ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

35 ite nga shembja e Murit të Berlinit: “Mbajeni lartë Lirinë!”

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

Nga: Frank Shkreli

Sot me 9 Nëntor, 2024, Berlini, qyteti i Lirisë, Gjermania – por edhe mbarë Evropa dhe bota kujtojnë — Berlinin dhe të kaluarën e tij si një qytet i ndarë, me programe të veçanta — shembjen e Murit të Berlinit, 35-vjet më parë (9 Nentor, 1989), me moton: “Mbajeni Lartë Lirinë!”

Në këtë përvjetor, Kancelari aktual i Gjermanisë Federale të bashkuar, Olaf Scholz tha se kjo ngjarje historike është një shembull i shkëlqyer i kohezionit evropian. Ai u shpreh se fqinjët e Gjermanisë – vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, kanë kontribuat në shembjen e Murit të Berlinit, duke shtuar se, “Fitorja e Lirisë në vjeshtën e vitit 1989 ishte një fitore mbarë-evropiane”, nënvijoi Kancelari gjerman. 

Shembja e Murit të Berlinit – si një simbol i së vërtetës së regjimeve totalitare komuniste — nuk kishte të bënte vetëm me politikën e Luftës së Ftohtë, por ishte njëkohsisht edhe simbol i triumfit të dinjitetit njerëzor mbi shtypjet e një ideologjie çnjerzore – të quajtur komunizëm.

Pak histori, si kujtesë.  Në vjeshtën e vitit 1989, u rrëzua Muri i Berlinit dhe me shembjen e tij, popujt liridashës të Europës Lindore dhe Qendrore, njëherazi, shembën edhe sistemin e tyre komunist që i kishte nënshtruar ata fizikisht dhe shpirtërisht, për pothuaj një gjysmë shekulli. Ky përvjetor sot na kujton mbarimin e një sistemi të korruptuar, të një ideologjie vrasëse dhe skllavëruese që ishte komunizmi ndërkombëtar.  Por për më tepër, ky përvjetor, shënon gjithashtu, edhe rivendosjen e lirisë dhe të dinjitetit njerëzor për qqindra miliona njerëz, anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore, të cilët deri atëherë kishin jetuar me frikë, në varfëri si skllevër nën shtypjen e regjimeve të diktaturës komuniste.  Ishte pra 9 Nëntori i vitit 1989, kur mijëra gjermanë shemben simbolin kryesor të ndarjes në Europë, simbolin ndarës e përçarës të komunizmit ndërkombëtar: Murin e Berlinit.  Për pothuaj dekada, Muri i Berlinit përfaqësonte si asgjë tjetër, atë që Winston Çurçili e kishte pagëzuar si, “Perdja e Hekurt”, që kishte rënë mbi Evropën, nga Baltiku deri në Adriatik.  Por, ama, ashtu siç përfaqësonte ai Mur, për pothuaj dy brezni ndarjen e Europës në demokratike perëndimore dhe atë komuniste diktatriale të lindjes, shembja e Murit të Berlinit më në fund shënoi rënien e perandorisë së komunizmit, mbarimin e Luftës së ftohët dhe fillimin e një Europe, që presidenti amerikan Xhorxh Bush do ta quante, “të tërë, të bashkuar dhe në paqe”.  Dy vjet para se të shembej Muri i Berlinit, Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan në fjalimin e tij historik më 1987 në Berlinin e ndarë, i pat bërë thirrje udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov që ta shembte Murin famëkeq të Berlinit.  Aty, para portës Brandenburg, Presidenti Reagan pat deklaruar se: “Për derisa kjo portë mbetet e mbyllur, nuk është vetëm çështja e Gjermanisë që mbetet e pazgjidhur, por është edhe liria në mbarë botën që mbetet një çështje e pazgjidhur”, për qindra miliona njerëz që dëshirojnë lirinë nga pushtimi komunist ndërkombëtar. Ishte e qartë se shembja e Murit të Berlinit, simbolit më të mbrapsht të komunizmit në Europë, gjërat më në fund, do të ndryshonin për më mirë.

Nuk ka dyshim se shembja 35-vjet më parë e Murit të Berlinit — simbolit të tiranisë komuniste në Europë dhe në botë — ka ndryshuar botën.  Ai Mur ishte një pengesë denigruese fizike, shpirtërore dhe psikologjike për popujt e robëruar nga komunizmi që kërkonin lirinë, anë e mbanë Evropës dhe më gjerë. Ishte një Mur simbol që dukej sikur do të përjetësonte praninë sovjetike dhe regjimet diktatoriale komuniste anë e mbanë Europës. Për derisa qëndronte Muri i Berlinit, njerzit ishin të bindur se Evropa nuk do kishte liri. Bota mbarë sikur e kishte pranuar ndarjen midis lindjes komuniste dhe perëndimit demokratik si diçka të pakthyeshme, si të përhershme.

Por më në fund në vitin 1980, Shtetet e Bashkuara zgjodhën për president, kandidatin e Partisë Republikane, Ronald Reagan, i cili nuk hezitoi ta quante Bashkimin Sovjetik si perandorinë e së keqes.  Qershorin e vitit 1987 ai mbajti fjalimin tanimë të famshëm në Berlin, me të cilin i bëri thirrje udhëheqësit sovjetik Mikhail Gorbaçov, madje kundër këshillave të ndihmësve të tij të ngushtë – se në qoftë se me të vërtetë dëshironte paqen, atëherë të urdhëronte shembjen e Murit të Berlinit dhe të lejonte ribashkimin e Gjermanisë. Por, megjithë rolin e tij vendimtar, Presidenti Ronald Reagan nuk ishte një kalorës i vetëm në këtë zhvillim historik për Evropën dhe botën. Presidenti amerikan Reagan kishte përkrahjen e udhëheqësve botërorë: Kryeministres britanike Margareth Thatcher, Lech Walesa me Lëvizjen e punëtorëve polakë Solidarnost, por edhe lëvizjet e disidentëve anti-komunistë anë e mbanë Europës. Papa Gjon Pali II, u ofroi këtyre përpjekjeve anti-komuniste forcën e tij morale dhe më në fund nuk mund të mohohet kontributi i udhëheqësit të atëhershëm sovjetik, Mikhail Gorbaçov, i cili duket se kishte vendosur të mos përdorte tankset kundër lëvizjeve historike anti-komuniste anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore.

Por sot në këtë 35-vjetor kujtojmë se — si përfundim i këtyre përpjekjeve të udhëheqsve botërorë, në nivel ndërkombëtar dhe qendresës së popujve anti-komunistë të Evropës Lindore e Qendrore për liri e demokraci — më datën 9 Nëntor të vitit 1989 u shemb më në fund Muri i Berlinit, u ribashkua Gjermania dhe u shemb edhe komunizmi, të pakën siç njihej deri atëherë, anë e mbanë Europës Lindore dhe Qendrore, duke ndryshuar kështu, shpresojmë, përgjithmonë Europën dhe Botën.

 “Zoti Gorbachev, shembe këtë mur” – Berlin, 12 Qershor, 1987

Si dëshmitar i shembjes së Murit të Berlinit dhe regjimeve gjakpirës komuniste anë e mbanë Evropës dhe më gjërë, trashëgimia e këtyre ngjarjeve historike sikur rikumbon sot në veshtë tonë, ndërkohë, që Evropa përballet me një konflikt të ri, si përfundim i pushtimit të Ukrainës nga Rusia putiniste. Duket sikur 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, bota i ka harruar mësimet që ofrojnë tragjeditë dhe sakrificat e milionave njerzve të pafajshëm që kanë humbur jetën për liri, pavarësi e demokraci, në luftën kundër komunizmit, anë e mbanë Evropës dhe botës. Nëqoftse Muri i Berlinit ishte simbol i ndarjes dhe përçarjes midis popujve dhe kombeve në periudhën e komunizmit, atëherë, shembja e këtij Muri — në këtë 35-vjetor — do duhej të shërbente si një simbol i bashkimit dhe paqeje për të gjithë popujt në Evropë dhe në botë.

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. z. Shkreli!
    Portali ZSH publikon shkrime tä ta zgjojnë kureshtjen për leximin e tyre, edhe ky shkrim i juaj më bëri përshtypje të thella dhe më rikthej pak në histori!
    Po citoj fjalët e Sabine Hammer, dëshmitaree e kohës:
    “Asnjëherë nuk e kishim imagjinuar se do të kishim lirinë që kemi tani dhe atë që na u dha në atë kohë. Ishim mësuar të jetonim sipas rregullave që na tregonin çfarë mund të bënim dhe çfarë jo”, shprehet Sabine Hammer, dëshmitare e kohës
    Po vazhdoj edhe pak historinë e Muirt të Berlinit:
    “Në Korrik 1978, Presidenti Jimy Carter shqiptoi në gjermanisht fjalët tingëlluese:” Was immer sei, Berlin bleibt frei”( Sido që të ndodhë, Berlini mbetet i lirë ).”

    Nga historia vetëm pak të dhëna, po citoj
    Muri filloi të ndërtohej në 13 Gusht 1961 dhe mbaroi në datën 24 Gusht 1962.Ky mur u ndërtua nga Gjermania Lindore, dhe ndau Berlinin në dy pjesë:pjesa perëndimore dhe pjesa lindore sepse banorët e këtij shteti po emigronin drejt Gjermanisë Perëndimore, nga e cila do të shkonin në Spanjë, Francë dhe Angli për të ikur nga qeveria komuniste e cila po i shkatërronte të gjithë.
    edhe disa ttë dhëna,po citoj:
    Edhe pse muri u ndërtua, 5000 vetë arritën të arratisen drejt Gjermanisë Perëndimore, por rreth 300 vetë u vranë duke u përpjekur për një jetë më të mirë për ta dhe familjen e tyre.

    me respekt.
    Ismet M. Hasani, Suedi

  2. Në verën e vitit 1989 shikoja tek stacionet televizive të Italisë ( Rai 1 , 2, 3 dhe kanale të tjera private ) se si varg njerëzish kalonin kufirin e DDR në Cekoslavakinë e atëhershme , vazhdonin për në Austri e përfundonin në atdheun e tyre të ndarë dy pjesësh ,në RFD ku njeriu jetonte i lirë e jo i prangosur me propagandën Sovjetkije . Cudia jo e vogël që nuk i vrisnin si në vendin tim të rrethuar me tela e ushtarë . Kurrë s’e mendoja që ai Mur në Berlinin e largët do të rrëzonte dhe rrethimin kufitar që kishte ngritur qeveria antishqiptare komuniste .Më pas erdhi dhe shembja e Murit dhe krejt europa lindore u clirua .Sikur ai Mur të përshkonte krejt ato shtete . Festohen dy data në Gjermani , 9 nëntori, shembja e Murit më 1989 dhe 3 tetori i 1990 bashkimi procedural i dy Gjermanive . Muri i fundit që u shemb ishte Tirana me rrethim kufitar në krejt Shqipërinë . Beteja vazhdon se ‘themelet ‘ e atij muri nuk u hoqën , kanë mbetur nën tokë . Detyrë e gjeneratave të shkulin themelet e së keqes .

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu