Është një fakt se nuk ka asnjë të dhënë historike ose arkeologjike të qartë që tregon se shqiptarët erdhën nga një vend tjetër. Kështu ka shumë të ngjarë që shqiptarët gjithmonë të kenë jetuar në pjesën jug-perëndimore të gadishullit ballkanik ku gjinden edhe sot. Por problemi, në fund të fundit, nuk është se ‘ku ishin shqiptarët?’ por ‘kush ishin?’ Kjo çështje e shumë-diskutuar, d.m.th. prejardhja e popullit shqiptar, është jashtëzakonisht interesante, por nuk do të sqarohet përfundimisht kurrë. Nuk është qëllimi i kësaj kumtese për të trajtuar, edhe një herë, teoritë e ndryshme të gjenezës së popullit shqiptar. Vetëm një tendencë të përgjithshme desha ta theksoj. Gjatë historisë, shqiptarët ishin gjithmonë eklektikë, d.m.th. ata kishin një qëndrim të hapur ndaj botës. Dinin të merrnin, të asimilonin, dhe të përshtatnin elemente të shumtë. Ky qëndrim i hapur shihet më mirë në gjuhën shqipe, e cila është një përzierje e habitshme elementesh. Zor të gjesh një fjalë shqipe pa ndikim të huaj.
Ne dimë kush është shqiptari sot. Është anëtar i një komuniteti gjuhësor me një identitet të qartë dhe të theksuar. Mirëpo kush ishte shqiptari para një mijë viteve ose para dy mijë viteve? Kjo është më e vështirë. T’i kthehemi fakteve konkrete. Në çfarë periudhë dolën shqiptarët si komunitet gjuhësor në skenë nga mjegulla e historisë?
Në bazë të të dhënave që kemi në dispozicion, shqiptarët hynë në skenë të historisë së shkruar pasklasike në gjysmën e dytë të shekullit njëmbëdhjetë, dhe vetëm në këtë shekull mund të flasim me siguri mbi një popull shqiptar siç e njohim sot. Në Historinë e tij të shkruar në vitet 1079-1080, historiani bizantin Mihal Ataliates (Michael Attaleiates) flet për Albanoi si pjesëmarrësit e një kryengritjeje kundër Konstantinopolit në vitin 1043 si dhe për Arbanitai si një popull i princit të Durrësit. Njëkohësisht, afër vitit 1081, Gjon Skilices (Joannes Skylitzes), një historian tjetër bizantin, flet për Arbanites si ushtarë në trupat e mbledhura në Durrës nga Nikeforos Basilakios. Me përjashtim të veprës së gjeografit Ptolemeus nga periudha romake, këta janë rastet e para të përdorimit të shkruar të fjalës Alban-, Arban-. Populli shqiptar fillon të marrë një fizionomi dhe një identitet, edhe për popuj të tjerë.
Ekzistenca e gjuhës shqipe përmendet për herë të parë në fund të shekullit trembëdhjetë dhe në fillim të shekullit katërmbëdhjetë. Bile brenda këtyre viteve, 1285 deri në 1332, ekzistenca e gjuhës shqipe përmendet katër herë.
1.Rasti më i herët, i vitit 1285, i takon jo Shqipërisë vetë por krahinës së Dubrovnikut ose të Ragusës ku jetonin mjaft shqiptarë. Në hetimet për një vjedhje në shtëpinë e Petro del Volcio nga Belena, njëfarë Matheus, biri i Markut prej Mençe, i cili ishte siç duket një dëshmitar i krimit, raportoi kështu latinisht: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingua albanesca” (Dëgjova një zë duke thirrur në malësi në gjuhën albaneske).
- Rastin e dytë, njëzet e tre vjet më vonë, e gjejmë në një përshkrim të Shqipërisë nga një vepër anonime e quajtur Anonymi Descriptio Europae Orientalis (Përshkrim Anonim i Evropës Lindore). Kjo vepër mesjetare latine e vitit 1308 trajton vendet dhe viset e Evropës Lindore, veçanërisht vendet e gadishullit ballkanik. Mendohet se autori ishte një prift frëng i urdhërit dominikan i cili u dërgua nga kisha në Serbi. Teksti i Anonymi Descriptio Europae Orientalis ekziston në disa dorëshkrime, si për shembull Ms. Lat 5515 dhe Ms. Lat. 14693 në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, Ms. 263 në Bibliotekën e qytetit Poatie (Poitiers) në Francë, dhe Cod. Lat. 66 në Bibliotekën Universitare të Laiden-it të Hollandës. Përshkrimi Anonim ka kapituj mbi viset e ndryshme të Greqisë bizantine, mbi Rashinë, Bullgarinë, Rutheninë, Ungarinë, Poloninë dhe Boheminë si dhe një kapitull mbi Shqipërinë, një përshkrim të rrallë të këtij vendi dhe të këtij populli në shekullin katërmbëdhjetë. Në këtë tekst thuhet se Shqipëria ka “banorë me të vërtetë luftëtarë të cilët janë harkëtarë dhe ushtarë me shtizë të shkëlqyeshëm… dhe të cilët nuk kanë qytete, kampe, fortifikime ose ferma, por që jetojnë në çadër dhe janë gjithmonë duke lëvizur nga një vend në tjetrin.” Kapitulli mbi Shqipërinë mbaron duke theksuar, edhe këtu, ekzistencën e gjuhës shqipe: “Habent enim Albani prefati linguam distinctam a Latinis, Grecis et Sclavis ita quod in nullo se inteligunt cum aliis nationibus” (Shqiptarët e lartpërmendur kanë një gjuhë të veçantë nga gjuha e latinëve, e grekëve dhe e sllavëve, kështu që nuk mund të komunikojnë fare me kombe të tjerë).
- Rasti i tretë ku gjuha shqipe përmendet, gjendet në një vepër të shkruar nga një shtegtar i krishterë në udhëtim për në Tokën e Shënjtë në vitin 1322. Veprat e shtegtarëve në rrugë për në Tokën e Shënjtë përbëjnë një burim kryesor informacioni mbi vendet e Mesdheut Lindor në gjysmën e parë të njëmijëvjeçarit të dytë. Në këtë rast, dy shtegtarë anglo-irlandez me emrat Symeon Semeonis dhe Hugo Illuminator, që mund ti quajmë shqip Simon Simoni dhe Hugo Iluminatori, kaluan në Shqipëri në vitin 1322 dhe Simoni shkroi përshtypjet e tij në një lloj udhëpërshkrimi. Kjo vepër na jep një përshkrim mjaft të vlefshëm të bregdetit shqiptar në shekullin katërmbëdhjetë. Simon Simoni, një murg i urdhërit françeskan, u nis nga Klonmeli i Irlandës në pranverë të vitit 1322 me shokun e tij Hugo Iluminator. Ata kaluan në Londër, Kantërbëri, Dovër, Visant, Paris, Bonë, Lion, Avinjon, Nisë, Gjenovë, Bobbio, Piaçencë, Parmë, Mantovë, Veronë, Vinçencë deri në Venedik. Nga Venediku udhëtuan me një anijë tregtare për në Tokën e Shënjtë duke qëndruar gjatë rrugës në Pulë, Zadar, Dubrovnik, Ulqin, Durrës, Korfuz, Kefaloni dhe Kretë, para se të arrijnë në Aleksandri. Vepra e Simonit, e njohur si Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam (Rruga e Simon Simonit nga Irlanda deri në Tokën e Shenjtë) ruhet në Bibliotekën e Kolegjit Corpus Christi në Kembrixh të Anglisë. Duke udhëtuar në bregdetin shqiptar, Simoni shënoi ndër të tjerat: “Albanya est provincia inter Sclavoniam et Romanyam, per se linguam habens” (Shqipëria është një krahinë midis Sllavonisë dhe Romanisë, e cila ka një gjuhë të vetë). Për qytetin e Durrësit vazhdon kështu: “Inhabitatur enim Latinis, Grecis, Judeis perfidis, et barbaris Albanensibus” (Banohet kështu nga latinët, grekët, çifutët e pabesë dhe barbarët shqiptarë). Në trajtimin e qytetit të Dubrovnikut flet edhe për gjuhën e këtyre barbarëve, duke thënë: “In eadem dominantur Veneti, et ad eam confluunt Sclavi, Barbari, Paterini et alii scismatici negotiatores qui sunt gestu, habitu et lingua Latinis in omnibus difformes” (Në këtë [qytet] mbretërojnë venedikasit dhe qarkullojnë këtu edhe sllavë, barbarë, paterinë dhe tregtarë të tjerë skismatikë të cilët ndryshojnë krejt nga latinët në zakonet, veshjet dhe gjuhët e tyre).
- Rasti i fundit ku përmendet ekzistenca e gjuhës shqipe ndodhi në vitin 1332 në veprën e një murgu frëng të urdhrit dominikan me emrin Brokardi (Lat. Brocardus monacus). Në traktatin e tij latin, i quajtur Directorium ad passagium faciendum (Udhëzime për kapërcimin e detit), Brokardi shënon fjalinë tashmë të njohur në letërsinë shqiptare: “Licet Albanenses aliam omnino linguam a latina habeant et diversam, tamen litteram latinam habent in uso et in omnibus suis libris” (Shqiptarët kanë një gjuhë tjetër krejt ndryshe nga latinishtja, megjithatë përdorin shkronja latine në të gjithë librat e tyre). Kjo fjali u interpretua nga shkencëtarët shqiptarë si një dëshmi për ekzistencën e librave në gjuhën shqipe, por ka më shumë të ngjarë se Brokardi e kishte fjalën për gjuhën latine të përdorur në Shqipëri. Çfarë rëndësi u jepet këtyre katër rasteve që u shënuan brenda një periudhe prej dyzet e shtatë vitesh (1285-1332)? Ata tregojnë me qartësi se në atë kohë, për herë të parë, shqiptarët kishin dalë përfundimisht në skenë si komb me një gjuhë dhe me zakonet e veta.
Nga Robert Elsie – Botuar fillimisht në numrin 14 të revistës “Studime Albanologjike”(diasporashqiptare.al)
Pergzime per kete tekst me shume te dhena. E cmueshme… PERGZIME. Me pelqej kjo pjesa: “Gjatë historisë, shqiptarët ishin gjithmonë eklektikë”. Eklektike. Dhe ma kujtoj nje rast kur isha studente dhe e takova ne nje ndeje ne konvikt te studentve, e ishte nga Dubrovniku. Dhe ishte shume disi me Vullnet te Mire dhe i pelqeu kendimi im ne ate ndeje. Se une gjithemone kendojsha neper ndeja ne konvikt te studenteve E mas nje kohe me tha: “Rexhepi, dao sam ime svojoj kćeri po vašem ilirskom plemenu, Taulanta” (“Rexhepi, vajzen time e emrova sipas nje fisi te juaj, Taulanta”)…. Eklektike. Shume me pelqen kjo eklektike. Sepse pernime jemi eklektike na, e ne te gjitha nivele. Edhe vetem germen “A” e kemi me perceptim e perjetim eklektik.
U knaqa tuj lexu kete studim serioz, sistematik, sintetik, me fjale te sakta e jo te teperta te studjuesit kanadez Robert Elsie. Kaq ka kene apasionuem mbas gjihes dhe historise se shqiptarve sa qe, simbas deshires se tij te fundit, ai asht varrose ne Thethe te Dukagjinit me kostume kombetar (verior).
https://wp-sq.wikideck.com/Robert_Elsie
Ekskluzive/ Robert Elsie do prehet me kostum popullor kombëtar. Varrimi në Theth, sipas amanetit.
http://www.gsh.al/2017/10/16/ekskluzive-robert-elsie-do-prehet-me-kostum-popullor-kombetar-varrimi-ne-theth-sipas-amanetit/
Ky studim me bani te mendoj per periudhen mbas shekullit te XIV-t te shqiptarve, te cilen e ka sintetizu Profesor Sami Repishti me keto pak rreshta:
“Pershëndetje të gjithë vllezenve dhe motrave shqiptare: gëzuar vitin 2000 “ , nga Profesor Sami Repishti, Badwin, New York, USA 01.01.2000.
“….Mbas vdekjes së Skenderbeut traktati i 1479-s në mes Venedikut dhe Sulltanit njohu pushtimin otoman të Shqiprisë. Dritarja e Botes Perendimore iu mbyll Shqiperisë pikrisht në nji kohë kur era frymëdhanse e Renaissances (Rilindjes) dhe idete fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europe të Ré me nji etje të vrullshme per njohuni të reja, per hapsina dhe nji botë të ré me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kerkues e thellësisht njerzor.
Pamvarsisht nga faktori fetar – që mbetet gjithherë nji çeshtje krejtësisht intime per çdo ndergjegje personale – okupacioni otoman ka nxjerrë Shqiperinë nga historia e kontinentit europian dhe e ka denuar atë të jetë nji krahinë e harrueme mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundert nga ajo e Europes, që po rilindte në Perëndim….“.
https://albemigrant2011.wordpress.com/2015/08/14/profesor-sami-repishti-sinteze-e-historise-shqipnise-shek-xv-xx/
Pergozoj redaksine e DRINI-t per kete publikim me shume vlere.
Heshtja per 11 – te shekuj e me shume per ekzistencen e shqiptareve apo te Ilireve tregon se numri ishte i vogel.Dhe qe jeta atehere ishte e zhytur ne erresiren e mesjetes.Por shkrimi i mesiperm me pelqeu si dhe me nlohu me fakte te reja.