-Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, tradicionale e Kosovës, u organizua nga Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani në bashkëpunim me prodhuesit vendorë/
-Në Kosovën e lirë – moderne, në vitin 2002, Ditën e Falënderimit – Darkën e Lamës Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli festë shtetërore/
-“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti Rugova në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës para 18 viteve – në 23 Tetor 2003/
Gazeta DIELLI / portali DRINI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 26 Tetor 2021/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në bashkëpunim me prodhuesit vendorë, mbrëmë organizoi festën e moçme shqiptare, Darka e Lamës, ku ishin edhe Kreministri Albin Kurti e përfaqësues tjerë institucionalë e politikë të vendit dhe të pranisë ndërkombëtare.
“Mirë se erdhët në Darkën e Lamës, në festën e lashtë shqiptare, e cila daton që nga shekulli i V-të dhe shënon mbarimin e verës, kohën kur ne i mbledhim frutat, të lashtat e bereqetin dhe i shprehim falënderimet tona për të mirat e sivjetme”, u shpreh fillimisht Presidentja Osmani duke përshëndetur të pranishmit.
Ajo tha se Darka e Lamës është pjesë e një trashëgimie të pasur shpirtërore, të cilën shqiptarët e kanë trashëguar dhe e kanë ruajtur qysh nga kohët e hershme.
“Krahas festave të tjera, Darka e Lamës u ka mbijetuar shekujve dhe është bartur deri në ditët tona, duke u bërë kështu pjesë e rëndësishme e kulturës sonë të lashtë dhe duke ndikuar në ruajtjen dhe kultivimin e shpirtit tonë solidar”, theksoi Presidentja Osmani.
Sonte, vijoi Presidentja e Kosovës, poashtu dua të shprehë mirënjohjen e thellë për kujdesin të cilin ati themeltar i shtetit tonë, Presidenti Ibrahim Rugova, e tregoi kur në vitin 2002 e riktheu traditën e mirë të gatimit dhe të shërbimit të bukës nëpërmjet festës së Darkës së Lamës.
“Ai e quajti atë Festë e Falënderimeve, të ngjashme me Festën e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne i jemi mirënjohës për këtë thesar trashëgimie, të cilin ai e riktheu në këtë truall.
Sikur e dini, Presidenti Rugova gjithnjë festonte me miq, punonte me miq dhe i falënderonte ata edhe për mirëqenien tonë. Ne do ta kultivojmë përherë ketë traditeë të vyer të popullit shqiptar, sepse vlerësojmë, njësoj sikur presidenti Rugova, se kultivimi i traditës së mirë e mbanë të gjallë shpirtin e një kombi”, theksoi Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Festa e Darkës së Lamës është shumë e vjetër, ndërsa autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit. Në Kosovën e lirë – moderne Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte, madje jo vetëm si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore. Në vitin 2002, Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova e shpalli Festën e Ditës së Falënderimit – Darkën e Lamës festë tradicionale shtetërore të Republikës së Kosovës.
Darka e Lamës, festë e lashtë iliro-shqiptare, e falënderimit Zotit për frytet e punës dhe të korrat e vitit, e cila është bërë traditë në Kosovë, fillimisht organizohej vetëm në kryeqytet-Prishtinë, ndërsa nga viti 2014 edhe në qytete tjera, në Sheshin “Lama e Drithit” në Gjakovë e pastaj në Pejë…
Në vitin 2013 Darka e Lamës u festua në Sheshin me emrin e shtatoren e Presidentit historik Rugova, në Prishtinë – kryeqytetin e Kosovës.
Në Prishtinë, në 23 Tetor 2003, në mjediset e një hoteli, kur ishte një nga festimet e Darkës së Lamës, organizuar nën patronatin e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, Presidenti theksonte se Festa e Ditës së Falënderimit – Darka e Lamës është një festë tradicionale popullore dhe familjare e Kosovës dhe në viset e tjera shqiptare.
Duke folur për traditën e festës së Darkës së Lamës, Presidenti Rugova theksonte se ajo është shumë e vjetër. Madje edhe autorët antikë e kanë shënuar që nga shekulli V para Krishtit si festë e vitit tek ilirët, të parët e shqiptarëve që është festuar rreth 23 Tetorit. Autorëve antikë ia ka tërhequr vëmendjen kjo festë e rëndësishme e kulturës shqiptare, shtonte ai.
Presidenti Rugova theksonte se kjo festë nëpër shekuj është ruajtur deri në ditët tona. “Populli ynë ka shumë festa të vitit, që lidhen me solsticin, si shumë popuj të tjerë, që përmbyllen me Darkën e Lamës, që është më e njohura në Kosovë”, theksonte ai, duke shtuar se vitin e kaluar (në vitin 2002) e ka shpallur festë tradicionale shtetërore të Kosovës, e cila do të festohet në çdo familje në Kosovë.
“Në këtë ditë kemi menduar si të parët tanë, t’i bëjmë falenderim Zotit për të mirat që na i ka falur brenda një viti dhe t’i lutemi Atij që në vitin tjetër, në motin tjetër të na falë, të na dhurojë më shumë të mira”, shprehej Presidenti Rugova dhe shtonte se “kjo Ditë Falënderimi na obligon dhe na përkujton se duhet t’i shtojmë prodhimet tona të tokës”.
“Po ashtu na obligon që prodhimet e tokës së Kosovës t’i përpunojmë, t’i bëjmë më cilësore për të gjithë qytetarët tanë dhe për eksport për kombet e tjera. Dhe në këtë ditë ne i lutemi Zotit për këtë”, vijonte Rugova.
Njëherit paralajmëronte se që nga viti i ardhshëm për ditën e kësaj feste nuk do të punohet dhe do të jetë ditë që i kushtohet falenderimit.
“Shpresoj se kjo festë do të pasurohet me forma të ndryshme të manifestimit në të ardhmen”, theksonte Presidenti Rugova, duke i ftuar të pranishmit që të kënaqen me tryezën e shtruar e me prodhime kosovare tradicionale.
“Zoti e bekoftë e Kosovën dhe të mirat e saj”, përmbyllte fjalën Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova, duke folur në Ditën e Falenderimit – Darkën e Lamës para 18 viteve – në 23 Tetor 2003.