Zhurma që po bëhet rreth takimit të Albin Kurtit me Elvis Naqin nuk më çudit. Gjithnjë dhe për çdo gjë mund të gjendet ndonjë arsye “për” dhe “kundër”, por këto duhet vënë në peshore. Sidomos janë të zhurmshëm ata që për 20 vjet nuk gjetën mënyra për të konsoliduar sigurimin shëndetësor dhe atë social. Nga veprimtaria e gjertanishme e Elvis Naqit nuk e di që i njëjti ka ndërtuar xhamia, prandaj jam i bindur se kjo nuk do të ndodh as në Besianë (edhe sikur të do ai). Nga fondi i mbledhur nga ky person, aktualisht në Thumanë të Shqipërisë është duke përfunduar ndërtimi i 150 shtëpive për familjet e mbetura pa kulm mbi krye pas tërmetit të vitit 2019.
Jam ateist i bindur, por bamirësia e gjithkujt është e mirëseardhur dhe praktikohet gjithandej nëpër botë, nga të gjitha fetë, edhe në shtete ku sigurimi social është në nivel shumë të lartë, siç është Zvicra. Madje as ligjërisht këto aktivitete nuk mund të ndalohen.
Problemet fillojnë nëse nuk ka mbikëqyrje financiare dhe kur këto mjete orientohen në ndërtimin e objekteve fetare, që mund të parandalohen me ligjet e ndryshme, planet hapësinore dhe ato urbanistike. Objekte të tilla edhe kështu i kemi me tepricë. Kurse kontrolli financiar duhet rregulluar me ligj për të gjitha shoqatat dhe organiazata, bamirëse, jofitimprurëse, bashkësitë fetare dhe të gjitha tjera.
Në këto pika duhet vërë theksin.