Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*
Sivjet, 6 Prilli shënoi 112-vjetorin (6 Prill,1911) të ngritjes së Flamurit Kombëtar nga Heroi i kombit, Dedë Gjon Luli, për herë të parë në pothuaj 500-vjet të pushtimit turko-osman në trojet shqiptare. Ngritjes së Flamurit Kombëtar të shqiptarëve i pati paraprirë kryengritja e Malësisë së Madhe, një kryengritje kjo që zgjati nga marsi deri në gusht të vitit 1911 dhe që mund të thuhet se një kryengritje e tillë nuk kishte ndodhur më parë në trojet shqiptare, qysh prej kohës së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në këngën e 28-të të “Lahutës së Malësisë” – epopesë kombëtare të shqiptarëve – i madhi i letrave shqipe, At Gjergj Fishta e përshkruan kështu trimërinë e Dedë Gjon Lulit dhe malësorëve të tij: Deda niset me një grusht malësorë për në Rapshë të Hotit, për t’u takuar me plakun Marash Ucin, të cilin e njofton, por të merrte gjithashtu edhe pëlqimin e tij për kryengritjen, sepse me djemtë që kishte me vete, kishte vendosur t’i binte Turkut para afatit të caktuar nga paria e maleve. Dedë Gjon Luli ngarkon Marash Ucin me detyrën që të lajmërojë për këtë nismë kombëtare, fiset Shkrel e Kastrat, pasi ushtarët e tij ishin vetëm 20: “me shtatë pushkë e një allti”. Kryengritësit malësorë marrin nën kontroll postet e mbretit dhe zënë robër 60 ushtarë anadollakë, të cilëve kryengritësit malësorë u marrin armët dhe i nisin për Shkodër. Luftimet pëlcasin aty këtu në mbarë Malësinë e Madhe. Fishta përshkruan me zotësinë e tij prej poeti, se si rojet turke bien e dorëzohen anë e mbanë Malësisë. Me të marrë vesh për luftën e malësorëve, Sulltani dërgon në Shkodër 70 taborë nën komandën e Turgut Pashës kundër malësorëve, por malësorët nuk dorëzohen. Paria e maleve takohet me Luigj Gurakuqin në krye dhe vendosin t’i përgjigjen Pashës me barut, sipas Gjergj Fishtës: “Mësyn Turku me furi, e pret Malësia me trimëri”,- këndon At Gjergj Fishta në vjershën 28-të të “Lahutës së Malësisë”.
Vendi kallet flakë: gjëmojnë male e kodra, ushtojnë gryka e humnera, fishkëllejnë plumba e gjyle topash. Ethem Pasha mësyn Kelmendin nga ana e Gucisë dhe malësorët tashti gjenden mes dy zjarreve, por nuk ligështohen. Forcat dërmuese anadollake, për fat të keq, fitojnë, por toka lahet në gjak dhe shtrohet pëllëmbë për pëllëmbë me ushtarë të vdekur anadollakë. Evropa habitet nga trimëria e malësorëve dhe më në fund kontinenti i vjetër e sheh vendosmërinë e shqiptarëve për të jetuar të lirë në trojet e veta, pas pushtimit osman prej 500-vjetësh, interpreton Fishta. Në këtë 6 Prill kujtojmë pra me fjalët e Poetit Kombëtar, At Gjergj Fishtës, kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe Dedë Gjon Lulin, i cili me aktin e ngritjes së Flamurit Kombëtar për herë të parë në 500-vjet të pushtimit osman, tregoi guximin dhe trimërinë e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij malësorë, duke sfiduar perandorinë osmane, më e madhja e asaj kohe, dhe kolonializmin e institucioneve të saj në trojet shqiptare, duke ndryshuar kështu përgjithmonë historinë e Kombit shqiptar dhe duke i çuar shqiptarët drejt fillimit eventual të lirisë shoqërore dhe pavarësisë politike. Megjithëse ngritja e Flamurit Kombëtar nga Dedë Gjon Luli dhe malësorët ishte hedhur në harresë nga regjimi komunist për arsyet e tija ideologjike, gjë që nuk ka ndryshuar shumë as këto 30 vjet post-komunizëm, ngritja e Flamurit në Deçiq të Malësisë së Madhe, sot e kësaj dite, mbetet një akt i madh historik e patriotik, që do të kujtohet gjithmonë me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të Kombit shqiptar, në përgjithësi, kundër pushtuesve të huaj dhe armiqve shekullorë të kombit, atëherë dhe sot. Megjithatë, rëndësia e rolit historik të Dedë Gjon Lulit, e Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit kombëtar në Deçiq me 6 Prill, 1911 nga Dedë Gjon Luli me malësorë, është për meritën se konsolidoi hovin që kryengritja i dha idesë së Lidhjes së Prizrenit për një Shqipëri të lirë e të pavarur, për një Shqipëri, që brenda kufijve të saj do të përfshinte të gjithë ata që e konsiderojnë veten bijë e bija, nipa, stërnipa e mbesa të Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Një meritë tjetër e këtyre burrave, është se kryengritësit malësorë i erdhën në ndihmë kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptare po jepte shpirt, e ndarë dhe e përçarë, e harruar nga bota perëndimore. Nga ajo botë ku e kishte vendin dhe që, fatkeqësisht, sot e asaj dite mbetet kjo ide; mbetet ende një ëndërr e parealizuar për shqiptarët. Dedë Gjon Luli me malësorët e tij i erdhën në ndihmë tokës arbërore, atëherë kur dukej se shpresat e shqiptarëve për liri e pavarësi po zhdukeshin dhe kur fqinjët; lakmues të tokave shqiptare, nëpër kancelaritë e Evropës, bërtisnin duke thënë se nuk kishte komb shqiptar. Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare, por ata ishin edhe dallëndyshet, që paralajmëruan Pavarësinë kombëtare të shqiptarëve një vit më vonë. Ata ishin lajmëtarët e kombit, që njoftuan Evropën dhe botën se toka e Gjergj Kastriotit, në fund, kishte zot. Në përpjekjet e tyre për liri e pavarësi, Ded Gjon Luli dhe malësorët e tij gjetën mbështetjen e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit, të cilët të inkurajuar nga lufta e malësorëve kundër armikut janë takuar me Dedë Gjonin për të përpiluar Memorandumin historik që, ndër të tjera, përmbante kërkesat e Malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve, për një Shqipëri me administratë në gjuhën shqipe dhe për buxhet të vetin. Mund të ishte ky fillimi i një përpjekjeje, që sot do ta quanim “ndërkombëtarizim të çështjes shqiptare”, duke pasqyruar dëshirën e të gjithë shqiptarëve për bashkim, për liri e pavarësi. Ishte pra një mesazh i fuqishëm për atë kohë, por edhe për sot se shqiptari dëshiron të jetojë në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, pa ndërhyrje dhe influenca nga jashtë, në paqe e siguri me fqinjët, si pjesë e familjes së madhe evropiane. Në botën aktuale shqiptare të koncesioneve ekonomike, publiko-private, të interesave të shumëllojshme personale e partiake, përfshirë interesat dhe influencat e huaja që nuk prajnë kurrë duke vepruar kundër interesave shqiptare, është mirë të kujtohet me këtë rast se kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e Flamurit në Deçiq me 6 prill, 1911, u bë thjesht për ideale të larta kombëtare. Ato përpjekje nuk ishin ndërmarrje për përfitime të përkohëshme personale, krahinore, fetare ose ideologjike, por ishte një luftë për jetë a vdekje, për mbijetesën dhe lirinë e kombit shqiptar dhe si e tillë kishte qëllime dhe objektiva të interesit mbarë kombëtar, për ruajtjen e identitetit dhe të vlerave e karakteristikave që kanë dalluar gjithmonë shqiptarët nga të gjithë popujt e tjerë: nderi, besa dhe burrëria! Gëzuar 6 Prillin, Malësisë së Madhe dhe mbarë Kombit shqiptar!