ARKIVI:
19 Nëntor 2024

Kryetari Glauk Konjufca: BE-ja nuk e përmbushi premtimin për liberalizimin e vizave

Shkrime relevante

Shpërndaj

Prishtinë, më 04. 11. 2021

Komunikatë për media

Kryetari Glauk Konjufca: BE-ja nuk e përmbushi premtimin për liberalizimin e vizave

Komisioni Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë, mbajti takimin VII

Nën udhëheqjen e përbashkët të znj. Mimoza Kusari-Lila, kryetare e delegacionit të Kosovës, si dhe z. Romeo Franz, kryetar i delegacionit të PE-së, Komisioni Parlamentar për Stabilizim Asociimi, pas dy vitesh, mbajti sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës takimin e radhës.

Kryetarja Kusari-Lila, pasi hapi takimin dhe falënderoi të pranishmit, kërkoi që të intensifikohet raporti i të dyja paleve. Sipas kryesueses Kusari-Lila, rruga drejt BE-së është e pakontestueshme dhe dëshirë e pareshtur e qytetarëve të Kosovës.

Për t’i uruar mirëseardhje delegacionit në fjalë, para të pranishmëve fjalën e mori kyetari i Kuvendit, z.Glauk Konjufca, i cili shpalosi gjendjen aktuale të raporteve në mes të Kosovës dhe BE-së.

Duke trajtuar kronologjikisht procesin dhe hapat që Kosova ka ndërmarrë drejt arritjes së objektivave që ndikojnë direkt në integrimin evropian, kryetari Konjufca shprehu gatishmërinë e plotë të Kuvendit për të shtyrë përpara të gjitha çështjet që lidhen me këtë proces.

Ai po ashtu tregoi se ka pasur edhe ngecje në zbatimin e plotë të objektivave të marrëveshjeve të arritura deri më tash, për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe mungesës së stabilitetit të skenës politike në Kosovë.

Kryetari Konjufca theksoi se Kosova tashmë ka hyrë në fazën e mesme të periudhës kohore të zbatimit të MSA-së, por arritja e objektivave që burojnë nga kjo marrëveshje, sipas tij, kërkon ende shumë punë.

Duke folur lidhur me procesin e integrimit evropian, kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se pika më kritike e kredibilitetit aktual të BE-së ka të bëjë me strategjinë e zgjerimit. Ai nënvizoi se sa më shumë që zgjerimi iu ka afruar Ballkanit, aq më shumë është ngadalësuar ai.

“U bënë tetë vite nga koha kur shteti i fundit iu bashkua BEsë. Nuk mbaj mend këtë dekadën e fundit që koncepti i zgjerimit të ketë qenë në krizë më të thellë se sot. Mungesa e një vizioni të guximshëm e të qartë po i prodhon dy pasoja të rrezikshme këto vitet e fundit. Së pari krijimin e një hapësire për projektet alternative që vijnë nga bota jodemokratike si Rusia e Kina. Dhe së dyti, fuqizimin e liderëve euroskeptikë në rajon, të cilët BE-në e shohin si projekt pa perspektivë dhe ngarendin ta përmbyllin agjendën e tyre etno-nacionaliste siç po e shohim këto ditë në Bosnje dhe Hercegovinë”, theksoi kryetari Konjufca.

Ndër të tjera, kryetari Konjufca shpalosi edhe qëndrimet e tij lidhur me mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke përmendur se BE-ja nuk e ka përmbushur premtimin e dhënë dhe se pikërisht kjo dëmton kredibilitetin e insitucioneve evropiane në sytë e qytetarëve të izoluar.

“Republika e Kosovës është fuqishëm e përcaktuar për BE-në dhe ne nuk kemi projekt tjetër alternativë. Ne as nuk e shantazhojmë BE-në, as nuk e përgjërojmë. Ne duam ta meritojmë atë, me punë, me reforma dhe angazhim konkret për drejtësi dhe barazi”, tha gjatë fjalës së tij kryetari Konjufca.

Në vazhdim, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, duke iu drejtuar të pranishmëve, u shpreh se Qeveria të cilën ai e udhëheqë është e përkushtuar në intensifikimin e zbatimit të kritereve dhe përmbushjen e reformave të BE-së. Ai gjithashtu përmendi të arriturat themelore krahas kërkesave të BE-së deri më tani.

“Kemi intensifikuar luftën kundër korrupsionit. Do do të rrisim barazinë dhe do ta ngrisim mirëqenien sociale. Kemi rishikuar dhe miratuar planin e veprimit të agjendës për reformën europiane, Era 2”, theksoi kryeministri Kurti.

Në fjalimet hyrëse, fjalën e mori edhe zëvendëskreministri, Besnik Bislimi, i cili listoi disa prej të arriturave që Kosova ka shënuar gjatë këtyre viteve të fundit duke theksuar në mesin e tyre menaxhimin e pandemisë globale covid-19, me ç’rast falenderoi BE-në dhe SHBA-të për ndihmën e pazëvendësueshme në furnizim me vaksina.

Ai theksoi se në Kosovë po vazhdohet të punohet dukshëm në ngritjen e mirëqenies sociale, dhe se përveç kësaj Kosova ka shënuar përparim edhe në reformat që kërkohen nga marrëveshja e stabilizim asociimit.

Takimi vijoi me fjalimin e shefit të Zyrës së BE-së, Tomáš Szunyog, i cili tha se puna ndërparlamentare është element i rëndësishëm mes BE-së dhe Kosovës. Si rrjedhojë, ai u shpreh se është i lumtur që komisioni është takuar pas dy vitesh.

Megjithatë, Szunyog kërkoi nga deputetët e kësaj legjislature që të punojnë akoma më shumë drejt integrimit në BE. Njëkohësisht u shpreh pozitivisht sa i përket mbështetjes së anëtarëve të tjerë të BE-së ndaj Kosovës dhe rrugëtimit drejt familjes së madhe evropiane.

Ndërsa kryetari i delegacionit të PE-së, Romeo Franz, shprehu mirënjohje të thellë për takimet e realizuara deri më tash të këtyre dy delegacioneve, duke i konsideruar ato si gurëthemel të raporteve mes Kosovës dhe BE-së. Jostabilitetin politik dhe ndikimin e pandemisë globale ai i konsideroi si faktorë ndikues në pamundësimin e takimeve më të shpeshta mes delegacioneve e rrjedhimisht edhe si faktorë pengues në arritjen e reformave të plota evropiane nga ana e Kosovës.

Por, përkundër kësaj, ai theksoi se Kosova nuk ka pse të ndihet e lënë anash, pasi që ka vëmendjen e Parlamentit Evropian dhe se BE-ja është aleat i palëkundur i Kosovës. Sipas tij, mos arritja e liberalizimit të vizave, përveç që dëmton qytetarët e Kosovës, dëmton edhe reputacionin e BE-së, që ka dhënë premtim në finalizimin e kësaj çështjeje. Andaj, ai i inkurojoi institucionet e Kosovës që të punojnë sa më shumë në këtë aspekt.

Kurse, Viola Von Cramon-Taubadel, nga Parlamenti Europian, tha se dialogu është i rëndësishëm për të pasur rezultate pozitive. Sipas saj, e rëndësishme gjithashtu është që të ketë përfshirje diverse dhe sa më konstruktive. Ajo inkurajoi gratë dhe grupet minoritare që gjithashtu të jenë pjesëmarrëse në dialogun Kosovë-Serbi.

Përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës, deputetët Haki Abazi, Armend Muja, Abdullah Hoti dhe Pal Lekaj, vazhduan tutje me diskutim të hapur. Në adresimet e tyre ata trajtuan temën e dialogut Kosovë-Serbi, liberalizimin e vizave, Marrëveshjen e Gjelbër, emigrimin etj.

Ata kërkuan nga anëtarët e Bashkimit Europian të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në të gjitha aspektet, derisa të arrihet anëtarësimi në BE.

Takimi do të vazhdojë nesër në orën 9:00. ​

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu