Dëshira e ish-Sekretarit të Shtetit Colin Powell për Shqipërinë: “Të realizonte potencialin e saj dhe të përfundonte udhëtimin historik, për t’u kthyer, më në fund, në zemër të Evropës”. Presidentët amerikanë, Joe Biden, Jimmy Carter, Xhorxh Ë. Bush, Bill Clinton dhe Barak Obama e cilësuan Colin Poëellin si “Një hero të vërtetë Amerikan” dhe kujtuan integritetin dhe ndershmërinë e tij si dhe miqësinë personale që kanë pasur me të.
Gjenerali Colin L. Powell, ish-Sekretar i Shtetit Amerikan dhe Shef i Shtatmadhërisë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, ndërroi jetë të hënën në mëngjes, si pasojë e ndërlikimeve nga Covid-19, megjithëse ishte i vaksinuar plotësisht, sipas rekomandimeve të mjekëve, thuhet në njoftimin e familjes për vdekjen e këtij amerikani të madh. Familja falënderon ekipin mjekësor që është kujdesur për të në Qendrën Mjekësore ‘Walter Reed’ në Bethesda të shtetit Maryland, afër Washingtonit, duke shtuar se, “Kemi humbur një bashkëshort, baba dhe gjysh të dashur dhe të jashtëzakonshëm, si dhe një Amerikan të madh”, thuhet në njoftimin e familjes me rastin e kalimit në amshim të Gjeneralit Colin Powell, njërit prej ushtarakëve, diplomatëve dhe politikanëve më të dalluar të Shteteve të Bashkuara, në disa dekada. Colin Powell ka shërbyer në detyrën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, duke filluar nga 20 Janari, 2001, i emëruar në atë detyrë nga Presidenti Xhorxh Bush i vjetër. Gjenerali Powell ka qenë Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në administratën e Presidentit Ronald Regan, ndërsa karriera e tij prej ushtaraku ka zgjatur për 35 vjet, duke arritur nivelet më të larta në udhëheqjen e Pentagonit, përfshirë edhe detyrën më të lartë të atij enti të mbrojtjes, Shef i Shtatmadhërisë të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara.
Është e vështirë të gjesh një udhëheqës politik, ushtarak ose diplomatik me rëndësi të Shteteve të Bashkuara në 30 vitet e fundit, që të mos ketë pasur të bëjë, në një mënyrë ose në një tjetër, me Shqipërinë dhe me shqiptarët. Natyrisht, se duke qenë njëri prej personaliteteve më të dalluara ushtarake dhe diplomatike të Amerikës, as i ndjeri Gjenerali Colin Powell nuk mund të ishte një përjashtim. Ndër vizitat e zyrtarëve të lartë amerikanë në Shqipëri gjatë dekadave të fundit, shquhet edhe ajo e Sekretarit të Shtetit, Colin Powell në Maj të vitit 2003 në Tiranë, ku kryediplomati amerikan mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut. “Karta e Adriatikut”, ka thënë me atë rast Powell, “do të shërbejë si një udhëzim drejt integrimit euro-atlantik të tre vendeve (Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë). Ai ka shtuar se, në këtë dokument, “pasqyrohet përkushtimi i partnerëve tanë për të bashkëpunuar, individualisht, me njëri-tjetrin dhe me fqinjët e tyre për të krijuar një rajon të demokracive të forta, të mbështetura nga ekonomi me tregje të lira”, dhe ka nënvizuar, gjithashtu edhe “rëndësinë që ne i kushtojmë integrimit eventual të këtyre vendeve në NATO dhe në institucionet e tjera evropiane”. Powell ka thënë me atë rast (maj 2003), se, megjithë nënshkrimin e Kartës së Atlantikut, tre vendet në fjalë përballen me sfida të mëdha, ndërsa përpiqen të zhvillojnë ekonominë, ushtrinë dhe institucionet politike në nivele të barabarta me standardet perëndimore, jo vetëm se pse këto kërkohen nga Aleanca NATO, por më me rëndësi, është fakti se qytetarët e këtyre vendeve meritojnë standarde të tilla”, është shprehur ish-Kryediplomati amerikan Colin Powell në Tiranë, në maj të viti 2003.
Powell ka thënë 18 vjet më parë në Tiranë se “Karta riafirmon premtimet e bëra nga të tre vendet, se do “të vazhdojnë forcimin e institucioneve të tyre demokratike dhe të luftohet korrupsioni që qëndron midis popujve të rajonit dhe ëndrrave të tyre për një jetë më të mirë”, ka theksuar Powell, pothuaj dy dekada më parë në qendër të Tiranës. Eh, sikur Tirana zyrtare të mbante premtimet që u ka bërë gjatë viteve e deri më sot, aleatëve të saj perëndimorë — përshfirë ish-Sekretarin e Shtetit, të ndjerin Colin Powell, për të luftuar korrupsionin, për të bërë reformën në drejtësi, për zgjedhje të lira e të drejta, e të tjera premtime boshe, standarde këto të denja dhe të nevojshme të një vendi anëtar të NATO-s, për të arritur nivelet e standardeve perëndimore për drejtësi dhe dinjitet njerëzor, për të gjithë shqiptarët pa dallim.
Si mos të ndjehej i zhgënjyer i ndjeri Powell, në këtë ditë të kalimit të tij në amëshim, ashtu siç ndjehen edhe zyrtarë të tjerë amerikanë, nga premtimet e boshe të parealizuara të klasës politike shqiptare, të këtyre tre dekadave të kaluara, për një jetë më të denjë dhe më të mirë për shqiptarët, bazuar në vlerat dhe standardet perëndimore. Me keqardhje të thellë personale, më duhet të them se shpresa e të ndjerit Colin Powell, se fryma e Kartës së Adriatikut e nënshkruar prej tij në Tiranë në maj të vitit 2003, (madje as anëtarësimi i Shqipërisë në NATO më 2009), nuk kanë sjellur, as zgjedhje të lira, as reformat e kërkuara në drejtësi, e si rrjedhim as integrimin e plotë të Shqipërisë në institucionet Euro-Atlantike, ashtu që sipas dëshirës së Powell-it, Shqipëria, “të realizonte potencialin e saj dhe të përfundonte udhëtimin historic, për t’u kthyer më në fund në zemër të Evropës”, ka përfunduar fjalimin e tij, Colin Powell në Tiranë në maj të vitit 2003, aty ku, historikisht, e ka vendin Shqipëria. Presidentët amerikanë, Joe Biden, Jimmy Carter, Xhorxh W. Bush, Bill Clinton dhe Barak Obama e cilësuan Colin Powellin si “Një hero të vërtetë amerikan” dhe kujtuan integritetin dhe ndershmërinë e tij, si dhe miqësinë personale që kanë pasur me të. Presidenti aktual Biden tha se “mbi të gjitha Colin-in e kisha mik” dhe ai ishte një “patriot që s’e kishte shoqin…plot dinjitet dhe ndershmëri”. Ndërsa Presidenti Xhorxh W. Bush than në reagimin e tij se Colin Powell ishte, “ jashtëzakonisht shumë i respektuar në Amerikë dhe anë e mbanë botës. Por mbi të gjitha, Colin ishte familjar i devotshëm dhe miki i mi.”Presidenti Jimmy Carter tha se, “Guximi dhe integriteti i tij do jenë frymëzim për brezat e ardhshëm.”
“Bota ka humbur njërin prej udhëheqësve më të mëdhej që kemi njohur. I pari afrikano-amerikan Shef i Shtatmadhërisë së Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara, afrikano-amerikani i parë Sekretar Shteti, një burrë i respektuar anë e mbanë botës”, ishte reagimi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Z. Lloyd Austin III, me të dëgjuar për vdekjen e Gjeneralit me katër yje, Colin Powell.