Kalendar/ Pavarësia e Kosovës – Para 15 viteve Propozimi i Ahtisaarit, SHBA e falënderonin
-Kosova para 15 viteve mori Propozimin Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së/
– Shtetet e Bashkuara të Amerikës falënderonin të Dërguarin Special të OKB Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës/
Behlul Jashari me Presidentin tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova
-Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për bisedimet e udhëhequra nga Ahtisaari: I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia/
Bahlul Jashari
SPECIALE-Gazeta DIELLI portali DRINI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTIN Ë, 2 Shkurt 2022/ Sot u bënë 15 vjet nga 2 Shkurti 2007, kur iu prezantua palëve Propozimi Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës i Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Paketa Ahtisaari u pasua me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, para 14 viteve, në 17 Shkurtin historik 2008.
Po në 2 Shkurt 2007, në një Deklaratë të Zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës falënderonin të Dërguarin Special të OKB-së Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës.
Kjo ishte Deklarata e dërguar atëherë nga Zyra e SHBA-ve në Prishtinë:
2 shkurt 2007
DEKLARATË E ZËDHËNËSIT TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT SEAN MCCORMACK LIDHUR ME PREZANTIMIN E PROPOZIMIT PËR STATUSIN E KOSOVËS PALËVE
Shtetet e Bashkuara falënderojnë të Dërguarin Special të KB-ve Martti Ahtisaarin për përpjekjet e tij për të përpiluar një Propozim Gjithëpërfshirës për një Marrëveshje për Statusin e Kosovës. Ky Propozim për Marrëveshje, që është rezultat i negociatave të zhvilluara për më tepër se një vit, është i drejtë dhe i balancuar. Ky është një draft për një Kosovë stabile, prosperuese dhe shumetnike. Dispozitat e gjera të Propozimit për Marrëveshje të cilat mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve do të ndihmojnë për të përparuar zhvillimin demokratik të Kosovës.
Me prezantimin e këtij Propozimi për Marrëveshje, bërë palëve me 2 shkurt, procesi i statusit të Kosovës po hyn tani në fazën e tij përfundimtare. Ne bëjmë thirrje në udhëheqësit në Beograd dhe Prishtinë që të angazhohen konstruktivisht me të Dërguarin Special Ahtisaari në një fazë konsultimesh me qëllim të finalizimit të Marrëveshjes. Ne inkurajojmë të Dërguarin Special Ahtisaari që të kompletojë punën e tij së shpejti, ashtu që Kosova dhe rajoni përfundimisht të mund të kenë qartësi lidhur me të ardhmen. Qëllimi ynë mbetet një rezultat që e përparon stabilitetin rajonal, që promovon shumetnicitetin dhe që është i pranueshëm për popullin e Kosovës.
February 2, 2007
STATEMENT FROM THE STATE DEPARTMENT SPOKESMAN SEANMCCORMACK ON THE PRESENTATION OF KOSOVO STATUS PROPOSAL TO THE PARTIES
The United States thanks UN Special Envoy Martti Ahtisaari for his efforts to produce a Comprehensive Proposal for a Kosovo Status Settlement. This Settlement Proposal, the product of over a year of negotiations, is fair and balanced. It is a blueprint for a stable, prosperous and multi-ethnic Kosovo. The Settlement Proposal’s broad provisions to protect the rights of all citizens will help advance Kosovo’s democratic development.
With the presentation of this Settlement Proposal to the parties on February 2, the Kosovo status process is now entering its concluding phase. We call on leaders in Belgrade and Pristina to engage constructively with Special Envoy Ahtisaari in a period of consultations to finalize the Settlement. We encourage Special Envoy Ahtisaari to complete his work soon so that Kosovo and the region can finally have clarity about the future. Our goal remains an outcome that advances regional stability, promotes multi-ethnicity and is acceptable to the people of Kosovo.
6 TETOR 2005 – RUGOVA PËR BISEDIMET E UDHËHEQURA NGA AHTISAARI: I VETMI KOMPROMIS PËR KOSOVËN ËSHTË PAVARËSIA
Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
“I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë Ibrahim Rugova në 6 Tetor 2005, në takimin e parë me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.
10 DHJETOR 2008–PRESIDENTI SEJDIU URON MARTTI AHTISAARIN ME MIRNJOHJE TË POSAÇME PËR UDHËHEQJEN E PROCESIT TË BISEDIMEVE PËR PAVARËSINË E KOSOVËS
PRISHTINË, 10 Dhjetor 2008/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i dërgoi sot një telegram urimi fituesit të sivjetshëm të Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, ku i shprehet posaçërisht mirënjohe për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që ka treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e Kosovës.
Në telegramin e urimit të presidentit Sejdiu dërguar nobelistit Ahtissari thuhet:
I nderuari President Ahtisaari,
Ju shpreh urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Republikës së Kosovës për mirënjohjen më se të merituar që pranuat sot – Çmimin Nobel për Paqe!
Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lart vendimin e Komitetit të Lartë të Mbretërisë Norvegjeze të Nobelit për t’ju shpërblyer Ju me këtë çmim kaq prestigjioz. Kjo mirënjohje është satisfaksion i madh për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në botë, të cilët janë të përkushtuar për promovimin e paqes, të drejtësisë dhe të pajtimit në mes popujve. Ne ju jemi posaçërisht mirënjohës për punën e madhe, për urtësinë dhe largpamësinë e rrallë që keni treguar gjatë udhëheqjes së procesit të bisedimeve për pavarësinë e vendit tonë.
Siç edhe jemi zotuar gjatë atij procesi të gjatë e të vështirë, Republika e Kosovës do të jetë një shembull i respektimit të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të saj pa dallim etnie, race a besimi. Po ashtu, vendi ynë do të bashkëpunojë thellë me vendet e rajonit, në mënyrë që sa më parë të integrohemi në strukturat euroatlantike, në Bashkimit Evropian dhe në NATO. Realizimi i këtij synimi madhor do të sjellë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe do të hapë perspektivën e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik jo vetëm për Kosovën, por për të gjitha vendet e kësaj pjese të Evropës Juglindore.
Duke ju shprehur edhe një herë mirënjohjen për punën e madhe që keni bërë për paqen kudo në botë dhe të ardhmen më të ndritshme të njerëzimit, ju lutem, z. President Ahtisaari, pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë!
Miqësisht,
Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Republikës së Kosovës
22 KORRIK 2010: KOSOVA DOLI FITUESE NË GJYKATËN NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË PAS NJË ANKESE TË SERBISË
Në 22 Korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.
“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.
Atëherë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.
“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.
“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.
Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.
“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar në 28 Shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
KOMUNIKATË E DËRGUAR NGA PRESIDENCA E KOSOVËS NË 21 SHTATOR 2011:
Nju Jork, 21 shtator 2011
Presidentja Atifete Jahjaga u takua me ish-ndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Neë York, i shoqëruar nga ambasadori i Republikës së Kosovës në SHBA, z.Avni Spahiu, u takua me ish-ndërmjetësin e OKB-së për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. Presidentja Jahjaga e falënderoi ish-presidentin finlandez Maarti Ahtisaari për punën dhe mbështetjen e tij për Kosovën dhe tha se vendi ka shënuar përparime të mëdha në veçanti në zbatimin e planit të hartuar nga zoti Ahtisaari.
Presidentja Jahjaga tha se Plani Ahtisaari ka ofruar mundësi të mëdha për komunitetin serb dhe theksoi rëndësinë e shtrirjes së tij edhe në pjesën veriore të Kosovës, me qëllim të integrimit të plotë të komunitetit serb që jeton atje. Ajo tha se shpërbërja e strukturave ilegale serbe në veri do të mundësonte edhe zhvillimin ekonomik për këtë pjesë të Kosovës dhe komunikimin më të lirë dhe të drejtpërdrejtë të qytetarëve serbë në veri me institucionet e Kosovës.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova po zhvillon marrëdhënie normale dhe miqësore me vendet fqinje dhe tha se promovimi i këtyre marrëdhënieve, përfshirë edhe me Serbinë, është në interes të stabilitetit afatgjatë të rajonit.
Ajo tha se dialogu me Serbinë, që po zhvillohet me ndihmën dhe ndërmjetësimin e BE-së, është mënyra më e mirë e zgjidhjes së çështjeve të hapura, por theksoi se ndarja ose shkëmbimi i territoreve janë të papranueshme. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është shtet sovran dhe pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe e njohur ndërkombëtarisht.
Ajo tha se Kosova dhe Serbia kanë synim integrimin në strukturat euroatlantike dhe ato duhet që ta ndihmojnë njëra-tjetrën në këtë rrugë. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka nevojë për marrëdhënie kontraktuale me BE-në që të thellojë reformat e brendshme dhe të përshpejtojë procesin e përafrimit me strukturat euroatlantike.
Ajo tha se Kosova ka nevojë për ndihmë të vazhdueshme nga miqtë e saj për të ndihmuar në ngritjen e imazhit të saj dhe për lobim dhe njoftoi ish-Presidentin Ahtisaari për idenë e krijimit të grupit “Miqtë e Kosovës”, në të cilin përfshihet edhe vetë zotëri Ahtisaari.
Ish-presidenti finlandez Ahtisaari e përgëzoi Presidenten për punën e saj dhe vlerësoi të arriturat e Kosovës në kohët e fundit. Ai tha se është i gatshëm që të ndihmojë Kosovën në përpjekjet e saj në skenën ndërkombëtare por theksoi se është i shqetësuar me procesin e ngadalshëm të njohjeve të pavarësisë së saj.
Ish-presidenti Ahtisaari tha se mosnjohja e Kosovës nga 5 vende të BE-së e ka vështirësuar rrugën e saj dhe theksoi se BE-ja duhet të dërgojë porosi të qarta për gjithë rajonin dhe për Kosovën në veçanti për proceset integruese.
Ai tha se duhet të qartësohen të gjitha pengesat që po i bëhen Kosovës që ajo të vazhdojë zhvillimin e saj në të gjitha fushat.
Ish-Presidenti Ahtisaari tha se shpreson për ndryshim të gjendjes në veri të Kosovës dhe për integrimin e serbëve të kësaj pjese.
Po sot, Presidentja Atifete Jahjaga zhvilloi një takim miqësor me udhëheqësit Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, me të cilët diskutoi për një varg çështjesh me rëndësi. Në takim, Presidentja Jahjaga vlerësoi kontributin shumë të madh që kanë dhënë shqiptarët në Amerikë në përkrahje të Kosovës, ne të gjitha periudhat.
GAZETA RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.
Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.
Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: RILINDJA JU URON SHPALLJEN DHE NJOHJEN E KOSOVËS SHTET I PAVARUR.