ARKIVI:
26 Dhjetor 2024

30-vjet më parë është inauguruar kisha e rinovuar në Hot të Malësisë së Madhe

Shkrime relevante

Kryeministri merr rolin e gjykatësit!

Florim Zeqa I gjithpushtetshmi i vendit, Kryeministri i cili nuk i respekton...

Serbja Sonja Biserko, zëri i së cilës nuk po dëgjohet nga ndërkombëtarët, “analistët tonë” dhe disave nga opozita e Kosovës

Nga: Gani Mehmeti Biserko: Lista Serbe është përgjegjëse për gjithë situatën në...

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Shpërndaj

Nga: Frank Shkreli

Një shikim 30-Vjetë Prapa

Malli për Atdheun – Trashëgimia e At Gjergj Fishtës – Tiranët do harrohen 

Demokracia nënkupton harmonizim vullnetesh e qëllimesh

Ishte viti 1994. Ashtu siç kishte ndodhur me shembjen e komunizmit në vendet ish-komuniste anë e mbanë Evropës Lindore e Qendrore, edhe në Shqipëri, më në fund, kishin filluar proceset demokratike. Me ndryshimet politike në vend në fillim të 1990-ave, vihej re edhe hapja e kishave, teqeve dhe xhamive – ente këto që ishin mbyllur ose shkatërruar dhe shumë prej klerikëve jan[ pushkatuar, burgosur ose dërguar në kampe përqendrimi — për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm – si pasojë e shpalljes së Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës si shteti i parë ateist në botë në vitin 1967 – duke i shpallur luftë edhe Zotit. Njëra prej objekteve të para fetare që është rinovuar në Shqipëri me ndihmën e komunitetit shqiptaro-amerikan – ka qenë edhe Kisha e Shën Gjonit në Hot të Malësisë së Madhe.  Autori ka qenë ftuar nga autoritetet kishtare të asaj krahine për të marrë pjesë në ianugurimin e asaj kishe në vitin 1994.  Pason fjala e autorit, mbajtur me atë rast në Kishën Katolike të Shën Gjonit – e pa botuar deri më tani:

“Të nderuar klerikë, të dashur besimtarë. Përshëndetjet e mia më të përzemërta të gjithë ju pjesëmarrësve në këtë inaugurim të kësaj kishe të rinovuar pas pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste. Jam jashtzakonisht i kënaqur që gjëndem sot këtu në mesin tuaj me këtë rast të inaugurimit të Kishës së Shën Gjonit — Kishës së Hotit – ku për një kohë ka shërbyer si famullitar, i Madhi At Gjergj Fishta, i cili bëri të pavdekshme tiparet e Shqiptarit – ndërkohë që kujtojmë edhe bajraktarin e Hotit, Mulë Delinë me rastin e kthimit të eshtërave të tij nga mërgimi, që më në fund të pushojë këtu në Hot të Malësisë së Madhe.

Them se jam i kënaqur të jem me ju këtu sot se ndonëse kam vizituar Shqipërinë disa herë me delegacione zyrtare amerikane nga viti 1991, kjo është hera e parë që vizitojë këto anë të Shqipërisë. Jam shumë i përmalluar të vizitojë këto male, pasi jo larg prej këtu, pikërisht në Shkrel, e kam origjinën e familjes dhe të parëve të mi, e nënën nga Vermoshi.

Jam ardhë pra, nga brigjet përtej oqeanit Atlantik, nga trojet e Xhorxh Washingtonit dhe Thomas Xhefersonit, nga Amerika e madhe dhe e largët — strehuasja e të përbuzurëve dhe të shtypurëve – ku jo vetëm mua por edhe mijëra shqiptarë të tjerë, shumë edhe nga Hoti, nga dëboi tufani i egër i komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik. Kemi ardhur dhe jemi mbledhur këtu me ju nga Amerika mike e shqiptarëve për tu thenë këtyre burrave e burrneshave shqiptare në varrezat përjashta: lëkundni eshtrat, çojeni kokën dhe hapni sytë për të parë, mos kini frikë! Gëzonju se ende ka shqiptarë. Emërat e tyre janë të shkruar, jo vetëm në zemërat tuaja, por kujtimi i tyre i kapërcen kufijt e Shqipërisë dhe mbërrin deri në Amerikën e largët.

Dëshmi e kësaj është prania e shumë shqiptarëve këtu të ardhur nga qytete të ndryshme të Amerikës.  Për shqiptarët e Amerikës dhe shqiptarët e tjerë jasht Atdheut, për pothuja 50-vjetë shkëputje nga trojet tona – ishte Lahuta e Malësisë e At Gjergj Fishtës që na mbante të lidhur me Shqipërinë dhe ajo që na ndihmoi të ruanim sadopak thesarin kombëtar, gjuhën, historinë, kulturën dhe karakterin. Fjalët e Fishtës qëndrojnë si shtyllë drite për breznitë e tashme dhe të ardhëshme. Veprat e tij venë në dukje shkëlqimin e trashëgimisë stërgjyshore të shqiptarit.

Në këtë periudhë të vështirë të tranzicionit nga komunizmi në demokraci – për të gjithë shqiptarët sot duhet të shë ndrisin figurat historike të Lahutës së At Gjergj Fishtës në Rrëzhanicë e në Deçiq – ashtuqë të vihet në pah përsëri vet-mohimi i Patër Gjonit, guximi e burrëria e Ded Gjo’ Lulit, e po edhe fisnikëria dhe trimëria e Tringës.

Do të harrohen tiranët dhe veprat e tyre. Do harrohen ata që tretën edhe eshtrat e Gjergj Fishtës, por shqiptari kujton sot dhe do të kujtojë gjithmonë bijat dhe bijtë e sajë të denjë. Kujtimi i tyre do të frymëzojë breznitë e reja kah veprat e mira e të mbara sepse qëllimi i tyre dhe bashk-kohësve të tyre ishte vetëm që Shqipëria të vazhdonte në atë rrugë të ngadalshme e të vështirë, por kurrë të ndërprerë të qytetërimit perendimor, sipas traditave më të shëndosha të Kombit. Ata nuk dëshironin që Kombi shqiptar të futej në një rrugë zhdukjeje e të gjithë vlerave dhe pasurive kombëtare me qëllim për të krijuar të ashtuquajturin “njeri të ri”, në bazë të një ideologjie barbare sllavo-komuniste. Të fat të keq, shumë bijë e bija të Malësisë së Madhe kanë renë martir në mbështetje të demokracisë.  Pjesëmarrja juaj sot këtu  dëshmon se shpirti i tyre nuk është shëndrruar në një ankesë të kotë, ose në një shpirt vëllavrasës. Por, përkundrazi, dëshmon se ajo frymë vazhdon të jetë ndërtuese e një ndërgjegjeje kombëtare me mendime e caqe të mprehta dhe me ndjesi drejtpeshimi e bashkimi të shqiptarëve.

Zonja e Zotëri, askush nuk pohon se demokracia është një sistem i lehtë qeverisjeje, siç është shprehur dikur Vinston Çurçilli. Fjala demokraci nënkupton pjesëmarrje e njerëve të lirë në proceset demokratike. Për më tepër, nënkupton njerëzillëk, respekt dhe tolerancë ndaj mendimeve të njëri tjetrit, sado të kundërta të jenë ato, e jo pështjellim ideshë e panjerzi sjelljesh. Demokracia kërkon hamonizim vullnetesh e qëllimesh nepërmjet diskutimesh të lira e të kthiellta. Demokracia nuk duron që të ngujohemi në “kullat” e ideve tona, duke mos u hapur dritaren ideve të ndryshme dhe qëndrimeve të tjerëve, me qëllim arritjen e objektivave për të mirën e përbashkët.

Kur mendoj për Shqipërinë, e mendoj mbushë me luftëra e përpjekje gjithmonë për mbijetesë, si një vend me histori të lashtë, të vështirë por edhe të lavdishme, me një potencial për një të ardhme madhështore. Mendoj për falëtoret që do të ndërtohen e rindërtohen siç është kjo Kisha e Shën Gjonit që po inaugurohet sot këtu në Hot. Mendoj për brezat e rinjë të shqiptarëve, të cilët pas pothuaj një gjysëm shekulli diktaturë komuniste, me punën e tyre, shpresojnë në premtimet dhe në realizimin e endërrave që sjellë liria dhe demokracia.

Unë besoj se demokracia e re shqiptare — megjithë vështirsitë fillestare që janë kryesisht, pasojë e komunizmit barbar sllavo-aziatik – do të jetë aq e fortë dhe e qendrueshme sa ishte kjo kishë që po ripërtrihet sot – e të cilën ideologjia komuniste enveriste mendonte se do ta zhdukte jo vetëm si ndërtesë,por edhe si institucion.

Zonja e Zotërinj, uroj që të bëhemi të denjë të kujtimit të At Gjergj Fishtës (i cili thuhet se ka shërbyer në këtë kishë për një kohë) dhe i të gjithë atyre patriotëve që e donin Shqipërinë të lirë e demokratike – dhe të kërkojmë ndihmën e Zotit që ky vend, më në fund, të gëzojë lirinë, sot për ju e nesër për pasardhësit tuaj – për një të ardhme më të mirë të mbarë Kombit shqiptar.

Konsideroj se tranzicioni politik nga komunizmi në demokraci do të jetë një moment historik për Shqipërinë dhe për shqiptarët — që pas një gjysëm shekulli komunizëm, më në fund, të kthejnë vëmendjen e tyre  kah traditat, vlerat dhe të shfaqin rishtas — ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit – Skenderbe — bashkimin, besën dhe vëllazërimin me njëri tjetrin, me shpresën që t’i sjell Kombit shqiptar agime të reja për brezat e ardhëshëm të shqiptarëve.

Ceremonia e sotëme e inaugurimit të kësaj kishe në Hot të Malësisë së Madhe duhet të jetë një dëshmi e fortë se njerëzimi gjithnjë ringjallet dhe ripërtrihet, ndërkohë që e mira, rishtas, triumfon mbi të keqën. Prandaj, sot në këtë vend dhe në këtë moment, me shpresë dhe me arsye mund të brohorisim me Plautus-in, (dramaturgun romak) se, “Victi, vincimus”: Megjithse të mundur, i kemi mujtë”.

_____

*Fjalim i pa botuar nga autori – mbajtur me rastin e inaugurimit (1994) të Kishës së rinovuar të Shën Gjonit në Hot të Malësisë. Po botohet me rastin e 30-vjetorit të Inaugurimit.

Autori duke mbajtur fjalimin e rastit në Kishën e rinovuar të Shën Gjonit në Hot të Malësisë së Madhe pas shembjes së Murit të Berlinit, (21 Gusht 1994) 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu