“Scuola degli albanesi”, (Shkolla e shqiptarëve), e themeluar në Venedik (Venezia-Itali), nga të mërguarit shqiptarë rreth viteve 1500-1504 frekuentohej nga fëmijët e familjeve shqiptare të mërguara dhe të vendosura në Venedik dhe në Istria.
Si tekste mësimi janë përdorur edhe veprat e dy humanistëve shqiptarë Marin Beçikemi dhe Marin Barleti. I pari ka qenë dhe mësues në këtë shkollë. Ndërsa shkolla e shqiptarëve, me vlera historike në fushën e artit, u ndërtua me kontributet e bashkëvëllazërisë të të mërguarve shqiptarë të Venedikut, e cila ishte mjaft e organizuar në atë kohë. Përveç humanistëve që përmendëm më lart, në këtë bashkëvëllazëri bënin pjesë edhe humanistë të tjerë si Viktor Karpaçi (1455-1525), Mark Bazaiti (1460-1530) dhe Nikollë Leonik Tomeu (1456-1531).
Viktor Karpaçi punoi si arkitekt dhe skulptor i ndërtesës të Shkollës së Shqiptarëve. Ai stolisi fasadat e saj me basorilieve që paraqesin aspekte të luftës së popullit shqiptar për liri, gjurmët e të cilave kanë ekzistuar deri vonë e që mund të jenë ende edhe sot e kësaj dite. Shkolla e shqiptarëve e cila u ngrit për nevojat të mërgimtarëve në Republikën e Venedikut, gjatë kohës së veprimtarisë së vet prej vitit 1442 deri në fund të shekullit XVIII, jo vetëm që luajti një rol të rëndësishëm në ngritjen e kuadrove nga më të ndryshmet, por ajo është shquar edhe nga vlerat artistike që zotëronte godina e saj. Merita të mëdha në këtë aspekt ka pasur Viktor Karpaçi, një piktor shqiptar nga rrethi i Korçës, i cili pa dyshim qe njëri ndër artistët më të shquar të Rilindjes Evropiane.
Nën mbikëqyrjen e tij është ngritur shkolla dhe janë dekoruar ballina dhe pjesa e brendshme e shkollës së shqiptarëve gjatë kapërcyellit të shekullit XV dhe fillimit të shekullit XVI. Vend të veçantë në opusin shumë të pasur të tij zënë pikturat që i bëri për shkollën e bashkëvëllezërve të tij të cilat ruhen në muzet më të mëdha të botës.
Si shkollë e shek.XVI, ”Scuola degli albanesi”, përveç rëndësisë historike dhe artistike, ka dhe rëndësi pedagogjike. Mbajtja në këmbë e saj për shumë kohë, dëshmon se shqiptarët e mërguar duke përbërë një tërësi dhe duke qenë të organizuar, jo vetëm që ndienin nevojën e hapjes së një institucioni për edukimin e fëmijëve të tyre, por edhe se trashëgonin njëfarë tradite, se kishin forca ekonomike, organizative dhe kulturore për ta mbajtur atë. Ajo, gjithashtu, ka vlerë të veçantë në drejtim të nivelit të zhvillimit të arsimit profesional të asaj kohe.
Marrëdhëniet arbërore-venedikase datojnë së paku nga shek. XI. Nga kjo kohë e sidomos nga kapërcyelli i shek. XIV, Republika e Venedikut, pasi që kishte zhvilluar shtetin, fuqinë ekonomike dhe zotëronte gati me tërë bregdetin lindor të Adriatikut dhe me pjesën e madhe të ishujve të Bizantit, pra edhe me disa qytete bregdetare të Arbërisë, qendra e saj ishte bërë jo vetëm një vend takimi i shumë mërgimtarëve, por edhe rrugë për afirmimin e kulturave të tyre në kulturën e Rilindjes Europiane. Këtej, sipas mërgimtarëve të ngulitur këtu, nisën të quheshin edhe pjesët ca më të vogla të qytetit. Në këtë kontekst, sipas komunitetit arbëror, i cili ishte shpërndarë në zona, si ato, Castello, San Croce, San Polo, Cannaregio dhe San Marco, u quajtën gjashtë rrugë “Calle degli Albanesi”. Në zonën San Marco u vendosën edhe toponimet të cilat ndërlidheshin me familjen bujare Zguri, të vendosur këtu nga kapërcyelli i shek. XIV. Pallati tyre gjendet në sheshin e Shën Mauricit, shumë afër objektit të Shkollës së Arbërve. Përballë këtij pallati, po në këtë shesh, skaj shkollës në fjalë gjendet Pallati Molin, pronë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të cilën ia kishte dhuruar Republika me rastin e shpalljes së tij për qytetar nderi të Venedikut.
Valët më të mëdha të mërgatës arbërore në Venedik i ndeshim nga koha e pushtimeve të Dushanit (1331-1355), dhe sidomos nga koha e pushtimeve osmane (1385-1571). Veç Venedikut dhe ishujve përreth, mërgimtarët arbërorë i ndeshim edhe në Ancona, Rimini, Pesaro, Vicenza, Padova, Treviso, etj. Në këtë rrugë ekzili ishin nisur kryesisht arbërit nga Tivari, Shasi, Ulqini, Shkodra, Lezha, Durrësi, Drishti, Novobërda, etj. Për të gjithë këta të ardhur nga qytetet në fjalë, në perceptimin e përditshëm si dhe në dokumente zyrtare venedikase është përdorur apelativi Albanese, të cilët gjatë tetorit të vitit 1442, në famullinë San Severo të pjesës lindore të zonës së qytetit të quajtur Castello, kishin themeluar Shkollën e Arbërve ose Scuola degli Albanesi. Është fjala për një tip të shkollave të vogla (Le scuole piccole), numri i të cilave ishte i madh. Shkolla në fjalë ishte një lloj qendre nacionale për artet, artizanët dhe zejtarët. E konsiderojmë gjithashtu për qendër të parë fetare ku mbaheshin shërbesat në gjuhë arbërore. Organizimi saj është bazuar në shkolla të vogla të qytetit. Këtej, ajo kishte këtë strukturë: Banca, Gastaldo (ose guardiano), Vicario, Scrivano, dhe Degani.
Shkolla Arbërore në fillimet e saj ishte kushtuar “Zojës së Këshillit të Mirë”, e quajtur edhe “Nostra Signora di Scutari”, si dhe “Shën Galit”. Që në vitin 1447 selia e shkollës ishte transferuar në famullinë San Maurizio, në zonën e Shën Markut, pjesë e qendrës së qytetit. Për shkaqe të rritjes së numrit të mërgimtarëve arbër, autoritet venedikase nga kapërcyelli i shek. XV u japin të drejtën për ta përdorur varrezën në bazilikën e njohur dominikane SS Giovanni e Paolo, ku edhe sot ruhen shumë varre të bashkëvëllezërisë arbërore.
Godina e shkollës, që sot konsiderohet ndër atraksionet turistike të Venedikut, ishte ngritur midis kishës së Shën Mauricit dhe kumbonarit, gjë që mund të vërehet fare lehtë edhe sot.
Në aspektin vizuelo-arkitektonik, tërheqin vëmendjën dy dritare të katit të parë, një pllakë e forcuar nga guri i Istrisë me një basoreliev madhështor ku është paraqitur motivi i “Rrethimit të Shkodrës” (1474 – 1478-1479), i cili edhe sot shihet e lexohet mirë. Aty, veç konfirmimit dhe rëndësisë qytetit të Shkodrës në politikën venedikase mbi Adraitik dhe Mediteran, shihet edhe rëndësia e mërgimtarëve shkodranë në historinë e mërgatës në Republikën e Venedikut.
Shkolla e Arbërore ishte aktive deri në 1780, bashkëvëllezëria shpërndahet në këtë vit dhe ndërtesa kalon në duart e korporatës dei Pistori. Shumë orendi dhe pajisje të brendshme me vlera të mëdha do të shiteshin apo do të humbisnin. Në sallën e Shkollës edhe më tej u ruajtën 43 piktura. Gjashtë prej tyre janë të Karpaçit. “Gazeta Diaspora Shqiptare”