ARKIVI:
20 Nëntor 2024

Një pasdite në Gërdecin e këtyre ditëve, apo rileximet nostalgjike të Bajram Sefajt

Shkrime relevante

Intervistë e Lis Bukurocës dhënë gazetares Rudina Xhunga (Video)

Erdha në Shqipëri të bëj dhëmbët dhe zbulova sekretin e madh!...

Me rastin e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Primus Prenkë Ndrevashaj

Kisha “Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të shtetit Michigan, themeluar...

Shpërnguljet për në Turqi dhe historitë e trishta të vrasjeve të organizuara të shqiptarëve të rinj

Nga: Sami Islami, Londër ___ (Sipas një ngjarjeje të vërtetë) ___ Edhe pse Kosova kishte...

Prindër të dashur, tregoni se si është e mundur që fëmiu juaj të përfundoj në pranga…?!

Monika Braja, Selanik ____ Prindër të dashur , Nena dhe Baballarë , që...

Në 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të Babait, Halil Zeqës…!

17.04.1933-19.11.2009 Mga: Florim Zeqa Halil Zeqa largëpamës dhe vizionar Halil Zeqa lindi më 17.04.1933...

Shpërndaj

Nga: BAJRAM SEFAJ, shkrimtar

Rilexime nostalgjike

Një pasdite në Gërdecin e këtyre ditëve (fillimshtator 2008)

Atje ku u “shkrua” drama me shumë akte…
(Por edhe gatishmëria për t’u përballë me e papritur dhe për të dalë ngadhënjyes mbi të!).

Nuk jam as i pari, as i mbrami, besoj, gazetar shqiptar nga Kosova, që viziton Gërdecin. Jo, atje duhet të kenë shkuar shumë gazetarë e gazetare, kolegë të mi më të ri, nga Kosova, enkas, të raportojnë nga vendi i ngjarjes, për lexuesit e gazetave dhe shikuesit e programeve të shumta televizive.
Se jam i pari dhe i fundit (ish)gazetar kosovar, i moshës sime, kjo, padyshim, është më se e vërtetë. E sigurt se askush tjetër, nuk do të flijohej dhe, lirisht mund të thuhet, nuk do të viktimizohej, në atë masë, sa (e si) unë!
Paramendojeni një ditë plot vapë të fundit të muajit gusht, ky vit, kur zhiva në termometër ngjitej në lartësi të mëdha, shkëputëm, për një çast, nga atmosfera festive e Festivalit të parë Veror Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, arrij në qytetin Vorë dhe, nëpër një udhë fshati gjithandej me pluhur të pashuar, (si i Saharës të ishte), marr drejt Gërdecit.
Nuk e di pse, por gjithë asaj rrugë, si çekan mbi tëmtha më rrihte, emrit (lexo, titulli) i këtij reportazhi të shkurtër: Në Gërdec u shkrua tragjedia! (Tash, pas disa ditësh, kur nis ta qes në letër këtë kallëzim rasti, ul tonin dhe fjalën tragjedi e zëvendësoj me fjalën dramë. A nuk mjafton edhe kaq?!).
Kësaj, pastaj ia shtoja, tragjedia, (tash drama) me shumë akte: me shumë viktima njerëzish (njëzet e pesë, gjashtë…?), me dëme të parikuperueshme materiale, me rrënime (rrafsh me tokë) të shumë shtëpive banime dhe të objekteve të tjera, me dridhje politike. Me prishje karrierash. Me dorëheqje. Me heqje imunitetesh. Me polemika të pafund. Në Parlamentin shqiptar e gjetiu. Në faqe gazetash. Në emisione (pa fund) televizive. Me një fjalë, gjithkund në masmedia, jo vetëm shqiptare… Gjykime, pa mbarim. Dëshmi… Korrupsion… (Më mirë, mbyll veshët e, fare mos dëgjo!).
Më e keqja, më e trishtueshmja e krejt kësaj ngjarje të rëndë, në shumë akte dhe shkallë, (urojmë të mos jetë e vërtetë!), ishte se, fitohej përshtypja se disa edhe iu gëzuan. Në ngjasim të fjalës së moçme: për inat të resë, me vdektë djali!
Por, sot në Gërdec, nëpër diell e nëpër pluhur, nuk ngjitëm për të hulumtuar (kur një gjë e tillë është e pajustifikueshme) kush u gëzua dhe kush u trishtua, nga kjo dridhje, nga ky termet. Sot, jam atje, të prekë me sytë mi (që i kam në ballë!), atë që kisha pa në ekranin e televizioneve shqiptare, por edhe të atyre botërore.
Për ato pak çaste sa qëndroj në Gërdecin e muajit gusht 2008, mësova së e keqja kishte plasur në lagjen Ustali, bukur larg fshatit që i bardhë dhe i qetë, si i patrazuar fare, shtrihej atje mbi kodrina sikur asgjë të mos kishte ndodhur ndërkohë.
Kraterit, asaj grope (në zemrat tona), asaj epiqendre të pëlcitjes, nuk mund t’i afrohesha, (po në qoftë se xhep të kisha lejen speciale të ministrit shqiptar të mbrojtjes Oketa dora e vetë!), si gazetar dhe reporter shumëvjeçar i Televizionit të Prishtinës, (që xhiruesve e kameramanëve, jo gjithherë me përvojë të duhur në punët e xhirimit, u kam shkuar përpara, jo mbrapa!), problemin e zgjedh disi. I qasëm një shtëpie shtatlartë dhe gjithnjë duke bërtitur: o, i zoti i shtëpisë, o i zoti shtëpisë, ndjek porosinë e tij dhe nëpër labirinte e “turli” shkallësh, gjendem sakaq në kulmin e shtëpisë që ngutshëm ngjitej drejt kupës blu të qiellit, në gusht.
– “Jo të zotët e shtëpisë, por bashkë me djalin, Sefer, jemi mjeshtër”, me njofton baba i Seferit dhe shton:” kjo shtëpi e madhe dhe e bukur, ngrihet mbi gërmadhat e një shtëpie të vogël përdhese, të ronitur që ishte pronë e një plakë afro nëntëdhjetë vjeçare”!
Sa po ngremë nga një gllënjkë ujë të vaktë nga bidonët e mjeshtërve dhe vrojtimit se emri i djalit ishte trashëgim i gjyshit të tij Sefer, (që ishte supozim i saktë!), sillem për të katër anët e kulmit. Natyrisht, përqendrimi ishte gropa e kraterit mbi të cilën mblidhej terë vështrimi, pikëllimi dhe mallkimi për ditën dhe çastin e lig, dramatik, që kishte ndodhur fatkeqësia dhe ajo kishte mbirë aty, (vaftë në të ligën më gjithë te!). Plagë në tokë (dhé) të lagjes Ustali – plagë, shumë herë më e madhe, në zemrat dhe në shpirtrat tanë! Mbasandaj ia hedh një vështrim terë lagjes. Gjithkah, krejt ç’ka merrte shikimi, ishte një kantier ndërtimi dhe rindërtimi. Gjithkund ndërtoheshin shtëpi të reja, të mëdha, moderne, si në Zvicër, si në Francë… Gjithkah jehonë makinash, gjithkah ndërtim. Gjithkah rikuperim. Gjë që më se miri dëshmonte stabilitetin e paluhatshëm, forcën dhe gatishmërinë e qeverisë aktuale të Shqipërisë, për t’u përballuar me çdo fatkeqësi edhe të përmasave edhe më të mëdha, ruana zot! Eh, medet, sikur një gjë e tillë, një sanacion i tillë, të ishte i mundur edhe kur është në pyetje jeta e njeriut, vrasja, lëndimi, gjymtimi, dhembja dhe trishtimi i tij, çdo gjë do të ishte në rregull. Do të groposej. Do ta përpinte dheu i harresës. Por, jeta dhe trishtimi (shumë i madh se i zonjës Shnajder, të filmit!), nuk sanohet, nuk rikuperohet dhe kompensohet!, më asgjë (i 26 viktimave njerëzore) medet!
Në shtegtim të shkurtër, takohemi edhe me disa banorë të lagjes Ustali. Ndër të tjerë, edhe me tridhjetë e dy vjetarin Luftim Gërdecin, fytyrën e të cilit, gjithmonë të trishtuar, sikur qarte e kujtonim nga ekranet televizive, kur rrëfente për bashkëshorten që kishte shpëtuar, gjallë e për gazep, me gjysmë trupi të djegur. Si Luftimi vetë, ashtu edhe të tjerët, nuk kishin dëshirë as fuqi të flasin. Ata ishin në pik të punës. Flamujt kuqezi që iu valojnë mbi kokë, në kulmet e shtëpive të reja në ndërtim, thua se shpalosin mesazhin: ec e mos pengo!
Si për ironi, ç’koincidencë njëmend, sonte, natën e fundit të Festivalit të filmit në Durrës, shfaqeshin dy filma artistikë, me fjalën, me temën trishtim brenda tyre, “Ahlaam Dreams”, bashkë krijim irakian – britanik dhe filmi artistik shqiptar – çek, “Trishtimi i zonjës Shnajder”! Sa do i madh që ishte trishtimi që shpalosnin këta dy filma bashkë, nuk ishte as sa njëmijta pjesë e trishtimit, të shtresuar (e dyndur) në zemrën time dhe të çdo shqiptari që e do Shqipërinë dhe që, asaj ia dëshiron të mirën, faqen e bardhë.

(Prishtinë, 7 shtator 2008)

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu