Luksemburgu bashkëpunon me UNDP, OBSH dhe UNV për një Kosovë të shëndetshme 2
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Vullnetarët e OKB-së (UNV), lansuan projektin Kosovë e Shëndetshme 2, i cili do të fokusohet në ndotjen e ajrit dhe ndikimin e tij në shëndetin e njeriut, dhe promovimin e një shoqërie që i bën ballë kërcënimeve mjedisore që i bëhen shëndetit .
Projekti, i financuar bujarisht nga Dukata e Madhe e Luksemburgut me 930,000 euro për dy vitet e ardhshme, bazohet në rezultatet e suksesshme të arritura gjatë projektit Kosovë e Shëndetshme 2018-2020 dhe do të vazhdojë më tej promovimin e shëndetit mjedisor.
Ngjarja mblodhi së bashku palë të interesit, partnerë dhe mysafirë dhe ofroi një platformë e cila theksoi arritjet kryesore të projektit Kosovë e Shëndetshme 1 dhe prezantoi objektivat e fazes së dytë, Kosovë e Shëndetshme 2 duke angazhuar palët kryesore të interesit në një dialog interaktiv mbi lidhjen shëndet-ndotje.
Në fjalën e saj të hapjes, Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson theksoi: “Të bësh mjedisin një prioritet ndërsektorial në të gjitha veprimet është një urgjencë për sistemin e OKB-së, siç pasqyrohet në Fushatën aktuale të Veprimit për Klimën në Kosovë. Prandaj ne jemi krenarë që sot, mu në kohë të duhur, lansojmë fazën e dytë të projektit Kosova e Shëndetshme – një nismë e përbashkët e OKB-së e mbështetur nga Dukata e Madhe e Luksemburgut – që ka shërbyer si një thirrje zgjimi dhe avokues në ngritjen e vetëdijes për lidhjet shumë të ngushta ndërmjet një mjedisi të shëndetshëm dhe shëndetit të njeriut përmes angazhimit dhe mobilizimit të komuniteteve, të rinjve dhe organizatave të shoqërisë civile.”
Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së theksoi: “Në Kosovë, si në shumicën e vendeve, përmirësimi i cilësisë së mjedisit dhe rrjedhimisht shëndetit të njerëzve, është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Duke mos u kujdesur për mjedisin që na rrethon, ne nuk kujdesemi për veten. Dhe ne të gjithë kemi një rol të rëndësishëm në këtë fushë– si individë, institucione dhe duke punuar së bashku.”
Dafina Gexha Bunjaku, ushtruese e detyrës së Ministres së Shëndetësisë shprehu përkushtimin e saj për mbështetjen e projektit: “Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që të sigurojë një partneritet të fortë gjatë gjithë zbatimit të projektit, si dhe nismave të ngjashme në të ardhmen, dhe do të ketë përkushtim të plotë në procesin e ngritjes së kapaciteteve, koordinim, dhe zbatimin e përbashkët të Kosovë e Shëndetshme”.
Natacha Gomez, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Luksemburgut, theksoi se puna e përbashkët e agjencive të OKB-së ka një potencial të madh për të krijuar ndikim: “Zbatimin e përbashkët të projetit nga agjencitë e OKB-së, Luksemburku e sheh si një forcë thelbësore të projektit. Duke punuar me UNDP-në – me ekspertizë në mjedis, OBSH-në – që është organizata udhëheqëse globale shëndetësore dhe UNV-të – për të angazhuar komunitetin, ne jemi në një partneritet të fortë me potencial të madh për të krijuar ndikim”.
Ngjarja u përmbyll me një prezantim mbi qëllimet e projektit Kosovë e Shëndetshme 2 nga UNDP, OBSH dhe UNV dhe një sesion interaktiv i cili ishte një mundësi për pjesëmarrësit që të diskutojnë temat e përgjithshme.