Përkujtesë historike: 5 maj 1991
KUVENI I PARË I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVË
0 Kuvendi i Parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, me vendimet e marra, shënoi kapërcimin historik nga kërkesa për barazi të plotë në nivel të federatës jugosllave, që doli në Kuvendin Themelues të 23 dhjetorit 1989, te ajo për shtet të pavarur. Këtë ndryshim e imponuan rrethanat që lidheshin me fillimin e luftës në Jugosllavi si dhe vendimin e Konferencës së Hagës së gushtit 1991 që pranoi shpërbërjen e federatës jugosllave.
Kuvendi i Parë i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, i mbajtur në Prishtinë më 5 maj 1991, ku morën pjesë 350 delegatë të zgjedhur nga degët dhe nëndegët e partisë, shënon një ngjarje të rëndësishme meqë, kërkesa për barazi të plotë në nivel të federatës jugosllave, që doli në Kuvendin Themelues të 23 dhjetorit 1989, u redifenue në kërkesën për shtet të pavarur. Këtë kapërcim historik e përcaktuan rrethanat e kohës dhe faktorët që krijuan realitete të reja politike, ndër të cilat përcaktuesi ishin: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, me ç’rast delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën pavarësinë nga Serbia si dhe vendimet e Kuvendit të Kaçanikut në kuvendin e 7 shtatorit 1990 me ç’rast Kosova shpallet republikë e pavarur në kuadër të federatës jugosllave me të drejtën e barabartë me njësitë tjera federative. Rol të rëndësishem madje edhe vendidmtar të ky përcaktim pati shpërthimi i luftës në maj të atij viti, kur ushtria Jugosllave e dominaur nga ushtarakët serbë, bëri agresion në Slloveni, ndërkohë që faktori ndërkombëtar reagoi me mbajtjen e konferencës së Hagës në gusht të atij viti,federatën jugosllave e shpalli në shpërbërje e sipër. Pra, evolucioni politik i kërkesave nga ajo për barazi tek pavarësia dhe shteti i pavarur, që do të fillojë të organizohet pas mbajtjeve të zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale në prill 1992, mund të kuptohet drejt dhe mirë në saje të vendimeve që u morën në Kuvendin e Parë të LDK-së, meqë ato ia hapën rrugën rezistencës institucionale (me shtetin paralel që funksionoi deri në mars të vitit 1999) si dhe asaj të armatosur, që u shfaq në nëntor të vitit 1997.
Edhe në planin e brendshëm partiak, Kuvendi i Parë i LDK-së, që duhet dalluar nga Kuvendi Themelues i 23 dhjetorit 1989, nxori dhe përcaktoi strukturën e re organizative, sipas Statutit të aprovuar në Kuvend – Këshillin Qendror – organ kryesor të partisë. Kishte dymbëdhjetë komisione qendrore, ku ai i sistemit politik, i arsimit dhe kulturës, i çështjeve të mbrojtjes sociale, i shëndetësisë, i informimit, i çështjeve juridike, i vetëmbrojtjes, i ekonomisë, i marrëdhënieve me jashtë dhe i ekologjisë, përbënin bërthamën e filleve të shtetit paralel.
Këshillit Qendror të LDK-së që u zgjodh në Kuvend kishte këtë përbërje:
Dr. Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, dr. Idriz Ajeti, prof. Fehmi Agani, dr. Bujar Bukoshi, dr. Ali Aliu, dr. Rexhep Ismaili, dr. Sabri Hamiti, dr. Gani Bobi, dr. Ejup Statatovci, dr. Nexhat Daci, dr. Fatmir Sejdiu, dr. Faik Brestovci, Ramë Buja, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizi, dr. Ismet Salihu, dr. Fadil Raka, Anton Kolaj, Mujë Rugova, Edi Shukriu, Ibrahim Berisha, Rexhep Gjergji, Skender Blakaj, dr.Binak Kastrati, Mehmet Kraja, Fadil Hysaj, Kadri Halimi, dr. Zenel Kelmen-di, Mensur Fejza, dr. Shaqir Shaqiri, Adil Pireva, Mujë Krasniqi, dr. Abdyl Krasniqi, Ibush Jonu-zi, Engjëll Berisha, Agim Çavdërbasha, Selatin Novosella, Xhemail Mustafa, Isa Haxhiu, Myrvete Dreshaj, Shyhrete Malaj, Agron Dida, Milazim Krasniqi, Nexhat Krasniqi-Nekra, Basri Çapriqi, Skënder Kastrati, Arif Bozaxhi, Naip Zeka, Irfan Pashoja, Fadil Kryeziu, dr. Simë Dobreci, Idriz Berani, Abdyl Rama, Paulina Lumezi dhe Milhate Shala.
Komisionet përfshinin edhe anëtarë të jashtëm, kryesisht profesionistë, të cilët merrnin pjesë në krijimin e politikave të caktuara.
Këshilli Qendror i LDK-së, me një përbërje të tillë ndër më reprezentativet e kohës, deri në zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura në prill të vitit 1992, luajti rolin e një kuvendi kombëtar.