ARKIVI:
24 Nëntor 2024

100-Vjet të ekzistimit dhe veprimtarisë së Klubit Futbollistik Prishtina së shpejti do t’i gjejmë të përmbledhura në Monografinë e vëllimshme të autorit Esad Rexhep Ejupi

Shkrime relevante

NALT: FSK ballafaqohet me sfida të mëdha drejt transformimit në ushtri

Përgatiti: Fadil Gashi/ Radio Kosova Ekipi Këshillimor dhe i Lidhjes i NATO-s,...

Depolitizimi i mërgatës!

Florim Zeqa Partitë politike siq shihet nuk kanë nevojë për intelektual, por...

Traditat Ilire-Arbërore, po prehen kirurgjikisht nga antishqiptarizmi islamik

Nga: Engjell Gishti, historian  TRADITA ILIRO - ARBERORE, PAGANE DHE E KRISHTERE...

Vjosa Osmani, “kush kërcen, kafja falas…!”

Shkruan : Refiqe R.Hamiti ___ VJOSA OSMANI, KUSH KËRCEN ,KAFJA FALAS "S'ka ku...

Shpërndaj

Nga Arif Ejupi

Futbolldashësit shqiptarë së shpejti do ta kenë në duar Monografinë e Mr.sc. Esad Rexhep Ejupi,”100-VJET KLUBI I FUTBOLLIT PRISHTINA 1922-2022”

Autori në këtë libër përshkruan veprimtarinë njëqindvjeçare të Klubit Futbollistik Prishtina.

Kjo skuadër edhe pse veproi në kushte të rënda ekonomike dhe e penguar vazhdimisht nga regjimet diktatoriale të Serbisë, prapëseprapë mbeti adresa më e pëlqyeshme e rinisë shqiptare.

Me Klubin Futbollistik Prishtina përveç Kosovës frymoi edhe Shkupi, Tetova, Gostivari, Struga, Dibra, Ohëri, Prespa, Manastiri, Kërçova, Ulqini, Kraja, Pazari i Ri, Presheva, Medvegja e Bujanoci.

Të dielat në Prishtinë sidomos gjatë viteve 1983-1988, kur skuadra ishte anëtare e elitës së futbollit jugosllav ishin festë e vërtetë.  Që nga mëngjesi e deri  në orët e vona të natës jehonte kënga dhe vallja.

Kur, Prishtina shënonte fitore ndaj skuadrave kampione festa s’kishte mbarim. Deri në skajet më të largëta të kryeqytetit dëgjohej kënga “Besa-Besë” që në njëfarë mënyre u shndërrua edhe në himn kombëtar.

Hartuesi i kësaj monografie duke qenë dëshmitar i këtyre ngjarjeve edhe pse i specializuar në fushën Juridiko-financiare, qysh si nxënës i shkollës 8-vjeçare “Kongresi i Manastirit” në Gllamnik të Podujevës, koleksionon çdo artikull që ka të bëjë me skuadrat e Kosovës në futboll e basketboll.

Në këtë hobi Esadi përkrahet edhe nga i ati Rexhep Selim Ejupi, që ishte njëri nga mësuesit dhe nëpunësit e parë të trevës së Llapit.

Ai fundjavat i rezervon për përcjelljen e ndeshjeve të skuadrave të futbollit si: FC Llapi, FC Prishtina, FC Trepça, FC Liria, FC Vëllaznimi, FC. Drita, FC Besa, FC Kombinati Industrial Ramiz Sadiku, FC KEK-u etj.

Si ndjekës i rregullt i këtyre skuadrave përshtypjet e veta përgjatë 90 minutave çdoherë i regjistron në letër.

Me siguri kjo formë e mbajtjes së shënimeve të detajuara ia shton kurajën dhe guximin për portretizim të figurës së Fadil Vokrrit, Esat Mehmetit, Kujtim Shalës, Besnik Hasit, Ardian Koznikut etj, të cilët edhe jashtë Kosovës me lojën e tyre të bukur lanë gjurmë të pashlyeshme.

Esadi nuk lejoi të mbeten të margjinalizuara as edhe futbollistet e para shqiptare Afërdita Sabri Podvorica, dhe Fatmire Bajrami-Alushi, të cilat një kohë të gjatë na kanë ndritur fytyrën duke luajtur me mjaft sukses në skuadrat më të njohura të Gjermanisë.

Bile, Bajrami-Alushi mbi 10 vjet ka luajtur edhe për reprezentacion e femrave të Gjermanisë.

Ajo karrierën e saj të bujshme e ka mbyllur më 30 qershor të vitit 2015 tek gjiganti francez FC “Paris Saint Germain”

Esadi duke e ndjerë si ushqim shpirtëror gazetarinë sportive më 2016 të gjitha intervistat, analizat dhe raportimet nga terreni i përmbledh në librin “Gazetaria më shumë pasion se profesion”

Ai gjatë viteve nënokupim ka qenë korrespondent i Radio Rilindjes nga Dyseldorfi i Gjermanisë.

Me të përfunduar lufta kthehet në vendlindje edhe së bashku me z.Gani Kosumi, veteran i gazetarisë sportive në Kosovë, vite me radhë e mbajnë me lajme të nduarnduarta nga sporti në vend e botë portalin viziv “Sporti në Republikën e Kosovës”

Falë angazhimit të Esadit adhuruesit e futbollit gjermanë nga Kosova, mbahen të informuar në kohë me të gjitha zhvillimet në Bundesligën gjermane.

Nga dëshira që të marrë njohuri shtesë studion edhe gazetarinë me brezin e parë të studentëve në Kolegjin AAB të Prishtinës.

Ndërkohë, Departamenti i Thesarit Amerikan, zyra në Kosovë e certifikon si Instruktor kundër krimit financiar.

Ai si ekspert i kësaj sfere që nga viti 2008 mban pozita udhëheqëse në Agjencinë kundër Korrupsionit të Republikës së Kosovës.

Duke qenë ithtarë i idesë që korrupsioni si kanceri i një shoqërie duhet të luftohet me të gjitha mjetet publikon në gazeta edhe disa artikuj që kryekëput trajtojnë këtë problem të ndjeshëm.

Ejupi, gjithashtu është autor edhe i doracakut “Konflikti i Interesit” libër ky i botuar më 2014 nga shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës.

Më 2020 do ta botojë librin tjetër të kësaj fushe “Për Vendimmarrje Pa Konflikt Interesi”

Ai mbi këtë temë që mbetet shqetësim i përhershëm i të gjitha qeverive të botës, ka prezantuar në Konferenca dhe Seminare Ndërkombëtare të organizuara në Köln të Gjermanisë dhe Tiranë të Shqipërisë.

Kohëve të fundit Ejupi, duke u bazuar në përvojën e fituar ia vë vetes detyrë edhe hartimin e një Monografie mbi veprimtarinë 100-vjeçare të Klubit Futbollistik Prishtina.

Vite me radhë gjurmon material në të gjitha arkivat e Republikës së Kosovës, njëkohësisht kontakton lojtarë e udhëheqës të dikurshëm të skuadrës FC Prishtina.

Me të vjel materialin e domosdoshëm nis përpunimin e tij sipas kronologjisë. Kuptohet që shfaqen telashe sepse artikujt e fillimviteve të 30-ta, janë të paktë dhe mezi që deshifrohen.

Situatë e ngjashme vërehet edhe gjatë viteve të Luftës Antifashiste. Përkundër këtij fakti autori i kësaj Monografie tregohet këmbëngulës dhe këtë projekt të tij të nisur vite më herët e përfundon me mjaft sukses gjatë këtyre ditëve.

Ai si çdoherë korrekt  dhe i përpiktë në trajtim të ngjarjeve në Monografi përfshinë të gjithë udhëheqësit e Klubit Prishtina, trajnerët dhe lojtarët, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare.

Madje, në një prononcim të tij në një emision sporti në Radio Llapi thotë “Kohët nuk ndërrohen prandaj duhet t’u referohemi atyre, edhe pse të shumtën e herëve jo të favorshme për popullin tonë”

“Por, çdo veprim ndryshe do të çonte në shtrembërim të së vërtetës” Ejupi gjatë punës së tij hulumtuese Klubin e sotëm futbollistik Prishtina e gjen edhe me emra të ndryshëm sllavë si: Gragjanski, Jedinstvo, Proleter dhe Kosovo-Metohija.

Ata që e jetuan këtë përudhë e dinë fare mirë që Kosova edhe pas Luftës së Dytë Botërore e deri në mëvetësinë e saj u administrua nga Beogradi.

Prandaj, këto emërtime të ekipit futbollistik Prishtina me emra sllavë nuk i habisin ata aspak.

Asokohe shqiptarët e shtypur dhe të eksploatuar nga ajo farë diktature proletare luftën e tyre të vetme e kishin përqendruar në ruajtjen e identitetit kombëtar.

Shkollimi, punësimi dhe integrimi i tyre në shoqërinë jugosllave as që diskutohej.

Ata duke mos pasur asnjëherë tretman të njëjtë me kombet dhe kombësitë e tjera të ish- Jugosllavisë, të gjitha regjimet e saj me të drejtë i konsiderojnë si fashiste dhe robëruese.

Autori i këtij libri të rrallë e me vlera të veçanta në më shumë se 900 (nëntëqind) faqe identifikon rivalizimin e shqiptarëve nga ana e serbëve edhe në sport.

Në vitet 1972-1973 Prishtina edhe pse ishte më njërën këmbë në Ligën e Parë Federative të Jugosllavisë, dështon në ndeshjen e fundit kualifikuese ndaj Osjekut të Sllavonisë, ngase disa nga futbollistët serbë që atëbotë luanin për Prishtinën tregohen indiferent.

Gjatë u përfol që ata kanë bërë edhe kurdisjen e ndeshjes në mënyrë që Prishtina të mbetet jashtë realizimit të ëndrrës së saj të kahershme.

Po ashtu z.Ejupi duke shfletuar lëndën arkivore nëpër vite vëren që në Klubin Futbollistik të Prishtinës vinë futbollistë nga Serbia e Mali i Zi, krejt anonim dhe dukshëm më të dobët se ata shqiptarë,që luanin në Ligën e Dytë Federative të ish-Jugosllavisë,grupi i lindjes dhe në Ligën e Parë Futbollistike të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

Kjo bëhej qëllimisht dhe me programe të veçanta vetëm e vetëm që Klubi Futbollistik Prishtina të mos shqiptarizohej.

Me gjithë padrejtësitë dhe sfidat Prishtina mbetet krenari jona kombëtare. Ajo më 1983 inkuadrohet në Ligën e Parë Federative të ish-Jugosllavisë, dhe shpejt bëhet skuadër në zë.

Qoftë si mikpritëse apo mysafire ajo i gjunjëzon të gjitha ekipet me renome dhe përvojë të gjatë si:Cervena-Zvezda e Partizani të Beogradit, Hajduk të Splitit, Dinamo të Zagrebit, Velezh të Mostarit Zhelezniçar të Sarajevës etj.

Edhe pse pas pesë vjetëve largohet nga kjo Ligë më tepër si pasojë e rrethanave ekonomiko-politike ndihmë nga Prishtina do të kërkojë Partizani i Beogradit, kampion i disahershëm i ish-Jugosllavisë në futboll.

Ai në radhët e veta do ta angazhojë yllin prishtinas Fadil Vokrri, i cili edhe në këtë ekip do të jetë lojtari më i mirë. Vokrri derisa luante në Partizan ishte edhe futbollist standard i reprezentacionit të Jugosllavisë.

Përpos, Fadil Vokrrit më 1963 në Partizan të Beogradit ka luajtur edhe Zenun Brovina ish-futbollist i Prishtinës.

Brovina është shqiptari i parë që ka luajtur në Ligën e Parë Federative të Jugosllavisë. Tri-katër vjet pas Zenun Brovinës tek Partizani do të luajë edhe Luan Prekazi. Nëse nuk gabojmë Prekazi në Partizan shkon diku në vitin 1967.

Pastaj lojtarë të kësaj skuadre beogradase do të jenë edhe Kujtim Shala e Isa Sadriu.

Prishtina po ashtu me lojtarë i furnizon edhe klubet e njohura kroate FC Hajduk, FC Dinamo dhe FC Rjeka.

Ata që janë adhurues të vërtetë të FC Prishtina do të mësojnë shumëçka nga libri i z. Esad Ejupi, i cili edhe në paraqitjet e tij televizive lë përshtypjen e një kronisti të mirë të sportit.

Kjo monografi që shtjellon një shekull ekzistimi dhe veprimtarie të Klubit Futbollistik Prishtina, mendojmë që duhet të mbështetet pahezituar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës, apo nga ndonjë sipërmarrës ynë zemërgjerë që kupton vlera dhe rendësi të ruajtjes së trashëgimisë sonë kulturore dhe sportive.

Libri në fjalë mund të konsiderohet edhe si enciklopedi sepse përmban të dhëna të faktuara të shoqëruara edhe me dhjetëra pamje.

Ai duke qenë i tillë pa mëdyshje do t’i rikthejë në retrospektivë adhurues e ish-lojtarë të shumtë të FC Prishtina.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu