kontribut të madh historik në kërkimet shkencore, mjekësi, fizikë, ekonomi dhe mendimin modern.

Nga Hollywood-i te industria teknologjike

Sipërmarrësit me prejardhje hebraike luajtën rol themelor në krijimin e Hollywood-it modern. Carl Laemmle, Adolph Zukor, Louis B. Mayer dhe vëllezërit Warner janë ndër emrat që ndihmuan ndërtimin e industrisë amerikane të filmit.

Edhe shkencëtarë me prejardhje hebraike, si Albert Einstein, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e shkencës botërore.

Ndërkohë, Izraeli është zhvilluar në një qendër të rëndësishme ndërkombëtare të teknologjisë.

Sipas raportit zyrtar të Autoritetit të Inovacionit të Izraelit, publikuar më 31 maj 2026:

  • 85 miliardë dollarë ishin eksportet e teknologjisë së lartë në vitin 2025.
  • 58% e eksporteve izraelite vinin nga sektori i teknologjisë së lartë.
  • Rreth 400.000 njerëz punonin në këtë industri.
  • 775 kompani të reja teknologjike u themeluan gjatë vitit 2025.
  • Afro 15 miliardë dollarë kapital u siguruan nga kompanitë teknologjike gjatë atij viti.

Inteligjenca artificiale, siguria kibernetike, elektronika, mjekësia moderne dhe teknologjitë e mbrojtjes janë ndër fushat kryesore të zhvillimit.

Këto janë arritje të ekonomisë izraelite në tërësi, ku kontribuojnë qytetarë të komuniteteve të ndryshme.

Amerika dhe Izraeli: Një aleancë strategjike e fuqishme

Lidhjet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit janë të thella, historike, politike, ekonomike dhe ushtarake.

Marrëveshja amerikano-izraelite për periudhën 2019–2028 parashikon 38 miliardë dollarë mbështetje ushtarake dhe për mbrojtjen raketore gjatë dhjetë viteve, në varësi të miratimeve buxhetore amerikane.

Bashkëpunimi përfshin mbrojtjen raketore, inteligjencën, sigurinë rajonale dhe zhvillimin teknologjik.

Por aleanca mbështetet në vendimmarrjen e dy shteteve të pavarura dhe në interesa strategjike, jo në një identitet të përbashkët shtetëror. Komuniteti hebre amerikan është shumëllojshëm dhe nuk ka një qëndrim të vetëm për të gjitha politikat e Izraelit.

Shqiptarët dhe hebrenjtë: Një faqe krenarie njerëzore

Në këtë histori të madhe, edhe shqiptarët kanë vendin e tyre të nderit.

Gjatë Holokaustit, familje shqiptare strehuan dhe shpëtuan hebrenj nga përndjekja naziste, duke dëshmuar humanizëm, guxim dhe solidaritet.

Kjo trashëgimi përbën një urë të rëndësishme kujtese dhe miqësie ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve.

Përfundim: Fuqia e një populli që investon në dije

Nga përndjekjet historike dhe tragjedia e Holokaustit, te krijimi i Izraelit dhe arritjet intelektuale të komunitetit hebre në Amerikë, kemi një histori që meriton studim dhe respekt.

Statistikat e arsimit, shkencës, Çmimit Nobel, biznesit dhe teknologjisë tregojnë se sa i rëndësishëm mund të jetë kontributi i një komuniteti relativisht të vogël në zhvillimin botëror.

Këto arritje nuk përcaktohen nga epërsia e lindur e një populli, por duhen kuptuar përmes historisë, arsimit, institucioneve, mundësive dhe punës së shumë brezave.

Mesazhi për shqiptarët dhe për çdo popull është i qartë:

Një komb që investon në shkollë, universitet, shkencë, teknologji dhe kulturë, ndërton themelet e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të zhvilluar.

Dija është pasuri që nuk shteron. Kultura ruan identitetin, ndërsa shkenca dhe krijimtaria hapin rrugë të reja për njerëzimin.

Votuesit amerikan folën – demokracia ka nevojë për ekuilibër dhe kontroll të pushteteve, një mësim edhe për politikanët shqiptarë!

0
Nga Frank Shkreli
____
Zgjedhjet e mesmandatit të javës që kaloi në Shtetet e Bashkuara dërgojnë një mesazh të qartë në Uashington se asnjë parti nuk duhet të ketë pushtet të pakufizuar.  Zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit 2026 në Amerikë përcollën një mesazh që shkon përtej fitores apo humbjes politike të Partisë Demokratike ose asaj Republikane. Ato dëshmuan edhe një herë rëndësinë e njërit prej parimeve themelore mbi të cilat është themeluar Republika Amerikane – parimin e sistemit të kontrollit dhe ekuilibrit të pushteteve (Checks and Balances).
Votuesit amerikanë ushtruan një nga të drejtat e tyre më të rëndësishme kushtetuese, duke i kujtuar Uashingtonit zyrtar se pushteti politik nuk është as i përhershëm dhe as i pakushtëzuar. Në një demokraci, autoriteti për të qeverisur buron, përfundimisht, nga populli, ndërsa ata që ngarkohen me këtë përgjegjësi duhet të japin llogari përpara tij.  Fitorja e demokratëve amerikanë, përfshirë marrjen e të dyja dhomave të Kongresit, përfaqëson një goditje të rëndësishme politike për Presidentin Donald Trump dhe administratën e tij. Por, nëse këto rezultate interpretohen vetëm si fitore e demokratëve apo humbje e republikanëve, atëherë do të humbnim thelbin e mesazhit që përcollën zgjedhësit amerikanë me 3 nentor.  Elektorati amerikan ka dëshmuar, historikisht, se nuk dëshiron, domosdoshmërisht, që një parti e vetme politike të ushtrojë pushtet të pakontrolluar mbi institucionet e shtetit.
Ky dallim është thelbësor për të kuptuar sistemin kushtetues amerikan.  Etërit Themelues të Amerikës, të mbështetur edhe në përvojat e tyre historike, e kuptonin se përqendrimi i pushtetit politik përbën rrezik për liritë individuale dhe qeverisjen demokratike. Prandaj, ata ndërtuan një sistem në të cilin pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor do të funksiononin në mënyrë të pavarur, duke pasur, njëkohësisht, autoritetin kushtetues për të kontrolluar dhe kufizuar veprimtaritë e njëri-tjetrit. Ky organizim nuk ishte i rastësishëm. Është një garanci e menduar mirë kundër abuzimit me pushtetin.  Sistemi amerikan nuk u krijua për t’i dhënë presidentit, pavarësisht përkatësisë së tij politike, autoritet të pakufizuar. As Kongresi nuk u mendua të funksiononte thjesht si një zgjatim i Shtëpisë së Bardhë. Dega legjislative ka përgjegjësitë e veta kushtetuese, ndër të cilat mbikëqyrjen e pushtetit ekzekutiv, kontrollin e shpenzimeve publike dhe autoritetin për të hetuar veprimtarinë e qeverisë.  Kur këto përgjegjësi neglizhohen, dobësohet vetë ekuilibri kushtetues dhe e pëson rëndë demokracia. Zgjedhjet e fundit të mesmandatit i kanë dhënë Kongresit një mundësi të re për të ushtruar rolin e tij kushtetues. Mbetet të shihet nëse demokratët do ta shfrytëzojnë këtë mundësi me përgjegjësi. Sepse detyrimi për të respektuar kufijtë kushtetues vlen njësoj për të dyja partitë. Megjithatë, perspektiva e një qeverisjeje me pushtet të ndarë dhe me më shumë mekanizma kontrolli, ishte pjesë e rëndësishme e diskutimit të përpiluesve të Kushtetutës amerikane. Këtu qëndron edhe një mësim interesant se stabiliteti politik nuk nënkupton, domosdoshmërisht, që një parti të kontrollojë të gjitha institucionet. Shpesh, stabiliteti buron pikërisht nga ekzistenca e kufizimeve institucionale dhe nga garancia se asnjë forcë politike nuk mund të marrë vendime pa iu nënshtruar kontrollit dhe përgjegjësisë.
Zgjedhjet e 3-nentorit, 2026 na kujtojnë gjithashtu se kutia e votimit mbetet instrumenti më i fuqishëm dhe paqësor që kanë në dispozicion qytetarët amerikanë.  Votuesit nuk kanë nevojë të pajtohen me çdo qëndrim politik të njërës apo tjetrës parti për të kuptuar se qeverisja duhet të mbetet e përgjegjshme përpara qytetarëve. Ata mund të mbështesin një president dhe njëkohësisht të kërkojnë mbikëqyrjen e Kongresit. Mund të votojnë për njërën parti në një palë zgjedhje dhe për tjetrën dy vjet më vonë, siç ndodhi kësaj radhe.  Kjo nuk është kundërthënie. Kjo është demokraci në veprim.  Elektorati ka të drejtën të ndryshojë mendim, të rishqyrtojë zgjedhjet e veta politike dhe t’u dërgojë një mesazh atyre që qeverisin.  Zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 kanë dëshmuar se edhe një president me ndikim të konsiderueshëm politik duhet ta pranojë se populli amerikan ruan fjalën përfundimtare përmes procesit kushtetues zgjedhor.  Kjo merr rëndësi të veçantë në një kohë kur polarizimi politik po ushtron presion të madh mbi institucionet demokratike amerikane.
Ndërkaq, këto zgjedhje janë një mësim që shkon përtej kufijve të Amerikës. Pasojat dhe mesazhi i këtyre zgjedhjeve shtrihen përtej Shteteve të Bashkuara.
Për vendet e tjera të botës, veçanërisht, për ato që ende përpiqen të ndërtojnë institucione demokratike — siç janë edhe Shqipëria e Kosova — përvoja amerikane – ndondëse nën rrethana të ndryshme politike dhe historike — ofron një kujtesë të rëndësishme se demokracia nuk është vetëm e drejta për të zgjedhur udhëheqësit, por edhe detyrimi për të kufizuar pushtetin e tyre. Sidomos për Shqipërinë, ku protestat qytetare, kriza e besimit ndaj institucioneve dhe shqetësimet për funksionimin e demokracisë kërkojnë një reflektim më të thellë mbi kuptimin e votës dhe kufizimin e pushtetit.  Mesazhi që përcollën zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara nuk duhet të lexohet vetëm në kontekstin e politikës së brendshme amerikane por edhe për të gjitha ato vende ku demokracia vazhdon të përballet me kriza institucionale, përqendrim të pushtetit, mungesë llogaridhënieje dhe humbje të besimit të qytetarëve te institucionet.
Në Shqipëri, ku protestat qytetare disa muajshe, janë shndërruar në një shprehje të pakënaqësisë ndaj qeverisjes dhe funksionimit të institucioneve, mesazhi i zgjedhjeve të javës që kaloi në Amerikë, duhet të shërbejë si një thirrje për reflektim politik. Sa herë e kemit theksuar gjatë këtyre muajve, se protesta është një e drejtë demokratike dhe një instrument legjitim i qytetarëve për t’u kërkuar llogari atyre që qeverisin.  Por, përtej protestave, nevojitet një sistem institucionesh të pavarura, një parlament që ushtron realisht funksionin e kontrollit ndaj qeverisë, një drejtësi që nuk i nënshtrohet ndikimit politik dhe zgjedhje zë lira e të drejta, që garantojnë përfaqësimin e vërtetë të vullnetit të qytetarëve. Asnjë qeveri nuk duhet ta konsiderojë fitoren zgjedhore si një çek të bardhë për të qeverisur pa kufij dhe pa përgjegjësi. Demokracia nuk është pronë e atyre që fitojnë zgjedhjet. Ajo është e drejtë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe atyre që nuk votuan për fituesit. Ky është një mësim që politika shqiptare, pa dallim partie, duhet ta marrë seriozisht. Se pushteti fitohet përmes votës, por legjitimiteti i tij ruhet vetëm përmes respektimit të ligjit, institucioneve, lirive qytetare dhe llogaridhënies. Në demokracitë e brishta, kjo nuk është thjesht çështje politike, por kusht themelor për të mos lejuar që demokracia të shndërrohet në një fasadë të pushtetit.
Me dyzina herë e kam përsëritur, në shkrime si ky, se zgjedhjet, në vetvete, nuk garantojnë demokracinë. Institucionet e pavarura, mbikëqyrja parlamentare, pavarësia e gjyqësorit, liria e shtypit dhe respektimi i parimeve kushtetuese, janë po aq të domosdoshme për funksionimin e demokracisë.  Normalisht, pritet që një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike duhet të qeverisë gjithashtu në mënyrë demokratike.  Ky është dallimi që ndan një republikë funksionale kushtetuese nga një sistem politik ku zgjedhjet shndërrohen thjesht në një mjet për të legjitimuar përqendrimin e pushtetit të një personi, a partie për një kohë të gjatë.
Në fund të fundit, rëndësia e zgjedhjeve të 3 nëntorit në Amerikë, nuk duhet të matet vetëm me numrin e vendeve që fituan demokratët apo sa humbën republikanët.  Prova e vërtetë do të jetë nëse ekuilibri i ri politik do të forcojë institucionet amerikane,  mbikëqyrjen e përgjegjshme të Kongresit dhe do të nxisë një kthim te parimet kushtetuese që e kanë mbështetur Republikën Amerikane për gati 250-vjet.  Demokratët tashmë kanë një mundësi, por edhe një përgjegjësi. Ata duhet të dëshmojnë se fitorja e shumicës në Kongres nuk u jep atyre të drejtën të shpërfillin të drejtat dhe interesat politike të qytetarëve që votuan për republikanët. Të njëjtat standarde kushtetuese duhet të vlejnë për të gjithë.  Etërit Themelues të Amerikës e kuptonin një të vërtetë që çdo brez amerikan duhet ta rizbulojë se pushteti ka nevojë për kufizime, autoriteti politik kërkon përgjegjësi dhe demokracia nuk mund të mbijetojë pa institucione aq të forta sa të jenë në gjendje të kontrollojnë ata që qeverisin. Një mesazh ky edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, në këtë periudhë të historisë së saj.
Ndoshta ky është mesazhi më i rëndësishëm i këtyre zgjedhjeve. Populli amerikan nuk ka votuar thjesht për një ndryshim të ekuilibrit të pushtetit politik. Ai ka riafirmuar rëndësinë e ekzistencës së një ekuilibri të tillë.  Dhe kjo është një fitore që ia vlen të kremtohet – jo për njërën apo tjetrën parti politike në Amerikë — por për vetë demokracinë amerikane.  Në këtë ndërkohë, mesazhi për politikanët shqiptarë nga zgjedhjet e fundit në Amerikë, është se duhet të kuptojnë njëherë e mirë, se një shumicë parlamentare nuk është pronë e përhershme e askujt dhe se asnjë pushtet nuk mund të qëndrojë mbi vullnetin e qytetarëve dhe mbi institucionet e shtetit përgjithmonë.
                                                 75 2026 Midterm Royalty-Free Images, Stock Photos & Pictures | Shutterstock

Vizita „rezolute“ e antarëve të partisë Lista Studentore e Serbisë në Shtetin tonë Kosovës

0
Sabahate Byci, Gjermani 
____
Metaforikisht SL= Slobo Lived/Slobo Lebt!
Mua personalisht po më quditë fakti se, pse asnjë parrti deri me sot në pushtet (2026) KURR nuk ia ka bërë dhe as nuk po ia bëjnë popullit tVendlindjes sime Shtetit tonë Kosovës Darrdanisë të kjarrtë e nuk po ia spjegon Trraktatin e 10. Qershor-it 1999?!
Pra spjegimin, esencen edhe kuptimin e Rrezolutes së „famshme“ 1244 e KSOKB e cila është si „THIKA ME DY TEHA“.?!
Trraktati i së ciles;
Në njëren anë n’bazë të ligjit ndërkombtar Kosovën e trrajton si;
-„TERRITOR I VETEM“!
E në të njejtin rast thuhet se Kosova nuk është politikisht e ndarë nga Rrepublika Federale e Jugosllavisë don të thot nga Serbia megjuthse Serbia që nga viti 2006 (me ndarjen e Malit të Zi) MË NUK ËSHTË  Rrepublikë Federale e Jugosllavisë.?!
(Kështu të dhënat zyrtare!)
Dhe nga ana tjeter është n’administrrimin e përkohshëm të UNMIKut e që 27 vite me rradhë kjo „përkohëshmëri“ e Trraktatit të nënshkruar nga akteret politik të kohës në fjalë sikurse po rreflektohet, t’gjith paskan qenë, pa ose me qëllim për një gjendje të tillë (afatgjate!)STATUS QUO N’KOSOVË!
Prandaj antarët e Listes së Studentëve të Serbisë n’bazë e formë RREZOLUTE hynë me „Lejen“ edhe „krenarinë përgdhelëse“ të ndërkombtarve tek;
„TERRITORI I VETEM“!
Në Kosovën tonë me masë të popullsisë Shqiptare prej 96%  – PAVARSINË e së cilës 121 Shtete Anëtare të KSOKB-ës e KAN NJOHUR.!
Në këtë kontekst shtrrohet pyetja;
-Athua a e kan ditur edhe a kan menduar përpiluest si dhe ata që e kan nënshkruar Trraktatin e 10. Qershor-it 1999 se çfar po nënshkruajn apo për shum qështje n‘rend t’parë qëllimet financiare i kan bashkdyzu me çështjet politike sipas motoss se;
-„Një krua që pikon, nuk ndalet kurr“!

Opozita në Serbi e rrëzoi Vuçiqin, por nuk e flaku fare hijen e Millosheviqit!

0

Shkruan; Prof.dr. Fadil Maloku, sociolog

Që në fillim më duhet ta sqaroj se, për mua si sociolog, dokumenti ku evidentohet qëndrimi i opozitës serbe ndaj Kosovës nuk mund të ndëlidhet vetëm me shpresën si synim e ambicie se ata do të jenë më liberalë, por edhe me mënyrën dhe kutin e tyre politik se si do ta qeverisin vendin e tyre. Dhe në veçanti, çfarë raporti fqinjësor do të ndërtojnë ata në të ardhmen me Kroacinë, Bosnjën, Malin e Zi e sidomos me Republikën tonë. Shikuar nga kjo “dioptri”, nëse “Lista e studentëve” serbë vazhdon ta “ushqejë” dhe ta mbajë gjallë të njëjtën “road map” ultranacionaliste, ashtu si regjimi i diktatorit Millosheviq dhe ai i autokratit Vuçiq kundrejt Kosovës, atëherë ne duhet të jemi shumë vigjilentë, sepse në Serbi, de facto dhe de jure, po shihet se kemi të bëjmë vetëm me ndërrimin e akterëve politikë, e jo edhe me ndryshimin radikal të kursit qeverisës apo me një emancipim, e aq më pak me denazifikim të politikës, kulturës, mentalitetit dhe etnopsikologjisë serbe në tërësi…!?

Dokumenti i mëposhtëm, ku pak a shumë mund ta “lexojmë” si qëndrimin ashtu “planimetrinë”e opozitës së re serbe ndaj Kosovës, thënë më troç, na zbulon një paradoks të rëndësishëm, të cilin qeveria, por edhe opozita dhe mediet tona, bashkë me shoqërinë civile, tash e tutje duhet ta kenë në epiqendër të prononcimeve publike. Opozita serbe, kinse po pretendon të ofrojë një alternativë të re, të ambalazhuar me “folklorizmin” demokratik si kundërvënie ndaj regjimit të Vuçiqit rreth Kosovës, por, në fakt, me sa duket, ajo do të vazhdojë edhe më tej të riprodhojë të njëjtën matricë ideologjike, territoriale dhe nacionaliste të politikës serbe. Kur them kështu, nënkuptoj se, në kuadër të kësaj matrice tipike ideologjike, territoriale e nacionaliste të kësaj opozite, unë po “lexoj” midis rreshtave edhe disa argumente kundërthënëse sociologjike.

  1. Argumenti i parë kundërthënës, që nuk kërkon ndonjë përgatitje apo ekspertizë aq profesionale, ka të bëjë me faktin se opozita serbe, ndonëse i ka maksimalizuar ambiciet dhe synimet e saj për rrëzimin e autokracisë së Aleksandër Vuçiqit, me idenë e demokratizimit të brendshëm të Serbisë, përmes qëndrimit të saj nacionalist, në fakt, është duke i mohuar si vlerat, ashtu edhe mekanizmat e demokracisë, sidomos kur janë në pyetje standardet e raporteve me fqinjët e saj, e në veçanti me Kosovën! Shkaku është se ajo nuk ka lëvizur asnjë milimetër përpara! Përkundrazi! Ngase, me sa mund të gjykohet nga prononcimet e bëra deri më tash, ajo, në të njëjtën kohë, është duke promovuar demokratizimin e institucioneve të shtetit të vet, por edhe duke imponuar një diskurs pak a shumë identik me atë të ish-regjimit të autokratit Vuçiq! Sepse është paradoksale dhe absurde që, me të njëjtin ritëm, ta trajtosh fqinjin tënd (Kosovën) si objekt të vullnetit politik dhe kushtetues të Serbisë, duke mos ia njohur subjektivitetin e saj politik! Pra, nuk mund të kërkosh demokraci për vete, por njëkohësisht t’ia mohosh të drejtën e një shoqërie tjetër për vetëvendosje politike.
  2. Argumenti i dytë kundërthënës ka të bëjë me “rrëfimin” e tyre lidhur me qëndrimin publik shovinist ndaj Kosovës, i cili edhe mund të jetë lansuar si një narracion që ka shërbyer vetëm për konsum të brendshëm, në formë dhe përmbajtje eufemiste. Mirëpo, kur ata i referohen Rezolutës 1244 dhe më pas Kushtetutës së Serbisë, ku Kosova, taksativisht, ende në Preambulë figuron si “pjesë përbërëse e Serbisë” dhe ku aludohet se Kosova duhet të qëndrojë aty edhe pas gati tri dekadave të pasluftës, brenda kufijve të Serbisë, dëshmojnë më së miri se kjo opozitë nuk ka arritur, apo nuk ka dashur qëllimisht, të “shkurorëzohet” nga paradigma e trashëguar e nacionalizmit territorial serb! Opozita e sotme serbe, në vend që ta trajtojë Kosovën si një realitet të ri politik dhe ndërkombëtar dhe të përdorë, me shumë më tepër fleksibilitet, standardet evropiane për fqinjësi dhe raporte tolerante, ajo, me sa po kuptoj, do të vazhdojë ta konceptojë edhe më tej Kosovën si një territor të papërfunduar të shtetësisë serbe!?
  3. Argumenti i tretë kundërthënës, të cilin mund po ashtu ta “lexojmë” e ta “detektojmë” në këtë dokument të opozitës së re serbe, është ai i kërkesës, që po duket se shndërrohet edhe në insistim, për të instaluar në Kosovë, sapo të vijnë në pushtet, një lloj autonomie etnike si mekanizëm juridik për krijimin e një sovraniteti paralel në Republikën e Kosovës. Kjo i bie të instalohet një lloj “kali Troje”, apo, thënë më ndryshe, një model atipik i “bosnjizimit” të Kosovës, ku Republika jonë, e njohur nga 127 shtete, në dekadat e ardhshme do të vazhdonte të përplitej përfundimisht në “shtratin e Prokrustit” serb!? Ku komunat sa një “grusht” serbësh do të fitonin autonomi (lexo: një Republikë Srpska paralele në Kosovë!), shumë më të madhe se ajo që ka Asociacioni aktual i vetëqeverisjes në Kosovë. Ku ambicia, synimi dhe shpresa e brezave të ardhshëm serbë për ta rikthyer “Jerusalemin serb” do të maksimalizoheshin skajshmërisht.
    Paradoksi është ky: të drejtat e grupeve etnike, sipas konventave dhe normave evropiane, duhet të garantohen, por jo edhe të shndërrohen në instrument presioni për reduktimin dhe relativizimin e sovranitetit dhe funksionalitetit të shtetësisë së Kosovës. Ky paradoks hetohet edhe te kërkesat për luftimin e korrupsionit, përgjegjësinë institucionale dhe çlirimin e institucioneve nga kontrolli politik. Mirëpo, kur vjen puna te Kosova, kjo opozitë dëshmon qartazi se do të riprodhojë një diskurs të trashëguar nga politika e vjetër serbe.
    Së fundi, si konstatim, ajo që duhet të kuptojë Kosova është se Serbia, me opozitën e re, e ndërrojë regjimin politik, por, kur është në pyetje Republika e Kosovës, nuk po shihet se e ka ndryshuar as edhe një milimetër kursin apo paradigmën e vetë nacionaliste! Dhe duke qenë ende e “ngujuar” në ujërat e nacionalizmit, mendoj, që ajo nuk premton të sjellë progres në raport me Kosovën edhe për një arsye, sipas meje, fundamentale: Serbisë i duhet një katarsis moral, etik, politik e kulturor, për të cilin nevojitet kohë… Ndërkaq, ne duhet të vazhdojmë forcimin e tërësisë së shtetësisë sonë, e cila u arrit me mund, me sakrifica, me gjakun e dëshmorëve dhe të viktimave. Megjithate, duhet theksuar se interpretimi juridik i BE-s kërkon një sqarim të nuancuar. Sepse, Neni 49 i Traktatit për Bashkimin Evropian nuk e definon shprehimisht njohjen e Kosovës nga ana Serbisë si kusht paraprak për anëtarësimin e saj në BE. Por, kur janë në pyetje procesi i normalizimit gjithëpërfshirës i raporteve me Kosovën ky është një kusht tashmë i konsoliduar në kuadër të negociatave të Serbisë për anëtarësim. Dhe kjo kërkesë (shih Kapitullin 35!) përfshin detyrimet që ka marr Serbia, kur janë në pyetje sidomos çështjet që lidhen me pranumin e dokumenteve Kosovës, me institucionet e saj, me pjesëmarrjen në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtarë, si dhe me mbrojtjen e komunitetit serb në Kosovë.Andaj themi që procesi i njohjes formale diplomatike dhe përmbushja e këtyre detyrimeve janë dy çështje diametralisht antipode, ndonëse pasojat e tyre praktike mund të ndërthuren, por vetëm me vullnet politik që kam dilema në zbatim, sidomos tani kur Serbinë do ta udhëheq opozita studentore.
Si konstatim! Ajo çfarë duhet të kuptojë Kosova nga ky Dokumenti i opozitës serbe është; se Serbia, me opozitën e re, do ta ndërrojë regjimin e vet politik, por, kur është në pyetje Republika e Kosovës, nuk po shihet se e ka ndryshuar as edhe një milimetër kursin apo paradigmën nacionaliste. Si e tillë, ajo nuk shpresoj të sjellë progres në raport me Kosovën edhe për një arsye, mendoj unë, fundamentale: Serbisë i duhet një katarsis moral, etik, politik e kulturor, për të cilin ka nevojë për kohë…


Njejt sikurse Sllobodan Milosheviq, …protestuesit e Serbisë që do ta marrin pushtetin tash Kosovën e konsiderojnë pjesë të Serbisë…!

Ndërkaq, ne duhet të vazhdojmë forcimin e tërësisë së shtetësisë sonë dhe të mos pranojmë asnjë marrëveshje pa njohjen de facto nga Serbia…

Falemnderit i përjetshëm për Austrinë që na e ruan kujtimin për Gjergj Kastriotin, të cilin neootomanët vazhdojnë ta quajnë “hero të 3 për qind katolikësh”

0

Afrim Zeqiri, Gjermani

Është krenaria jonë, por edhe krenaria e Austrisë, e cila e mban dhe na e ruan. Dikur kam thënë: Përse Austria na e ka marrë dhe na e mban vlerën tonë? E kam kuptuar kur kam lexuar historinë tonë nga fillimi shkollor.
Nga fillimi shkollor, në F. Vrellë, 2 km larg ishte Shkolla Fillore dhe në hollin e shkollës ishte e gjithë ballina e murit me një foto të Gjergj Kastriotit tonë.
Pra, ishte viti i parë shkollor, shtator 1971–72. Por, siç duket, kolektivi i arsimit i Sh.F. në Vrellë nuk arriti ta mbronte. Pas dy vitesh, sa më kujtohet, fotoja e Gjergjit nuk ishte më në mur, ndërsa 10 vjet më vonë, më 1981, nuk kishte shumë figura të tjera kombëtare, as në mure e as në librat shkollorë!
Në fund të vitit 1999, një shok në Mitrovicë, Xh. Murseli, më tha: «Urime çlirimi i Kosovës, por po kam frikë nga qarqe të ndryshme antishqiptare, që do të na pengojnë në realizimin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, tani me anë të islamit turko-arab!»
«Joooo!», i thashë shokut tim të ngushtë, «se nuk do të ndodhë, sepse populli ynë tanimë është i shkolluar e i lexuar, i shëtitur e i ditur, sa të mos bjerë pre e një ideologjie primitive islamiste turko-arabe, siç ishin shqiptarët e vitit 1912!»
Jo, por me shokun, dhe pa pritur e pa u kujtuar, vërtet na dolën mazllumat e shefqetët e sulltanëve, të porositur nga Serbia, që ta quanin Gjergj Kastriotin «katil, çafër-kriminel», “hero i 3 % katolikësh”, siç e pati quajtur ish-deputeti neoosmanli Gëzim Kelmendi, që vazhdimisht ftohet prej “mediave tona” në debate televizive!
Se Kryeheroi Arbnor Gjergj Kastrioti ua ka prishë projektet e sulltanëve të Perandorisë Osmane për të na zhbërë me Islam.
Shqiptar Shaljani në Vjenë tek përkrenarja e Gjergj Kastriotit
Flamurin na e quajtën leckë, Nënë Terezën e sulmuan me fjalorin e ndytë, ne shqiptarët na quajtën ardhacakë, ndërsa serbët vendas, etj.
Pra, i dhashë të drejtë shokut për shqetësimin, por tani, kur shoku dhe shumë shokë po heshtin para agjenturave të tilla serbiane, po hesht edhe Qeveria, që nga fillimi i viteve 2000 e deri më sot!
Merre me mend: vendet që praktikojnë islamin, si puna e Egjiptit, u tregojnë qeverive tona shqiptare se keni mbi 30 organizata islamike me qëllime ekstremiste, duke përfshirë edhe Kosovën e Shqipërinë, e kryeministrat tanë koktohen çdo ditë duke përuruar xhamitë e tyre ekstremiste!

Uniteti politik dhe artikulimi i përbashkët në përfaqësimin parlamentar dhe në Këshillin Kombëtar Shqiptar

0

Pamje e Medvegjës

Refik Hasani, Bujanovc

Krahina e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në funksion të artikulimit të një platforme të përbashkët politike, duhet domosdoshmërisht të dëshmojë unitet, harmonizim të qëndrimeve dhe konsensus politik ndërmjet subjekteve të saj politike, jo vetëm në rrafshin e përfaqësimit në parlamentin e Serbisë, por edhe në kuadër të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe të kuvendeve komunale të këtij Rajoni.

Zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë, të mbajtura më 25 tetor, dhe zgjedhjet për Këshillin Kombëtar, të zhvilluara më 8 nëntor, përfaqësojnë dy procese zgjedhore të niveleve të ndryshme të përfaqësimit politik dhe institucional.

Ndonëse dallojnë për nga kompetencat dhe funksioni përfaqësues, të dyja këto procese zgjedhore kanë rëndësi thelbësore strategjike për konsolidimin e subjektivitetit politik, forcimin e kapaciteteve të përfaqësimit institucional dhe afirmimin e pozitës kolektive të shqiptarëve në Republikën e Serbisë.

Rëndësia e këtyre proceseve zgjedhore nuk kufizohet vetëm në hapësirën e Krahinës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, por shtrihet edhe në rajonin e Sanxhakut, duke përfshirë një dimension më të gjerë të artikulimit dhe mbrojtjes së interesave kombëtare, politike, kulturore dhe institucionale të shqiptarëve në të gjithë territorin e Republikës së Serbisë.

Në këtë kuptim, përfaqësimi parlamentar dhe ai përmes Këshillit Kombëtar “𝐾𝑜𝑎𝑙𝑖𝑐𝑖𝑜𝑛𝑖𝑡 𝑆ℎ𝑞𝑖𝑝𝑡𝑎𝑟”, duhen konceptuar si mekanizma komplementarë dhe të ndërlidhur të artikulimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave kolektive, çka imponon një qasje të koordinuar, harmonizuar, unifikuar dhe  ruajtjen e unitetit përfaqësues dhe qëndrueshmëri në artikulimin dhe avancimin e kërkesave politike, institucionale dhe të drejtave legjitime të shqiptarëve.

Në këtë rast, vëmendja përqendrohet te zgjedhjet për Këshillin Kombëtar, në të cilat subjektet politike shqiptare garuan përmes katër listave të veçanta zgjedhore, ndërsa në zgjedhjet për Parlamentin e Republikës së Serbisë u përfaqësuan përmes një liste të përbashkët, pas arritjes së një marrëveshjeje politike ndërmjet tyre.

Megjithatë, ky dallim në qasjen dhe modalitetet e konkurrimit zgjedhor nuk duhet të shndërrohet në burim të përçarjes apo të fragmentimit të unitetit politik dhe institucional në procesin e konstituimit të Këshillit Kombëtar. Përkundrazi, përbërja e këtij institucioni, zgjedhja e kryetarit dhe funksionalizimi i strukturave të tij drejtuese duhet të mbështeten në parimet e bashkëpunimit, gjithëpërfshirjes, përgjegjësisë institucionale dhe përfaqësimit kolektiv, duke pasur si pikë referimi interesin e përbashkët të shqiptarëve në të gjithë territorin e Republikës së Serbisë.

Fshat i braktisur në Medvegjë…

Unë, si bir i kësaj Krahine, që një jetë të tërë kam përcjellë zhvillimet e saj dhe jam përpjekur të hulumtoj e të publikoj vështrime mbi to, nuk dëshiroj të shoh mungesë uniteti ndërmjet përfaqësuesve tanë.

Në këtë frymë, konsideroj se nuk duhet të përsëritet përvoja e 12 shtatorit 2015, kur, në mbledhjen e përbashkët për miratimin e Deklaratës, nuk morën pjesë dy subjekte politike, ndërsa të pranishëm ishin vetëm 43 këshilltarë komunalë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, e jo të gjithë këshilltarët komunalë shqiptarë të tri komunave.

Presheva

Po ashtu, nuk është në interes të kauzës dhe aspiratës së përgjithshme të këtij Rajoni që të përsëriten përvojat e mëparshme institucionale, kur, ndonëse zgjedhjet e rregullta për Këshillin u mbajtën në nëntor të vitit 2022, subjektet politike shqiptare, për shkak të përçarjeve dhe thellimit të mospajtimeve ndërmjet tyre, nuk arritën ta konstituonin Këshillin brenda afatit të përcaktuar ligjor. Ky dështim institucional ishte pasojë e mungesës së konsensusit politik dhe e bllokadave të krijuara ndërmjet partive politike shqiptare të kësaj Krahine, lidhur me zgjedhjen e kryetarit të ri të këtij institucioni.

Si pasojë e moskonstituimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar brenda afatit të përcaktuar ligjor, për shkak të mungesës së marrëveshjes politike ndërmjet subjekteve shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të ri, ministria përkatëse serbe ndërmori masat ligjore, duke emëruar një Organ të Përkohshëm për ushtrimin e funksioneve të Këshillit. Si rrjedhojë e kësaj rrethane institucionale, Krahinës iu desh t’i nënshtrohej sërish një procesi të plotë zgjedhor, pa u arritur paraprakisht konstituimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Kështu, në janar të vitit 2023, u zhvilluan zgjedhje të reja, të imponuara nga pamundësia për të kapërcyer bllokadën politike dhe për të përmbyllur procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të këtij institucioni.

Mungesa e unitetit të dëshmuar, e shoqëruar me mungesën e vullnetit dhe të gatishmërisë politike për të mundësuar zgjedhjen dhe funksionalizimin e Këshillit, krijoi dhe thelloi ndarje të konsiderueshme ndërmjet partive politike shqiptare, me pasoja të shumta për përfaqësimin dhe artikulimin e interesave të përbashkëta politike e kombëtare.  Në vend të unitetit, harmonizimit të qëndrimeve dhe konsensusit politik, kjo gjendje e largoi edhe më shumë mundësinë e ndërtimit të një qëndrimi të përbashkët dhe të një rezistence politike ndaj Serbisë, të ushtruar përmes mjeteve paqësore dhe demokratike, në mbrojtje të të drejtave individuale dhe kolektive. Njëkohësisht, ajo pamundësoi artikulimin e një platforme të përbashkët politike, të mbështetur në qëllime dhe objektiva të qarta, për jetësimin e vullnetit plebishitar, si dhe për ruajtjen e dinjitetit, identitetit dhe kujtesës së sakrificës së shumë brezave të kësaj Krahine.

Rezultatet zyrtare preliminare të shpallura për zgjedhjet e fundit të 8 nëntorit për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Republikën e Serbisë nxjerrin në pah një dallim të qartë në shpërndarjen e votës elektorale ndërmjet tri komunave shqiptare. Në Preshevë, fitues i këtij procesi zgjedhor doli një subjekt politik, ndërsa në Bujanoc mandati i epërsisë elektorale iu besua një partie tjetër politike shqiptare. E njëjta dinamikë u manifestua edhe në Medvegjë, ku fituese doli një forcë politike krejtësisht tjetër nga ato që dolën të parat në Preshevë dhe Bujanoc.

Kësisoj, në të tria komunat, fituese doli pikërisht ajo forcë politike që aktualisht mban pozitën dhe ushtron drejtimin e Këshillit Kombëtar Shqiptar. Nisur nga ky rezultat zgjedhor dhe nga konfigurimi i përfaqësimit politik në strukturat drejtuese të Këshillit, bëj thirrje publike që zgjedhja e kryetarit të ardhshëm të mos jetë çështje e dominimit të një subjekti të vetëm politik gjatë gjithë mandatit , por rezultat i një marrëveshjeje politike, të mbështetur në parimin e rotacionit dhe të përfshirjes së të gjitha subjekteve politike që kanë përfaqësim nga tri komunat.

Një zgjidhje e tillë përbën një domosdoshmëri të kohës, në funksion të ruajtjes së frymës unifikuese, garantimit të funksionalitetit dhe stabilitetit institucional të Këshillit, zgjerimit të përfaqësimit politik, parandalimit të krizave të brendshme dhe ndërtimit të një strukture drejtuese efikase, me rezultate të qëndrueshme organizative.

Bujanovci…

Njëkohësisht, ajo krijon parakushtet për konsolidimin e autoritetit institucional, mbi parimet e unitetit, kohezionit dhe artikulimit të përbashkët, dhe artikulimi i përbashkët në të gjitha nivelet institucionale, forcimin e karakterit gjithëpërfshirës të Këshillit dhe avancimin e proceseve të tjera në shërbim të interesit të përbashkët.

Në fund, uniteti dhe konsensusi politik nuk janë vetëm domosdoshmëri e përfaqësimit institucional, por edhe parakusht për artikulimin e qëndrueshëm të interesave kolektive dhe avancimin e të drejtave legjitime të shqiptarëve. Përgjegjësia ndaj kësaj kauze kërkon që interesi i përgjithshëm të jetë gjithmonë mbi çdo interes të ngushtë partiak.14 nëntor 2026.