ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Gjurmë historike: Në 53 vjetorin e demonstratës në Pejë, më 19 tetor 1968!

Shkrime relevante

Historia dhe mesazhi tradicional i presidentëve dje dhe sot për gjendjen aktuale në SHBA dhe Presidenti TRUMP

Klajd Kapinova, New York Gjendja e Unionit (ndonjëherë përdoret në mënyrë të...

Mickoski: Gjuha shqipe nuk po rrezikohet, nuk i pengon askujt

G.K/RTKlive “Askush nuk është kundër gjuhës shqipe, as në Maqedoni, askush nuk...

52 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Nga: Edlira Ruzi 20/11/2024 TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Më 20 nëntor 1972, u mbajt...

210 vjet nga lindja e Jeronim de Radës, ideologut arbëresh të Rilindjes Kombëtare

Nga: Edlira Ruzi TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Më 19 nëntor të vitit 1814...

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Shpërndaj

Nga: Sheradin Berisha
Gjurmë historike: NË 53 VJETORIN E DEMONSTRATËS NË PEJË, MË 19 TETOR 1968!
Pas demonstratës së parë të organizuar në qytetin e Lidhjes Shqiptare, në Prizren (më 6 tetor 1968), dhe demonstratës së dytë që u organizua në Therandë – ish’Suharekë (më 8 tetor), demonstrata e tretë u organizua më 19 tetor 1968 në qytetin e Pejës.
Atë ditë tetori në Pejë ishte ditë tregu dhe prania e qytetarëve ishte më e madhe se ditëve të tjera.
Organizatorë të demonstratës ishin:
1. Isa Demaj,
2. Zymer Neziri,
3. Sylë Kuçi,
4. Ramadan Blakaj,
5. Xhemail Gashi etj.
Për pjesëmarrje sa më masovike në demonstratë organizatorët shkruan dhe shpërndanë një thirrje drejtuar popullit. Ditën e caktuar, në orën 14 (pasdite) nxënësit dhe studentët e Shkollës së Lartë ekonomike – Komerciale në Pejë, u grumbulluan në oborrin e shkollës Normale ”Ali Kelmendi” në Vitomiricë, afër Pejës, e cila ishte buzë rrugës Pejë – Mitrovicë.
Fillimisht pjesëmarrës në demonstratë ishin nxënësit e Shkollës Normale dhe të Shkollës Bujqësore dhe disa arsimtarë. Nisja u bë me flamur kombëtar në krye – përpara kolonës, në drejtim të qytetit. Bartësit e flamurit ndërroheshin me radhë. Bartës i parë ishte Demë Mulliqi, normalist. Në pika të rrezikshme bartës ishin Ramadan Blakaj, Zymer Neziri dhe Xhemajl Gashi.
Gjatë marshimit, demonstruesit u përpoq t´i ndalonte Kryetari i Komitetit të Lidhjes së Rinisë së Pejës, Lekë Vuksani, por nuk pati sukses. Një pjesë e demonstruesve, ndërkohë shkuan në tregun e qytetit dhe ju bënë thirrje tregëtarëve që t´i bashkohen demonstratës. Me këtë rast tregu u boshatis dhe të gjithë u solidarizuan me studentët dhe nxënësit. Në ato momente numri i demonstruesve arriti në mijëra veta.
Masa e demonstruesve në orën 15 u grumbullua në sheshin e qytetit, përpara Kuvendit të Komunës dhe aty mbi çoshkun e “Borbës dhe Rilindjes” (përskaj ndërtesës së Komunës) përreth 20 minuta e mbajti një fjalim Sylë Kuçi. Fjalimin e kishte përgatitur paraprakisht Zymer Neziri. Më pastaj edhe 2-3 të rinjë tjerë hipën përmbi çoshk dhe brohoritën parulla për: flamurin, për Kushtetutën, për Republikën, për universitetin etj., dhe masa e tubuar me ovacione të vazhdueshme i përsëriste këto parulla dhe këndonin këngët:
“Kur u hap kushtrimi n`Kosovë”,
“Lidhja e Prizrenit”,
“Oj Kosovë, mos thuaj mbarova”,
“Këngë për Skënderbeun”,
“Mori Shkodër, moj mizore”,
“Këngë për Ali Pashë Tepelenën”, etj.
Që nga fillimi i kolonës së demonstruesve, policia, disa herë, u përpoq ta rrëmbente flamurin nga duart e çelikta të rinisë. Herën e parë u përpoq ta largonte nga kulmi i shkollës “Ali Kelmendi”, por kjo u pengua nga nxënësit. Po ashtu, edhe disa herë gjatë marshimit të kolonës, policia u përpoq ta merrte flamurin, por pa sukses.
Pas afër katër orësh demonstrimi nëpër qytetin e Pejës, me flamurin kombëtar në ballë, si dhe duke i brohoritur Kosovës, Republikës së Kosovës, Kushtetutës së Kosovës, dhe duke kënduar këngë atdhetare, përfundoi kjo demonstratë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, që ishte manifestimi më i rëndësishëm në Pejë pas Luftës së Dytë Botërore.
Me të përfunduar demonstrata, flamuri kombëtar përsëri u vendos mbi kulmin e shkollës normale “Ali Kelmendi”. Pas demonstratës në Pejë, filloi ndjekja e organizatorëve nga UDB’a dhe Komiteti. Fillimisht u larguan nga puna në arsim: Ramadan Blakaj, Xhemajl Gashi dhe të Zymer Neziri, ndërsa më pastaj u burgosën dhe me këtë rast u dënuan: Ramadan Blakaj me 15 ditë burg, Xhemajl Gashi me 30 ditë dhe Zymer Neziri me 30 ditë burg.
Nga e majta në të djathtë: Ramadan Blakaj, Zymer Neziri, Xhemajl Gashi
Regjimi organizatorët e demonstratës i dënoi me kundërvajtje, me qëllim që ta minimizojë efektin kombëtar të demonstratës!
Me demonstratën e Pejës u përmbyllë cikli i parë i demonstratave shqiptare, ndërsa demonstratat e radhës do të organizohen në fund të nëntorit dhe në dhjetor të vitit 1968.
(Shkëputur nga studimi im: “Roli historik i demonstratave shqiptare, tetor – dhjetor 1968” i botuar në vëllimin II të librit “Demonstratat e vitit 1968”, ku janë përmbledhur kumtesat nga konferenca shkencore, mbajtur me rastin e 40-vjetorit, në Prishtinë, më 24 – 25.11. 2008.)
———————-
Në 53 vjetorin e demonstratës së parë në Prizren, më 6 Tetor 1968 / Nga Sheradin Berisha
***
Në 53 vjetorin e demonstratës në Suharekë, më 8 Tetor 1968 / Nga Sheradin Berisha

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu