ARKIVI:
19 Nëntor 2024

80 vjetori i Lidhjes së Dytë të Prizrenit, një ngjarje e rëndësishme historike e shtetformimit shqiptar (2)

Shkrime relevante

Prindër të dashur, tregoni se si është e mundur që fëmiu juaj të përfundoj në pranga…?!

Monika Braja, Selanik ____ Prindër të dashur , Nena dhe Baballarë , që...

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Arbër Gashi mbrojtës i identitetit kombëtar, luftëtar i vendosur i islamizimit të kombit !

Luan Dibrani, Gjermani  Arbër Gashi është një figurë e njohur dhe aktivist...

Halil Geci ia përkujton Kryeministrit Kurti se ende nuk e ka pranuar në takim për të biseduar rreth “Komunikatës 59”

Halil Geci, Skenderaj Kërkesë për takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës Datë:...

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut mbajtën mbledhjen e dytë të përbashkët

Prishtinë, 18 nëntor 2024  Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria...

Shpërndaj

____
Kapitullimi i Italisë fashiste, më 8 shtator 1943 nuk ishte i papritur. Ushtria italiane nuk ishte e gatshme për luftë as kur do të fillojë Lufta e Dytë Botërore. Nga fundi i vitit 1942 dhe fillimet e vitit 1943, për Hitlerin shqetësim më të madh paraqiste mënyra si do të plotësohej vakumi italian se sa kapitullimi i aleatit të saj kryesor. Me këtë rast, sa i përket hapësirës ballkanike, e cila kishte një rol të rëndësishëm në mbajtjen e frontit juglindor dhe atij lindor, Gjermanët mbronin qëndrimin se duhej shpallur Shqipërinë shtet të pavarur. Ministri i jashtëm gjerman, Ribentrop, ia kishte paraqitur planin Hitlerit se formimi i një qeverie kombëtare shqiptare, e cila “si e tillë do të jetë e aftë për bisedime dhe do të ketë qëndrim pozitiv ndaj nesh”.
Deri te ky qëndrim Ribentrop do të vijë në saje të një analize të Shtabit Operativ të Vermahtit, në të cilën thuhet se “Shqiptarët kërkojnë pavarësinë e tyre shtetërore. Ai që ua sjell, ai është mik i tyre. Duhet pritur se Anglo-Amerikanët, me rastin e parë të përshtatshëm, do ta shpallin pavarësinë shqiptare. Për këtë arsye duket se është shumë e ngutshme që nga ana gjermane të shpallet sa më parë një deklaratë e këtillë, në mënyrë që të pengohej që Shqiptarët të kthehen në anën e armikut”.
Me këtë rast Ribentropi i dha udhëzime ambasadorit në Romë dhe konsullit të përgjithshëm në Tiranë, ku theksonte nevojën e marrjes së një vendimi politik mbi qëndrimin e ardhshëm ndaj Shqipërisë, i cili do të jetë i dobishëm nga aspekti ushtarak. Një shtet shqiptar i pavarur, do të jetë në gjendje që Gjermanisë t’ia sigurojë mbrojtjen e bregdetit shqiptar, sidomos rrugët e Otrantit, ndërkohë që ky shtet, jo vetëm që do ta qetësonte politikisht Shqipërinë, por atë do ta kthente në një mbështetës tonë të fortë, ku forcat tona do të jenë fare të pakta, por shumë të sigurta.
Me këto udhëzime do të veprojë edhe i autorizuari i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë për Ballkanin (me seli në Beograd), Herman Neubacher (Nojbaher). Në fillim të shtatorit ai do të vërë kontakte me autoritetet shqiptare Ibrahim Biçokun, Xhafer Devën, Vehbi Frashërin dhe Shqiptarët e tjerë progjermanë, që kishte pranë, në mënyrë që qeveria e re e shtetit të pavarur shqiptar të ishte progjermane.
Menjëherë pas kapitullimit të Italisë, më 9 shtator 1943, trupat gjermane i çarmatosën trupat italiane në gjithë Shqipërinë. Përgatitjet për këtë veprim, Gjermanët i kishin kryer më kohë gjatë muajit gusht, kur komanda gjermane ia kishte arritur të instalonte në pikat strategjike të vendit numër të konsiderueshëm forcash ushtarake në fushat e aviacionit në Tiranë, në Shkodër, Berat, Vlorë, Kuçovë dhe gjetiu. Vlerësohej se ky numër arrinte në 6 mijë veta. Pas riorganizimit të Vermahtit në Ballkan, me ç’rast u krijua grupi i forcave tokësore “F” me qendër në Beograd nën komandën e feldmareshalit Von Vajks, në të njëjtën kohë komanda e lartë Vermahtit urdhëroi afrimin e forcave të caktuara ushtarake pranë kufijve të Shqipërisë për të marshuar, siç ishte Korpusi XXI, Divizioni 297-të i këmbësorisë, që u përqendruan në rajonin e Mitrovicës.
Kështu, më 9 shtator, repartet e para gjermane nisën lëvizjen në thellësi të Shqipërisë: Divizioni 297 nga Mitrovica në Prishtinë, në Kukës e në Shkodër; Divizioni i 100-të nga Ohri në Strugë, Elbasan, në Tiranë e në Durrës. Trupat gjermane morën urdhër të çarmatosnin menjëherë ushtrinë italiane dhe të shtriheshin në gjithë vendin.
Në Kosovë dhe në Maqedoni trupat gjermane depërtuan pa kurrfarë pengese. Në pjesë të ndryshme ardhja e tyre u përshëndet nga paria e vendit, e cila nuk ishte e kënaqur me ushtrinë italiane, e cila kishte filluar të sillej me ashpërsi ndaj manifestimeve patriotike, duke përndjekur nacionalistët. Edhe pse Këshilli i Përgjithshëm i Nacionalçlirimtar dhe Shtabi i Përgjithshëm Ushtrisë Nacio-nalçlirimtare Shqiptare kishte lëshuar një thirrje për t’iu kundërvënë ushtrisë gjermane, nuk pati ndonjë reagim të ndjeshëm. U shënuan disa veprime të vogla e ndonjë kundërvënie, siç ishte ajo në Xhyrë, te Ura e Kardhiqit në afërsi të Konispolit dhe në rrugët Korçë-Janinë, ndërkohë që më disa pjesë, në hapësirën e lëshuar nga Italianët, përkohësisht u vendos pushteti i këshillave nacio-nal-çlirimtarë.
Pavarësisht vështirësive të vogla që hasi ushtria gjermane gjatë vendosjes së saj në të gjitha pjesët e vendit, ditën që ajo u shfaq në Shqipëri po atë ditë, kryekomandanti i trupave gjermane në Shqipëri, gjenerali von Besel, doli me një komunikatë në të cilën thuhej:
“Me hyrjen e ushtrisë gjermane në tokën tuaj, pavarësia e Shqipërisë do të jetë e siguruar, pasi garant do të qëndrojë Rajhu i madh gjerman dhe ushtria ngadhënjyese e tij, e cila kundrejt tokës suaj nuk ushqen kurrfarë pretendimesh. Dëshirat tuaja themelore për pavarësi do të realizohen nëpërmjet ndihmës që do t’i jepni ushtrisë gjermane”.
Pra, pavarësia mund të realizohej nëpërmjet ndihmës që do t’i jepej ushtrisë gjermane. Gjenerali gjerman këtë do t’ua bëjë me dije edhe personaliteteve të rëndësishme të vendit dhe intelektualëve gjatë një takimi që do të ketë në Tiranë. Me këtë rast ai do të tërheqë vërejtjen nga bashkëpunimi i të majtës shqiptare me fqinjët sllavë mbi bazat e ideologjisë komuniste, meqë ashtu bashkoheshin me bolshevizmin rus.
Meqë Gjermania pas kapitullimin të Italisë, në rrethanat e reja të luftës kur humbja e betejës së Stalingradit paraqiste një shqetësim tjetër të madh ushtarak për Hitlerin, duhej të rishqyrtonte pozitën strategjike në Ballkan dhe Mediteran, ku Shqipëria dhe hapësira e saj shfaqej me rëndësi të madhe. Ishte e domosdoshme që kjo pozitë të përcillej edhe me një tretman tjetër politik të Shqipërisë, në mënyrë që ajo të mos kthehej në brengë të saj, por në një vend të sigurt dhe me stabilitet për Gjermanët. Kjo nënkuptonte përmirësimin e statusit shoqëror dhe politik të saj në raport me atë që kishte në kohën Italisë, me ç’rast, siç u tha, në Berlin doli ideja që Shqipërisë t’i njihej statusi i një vendi “me pavarësi relative” dhe “sovranitet të kufizuar”.
Projekti gjerman për statusin e Shqipërisë mbështetej kryesisht te ideja që qeverisja duhej të ishte shqiptare e zgjedhur nga vetë Shqiptarët, pra në një shtet shqiptar, ku bashkimi shqiptar krahasuar me atë italian, do të përmirësohej dhe institucionalizohej në përputhje me qëndrimin shqiptar rreth kësaj çështje si dhe realiteteve të saj etnike në formën e një “Shqipërie Etnike”, në të cilën do të përfshihej edhe Mitrovica dhe viset tjera, që deri më atëherë ishin lënë jashtë.
“Shqipëria Etnike”, ku përfshihej Kosova dhe një pjesë tjetër e viseve shqiptare, që nuk kishin gjetur vend në “Shqipërinë e Madhe” të krijuar nga fashizmi italian, jo vetëm që kishte mbështetje nga pjesa më e madhe e Shqiptarëve, por kërkohej që ajo të jetësohej sa më shpejt. Kjo u shkonte për shtati edhe Gjermanëve, të cilët ishin të interesuar sa më parë të stabilizonin gjendjen ushtarake në këtë pjesë tepër strategjike.
Në këso situate, megjithatë, Gjermania i kushtonte vëmendje të veçantë Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që kishin qenë nën pushtimin jugosllav. Duke ditur këtë, ajo jo rastësisht, angazhoi intelektualët dhe forcat politike nga këto pjesë në qeverinë shqiptare dhe në strukturat e tjera administrative dhe shtetërore dhe kjo u dha shtytje të reja lëvizjeve patriotike për bashkim kombëtar, ku ishin përfshirë një pjesë e madhe intelektualëve kosovarë për të cilët e rëndësishme ishte që cilado qofshin rrethanat e luftës nëpër të cilat po kalonte bota duhej të shfrytëzoheshin për këtë çështje. Ndaj, lëvizja nacionaliste në Kosovë, me të kapitulluar Italia fashiste, nxitoi të marrë në dorëzim administratën e vendit nëpër të gjitha qendrat e prefekturave dhe nënprefekturave autonome-ekzekutive. Ky veprim, bashkë me çarmatimin e trupave italiane dhe marrjen e depove të armatimit në të gjitha qendrat, u përmbyll brenda dy ditësh u përmbyll me sukses, sado që në disa pjesë pati përpjekje të çetave komuniste të ndërhynin për hesapin e tyre. Kjo nuk u lejua nga nacionalistët. Ata, tashmë e kishin gjithnjë e më qartë, se ishte koha që këtij ndryshim të madh t’i jepej një përgjigje nga Shqiptarët në përputhje me interesat kombëtare. Ndër ato interesa dy ishin më të rëndësishmet: shpëtimi i vendit nga rreziku sllavo-komunist si dhe mbajtja e bashkimit kombëtar në binarët tashmë të filluar në atë mënyrë që të rrumbullakohet sa më shumë që të jetë e mundshme duke gjetur përkrahje edhe nga faktori ndërkombëtar.
Për t’i realizuar këto qëllime, me nismën e një grupi nacionalistësh të përbërë nga Xhafer Deva nga Mitrovica, Musa Shehu e Sheh Hasani nga Prizreni, Asllan Boletini nga Mitrovica, Tahir Zajmi nga Gjakova, Lukë Simon Mjeda nga Prizreni, Qazim Bllaca nga Suhareka dhe Pjetër Vuçaj nga Prizreni, më 11 shtator 1943, në Prizren u mbajt një mbledhje në të cilën u shqyrtua gjendja e krijuar dhe masat që duhej marrë që ajo të shfrytëzohej për realizimin e këtyre interesave kombëtare.
Në këtë mbledhje u vendos:
a) thirrja e një mbledhjeje të përgjithshme me shpirtin dhe frymën e Lidhjes së Prizrenit, në të cilën nëpërmes delegatëve të zgjedhur nga populli, duhej të përfaqësoheshin të gjitha krahinat e Kosovës, të Dibrës, të Strugës, të Tuzit dhe Ulqinit;
b) krijimi i këshillave-autonome-ekzekutive, që do të marrin për-gjegjësinë e pushtetit vendor dhe të rendit përderisa të themelohet një autoritet suprem nga mbledhja e përgjithshme dhe
c) ngarkimi i këshillit ekzekutiv të Prizrenit me përgatitjen e mble-dhjes së Kuvendit, hapja e të cilit do të bëhej jo më vonë se më 16 shtator 1943.
Edhe pse në një afat të shkurtët dukej vështirë përballimi i vështirësive organizative, megjithatë ato u përballuan falë atmosferës së një entuziazmi që kishte shpërthyer në gjithë vendin si dhe përkushtimit patriotik që kësaj sfide historike t’i jepej përgjigjja e duhur
Ndaj, po atë ditë që në Tiranë do të mbahej Asambleja Kushtetuese, në Prizren në një atmosferë festive të jashtëzakonshme, delegatë nga të gjitha viset shqiptare (nga Kosova, Tetova, Dibra, Gostivari, Ulqini dhe të tjera), u mblodhën në Kuvendin e Dytë të Lidhjes së Prizrenit, kuvend ky që do të paraqiste vazhdimësinë e Kuvendit të Parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878, kur në të vërtetë prej tij kishte dalë edhe Qeveria e parë e një shteti shqiptar pas asaj të Skënderbeut.
Kuvendi u mbajt në shkollën “Bajram Curri”. U hap në orën 10 me fjalimin e Musa Shehut, i cili arsyetoi vendimin për thirrjen dhe mbajtjen e Kuvendit të Dytë të Lidhjes së Prizrenit, duke vënë theksin te detyrat që i presin Shqiptarët në ato rrethana, për të cilat tha se janë ndër më të rëndësishme për fatin e vendit dhe të popullit. Musa Shehu, me këtë rast përkujtoi edhe përgjegjësinë historike që e marrin përsipër intelektualët dhe patriotët kur kjo është e domosdoshme, e që duhet të artikulohet qartë dhe me guxim pa marrë parasysh vështirësitë, rreziqet me të cilat përcillet ajo. Theksoi se qershori i vitit 1878, po ashtu ishte me shumë shqetësim dhe rreziqe, por në Prizren, Shqiptarët e bashkuar, me një mendje dhe me një qëndrim, dhanë betimin për mbrojtjen e trojeve të veta, siç dhanë konceptin politik për një Shqipëri autonome, që duhej t’ia hapte udhën një Shqipërie të Pavarur, në përputhje me rrethanat.
“Shqipërinë e bashkuar nuk duhet ta heqim kurrë nga mendja, e as nga veprimet tona… Edhe sot kemi këtë preokupim, që duhet ta bëjmë të qartë karshi botës…”
Pas fjalës së Musa Shehut, Kuvendi zgjodhi për kryetar Musa Shehun, nënkryetarë Aqif Blyten dhe Rexhep Krasniqin ndërsa Bedri Gjinajn, sekretar.
Ditën e parë, para Kuvendit, Kryesia doli me me një program 6 pikësh:
1. Bisedim mbi shpalljen e vullnetit popullor për bashkimin e viseve të Kosovës, të Dibrës, të Strugës dhe të Ulqinit e Tuzit si pjesë integrale e Shqipërisë;
2. Mbi bashkimin gjithashtu me nanën Shqipëri të krahinave të Mitrovicës, të Vuçitërnës, të Podujevës dhe Pazarit të Ri, që ndodhen nën pushtimin e ushtrisë gjermane, por administrativisht të lidhura me shtetin e Serbisë;
3. Mbi organizimi politik dhe ushtarak të popullit dhe përgatitjen e mbrojtjes së kufijve etnikë;
4. Mbi krijimin e një organi ekzekutiv ose Komitetit Qendror me seli në Prizren dhe të nënkomiteteve ndër të gjitha qendrat e tokave të liruara për të drejtuar aktivitetet nevojshme mbi qeverisjen e mbrojtjen e vendit;
5. Mbi përpilimin dhe aprovimin e një statuti të Organizatës Kombëtare “Lidhja II e Prizrenit” dhe
6. Mbi procedurën që do të ndiqet për zgjedhjen e përfaqësisë së krahinave të Kosovës, të Dibrës, të Strugës dhe Ulqinit e Tuzit për Kuvendin Kombëtar të Tiranës.
Kuvendi i vazhdoi punimet për katër ditë me radhë. I përfundoi më 20 shtator 1943 me miratimin e dokumenteve themelore (statutit dhe proklamatës) me zgjedhjen e Komitetit Qendror të Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes u zgjodh Rexhep Mitrovica, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Musa Shehu dhe Kolë Margjini, të dy nga Prizreni, ndërsa Sheh Hasani nga Prizreni, Bedri Pejani nga Peja, Asllan Buletini nga Mitrovica, Tahir Zajmi nga Gjakova dhe Qazim Bllaca nga Suhareka u zgjodhën anëtarë. Në këtë kuvend u caktuan edhe delegatët e viseve shqiptare (Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit dhe të Sanxhakut) për mbledhjen e Kuvendit Popullor që duhej të mblidhej më 16 tetor në Tiranë.
Në Kuvendin e Dytë të Lidhjes së Prizrenit, krahinat e ndryshme të shqiptare u përfaqësuan nga 42 delegatë: Musa Shehu, Sheh Hasani, Lukë Simon Mjeda dhe Qemal Karahoda (Prizren), Sulejman Kryeziu dhe Hasan Dashi (Gjakovë), Tahir Zajmi (Kukës), Halim Shuku (Ferizaj), Bejtullah Haxhiu (Rahovec); Nuredin Haliti, Qazim Bllaca (Suharekë), Haxhi Xheladini (Shkup),Nexhip Basha, Xhevat Begolli (Pejë), Bajram Gashi (Plavë), Shemsi Feri (Rozhajë), Adem Kurtaga (Prishtinë) Mahmut Shabanpasha dhe Jusuf Agushi (Gjilan), Mehmet Devaja dhe Esad Berisha (Mitrovicë), Asllan Boletini, Bedri Gjinaj (Pazari i Ri), Aqif Blyta (Senicë), Hasan Zvezdiq,Vehbi Hamzagaj (Bicaj), Lutfi Spahiu (Malësi e Gjakovës), Bajram Haziri (Strugë), Mentor Çoka (Ulqin), Safet Ulqini (Dibrër), Rrustem Ymeri dhe Shahin Cami (Tetovë), Shmet Lusha dhe Jusuf Jaga (Gostivar), Remzi Ragibi, Rexh Meta (Vuthaj). Ndërsa si kosovarë me qëndrim në Shqipëri nga viti 1913 u zgjodhën: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Xhafer Deva, Xhelal Mitrovica dhe Maz’har Sopoti.
Njëri nga qëllimet kryesore të Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit ishte arritja e tubimit të të gjithë Shqiptarëve në një shtet, të cilit do t’i takonin Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit, Sanxhaku dhe pjesët lindore të Malit të Zi, pjesët perëndimore të Maqedonisë, viset e Novi-Pazarit si dhe në Jug (Pika II e statutit).
Këtij qëllimi i nënshtrohej edhe Statuti i organizimit të vetë Lidhjes nëpër degë dhe nëndegë si dhe veprimtarinë e organizatës, që duhet të jetë në përputhje me programin (pika IV), ku njëra ndër detyrat kryesore të Lidhjes ishte formimi i njësive ushtarake të cilat do t’i shërbenin përmbushjes së këtyre qëllimeve (pika VI). Pika XI përcakton edhe karakterin e njësive ushtarake rezervë, të cilat mbahen në stërvitje të vazhdueshme për të qenë të gatshme të vihen në mbrojtje të vendit.
Në përputhje me Statutin e Lidhjes, qeveria e Rexhep Mitrovicës, nën përkujdesjen e ministrit të punëve të brendshme, Xhafer Devës, filloi mobilizimin dhe formimin e divizionit “Skënderbeg”, i cili do të përfshihej në luftimet kundër forcave çetnike dhe komuniste në këtë pjesë.
Këshilli i Naltë i Shtetit Shqiptar, mbi propozimin e bërë me shkresën nr. 324 datë 12 shkurt 1944, më 14 mars 1944, aprovoi Statutin e Organizatës Lidhja II e Prizrenit”. Dekreti u nënshkrua nga Kryetari Mehdi Frashëri dhe Kryeministri Rexhep Mitrovica.
Në këtë mënyrë, edhe zyrtarisht, “Lidhja II e Prizrenit” u kthye në platformë politike të shtetit të ri të bashkuar shqiptar, me anën e të cilit i sigurohej jo vetëm deklarimi i vullnetshëm i popullatës së bashkuar, por edhe struktura administrative dhe ato mbrojtëse, të cilat duhej të viheshin në shërbim të shtetit shqiptar, kufijtë e të cilit kërcënoheshin e cenoheshin vazhdimisht nga çetnikët e Drazha Mihajloviqit, por edhe brigadat komuniste serbe, malaziase dhe bullgare, ku nuk përjashtoheshin edhe aleatët e tyre nga radhët shqiptare.
(Shkëputje nga “Kosova – histori e shkurtër”, Prishtinnë 2021, faqe 450-457)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu