ARKIVI:
29 Dhjetor 2024

PO-ja e MARISË

Shkrime relevante

2025-ta, vit zgjedhor në Kosovë!

Florim Zeqa Edhe pse në rrethanat e krijuara zgjedhjet nuk do t’na...

Çka mund të mësojmë nga studentët e Beogradit?!

 Ali Sh. Mehmeti  A është rritur një gjeneratë e ra në Serbi,...

Ferhat Draga, personalitet i përkushtuar për çështjen kombëtare shqiptare, përkujtim me rastin e 80-vjetorit të vdekjës (1944-2024)

Ferhat Draga(1873-1944) Nail  Draga, Ulqin Sipas të dhënave të dëshmuara familja Draga...

Lidhja Shqiptare për rikthim në katolicizëm, me seli në Bruksel, një fener i dritës dhe dinjitetit kombëtar

Nga: Luan Dibrani, Gjermani  Bruksel, selia e shpresës së re shqiptare —...

Ti ishe fati ynë!

Emrin Tënd e kam skalitur në mendje, zemër e âsht. Atë do...

Shpërndaj

Don Lush GJERGJI, Prishtinë 

Përshpirtëria e Nënës Tereze (25 – vjetori i vdekjes)  

PO-ja e MARISË 

“Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë siç the ti!” 

                                                                              (Lk 1, 38) 

“Kur Maria qe lajmëruar prej engjëllit Gabriel, ajo ishte kufizuar vetëm në një pyetje: nuk arrinte ta kuptonte si do ta tërhiqte dhurimin e vetvetes që ia kishte bërë Zotit. Engjëlli, ia shpjegoi dhe ajo fill e kuptoi. Në atë çast, buzët e saja shqiptojnë një përgjigje të mrekullueshme, që e definonte atë në tërësinë e qenies grua: “Më ndodhtë siç the ti!” 

                                                                                 (Nëna Tereze) 

Në jetën e çdo njeriu ka çaste, situata, takime, persona të rëndësishme, vendimtare, që ne i bartim brenda. Ndonjë herë jemi të lumtur dhe themi: Çfarë fati, rasti, hiri i Zotit! Herët tjera pyetemi: pse është dashur të ndodhin kjo, kështu mua? Çfarë fatkeqësie! 

Edhe në jetën e Virgjërës Mari pati takime, ngjarje dhe vendime të paharrueshme. Një takim i tillë ishte me engjëllin Gabriel, nëpërmjet tij, me vetë Zotin: vendimi për ta pranuar ofertën e qiellit, për të hapur dhe dhuruar zemrën virgjërore për ngjizjen dhe lindjen e Jezusit, Shëlbuesit dhe Vëllait të njerëzimit. Pas disa pyetjeve dhe paqartësive fillestare, erdhi përgjigja: “Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë siç më the ti!” (Lk 1, 38). 

Maria e pranon ofertën e Zotit, jo pse e kishte kuptuar më mirë misterin e mishërimit, por përse gjendej para dashurisë së Zotit, të cilit i përgjigjet me fe dhe çiltëri të plotë. Dhe  Zoti nuk ishte ndalur me kaq, por herë pas here, kërkonte gjithnjë e më shumë, gjithçka, duke dhënë gjithçka – Birin e tij Jezu Krishtin. 

Nëna Tereze thotë: “Dëgjesa në të njëjtën mënyrë siç kishte dëgjuar Virgjëra Mari: “Më ndodhtë siç the ti!”. Vullneti i kujt? I engjëllit, i cili e zëvendësonte   Zotin. 

Ajo, Mbretëresha e qiellit, e dëgjoi engjëllin, në të njëjtën mënyrë siç e dëgjonte Shën Jozefin, që për të e zëvendësonte Zotin… Askush nuk e ka mësuar kaq bukur mësimin e përvujtërisë si Maria. Ajo ishte shërbëtore. Të jesh shërbëtore domethënë të jesh në shërbim të dikujt, të punosh sipas vullnetit të dikujt, me besim dhe gëzim të plotë. Gëzimi dhe hareja ishin fuqia e Zojës Mari… Një dorëzim i plotë: të jesh në shërbim të Zotit që të përdoresh ashtu siç i pëlqen Atij… Përse e bëri këtë? Sepse Virgjëra Mari ishte plot me Zotin, sepse jetonte vetëm për Zotin, megjithatë konsiderohej vetëm si shërbëtore e Zotit. Të bëjmë edhe ne kështu”.   

Vështirësia e Marisë nuk kishte përfunduar. Madje, ato rriteshin dhe shtoheshin gjithnjë. Ajo mund të mendonte dhe të përfundonte kështu: mirë, pranova me dashuri dhe për dashuri ftesën e Zotit, mirëpo çka duhet të bëjë tash me Jozefin? A do ta pranojë ai, të tjerët, këtë risi absolute, ngjizjen e Jezu Krishtit për virtyt të Shpirtit Shenjt? Edhe Jozefi do të duhej të pranonte “të pamundshmen”. “Jozef, biri i Davidit,  mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezsu, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tija.” (Mt 1, 20-21) 

Zoti e sprovon edhe më shumë Marinë. Erdhi koha e lindjes së Jezusit. Gjendja është tejet e vështirë. Maria dhe Jozefi janë në udhëtim, në Betlehem. “Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë. Ajo lindi djalin e vet – të paralindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ata” . (Lk 2, 6-7) 

Virgjëra Mari me çdo rast ka mund të mendonte kështu: Hyji im, çka dëshiron ende prej meje? E pabesueshme, e papranueshme! Shëlbuesi duhet të lindë në këto kushte? 

Mirëpo, Zoti nuk “dorëzohet”, por kërkon gjithnjë më shumë dhe Maria e kujton edhe një herë premtimin e saj: Jam shërbëtorja e Zotit. 

Historia mes Marisë dhe Zotit vazhdon. Fëmija tashmë ka lindur, gëzimi dhe lumturia ishte e madhe. Shpejt harrohen vuajtjet: gëzohet qielli, engjëjt, edhe toka, barinjtë (krhs. Lk 2, 8-20). Mirëpo, gëzimi dhe ngushëllimi zgjatë pak. Ja vështirësia tjetër, sprova e tmerrshme: Herodi dëshiron ta vrasë Jezusin Fëmijë! (krhs. Mt 2, 7-18) 

Vështirësia ishte e pamasë, rreziku tejet i madh, frika e tmerrshme, shtegdalja e paqartë. Çka të bëjnë? Jozefi dhe Maria kanë mund të mendojnë kështu: O Zot, ku je tash?  Përse hesht, nuk flet, nuk thua asgjë, nuk bën diçka për ta shpëtuar Foshnjën, Birin tënd dhe tonë? Na shpëto ne dhe Jezusin nga kjo gjendje! 

Asgjë! Zoti nuk bën asnjë mrekulli, nuk dëshiron të ndërhyjë drejtpërdrejt, por, rishtas e dërgon engjëllin me këtë porosi: “Engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: Çohu, merre fëmijën dhe t’ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje deri që të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.” (Mt 2, 13) 

Zgjidhja është fatkeqësisht në ikje dhe në vuajtje! 

Projekti i Zotit  dëftohet gjithnjë më i vështirë, mirëpo edhe një herë ngadhënjeu dashura, Po-ja e Marisë, besnikëria, ndërsa “loja” e Zotit vazhdon… 

Maria në misterin e Lajmërimit dhe të pasisë paraqet modelin e vërtetë  të jetës, sepse ajo e ka pranuar Jezusin në jetën e saj, pastaj ka shkuar me shpejti për ta lajmëruar kushërirën Elizabetën. Atë çka ajo kishte pranuar, deshi t’ia dhuronte asaj…” (Nëna Tereze). 

I tillë është Zoti ynë. E tillë është Virgjëra Mari! Edhe pse dita-ditës lindin pyetje dhe vështirësi të reja, përgjigja ishte vetëm një: Zoti do kështu, u bëftë vullneti i tij! Maria vazhdimisht gjendet në situata të panjohura, të rrezikshme, të paparaparë. Di vetëm një gjë, dhe kjo i mjaftonte, kështu do Zoti, dhe ajo lëshohet plotësisht në dorën e tij, me Po-në jetësore. 

“Pasi që Zoti e do botën, ai e dërgoi Birin e vet. Tani ai të dërgon ty për të qenë Fjala e tij, dhe kjo fjalë duhet të mishërohet në zemrat e njerëzve. Ja pse kemi nevojë për Virgjërën Mari…, që të jemi të aftë që t’ua dhurojmë të tjerëve këtë dashuri.” (Nëna Tereze) 

“Ati i mëshirshëm ka dashur që pranimi nga ana e nënës së përcaktuar t’i paraprinte mishërimit, në mënyrë që, sikurse një grua kishte ndihmuar në dhënien e vdekjes, një grua të ndihmon në dhënien e jetës. Kjo vlen në mënyrë të jashtëzakonshme për Nënën e Jezusit, e cila i ka dhënë botës jetën që gjithçka përtërin dhe që prej Hyjit është pasuruar me dhurata që i kanë hije një nderimi të tillë… Kështu, Maria, bija e Adamit, duke e  pranuar fjalën hyjnore, u bë Nëna e Jezusit, dhe duke e përqafuar vullnesën hyjnore të shpëtimit me gjithë shpirt,  pa e penguar asnjë mëkat, ia kushtoi tërësisht  vetveten si shërbëtore e Zotit, personit dhe veprës së Birit të vet, duke i shërbyer misterit të shpërblimit në varësi të tij dhe me të, me hirin e Hyjit të gjithëpushtetshëm.” (LG 56) 

Edhe ne, nëpërmjet pagëzimit, kemi dhënë Po-në Zotit, Jo- në e së keqes, mëkatit dhe vdekjes, kuptohet nëpërmjet prindërve dhe nunave tanë. Shpesh e kemi përsëritur këtë premtim edhe personalisht në sakramentin e rrëfimi dhe pajtimit, në Eukaristi, në marrjen e sakramentit të përforcimi. Po-ja jonë gjithnjë përtërihet, thellohet, siç bëri Maria, apo…? A jemi për po, vetëm me anë të fjalës, apo edhe me  tërë jetën tonë, edhe në çaste kur kërkohet flijimi, vuajtja, pranimi i vullnetit të Hyjit me dashuri? 

Jeta dhe shembulli i Marisë na mësojnë: Zoti kërkon shumë, ndoshta ne na duket edhe tepër, gjithçka, do “shkatërrimin” tonë , për ta realizuar Ai në ne dhe me ne veprën e vet, shëlbimin. Ai shpesh na sprovon, për ta treguar dashurinë dhe kujdesin e tij për ne, nëpërmjet jetës tonë dhe mangësive apo dobësive tona. Të jesh në disponim të Zotit domethënë të besosh, të duash, të pranosh dhe zbatosh me dashuri vullnetin e tij, të bësh një hap “në të panjohur”, në terr, por me siguri të plotë: Zoti do kështu, Ai vepron, dhe ne jemi të lumtur dhe të falenderueshëm për dashurinë, faljen dhe mëshirën e tij. 

Maria. është kryevepra  e dëgjesës, dhurimit, edhe më shumë, e fesë dhe dashurisë. 

Pa Marinë, s’ka Jezus. Para shumë vjet erdhi një engjëll për ta sjell lajmin e gëzueshëm te Maria. Princi i Paqes kishte dëshirë të flakët për të ardhur mbi tokë, dhe një engjëll ishte detyruar që ta binte këtë lajm të mirë që Krijuesi dëshironte të bëhej Fëmijë. Princi i Paqes qe tërhequr nga një virgjër e re, e cila para syve të njerëzve nuk ishte asgjë. As engjëlli nuk e kuptonte pse ishte i dërguar te një krijesë e tillë. Po ajo ishte aq e bukur që Mbreti i mbretërve deshi të bëhej trup në të. Ishte me aq shumë hir, plot me Zotin…. Do të ketë mbetur e hutuar, sepse kurrë nuk kishte parë ndonjë engjëll… Pyeti: “Si? Çka thua? Nuk kuptoj. S’ka kuptim për mua!”. Engjëlli i tha thjeshtë: me fuqinë e Shpirtit Shenjt, Krishti do të mishërohej në të. Dhe Maria u përgjigj vetëm me një fjalë: “Unë jam shërbëtorja e Zotit!” (Nëna Tereze) 

Po-ja e Marisë, nuk ishte vetëm një çast, një fjalë, shprehje, por jetë e kushtuar Zotit, për Zotin, për mbarë njerëzimin. Edhe për ne vlen kjo strategji dhe metodologji: po-ja jonë do të duhej çdo ditë të përforcohej, vërtetohej, pasurohej dhe thellohej. 

Dialogu i dashurisë, mes Qiellit dhe tokës, që në njëfarë mënyre ishte ndërprerë, me po-në e Marisë rishtas hapet, shkon kah përplotësimi dhe zbatimi, sepse ajo “ia hapi” rrugën dhe zemrën mishërimit të Jezu Krishtit.

Se kildebildet

Nëna Tereze, me dorë të saj, ka shkruar këtë uratë kushtuar Virgjërës Mari: 

“Mari, Nëna e Krishtit, 

na dhuro zemrën kaq të bukur, 

kaq të pastër, kaq të pafajshme! 

zemra jote me aq dashuri e mbushur dhe përvujtëri, 

që edhe ne të mund ta pranojmë Jezusin 

në Bukën e Jetës, 

Ta duam si e ke dashur Ti, 

T’i shërbejmë si i ke shërbye Ti, 

të fshehur në më të varfrit! Amen.” 

 Maria, me po-në e madhe, është bashkangjitur me Shëlbuesin: Nëna – Biri, kështu që është bërë e para e “shpërblyer.” Ky mision dhe kjo detyrë, është në vazhdimësi në jetën e Virgjërës Mari, për Kishën, për çdo të krishterë, për çdo njeri. 

Këtu gjejmë lidhjen e fortë Krishti – Maria – Kisha. Jezusi, është mishëruar në kraharorin e Virgjërës  Mari, për virtyt të Shpirtit Shenjt, që të vazhdojë të lindë, të rritet edhe nëpërmjet Kishës. Maria dhe Kisha janë “vegla” të Shpirtit Shenjt, për çdo kohë dhe për shëlbimin e mbarë njerëzimit.  

Shën Luani i Madh, shkruante kështu: “Gjithë atë çka Biri i Zotit ka mësuar dhe bërë për shëlbimin e botës, nuk e dimë vetëm prej historisë së kaluar, por e njohim edhe nga fuqia e ngjarjeve aktuale të Kishës dhe në Kishë.” 

Prishtinë, 21 dhjetor 2022   –  Radio Maria – Kosovë 

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu