Ali Asllani (1884 – 1966)
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Janar 2024
“Stamboul ” ka botuar, të martën e 5 prillit 1927, në ballinë, deklaratat e poetit, atdhetarit dhe diplomatit shqiptar Ali Asllani, bërë asokohe korrespondenti të veçantë të “Messager Polonais” në Ballkan, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :
Disa fjalë për Shqipërinë
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Korrespondenti i veçantë i “Messager Polonais” në Ballkan publikon deklaratat që i ka bërë i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Sofje :
“Ndryshimi i qeverisë që ndodhi në Tiranë rreth një muaj më parë u shkaktua nga mosmarrëveshjet që lindën brenda kabinetit për çështjet buxhetore. Kursimet ishin rekomanduar nga anëtarë të caktuar të këshillit të ministrave dhe, pasi marrëveshja nuk u arrit, qeveria dha dorëheqjen. U formua një ministri e re nën presidencën (drejtimin) e Ahmet Zogut, i cili është edhe President i Republikës. Portofoli i Ministrisë së Brendshme iu besua Abdurrahman Dibrës (mysliman), i ndihmuar nga disa këshilltarë anglezë dhe Iliaz Vrioni (mysliman), që mori drejtimin e Ministrisë së Jashtme. Ai shërbeu tre herë si president i këshillit dhe aktualisht shërben si Ministër Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Paris.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Ministria e financave iu besua z. Alizoti (mysliman) dhe ajo e drejtësisë z. Sifkéri (ortodoks). Nga ministria e vjetër mbetet në detyrë vetëm z. Musa Juka, i cili njëkohësisht drejton ministritë e tregtisë, bujqësisë dhe punëve publike, i ndihmuar nga një këshilltar me kombësi hungareze. Ministria e Luftës është nën urdhrat e kolonel Xhemal Aranitasit (mysliman), i lidhur drejtpërdrejt me zyrën presidenciale të republikës. Ushtria shqiptare ka rreth 9000 burra dhe disa instruktorë italianë janë përgjegjës për stërvitjen ushtarake të tyre (burrave). Oficerët anglezë kujdesen për organizimin e xhandarmërisë. Inspektori i përgjithshëm i trupave shqiptare është Koloneli i Shtabit Mirdashi (Gustav von Myrdacz – Gustav Mirdashi), një ish-kolonel i ushtrisë austriake që pranoi nënshtrimin shqiptar. Për sa i përket shërbimeve postare, telegrafike dhe arsimit publik, ato janë të organizuara në dy drejtori të pavarura dhe nuk formojnë ministri të veçanta. Arsimi publik po zhvillohet gjithnjë e më shumë në Shqipëri, ka 600 shkolla, dy shkolla të mesme franceze në Korçë dhe Gjirokastër, një shkollë italiane në Vlorë, një shkollë normale në Elbasan dhe një shkollë biznesi (tregtie) në Vlorë. Studimet e larta kryhen gjithashtu në Romë, Vjenë dhe Paris.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Në lidhje me marrëdhëniet me Italinë, i Ngarkuari me Punë i Shqipërisë në Sofje, zoti Ali Asllani, deklaroi në mënyrën më kategorike se të flitej për një protektorat italian mbi Shqipërinë do të ishte një ofendim vdekjeprurës për nderin kombëtar shqiptar.
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Shqipëria e kupton shumë mirë formulën Ballkani i Ballkanasve, dëshiron sinqerisht një Lokarno ballkanike, por gjithashtu e kupton shumë mirë se, pa mbështetjen e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike, dhe veçanërisht Shqipëria, do ta gjenin veten tërësisht të paralizuar në zhvillimin e tyre ekonomik. Shqipëria ka një besim të verbër në Lidhjen e Kombeve dhe nuk dëshiron ta zëvendësojë ndikimin e institucionit të Gjenevës me asnjë faktor tjetër. Nuk mund të bëhet fjalë për një pushtim italian në Shqipëri dhe Ahmet Zogu deklaroi personalisht në Dhomën e Përfaqësuesve dhe nëpërmjet shtypit se qeveria shqiptare ishte e gatshme të lidhë konventa të ngjashme me atë të Tiranës me çdo shtet tjetër. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bullgarinë janë perfekte.”
___
- Aurenc Bebja, Francë. Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/1927-arsyet-e-ndryshimit-te-qeverise-presidenti-ahmet-zogu-traktati-italo-shqiptar-deklaratat-e-ali-asllanit-i-ngarkuari-me-pune-i-shqiperise-ne-sofje/.