Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 26 Qershor 2022
“Je sais tout” ka botuar me 15 tetor 1924, në faqen n°49, rrëfimin ekskluziv të arkeologut Léon Rey mbi zbulimet e para asokohe të misionit arkeologjik francez në Apolloni, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Zbulimet e para të misionit arkeologjik francez në Shqipëri
Léon Rey duke pastruar objektet e lashta të zbuluara nga misioni – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Në numrin tonë të qershorit, z. Rey, drejtor i Misionit Arkeologjik Francez në Shqipëri, na shpjegoi se çfarë kishim të drejtë të prisnim, për shkencën, nga gërmimet e kryera në vendin e Apollonisë antike. Sot, studiuesi i bën revistës tonë nderin e madh që t’i komunikojë rezultatin e punës së parë të misionit të tij : një rezultat me interes të madh dhe që autorizon (lejon) të gjitha shpresat. Ky është, për lexuesit tanë, një “ekskluzivitet” i vërtetë që ata me siguri do t’i jenë mirënjohës z. Rey që e ka rezervuar me kaq dashamirësi për ta. J.S.T.
“Kur, në Liceun Condorcet, përkthyem “De Bello civili”, dhe në veçanti këtë faqe ku Çezari tregon se si, duke ndjekur Pompeun, pa qytetin e Apolonisë t’i dorëzohej, nuk mendoja për kodrën e gjelbër në rrëzë të cilës vrapojnë kuajt e rinj të fshatarëve të Pojanit. Në të njëjtat shpate ku dikur qëndronin monumentet e mermerit, tarracat, tempujt dhe ai akropol nga ku u largua Staberius-i, natyra ka rifituar tani të drejtat e saj; dhe një mantel gjelbërimi, lulesh dhe gjembash mbulon këtë tokë që pati orën e saj të famës. Megjithatë, në këto fusha, sidomos kur ka rënë shi, parmenda nxjerr tjegulla, mbetje vazosh dhe monedhash, të dhëna modeste pa dyshim, por që vlejnë më shumë se fjalët e vendasve të cilët nuk kanë më shumë njohuri se unë.
Njohja e teksteve, kur ato ekzistojnë, dhe mbi të gjitha inspektimi i përpiktë i vendeve, vetëm mund ta udhëheqë studiuesin në kërkimet e tij. Në Pojan, ku bollëku i bimësisë e bën shumë të vështirë këtë ekzaminim, pika e orientimit tonë ishte një pllakë, sipërfaqja gri e së cilës mezi rrafshohej mes barishteve: ishte pjesa më e lartë e një muri antik të groposur plotësisht. Me pastrimin e këtij muri, ne zbuluam një shtëpi greko-romake dhe nuk kam dyshim se kjo shtëpi nga ana tjetër do të na bëjë të zbulojmë një nga pjesët më të rëndësishme të qytetit.
Por kjo nuk është e gjitha të zublosh : arti konsiston në gjetjen e maksimumit… me sa më pak para. Gjithashtu, çështja e thellësisë në një gërmim shterues vjen gjithmonë e para. Në Durrës, për shembull, niveli i qytetit aktual duke qenë, si rezultat i rrethanave gjeologjike, pesë metra mbi Dyrrahun romak, do të duhet që, për një gërmim me një sipërfaqe prej 100 m², shpenzoni pesë herë më shumë para sesa për një gërmim të së njëjtës shtrirje të bërë në vendin e Apolonisë, ku e njëjta shtresë romake gjendet ndërmjet 50 centimetrave dhe 1 metër të thellë. Organizimi i punës në kantier (në terren) është gjithashtu shumë i rëndësishëm për performancën e mirë, gërmuesit duhet të monitorohen vazhdimisht, veçanërisht në fazat e para. Kam punësuar francezë, gjermanë, bullgarë, serbë, rusë, tani shqiptarë; dhe gjithmonë e kam vënë re se, me instinkt, gërmuesi dëshiron të shkatërrojë atë që është nën kazmën e tij “për të parë atë që ka poshtë ose pas”. Kjo ndjenjë është për më tepër aq e natyrshme, saqë vetë gërmuesi, në nxitimin e tij për të kuptuar, duhet të kujdeset që të mos ngutet; shpesh, ajo që në pamje të parë duket si një grumbull gurësh të pakuptimtë, bëhet, pasi është më e qartë, një monument. Këtu, si kudo tjetër, metoda e duhur kërkon pjesën e saj të durimit.
Në terren, ekzaminim, sondazh, fotografi të rrënojave; në kamp, pas punës, vizatimet dhe shënimet të vihen në rregull të plotë, me pastrimin e objekteve të grumbulluara, okupimet e gërmuesit. Kjo e fundit veçanërisht është një dëfrim simpatik. Asgjë nuk është më zbavitëse sesa të shohësh të shfaqet, nën furçë dhe sapun, vizatimin e një vazoje të tillë me figura apo detaje të padyshimta të një skulpture të tillë, nëse nuk është, në ujë, me një lëng limoni të shtuar saktësisht, pamjen e ngadaltë të një medalje që ne menduam se ishte shumë e papërpunuar. Në këtë drejtim, me të drejtë është thënë se nuk mund të jesh arkeolog i mirë pa qenë historian. Por unë, mendoj se për t’u bërë arkeolog duhet të fusësh “dorën në brumë”. Më pas ne kuptojmë një mijë gjëra të vogla që ndihmojnë për t’i shfaqur gjërat e mëdha në dritë, dhe njeriu hyn, si të thuash, në kontakt të drejtpërdrejtë me antikitetin. Gjithashtu duhet të shpresojmë që Misioni arkeologjik francez në Shqipëri, në të ardhmen e afërt të bëhet një lloj shkolle praktike për arkeologët e rinj të Universiteteve tona.”
LEON REY
Pastrimi i objekteve të lashta të zbuluara nga misioni – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Kampi i misionit Rey – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Një vilë greko-romake, e nxjerrë në dritë së fundmi në Apolloni – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Gjurmët e para të një muri të lashtë – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Kodra në formë “tavoline” e Pojanit, vend i Apollonisë së lashtë – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
____
* Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania). https://www.darsiani.com/la-gazette/1924-rrefimi-ekskluziv-i-arkeologut-leon-rey-mbi-zbulimet-e-para-te-misionit-arkeologjik-francez-ne-apolloni-foto/.