ARKIVI:
21 Dhjetor 2024

18 Prilli – Dita ndërkombëtare e monumenteve dhe siteve

Shkrime relevante

Ago Agaj, “Kosovari nga Vlora”, në 30 vjetorin e kalimit në amshim

Dr. Ago Agaj, bashkpuntor politik i çeshtjes kombëtare dhe mik i...

Dje, pasdite, në Gjenevë të Zvicrës, u varros Aktori ynë i njohur Adem Muji

Arif Ejupi Me 21.12.2024 Më 16 dhjetor të këtij viti pas keqësimit të...

Çfarë shkruan Enes Limani, talebani dhe mbetja e njohur osmane…!?

Afrim Caka, Gjakovë Bojkotojeni këtë antishqiptar! Thirreni në prokurori. “Bojkoti ndaj këtij islamisti...

Shoqata për trashëgimi kulturore e Luginës së Preshevës, ftesë për konferencën shkencore që do të zhvillohet me 14, 25 e 26 tetor 2025

SHOQATA PËR TRASHËGIMI DHE KRIJIMTARI KULTURORE E LUGINËS SË PRESHEVËS'    FTESË PËR...

Fitorja e Trumpit është “humbja” e Jack Smith

Beqir SINA ___ Janë ligjvënësit republikanë, ata që kanë treguar tashmë se Smith...

Shpërndaj

 

Shkruan: Dr. sc. Bekim Vishaj 

Me shkas

Në vitet e pasluftës e deri në ditët e sotme, në Kosovë është punuar në fushën e trashëgimisë kulturore,është investuar në restaurimin e shumë prej monumenteve me vlera historike, kulturore dhe arkitekturore, por në vendin tonë, ende ka objekte të cilat kanë vlera të rëndësishme për historinë tonë, por, që janë në mëshirën e kohës dhe presin dorën e shtetit për investim dhe përkujdesje …  

Kulla e Sadik Metës sot,gurët dhe historia e saj edhe në këtë gjendje (rrënojë)presin …, në qetësi paraqesin vlera tradicionale, historike, kulturore dhe arkitekturore, paraqesin storie të historisë sonë ndër shekuj, të qëndresës dhe të luftës së popullit tonë për liri. Sigurisht, kur e themi këtë, bazohemi në fakte dhe në dëshmi të bollshme, për të vërtetuar se “familja e Metnimonve dhe historia e kësaj kulle janë pjesë dhe sinonim i historisë së popullit tonë”. Në këtë Kullë, ndër shekuj familjarët e familjes Nimonaj, jetuan, lindën, u rritën dhe u edukuan ndër breza për luftë e qëndresë kombëtare, aty në muret e saj u ruajt dhe u kultivua historia dhe kultura (muzika burimore) shqipe ndër breza, u mbajtën tubime familjare (gëzimi e hidhërimi),u mbajtën tubime të kohës – organizimi i popullit tonë kundër Serbisë,deri sa pushtuesi serb në luftën e fundit në vitin 1999, e dogji këtë kullë. Historia e kësaj kulle dhe e familjes Nimonaj pret institucionet përgjegjëse që të restaurojnë kullën, në mënyrë që edhe kjo pjesë e historisë së kësaj familje në këtë anë të frymoj edhe përmes kullës së gurit, sepse kullat e gurit tek familjet tradicionale shqiptare janë simbol i jetës dhe i qëndresës ndër shekuj. 

Historiku i familjes Nimonaj e Prekollukut) 

Këtë kullë, më të veçantë se kullat e tjera të rajonit e bën edhe historia e familjes. Familja Nimonaj (në popull e njohur si Metnimontë) nga fshati Prekolluk ishte një familje në zë, një pjesë e kësaj familje në vitin 1963 vendoset në fshatin Gllogjan dhe në Gjakovë. Gjatë historisë si familje kanë dhënë kontribut të madh për lirinë e vendit tonë. Nuk ka ngjarje me peshë kombëtare, që nga koha e Lidhjes së Prizrenit, e deri në luftën e lavdishme të UÇK-së, që nga kjo familje të mos kenë dalë burra që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare.  

Në përpjekjet e forcave shqiptare për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë (vitet e 80-ta të shek. XIX),Metë Nimoni ishte një ndër vullnetarët shqiptarë që luftoi për këto troje.  

Sadik Meta, ishte rapsod i njohur në këto anë, ishte burrë me zë. Si gjeneratë e vjetër e rapsodëve të rrafshit të Dukagjinit, përveçqë këndoj vet, ai la gjurmë edhe tek rapsodët e rinj, tek ata të cilët ishin më të rinj në moshë se ai,në kullën e Sadik Metës ishin Dervish Shaqa, Lan Dobra, Bilall Arifi etj, ata, aty mësuan këngën burimore e melosin rekqe, të cilat këngë edhe sot jetojnë me melosin e vjetër “rekqe” të Sadik Metës. Sadik Meta, ishte edhe burrë i urtë e pajtimtar, ai pajtonte në mes vete shumë familje që ishin në hasmëri, por ai ishte edhe atdhetar e patriot, në fshatin Rastavicë në vitin 1933 së bashku me disa rastovicas në një konflikt me serbët – kolonë të vendosur në këtë rajon qëndruan heroikisht duke vrarë e plagosur shumë prej tyre. 

Isuf Nimonaj, ishte i biri i Sadik Metës, me profesion ishte profesor i letërsisë shqipe. Isufi si i ri ishte pjesëtar i Ballit Kombëtar, ai disa herë burgoset, por asnjëherë nuk thyhet nga rruga drejt lirisë. Isuf (Sadik) Nimonaj asnjëherë nuk ndalej me punë dhe angazhim në arsimin dhe edukimin e brezave të rinj si dhe aktivitetet tjera në të mirë të çështjes kombëtare. 

Gjatë luftës së UÇK-së 1998-1999 tërë meshkujt e familjes Nimonaj,në Prekolluk, në Gllogjan e në Gjakovë u mobilizuan në luftën çlirimtare. Në altarin e lirisë nga kjo familje ranë për të mos vdekur kurrë eprorët e UÇK-së në ZOD, Fatmir, Luan e Naim Nimonaj, ata sot janë dëshmorë të kombit. 

Rëndësia kulturore e Kullës 

Po ashtu kjo kullë përveç vlerave familjare, tradicionale dhe arkitekturore, ka edhe vlera  kulturore. Përveç që ishte kulla e rapsodit të njohur Sadik Meta, kjo kullë gjatë viteve të nëntëdhjeta të shek. XX, u kthye në institucion kulturor për Deçanin, ishte selia e SHKA “Jusuf Gërvalla” të Deçanit, aty u zhvilluan ushtrime (prova muzikore) të kësaj SHKA-je. Në mesin e shumë anëtarëve të kësaj shoqërie, në grupin muzikor si këngëtarë dhe instrumentistë, nga familja Nimonaj merrnin pjesë Fatmir e Luan Nimonaj (dëshmorë të kombit) dhe Xhavit Nimonaj, po ashtu Mirsat Nimonaj ishte udhëheqës i grupit muzikor në kuadër të kësaj shoqërie. Për shumë vite (1990-1998) kjo kullë u bë institucion i kulturës, pa marrë parasysh pasojat që mund t’i kishte familja Nimonaj nga pushteti serb i asaj kohe. Aty u mbajtën edhe takim tjera të ndryshme me qëllim organizimin e jetës politike dhe kulturore të popullit tonë kundër Serbisë pushtuese. 

Rëndësia Arkitekture e Kullës  

Po ashtu kjo është një kullë që në vete ngërthente vlera arkitekturore. Kulla ishte ndërtuar në shek. XIX. Si kullë, i takonte tipit të kullës tre katesh me dyshekllak apo galeri prej guri, dyshekllaku dilte në formë qoshku nga muret perimetrale të ndërtimit. Dyshekllaku përfshinte pjesët e mureve verilindore dhe lindore, me pamje nga rruga. Kulla kishte bazë kënddrejtë, në skemën kompozicionale të saj me këtë përbërje: në përdhes ahurin, në kat dhomat e gjumit, kurse në të dytin apo më të lartin edhe këtu ishte Oda e burrave (mysafirëve).Kulla ka qenë e fortifikuar, hyrja deri në odën e burrave nuk është mbyllur kurrë për mysafirët. 

Materialet e përdorura për ndërtimin e kësaj kulla të gurit, si zakonisht ishin guri, druri, tjegullat tradicionale, gëlqerja etj. Mjeshtërit e ndërtimit të kullës kanë qenë nga Dibra (dibranë) dhe vendorë. Oda e burrave ishte pjesa më e  bukur e kullës. Detajet e ornamenteve të drurit i epnin pamje estetike odës, e bënin shumë të veçantë dhe karakteristike për pjesët e tjera të kullës. Që nga paslufta (viti 1999), kjo kullë është rrënojë edhe ditët e sotme pret dorën e ndonjë investitori të mundshëm. 

Pse duhet restauruar kulla e Sadik Metës në Prekolluk ? 

Familja Nimonaj ka një histori të rëndësishme në periudha të ndryshme të historisë, është familje dëshmorësh (e Fatmirit, Luanit dhe Naimit) në luftën e fundit. Kjo kullë me historinë e saj, del si objekt që ka vlera historike, kulturore dhe arkitekturore. 

Deçanit dhe Kosovës do ti shtohej edhe një monument tradicional – arkitekturor dhe kulturor. 

Aty do të ruhej edhe një pjesë e historisë sonë kulturore, tradicionale dhe arkitekturore. 

Projekti i restaurimit i kullës së Sadik Metës do të jetë një benifit për familjen dhe komunitetin që e rrethon dhe në të njëjtën kohë do të sigurojë kullën për të ardhmen e saj. Kulla duhet të ruaj 

autenticitetin e saj,do të jetë e vetëqëndrueshme, njëkohësisht do i ofrojë rrethinës funksionin që ka nevojë dhe do ngjallë interes në këtë pjesë të Deçanit. 

Kulla, duhet të futet nën mbrojtjen e shtetit, të shfrytëzohet nga familja por edhe nga organet zyrtare të kulturës përmes organizimeve të ndryshme kulturore dhe artistike. 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu