KUVENDI I BESËLIDHJES ARBËRORE NË LEZHË, MË 2 MARS 1444
Nga Sheradin Berisha
581 vjet më parë, në Katedralen e Kishës së Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot – Skënderbeut, u mbajt Kuvendi i Lezhës dhe u krijua Besëlidhja Arbërore (shqiptare) e Lezhës, si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, gjatë periudhës së mesjetës.
Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, (menjëherë pas kthimit në Krujë – në nëntor 1443), për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një Kuvend të gjitha principatat arbërore, me qëllim të Bashkimit, për përballimin e sulmeve pushtuese osmane në tokat arbërore.
Kryengritja e përgjithshme e vitit 1443, (që mori përmasa çliruese me kthimin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot – Skëndereut në Krujë – më 28 Nëntor 1443), dhe ngritja e Flamurit arbëror në këtë qytet, ishin fitoret më të mëdha historike që duheshin mbrojtur me çdo çmim.
Zhvillimet e deriatëhershme luftarake – në arealin e Arbërit dhe më gjerë në Ballkan, ishin treguesit e qartë se, Perandorisë Osmane (fuqisë më të madhe ushtarake të kohës), nuk mund t`i bëhej ballë pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg feudesh të pavarura dhe pa krijuar një bazë të fortë organizative e të qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte fuqinë mendore – njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit.
Për zgjidhjen e këtyre pengesave, si hap të parë e të rëndësishëm Gjergj Kastrioti – Skënderbeu mori nismën për mbajtjen e një kuvendi gjithëpërfshirës, ku do të merrnin pjesë krerët e principatave të pavarura që sundonin gjithandej vendit tonë. Për këtë qëllim, ai fillimisht zhvilloi takime vetjake, si rrjedhojë e të cilave u vendos që të mbahej në Lezhë një Kuvend i Besëlidhjes Arbërore.
Lezha kishte një pozicion gjeografik shumë të favorshëm për mbajtjen e Kuvendit, për faktin sepse ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit, dhe për më tepër ishte e veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut si dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara arbërore, veçanërisht me ato të Kastriotëve. Prandaj, jo rastësisht Kuvendi i Besëlidhjes u mbajt në qytetin e Lezhës – më 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit, ku sot gjendet Memoriali i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Në Kuvend morën pjesë: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia (bashkë me dy djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin), Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj.
Pikërisht, realizimi i bashkimit të të gjithë princërve arbërorë (shqiptarë), në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut, përbënte idenë më madhore historike të tij, dhe ky Unitet si i tillë ishte shembull i veçantë se, si bëhet bashkimi i principatave të vogla e të copëtuar feudale, gjë që nuk ishte realizuar as në vendet më të mëdha të Evropës. (Sa për ilustrim: Gjermania u bashkua gjatë shekullit të XIX në kohën e Bismarkut, ashtu sikurse edhe Italia ishte bashkuar në shekullin e XIX në kohën e Garibaldit)
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në Kuvend, mbajti fjalën kryesore dhe aty u ndalë veçanërsisht në domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik të të gjitha princërve dhe fisnikëve tjerë arberorë. Pjesëmarrësit diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin e bashkimit politik të tyre, në themel të të cilit vunë institucionin më të rëndësishëm kombëtar, atë të BESËS.
Me këtë rast u institucionalizua Kuvendi si forumi më i lartë vendimmarrës i princërve-fisnikëve arbërorë, dhe ky Kuvend sublimoj formën e një besëlidhjeje politike, ndërmjet drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja Shqiptare e Lezhës.
Në Kuvend, u vendos krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe për udhëheqës të Besëlidhjes dhe Komandant të Përgjithshëm të ushtrisë arbërore, unanimisht u zgjodh Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Pas këtij Kuvendi të Besëlidhjes Gjergj Kastrioti Skënderbeu rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe për 25 vjet rresht drejtoi luftën çlirimtare kundër sundimit osman.
Si përfundim
Kuvendi i Lezhës dhe shembulli heroik i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ishin dhe mbetën burim frymëzimi për të gjithë brezat e ardhshëm.


