Nga: Behlul JASHARI, Prishtinë
-Republika e Kosovës ka 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe, një komunë është e banuar me shumicë nga komuniteti turk/
-Numri i kandidatëve për kryetarë të komunave është 166 (meshkuj 152, femra 14), ndërsa numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5 198 (meshkuj 3 261, femra 1 937)/
-Lista përfundimtare e votuesve për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra, 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën në 14 Shkurt 2021/
-Numri i qendrave të votimit në gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime/
-Numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15 mijë e 532/
-Moti në Kosovë në ditën e votimit në zgjedhjet lokale/
Kosovë-Zgjedhjet lokale në Prishtinë-foto: Behlul-Jashari, viti2017
PRISHTINË, 16 Tetor 2021/ Kosova të dielën e 17 Tetorit 2021 mbanë zgjedhje lokale për kuvendet komunale dhe kryetarët e 38 komuave, ndërsa në minutën e parë të së shtunës ka nisë heshtja zgjedhore pas fushatës parazgjedhore njëmuajshe të qetë e demokratike, por në kushte pandemie.
Janë këto zgjedhjet lokale të Kosovës të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit 1999.
“Për komunën tënde. Voto” është sllogani i Zgjedhjeve Lokale 2021, i miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…
Në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë garojnë 32 parti politike, 1 koalicion zgjedhor, 33 iniciativa qytetare, 23 kandidatë të pavarur.
Numri i kandidatëve për kryetarë të komunave është 166 (meshkuj 152, femra 14). Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5 198 (meshkuj 3 261, femra 1 937), ndërsa numri i përgjithshëm i ulsëve në kuvende komunale është 1 002. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5 364 (meshkuj 3 413, femra 1 951).
Fletevotimet-shtypja e tyre
Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 Tetor, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 Shkurt 2021.
Numri i votuesve të rinj, të cilët do të votojnë për herë të parë është 41 mijë e 12 votues, prej të cilëve 24 mijë e 697 kanë arritur moshën 18 vjeç pas datës 14 Shkurt 2021 dhe 8 mijë e 937 votues të cilët mund të konsiderohet se janë regjistruar për herë të parë në regjistrin qendror civil pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Po ashtu, si votues të rinj, konsiderohen edhe 7 mijë e 378 votuesit të cilët janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të 14 Shkurtit dhe që ishin larguar nga lista votuese sepse kanë pasur vetëm dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK-u.
Numri i emrave të personave që janë larguar si të vdekur nga lista votuese pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të datës 14 Shkurt 2021 është 18 mijë e 252 votues, ndërsa numri i personave që janë larguar nga kjo listë për arsye se kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, pas atyre zgjedhjeve, është 1 mijë e 158 votues.
Newborn-Kosovë: foto-Behlul-Jashari
Numri i qendrave të votimit në gjithë Republikën e Kosovës është 883 me gjithsej 2 mijë e 477 vendvotime.
Ndërsa, numri i qytetarëve me të drejtë vote jashtë vendit, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës është 15 mijë e 532 votues.
Periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës ka filluar më 10 Korrik dhe është përmbyllur më 18 Gusht 2021. Gjatë kësaj kohe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 18 mijë e 852 aplikacione për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 15 mijë e 532, ndërsa janë refuzuar 3 mijë e 320 aplikacione pasi nuk kanë plotësuar kriteret juridike.
Të gjithë aplikuesit të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës mund të votonin përmes postës gjatë periudhës e cila filloi më 15 Shtator. Fletëvotimet duhej të pranohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më së largu deri më 15 Tetor 2021.
Duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për votimin jashtë vendit, është detyrë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të përpilojë listën votuese jashtë Kosovës. Kjo listë duhet të përmbajë të dhënat e atyre votuese që me sukses janë regjistruar për votim jashtë Kosovës dhe t’i largojë emrat e tyre nga lista votuese që shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve.
Për zgjedhjet për kryetarë të komunave janë shtypur 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime, ndërsa për zgjedhjet për kuvende komunale janë shtypur po ashtu 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime. Numri i përgjithshëm i fletëvotimeve për zgjedhjet e 17 Tetorit është 3 milionë e 397 mijë e 200 fletëvotime.
Sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se votues apo në përqindje 9,91 % dhe kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.
Në zgjedhjet e fundit, ato parlamentare që u mbajtën në 14 Shkurt 2021, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte shtypur rreth 178 mijë fletëvotime më pak se numri i votuesve.
Behlul Jashari duke votuar…, më 11 qershor 2017
Nga gjithësej 38 komunat e Republikës së Kosovës 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.
Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe, 5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.
Një komunë, Mamusha, është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë.
Para 4 viteve, të dielën e 22 Tetorit 2017, Kosova votoi në zgjedhjet lokale për kryetarët dhe asambleistët e komunave, që u mbajtën në afat të rregullt, katër vjet pas zgjedhjeve lokale të 3 Nëntorin 2013. Kosova në në 2017-tën mbajti edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në 11 Qershor, 3 vjet pas atyre të 8 Qershorit 2014.
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000, ndërsa zgjedhjet lokale të 22 Tetorit 2017 ishin të shtatat.
Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008.
Ndërsa, zgjedhjet lokale në Kosovë të vitit 2007 janë mbajtur në të njëjtën ditë me zgjedhjet parlamentare – në 17 Nëntor.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë: 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
Në 4 komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 numri i votuesëve për Mitrovicën e Veriut është 17 721, për Leposaviçin 12 707, për Zveçanin 6 879 dhe për Zubin Potokun 6 443.
Sipas parashikimit të dërguar nga Instituti Hidrometeorologjik i Republikës së Kosovës, të dielën e 17 Tetorit 2021 të zgjedhjeve lokale në Kosovës do të mbajë mot kryesisht i vranët, por edhe me intervale të shkurta me diell.
Në mëngjes ka mundësi që në ultësira të paraqitet fenomeni i mjegullës si rezultat i radiacionit dhe ndryshimeve në fushat termike. Vranësirat herët në mëngjes vende-vende mund të sjellin ndonjë rigë shiu, por pjesa dominuese e ditës do të jetë pa reshje dhe me rritje të lehta të temperaturave maksimale.
Temperaturat minimalet do të lëvizin 7 deri 8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës 13 deri 15 gradë. Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë deri mesatare.
Java e ardhshme parashihet me rritje të ndjeshme të temperaturave maksimale.