ARKIVI:
17 Nëntor 2024

80-vjetori i gjenocidit grek ndaj shqiptarëve në Çamëri, gjenocid i pa dënuar deri tash

Shkrime relevante

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Kryeministri Albin Kurti mirëpriti Përfaqësuesin e ri Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestås Mathisen

Prishtinë, 14 nëntor 2024 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot...

Mendime rreth deklaratës së Aleksander Vuçiq për deklaratat e Vesli Clark

Gani I. Mehemti Vuçiq për deklaratat e Clark: S’e kuptoj se në...

Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranoj nënshkrimet e kriminelëve, janë të pavlefshme

Aurel Dasareti Nëse kuislingu Hashim Thaçi nuk ishte kriminel, pse jeton në...

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, në shënjestër të qëllimit të njëjt

Nga: Ryzhdi Baloku, Pejë Nga ngjarjet e përjetuara të gjeneratave të kohës...

Shpërndaj

Nail  Draga, Ulqin

Me rastin e 80-vjetorit të gjenocidit të shovenistëve grek kundër shqiptarëve të Çamërisë, me 27 qershor, Kuvendi i Shqipërisë mbajti një minut heshtje në nderim të viktimave, ndërsa Fondacioni ALSAR organizoi një konferencë shkencore kushtuar 80-vjetorit të këtij gjenocidi, por, mungoi shënimi i këtij përvjetori jubilar nga Qeveria dhe  institucionet shtetërore veprim qe nuk mund të arsyetohet me asgjë!  
Ndërsa ga  partitë politike vetëm PDIU dhe Shoqata Patriotike “Çamëria” kanë kujtuar 80- vjetorin e gjenocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë në homazhin e përvitshëm në Varrezat Monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer në Konispol

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht  80-vjetë me parë  shqiptarët në krahinën e Çamërisë përjetuan terror  dhe dhunë   nga  27  qershori i vitit 1944 e deri në mars 1945, që me të drejt quhet gjenocid i realizuar nga forcat greke të Zervës qe rezultoi me vrasjen e vdekjen masive dhe shpërnguljen e dhunshme  të shqiptarëve të përkatësisë fetare islame. Ishte ky një skenar  i   politikës greke në bashkëpunim me aleatet për  spastrim etnik të kësaj krahine etnogjeografike shqiptare, ku në nderim të viktimave shqiptare nga viti 1994, Kuvendi i Shqipërisë  ka miratuar datën 27 qershor si  Dita e gjenocidit grek kundër shqiptarëve të  Çamërisë, që përkujtohet çdo vit  nga shqiptarët duke mbetur çështje e hapur, sepse krimi ende nuk është dënuar.

 

Çamëria krahinë shqiptare

Krahina e Çamërisë shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë së Poshtme, nga Liqeni i Butrintit e lumi i Pavllës, në gjirin e Prevezës, me rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margelliçit, të Paramithisë, të Pargës, të Prevezës e të Filipjadhës, me një sipërfaqe prej 5000 km2, me një vijë bregdetare prej 100 km dhe popullsi shqiptare(myslimane e ortodokse) prej me shumë së 75000 banorë(viti 1913). Në aspektin historik Çamëria ka qenë e banuar që në antikitet nga fiset ilire, ndërsa në periudhën osmane njihet si pjesë e Vilajetit të Janinës deri në vitin 1912.

Përveç krahinës së Çamërisë hapësirës etnogjeografike shqiptare iu shkeputën  edhe vise të tjera ku kishte numër të madh të popullsisë shqiptare, si Janina qe  kishte qenë kreqendra e Shqipërisë së Poshtme, Voshtina, Konica, rrethet e Kosturit, e të Follorinës dhe fshatra të tyre në jug të Gramozit, ku kishte gjithashtu popullsi shqiptare. Duke llogaritur dhe numrin e këtyre kazave,numri i popullsisë shqiptare në trojet qe iu dhanë Greqisë arrinte në më shumë  se 120.000 frymë.

Me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në vitin 1912/13, u legalizu një padrejtësi ku pjesa më e madhe e Çamërisë iu dha Greqisë, ndërsa brenda kufijve të shtetit shqiptar mbetën 13 fshatra me popullsi myslimane dhe ortodokse nga ana e Konispolit  dhe pikërisht pas këtij vendimi të kobshëm  do të fillonte tragjedia për popullatën çame.

Harta e ÇamërisëMijëra shqiptarë në Çamëri, në pjesën veriperëndimore të Greqisë, u dhunuan dhe u masakruan në fund të Luftës së Dytë Botërore. Si pasojë e këtij gjenocidi mb 30 mijë çamë u dëbuan nga vatrat e tyre shekullore.

Politika pushtuese  greke kundër  Çamërisë

Qe nga fillimi i luftërave ballkanike(1912) qe ishin pushtuese kundër  popullit shqiptar  ka filluar  presioni i vazhdueshëm nga fqinjët tanë(sllavet dhe greket) për shpërnguljen e shqiptarëve nga hapësira e tyre etnogjeografike. Një politikë e tillë ekspansioniste u legalizu fatkeqësisht  në sajë vendimeve në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1913, qe përfundoi me pasoja, sepse gjysma e popullsisë dhe  e hapësirës shqiptare mbeti jashtë Shqipërisë, me pasoja të mëdha deri në ditët tona.

Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat, si tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, madje edhe në shkollat fillore, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë deri në masakrat e përgjakshme.  Në këtë aspekt  duhet cekur se më 1913 u krye masakra në përroin e Selanit (Paramithi) ku u likuiduan   72 krerë të Çamërisë dhe  qindra të tjerë.

Masakrat në Shqipërinë Jugore

Por grekët nuk u ndalën me kaq sepse ata  me 1913-14 kaluan kufirin jugor të Shqipërisë, duke bërë masakra të pa para duke djegur fshatra e vrarë popullsinë vendase, kryesisht ate të përkatësisë myslimane. Kemi të bëjmë me gjenocidin grek , kur ushtria dhe bandat greke masakruan me dhjetra mijra banorë shqiptarë në Gjirokastër, në Tepelenë, në Përmet, në Ersekë, në Korçë, në Skrapar, në Berat etj.  Së paku janë djegur e rrafshuar 192 fshatra, ndërsa  popullsia e shpërngulur llogaritet  rreth 100.000 vetë, duke u vendosur kryesisht në Vlorë e Myzeqe dhe vendbanime tjera. Ne popull dhe në historiografi njihen: Masakra e grekëve në Panarit, Masakra e grekëve   në Hormovë, Masakrat e grekëve në Frashër, Masakrat e grekëve në Kolonjë etj.

Krimet e grekëve  në Shqipërinë Juglindore në vitet 1913-1914 kanë një emërtim e me të drejtë quhet Gjenocid për pastrim etnik nëpërmjet dëbimit dhe masakrimit të popullsisë civile.  Pasqyrimi i krimeve greke ndaj popullsisë civile të Shqipërisë Juglindore deri në vitet 1920 nga autorë shqiptarë dhe të huaj në të gjitha  botimet e tyre, libra e gazeta është bërë fjalë për këto krime, duke informuar opinionin vendas dhe të huaj për synimet pushtuese dhe krimet e grekëve në Shqipëri.

Marrëveshja e Lozanës në këmbim të popullsisë

Se pushteti grek ndaj shqiptarëve ndiqte luftë speciale, dëshmohet se në përfundim të Luftës së Parë Botërore, më 1918, u përpilua plani i grabitjes së tokave të popullsisë çame. Ligji i të ashtuquajturës Reformë Agrare, i aplikuar vetëm në Çamëri, u rrëmbeu shqiptarëve mijëra hektarë tokë të cilët më pas u shpërngulen në Anadolli(Turqi). Por, në këtë drejtim kulmi arriti me rastin e marrëveshjes së Lozanës në mes Turqisë e Greqisë  në vitin 1923, me shpërnguljen e dhunshme të çamëve të përkatësisë së fetare islame në Turqi, që ishte në favor të spastrimit etnik të shqiptarëve në Çamëri.

Ne lidhje me këtë periudhë  kohore rol pozitiv luajti Qeveria e Shqipërisë e cila arriti të ndaloj përkohësisht shpërnguljen e shqiptarëve të fesë islame, se ata ishin shqiptarë e jo turq, ku  me shumë sakrificë  shqiptarët  mbijetuan.  Por, nga viti 1936, në Greqi triumfoi fashizmi, ku nga gushti këtij viti u zyrtaru diktatura fashiste, ku të parët u viktimizua popullsia çame. Sipas të dhënave popullsia shqiptare ishte në presion  të vazhdueshem   ne vendbanimet e tyre, madje në  Paramithi  shqiptarëve iu ndalua  të flasin  në gjuhën shqipe. Po ashtu Qeveria greke bëri çmos që të përçante popullsinë shqiptare çame, duke u përpjekur të kundërvejë të krishterët ndaj myslimanëve.

Vendbanimeve shqiptare iu ndryshuan emrat

Politika qeveritare greke nuk u ndal vetëm me kaq, sepse  atyre iu pengonte çdo gjë shqiptare, kështu në këtë kohë iu ndryshuan emrat shqiptarë të fshatrave Spathar, Galbaq,  PicarVarfanjArpicë me emra grekë, respektivisht në Trikoforos, Elea, Aetos, Parapotamos,   Perdhika etj., për të eliminuar  identitetin shqiptarë të tyre duke i kolonizuar me pas me popullsi greke të zhvendosur nga Turqia, në këtë mjedis, për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë, e cila dominohej nga shqiptarët.

Çamët dhe lufta italo-greke 

Në rrethana të njohura shoqërore e politike  para se të hynte në Greqi, ushtria fashiste italiane, qeveria greke filloi një fushatë të re masakrash dhe krimesh  kundër popullsisë shqiptare. Kështu dy  muaj para konfliktit italo-grek, qeveria fashiste greke të gjithë meshkujt nga 16-70 vjeç, mbi 5000 burra, i burgosën dhe u dërguan në ishujt e largët të Egjeut. Një veprim i tillë  racist  është dëshmi autentike se çamët   të përkatësisë fetare islame konsideroheshin armiq, ku nga ky konitigjent 350 veta u masakruan  ndërsa 400 të tjerë vdiqen nga torturat dhe uria.Në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe kundër regrutëve çamë si shtetas grek në vitet 1939-1940, që në atë kohë ndodheshin në shërbim ushtarak, por me urdhër të Korparmatës së Janinës, u vunë të thyejnë gurë dhe të ndreqin rrugë në formën e punës së detyrueshme, duke i trajtuar si robër lufte. Ishte ky një diskriminim i shqiptarëve nga ana e grekëve, të cilët vepruan në këtë mënyrë për të realizuar misionin e tyre ne këtë moment të përshtatshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare për spastrimin etnik përfundimtar të Çamërisë.

Shpërthimi i Luftës Italo-Greke më 1940 thelloi tensionin politik në Çamëri. Megjithë përpjekjet e pushtuesit për ta tërhequr minoritetin shqiptar në anën e tij dhe pavarësisht se popullsia çame gjatë regjimit fashist të Metaksait kishte vuajtur shumë, ajo përgjithësisht mbajti një qëndrim neutral ndaj palëve në konflikt.

Qeverisja shqiptare në Çamëri

Pasi forcat pushtuese italiane hynë në Greqi në prill të vitit 1941, për shqiptarët ishte moment i veçantë sepse u krijuan kushtet  për vetëqeverisje dhe bashkim me shtetin amë-Shqipërinë. Por, ndonëse një veprim i tillë u zbatu në praktikë te shqiptarët në Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni, diçka e tillë nuk ndodhi me Çamërinë dhe në viset tjera shqiptare  te aneksuara nga Greqia, që dëshmohet në sajë të hartës në Luftën e Dytë Botërore, për këtë regjion. Një veprim i tillë nuk është lejuar në sajë të marrëveshjes gjermano-greke të 8 prillit 1941, ku kufiri shtetëror ne mes Greqisë e Shqipërisë mbetej ai i caktuari në vitin 1913, ku  Çamëria mbeti bredna kufirit grek.

Te ndodhur në një situatë jo të favorshme,shqiptarëve nuk iu mbeti mundësi tjetër por të vetëorganizohen në nivel krahine. Kështu në korrik 1942  u arrit të ngrihej Këshilli i Përgjithshëm i Mbrojtjes, organizëm politik, administrativ e ushtarak me qendër në Gumenicë dhe me degë në shkallë rrethi në Filat, Margëlliç, Paramithi e Pargë. Në krye të Këshillit u zgjodh Mazar Dino dhe nënkryetar për mbrojtjen Nuri Dino. Këshilli i Përgjithshëm i Çamërisë përbëhej nga 42 vetë, dhe si organ ekzekutiv  ku kishte ingerenca në  gjykatë, prokurori, polici, financa, arsim, kulturë etj. U hapën shkollat në gjuhën shqipe, dhe u vendos flamuri kombëtar shqiptar, duke menjanuar ate grek. Me këto struktura qeverisëse  u vendos administrata shqiptare në Çamëri për të parën herë qe paraqet  qeverisjen  autonome e cila zgjati  vetëm tre vite(1941-1944).

Por, qeverisja shqiptare dhe vendosja e kësaj administrate në Çamëri iritoi  qeveritarët e Athinës. Më 13 shkurt 1944 komanda gjermane lëshoi një dokument “ripushtimi i prefektuirës së Thesprotisë”.

Më 22 maj 1944 iu njoh Zervës të shtrihej në Epir, që nga Preveza e lart. Ishte ky një paralajmërim  se  fati i shqiptarëve të Çamërisë kalon në duar e kriminelit Zerva, me mundësi të mëdha për pasoja qe u dëshmua në muajt në vijim.

Me 27 qershor 1944  qyteti i Paramithisë u kthye  thertore

Forcat shoviniste greke, të udhëhequra nga gjenerali Napoleon Zerva dhe të armatosura gjer në dhëmbë nga aleatët anglo-amerikanë, filluan përgatitjet  për të sulmuar krahinën e Çamërisë.
Forcat e gjeneral Zervës që numëroheshin në 10.000 vetë ishin shumica me prejardhje çamësh shqiptarë, por të helenizuar nga kisha orthodhokse greke. Këto forca vepronin simbas urdhërave që merrnin nga qeveria greke në emigrim, me seli në Kajro. Përballë kësaj force agresive ndodheshin reparte të vogla çame muslimane të armatosura keq dhe të paorganizuara..

Më 27 Qershor 1944, 5000 forcat greke të komanduara nga vetë gjenerali Zerva, filluan sulmin masiv kundër fshatrave dhe qyteteve çame. Grekët me bajoneta, çanin barqet e grave shtatzëna dhe hidhnin në flakë të gjallë fëmijë dhe pleq. U dogjën xhami, shkolla dhe gjithçka që identifikonte kombësinë shqiptare.

Në një xhami në qytetin e Parathimisë u dogjën të gjallë rreth 40 gra dhe fëmijë që kishin shkuar atje për të gjetur strehim. U dogj medreseja e qytetit dhe të gjitha xhamitë në qytet dhe në fshat. Grekët vranë myftiun e Parathimisë, dijetarin Hasan Efendiun së bashku me hoxhallarët Mulla Çafaja, Haxhi Shehun dhe hafiz Esat Ademin. Vetëm në krahinën e Parathimisë dhe Margëllëçit në datën 27 qershor u vranë 782 veta. Forcat zerviste me thika ndër dhëmbë dhe ura të ndezura në duar, u vërsulën si ujq të tërbuar, drejt veriut, duke e kthyer Çamërinë në një tokë të djegur.

E vetmja rezistencë e armatosur u bë në vendin e quajtur Munin, gusht 1944 ku 72 çamë luftuan heroikisht për 24 orë kundër 5 batalioneve zerviste të përbërë prej 2500 vetash. Të 72 çamët ranë në fushën e betejës duke i shkaktuar forcave greke 400 të vrarë dhe 600 të plagosur.  Forcat greke, kundër shqiptarëve i vazhduan masakrat dhe plaçkitjet  edhe pas  27 qershorit deri  në mars  të vitit 1945.
Në lidhje me numrin e të vrarëve  sipas statistikave, gjatë masakrave të viteve 1944-1945, kundër shqiptarëve  në  Greqi, ka të dhëna të ndryshme ku ai numër  është 3829 burra, gra dhe fëmijë. Po ashtu këta kriminel  me anë të urisë shkaktuan vdekjen  e rreth  2.987  vetëve, kryesisht, gra, fëmijë e pleq, që gjithsej janë 6.816 vetë , apo 1/7 e krejt  popullatës  çame  myslimane përtej kufirit shtetëror. Sipas qytetëve u vranë si vijon: Filati 1.286 vetë, Paramithi 807 vetë,  Gumenicë 722 vetë, Margëlliç e Pargë 713 vetë  etj.

Ky qe fati i të gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamëria. Ka dëshmitarë të gjallë të kësaj masakre  të cilët  i  kanë shkruar në libra të ndryshëm, që mund të jenë skenar për filma dokumentar

Në Çamëri nuk mbeti asnjë shqiptar i fesë islame

Kjo kasaphanë përfundoi me shpërnguljen me forcë të afro 35.000 çamëve që erdhën me foshnje në duar e me një bohçe në krah  e u strehuan si refugjatë  në Shqipëri në kushte  të vajtueshme. Ata lanë mbrapa pasurinë e tyre të vënë gjatë brezave qe llogaritet me vlerë 4 miliardë dollarë. U dogjën e u shkatërruan 68 katunde mbi 6500 ndërtesa banimi si dhe 85 faltore islamike.

Shtëpitë, ullishtet, kopshtijet, pyjet dhe zabelet iu dhanë grekëve dhe vllehëve të shpërngulur nga zona e Gramozit, gjatë luftës civile 1945-1949. Autoritetet greke nuk e ndalën dorën e tyre edhe ndaj varreve të çamëve muslimanë. Me buldozerë, ata rrafshuan të gjitha varret, kudo që ishin.

Përgjegjësi indirekte për këtë gjenocid, mbajnë edhe fuqitë aleate, të cilët me qëndrimin e tyre ata inkurajuan shovinistët grekë, për të kryer masakrën çame.
Aktualisht në Çamëri, zyrtarisht nuk ka mbetur asnjë çam i besimit musliman. Atje mund të gjesh vetëm ca rrënoja të xhamive dhe medreseve, që kanë ekzistuar para vitit 1945.

Po ashtu duhet cekur se nga forcat e Zervës në Çamëri janë llogaritur se janë grabitur: 17.000 kokë bagëti të holla, 1200 të trasha, 21.000 kv. bereqet, 80.000 kv. vaj; gjithashtu produkti i vitit 1944-1945 që arrijnë në 110.000 kv bereqet dhe 30.000 kv vaj. Gjatë emigracionit 110.000 bagëti të holla dhe 24.000 bagëti të trasha ngordhën dhe humbën.

Varrezë monumentale për viktimat

Rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Çamërisë tregojnë se masakrat u kryen me armë të ftohta, me varje e zjarr. Mëshirë nuk patën as ndaj fëmijëve e as grave shtatzëna. Bilancin e viktimave e rënduan edhe vdekjet nga kushtet e këqija të jetesës, uria dhe vështirësitë gjatë shpërnguljes.

Në vlerësimet e historianëve, por edhe të përfaqësuesve të komunitetit çam, janë rreth 5 mijë shqiptarë të Çamërisë, civilë të pafajshëm, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë që humbën jetën nga masakrat dhe nga vuajtjet, që shënon një periudhë tragjike të fatit të popullsisë çame. Ne nderim të tyre   në vitet 2012-2013 në një hapësirë prej 12.000 m2  është ndërtuar Varreza Monumentale “Trendafilat e Çamërisë” në Kllogjer të Konispolit me emrat e 2900 viktimave çame ku me 27 qershor çdo vit është bërë vend pelegrinazhi, në përkujtim të gjenocidit kundër çamëve nga zervistët grek.

U masakruan edhe shqiptarët ortodoksë

Masakrimi  popullsisë shqiptare të përkatëlsisë fetare islame, përveç se kemi të bëjmë me urrejtje patologjike kundër shqiptarëve, ajo ishte porosi edhe kundër shqiptarëve të përkatësisë fetare ortodokse, qe mos të deklarohen se janë shqiptarë, por grek.

Por, ata shqiptarë ortodoks të cilët kanë pasur qendrim kombëtar e kanë pësuar me kokë, sepse edhe ata u eliminuan. Ne mënyrën me makabre  nga forcat zerviste e pësoj avokati Spiro Çalluka, i cili ka qenë drejtori i arsimit shqip në Paramithi. Ate zervistët e burgosen me 30 qershor  1944 dhe pas disa ditë torturash çnjezërore në moshën 87 vjeçare, ia nxorrën sytë dhe u tërhoq zvarrë me makinë në qytet deri sa ndërroi jetë. Më pas së bashku me shqiptarë të tjerë ortodoksë të Çamërisë u la i varur për tre ditë mes qytetit për të dhënë shëmbullin se shqptarët ortodoksë do të kishin të njëjtin fat mizor nëse deklarohen shqiptarë.

Shqipëria dhe çështja çame 

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, në rrrethana aspak të favorshme shoqërore, e politike  me keq ardhje  është konstatuar  se Qeveria  komuniste e Shqipërisë, i la  çamët e ardhur nga Çamëria në mëshirën e fatit  dhe nuk bëri asnjë përpjekje, për t’iu siguruar strehim, bukë dhe punë. Por, me  angazhimin e tyre  e sidomos  me përkrahjen e popullsisë shqiptare, ata u vendosën si në Konispol, Sarandë, Vlorë Fier,Elbasan, Durrës, Tiranë etj. Madje çamët, shikoheshin me dyshim nga qeveria e Tiranës dhe trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë.

Dy kongrese të çamëve

Në mjedisin e ri në cilësinë e refugjatëve çamët në Shqipëri në fund të vitit 1944 krijuan  Komitetin Antifashist të Emigrantëve Çamë, si pjesë e Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, me mision për të lobuar për kthimin e çamëve në shtëpitë e tyre dhe për të krijuar kushte për mbijetesën e tyre, në kampet e refugjateve  që u krijuan në Shqipëri.

Komiteti në kuadër të veprimtarisë së vet organizoj dy kongrese, i pari në fund të LDB në Konispol, ndërsa i dyti me 23 shtator 1945 në Vlorë. Si Kongresi i parë dhe i dytë miratoi shumë Memorandume, që iu dërguan Misioneve të ndryshme ushtarake të aleateve në Shqipëri, duke kërkuar të diskutohej çështja çame, ku   si e vetmja zgjidhje  ishte riatdhesimi i tyre në Çamëri dhe gjykimet e drejta për ata që i dëbuan.

Por, çdo angazhim në këtë drejtim ishte i kotë sepse aleatët heshten, duke mos treguar interesim për ta trajtuar këtë çështje me seriozitetin e duhur, ku përgjegjësi mban edhe Qeveria e Shqipërisë.

Përsekutimi i çamëve nga pushteti

Në lidhje me çamet moment i veçantë paraqet viti  1948,  sepse  për interesa ideologjike Qeveria e Shqipërisë urdhëroi mobilizimin e disa qindrave çamëve, për ti dërguar në Greqi që të luftonin në radhët e komunistëve grekë.  Por, ndaj një urdhëri të tillë çamët refuzuan dhe s’pranuan të bëheshin mish për top, për interesat komuniste. Nga një qendrim i tillë mbi 1000 çamë u arrestuan dhe u dërguan në kampin e përqendrimit, në Lozhan. Nga trajtimi çnjerëzor, vdiqën rreth 80 vetë.

Në  rethana të tilla shoqërore në vitin 1951 çamëve iu dha me dhunë shtetësia shqiptare dhe Komiteti u shpërbë, më ç´rast çështja çame mbeti në heshtje nga pushteti në Shqipëri.

Persekutimi ndaj shqiptarëve të Çamërisë nuk përfundoi me gjenocidin gjatë Luftës së Dytë Botërore, pasi edhe gjatë regjimit komunist në Shqipëri pjesëtarët e këtij komuniteti u përndoqën dhe u dënuan për motive të ndryshme, përfshirë edhe ato politike.

Organizatat dhe partitë që mbrojnë të drejtat e popullsisë çame, por edhe dokumentet e ndryshme arkivore të shtetit shqiptar tregojnë për persekutimin e pjesëtarëve të komunitetit çam nga regjimi komunist, ku qindra familje të shqiptarëve të Çamërisë janë përndjekur dhe persekutuar në mënyrë sistematike dhe dhjetëra personalitete me origjinë çame janë ekzekutuar.

Nuk ka të dhëna të sakta se sa mund të jetë tash  numri i çamëve në Shqipëri, edhe pse ai numër llogaritet aproksimativisht  rreth 200.000 çamë.

Jo heshtje ndaj çështjes çame

Në sajë të kursit ideologjik të Qeverisë së Shqipërisë dhe politikës izoluese gjatë kohës së komunizmit (1944-1991) Çamëria dhe çështja çame mbeti në heshtje. Dhe një qendrim i tillë fatkeqësisht  ishte në favor të politikës greke, e cila vazhdimisht ka pasur qasje antishqiptare.

Ndërsa pas rënies së sistemit monist nga viti 1991 e më pas çështja çame nuk mbeti në heshtje  por ajo trajtohet si çështje e pazgjidhur kombëtare, duke arritur te ndërkombëtarizohet. Në këtë drejtim rol të veçantë kanë luajtur  kryesisht pjesëtarët çam si përmes partive politike apo  nga shoqëria civile, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

Nuk ka dilemë se gjenocidi grek ndaj popullsisë çame është i dokumentuar në dokumente arkivore, por edhe rrëfehet ende në ditët e sotme nga shumë shqiptarë të Çamërisë që e kanë përjetuar dhe kanë qenë dëshmitarë të masakrave, ku edhe vetë historianë çamë dhe të tjerë  kanë dokumentuar dhe rrëfyer gjenocidin patologjik nga greket ndaj tyre.

Në shumë raste kemi degjuar rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Çamërisë të cilat vështirë të imagjinohen se kanë ndodhur para 80 viteve nga fqinjët e shqiptarëve, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një urrejtje patologjike sa kombëtare dhe fetare, për pastrim etnik të krahinës shqiptare të Çamërisë.

Gjenocidi kundër shqiptarëve në Çamëri e në viset tjera shqiptare në Greqi me qellimin e spastrimit etnik është identik me serbët  që vepruan  kundër shqiptarëve   në Sanxhakun e Nishit(1877/1878), të cilët i vranë dhe i shpërngulën shqiptarët nga 648 vendbanime( urbane e rurale). Ata që patën fat e shpëtuan  u vendosen si muhaxherë në vendbanime të ndryshme të Kosovës, kryesisht në Prishtinë, Vushtrri, Podujevë, Gjilan etj.

Organizimi i parë nga KOASH-i

Mediat njoftuan se në këtë përvjetor në Tiranë në organizim të  Kishës Ortodokse Autoqefale  të Shqipërisë  në mjediset e Kishës së Metamorfozës ne prani të dhjetra besimtarëve  është mbajtur një  përshpirtje për shqiptarët ortodoksë të Çamërisë. Përshpirtja është liturgji ortodokse  që lutet për të përkujtuar të vdekurit, ku meshtari i Kishës, At Kristo Sharko kreu përshpirtjen  në kujtim të emrave  të tyre.

Përshpirtja u realizua  për Spiro dhe Thoma Çalluka, Gaqo Pasko, Dhimo Kasari, Ilia Nasto,  Thimi Gogozoto, Petro Sharra, Ilia Konomi dhe gjithë ortodoksët e tjerë shqiptarë të vrarë nga forcat zerviste gjatë gjenocidit  ndaj shqiptarëve të Çamërisë.

Të gjithë ata punuan për atdheun e tyre, Shqipërinë, deri në momentin e fundit të jetës. Ky është rasti i parë që në Kishën Ortodokse  Autoqefale të Shqipërisë  kryhet një përshpirtje  për  shqiptarët ortodoksë të Çamërisë(!).

Dita e përkujtimit të Çamërisë

Në përkujtim të popullsisë shqiptare e cila është masakruar e shpërngulur me dhunë nga Çamëria Kuvendi i Shqipërisë, në vitin 1994 datën 27 qershor  e ka shpallur si Dita e gjenocidit grek kundër shqiptarëve  të Çamërisë. Por, nuk mjafton me kaq, sepse Qeveria e Shqipërisë, duhet të jetë aktive e jo inferiore apo utilitare, sepse çështja çame vazhdon te mbesë e pazgjidhur  dhe temë delikate ne mes marrëdhënie shtetërore në mes Shqipërisë e Greqisë. Por, një situatë e tillë është rezultat i politikës shtetërore greke, e cila mohon çështjen çame.

Deri sa në Greqi është në fuqi ligji i luftës me Shqipërinë(1940), që është absurd se të dy vendet janë në NATO, si dhe çamët  të vazhdojnë të trajtohen si bashkëpunëtor të fashizmit në Luftën e Dytë Botërore, është vështirë të priten ndryshime pozitive  ndaj çështjes çame. Por, nga ajo kohë e deri në ditët tona asnjë qeveri greke nuk ka pasur guxim të iu kërkojë falje shqiptarëve të Çamërisë, për masakrat e kryera ndaj tyre, që është obligim moral nga ana tyre si dëshmi e kapacitetit demokratik  dhe në favor të marrëdhënieve në mes dy popujve.

Çamëria çështje e hapur kombëtare

Dhe në fund duhet cekur ndonëse Greqia është në BE ajo iu mohon çamëve të drejtën elementare për të vizituar  vendlindjen e tyre ku ende kanë pronat e tyre, si dëshmi e origjinës në Çamëri. Ne këtë aspekt diplomacia shqiptare  nuk duhet të heshtë por duhet të angazhohet në ndërkombëtarizimin e çështjën çame sepse është obligim moral, kombëtar e kushtetues, sikurse vepron bota demokratike ndaj pjesëtarëve të popullit të vet. Duke marrë parasysh se  nuk kemi të bëjmë me çështje partiake apo të individëve sepse Çamëria vazhdon të jetë çështje e hapur kombëtare,  që kërkon zgjidhje sipas standardëve ndërkombëtare.

(Korrik  2024)

K O M E N T E

2 KOMENTE

  1. Gjenocidi shqiptar ndaj shqiptarit filloi më 1941 – 1992 . Aspak gabim të kujtohet e të kërkohet dënimi i gjenocidit Cam në Greqinë e luftës civile 1945 – 1949 , dhe ai i Srebenicës , dhe ai i Kosovës por jo të harrohet gjenocidi vëlla – vrasës i komunistëve enveriste. Asnjë film nuk është prodhuar për ato ngjarje reale ,aq të shumta . Mjaftohen me dëshmi e libra të shumtë . Ministria e kulturës nuk financon për filma të gjenocidit komunist pasi tek kjo forcë politike nuk është kuptuar as sot shkatërrimi i vendit që i sollën prindërit e tyre , sepse ende nuk kanë kërkuar FALJE për atë periudhe të errët dhe kriminale që pësoi populli shqiptar . Merrni shembull nga Gjetmania që përkulet dhe kërkon ndjesë për viktimat e nazizmit . Filloni nga vetvetja , lehtësoni ndërgjegjen ,ndihmoni në bashkimin e popullit shqiptar kudo që ndodhet , kërkoni ndjesë për gjenocidin enverist e pastaj vijnë kërkesat e radhës.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu