Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Prill 2024
“The Christian Science Monitor” ka botuar, të martën e 21 janarit 1930, në faqen n°20, rrëfimin e reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth zhvillimit ekonomik e shoqëror asokohe të Shqipërisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shqipëria, pak nga pak
Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 21 janar 1930, faqe n°20
“Dalë, ngadalë; pak nga pak”, është një nga shprehjet më të zakonshme të shqiptarëve dhe përmban një pjesë të madhe të filozofisë së tyre. Mungesa e rrugëve, e tokës së punueshme, e urave, e makinerive si dhe paarritshmëria e vendbanimeve malore të tyre të shpërndara, e ka vështirësuar shumë përparimin e shpejtë. Prandaj ekzistenca bëhej shumë më e tolerueshme nëse dikush pajtohej me nxitimin e ngadaltë. Dhe Zogu I, mbreti i shqiptarëve, e zbatoi këtë ide në metodat e qeverisjes së tij.
I gjithë programi i tij është një program progresi, por ai po ecën përpara vetëm pak nga pak, duke arritur një gjë në një moment. Problemi i tij i parë ishte ai i rendit dhe stabilitetit dhe që ai e ka zgjidhur. Me anë të aleancës me Italinë, ai i ka dhënë përfundimisht fund të gjitha përpjekjeve për çrregullim nga jashtë, dhe me krijimin e një policie dhe ushtrie të stërvitur dhe të drejtuar mirë, ai ka marrë masa paraprake kundër revolucionit nga brenda. Ai e ka çarmatosur Kombin, e ka bërë udhëtimin të sigurt dhe personat dhe pronat e sigurta.
Dhe kjo natyrisht ka ndryshuar të gjithë aspektin e Shqipërisë. Më parë, tregtia ishte pothuajse e pamundur, përmirësimet publike thuajse nuk diskutoheshin, rrogat ishin të pasigurta, madje edhe shkollat aq të parregulluara saqë nxënësit ndonjëherë linin klasat e tyre për të dalë me nxitim në rrugë dhe për të marrë pjesë në revolucione.
***
Përmirësime të shumë llojeve janë duke ndjekur këtë ndryshim rrënjësor. Shkollat fillore dhe të mesme, shkollat teknike, bujqësore dhe ato normale funksionojnë rregullisht. Në gjuhën shqipe po përgatiten shumë tekste shkollore. Pak nga pak po ngrihen ndërtesa të reja shkollore dhe po blihen pajisjet. Ndërsa dikush viziton Shqipërinë herë pas here, ai mund të shohë lehtësisht përmirësimin.
Gradualisht po krijohet edhe shtypi ditor dhe javor. Ka disa gazeta ditore, të cilat, edhe pse të pakta dhe të kufizuara, po krijojnë një grup lexuesish të rregullt. Ka një sërë revistash kulturore, sociale dhe teknike. Librat shtypen herë pas here dhe libraritë po bëhen gjithnjë e më tërheqëse. Kjo është padyshim inkurajuese për një popull, gjuha e të cilit ishte e shtypur plotësisht deri më pak se njëzet vjet më parë.
Burimi : The Christian Science Monitor, e hënë, 21 janar 1930, faqe n°20
Komunikimet, gjithashtu janë duke u përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme, pavarësisht se kapitali është i pakët, se toka është e mbushur me male dhe se ka përmbytje sezonale. Automobila dhe autobusë shumë të mirë qarkullojnë rregullisht nga Tirana, kryeqyteti, në të gjitha pjesët e mbretërisë. Aeroplanët gjithashtu fluturojnë me rregullsinë dhe sigurinë e trenave në vende të tjera. Gjithashtu, linja hekurudhore që lidh Tiranën me portin kryesor, Durrësin, është në zhvillim e sipër.
Financat e vendit po përmirësohen. Një monedhë shqiptare u krijua, në normë dhe gradualisht u bë standardi i këmbimit. Thuhet se buxheti i shtetit është vërtet i balancuar dhe statistikat duket se tregojnë se bilanci tregtar, shumë i pafavorshëm, po përmirësohet.
***
Prodhimi është në rritje. Disa miniera janë duke u shfrytëzuar, disa pyje janë duke u shfrytëzuar dhe toka po punohet më mirë. Shqipëria mund të prodhojë mjaftueshëm për të mbështetur tre herë më shumë njerëz sesa numri aktual i banorëve. Kjo pasuri natyrore po shfrytëzohet gradualisht.
Nga ana tjetër, gratë po fitojnë lirinë. Gratë myslimane në qytetet e mëdha braktisin ferexhet e tyre dhe shpesh shfaqen në publik. Shumë vajza kanë nisur të shkojnë në shkollë. Është krijuar një federatë e grave, ka disa nëpunëse civile dhe shumë mësuese.
Shqiptarët, për më tepër, janë duke kaluar nëpër një rindërtim social. Bejlerët e vjetër feudalë po humbasin vazhdimisht pushtetin, krerët e fiseve po pushojnë së qeni faktorë suprem, zakonet primitive po lënë vendin përpara ligjit të vendosur dhe një klasë e re, e përbërë nga mësues, zyrtarë, tregtarë, artizanë dhe bujq përparimtarë, po fillon të dominojë. Dhe kjo është për bashkim dhe përparim.
Shqiptarët ishin një popull shumë i varfër, i prapambetur dhe i përçarë. Ata nuk mund të shtyhen ose të çohen përpara me dhunë, por dalë, ngadalë, pak nga pak, ata po përparojnë. Është inkurajuese të vëzhgosh përparimin (marshimin) e tyre.
- H. M. (Reuben Henry Markham)
* Aurenc Bebja, Francë. (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), https://www.darsiani.com/la-gazette/1930-rrefimi-i-reporterit-amerikan-reuben-henry-markham-shqiperia-po-zhvillohet-dale-ngadale-pak-nga-pak-por-me-siguri/.