Don Lush Gjergji, Prishtinë
Shënë Nënë Tereza: “E kam në zemër popullin tem Shqiptar”
Bisedat me Shën Nënën Tereze, DRITA, 2019; Conversazioni con Madre Teresa, Velar – Edizioni Dottrinari, 2021
(111 – vjetori i lindjes, pesë vjetori i shenjtërimit)
Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht 1910, atëherë kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës, nga prindërit shqiptarë katolikë Kolë Bojaxhiu dhe Drane, lindur Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës.
Ajo është fryti më i bukur i krishterimit lashtësor dhe martir, prej kohës së Shën Palit dhe nxënësve të tij, në popullin tonë dikur ilir dhe arbëror, sot shqiptar.
Jemi ndër popujt e rrallë, që kemi “mozaikun e feve”, krishterimit dhe islamizmin, gjithnjë të hapur për dialog ndërfetar, duke jetuar dhe vepruar vëllazërisht dhe bashkarisht, si shqiptarë dhe besimtarë monoteistë, model për botën e sotme, me këtë vëllazëri të dyfishtë.
Pas 16 veprave kushtuar jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, ja edhe botimi im i 17 -të, me titull ”E kam në zemër popullin tem Shqiptar”. Pse ky libër i ri për Shën Nënën Tereze?
Çka pashë, dëgjova, përjetova për së afërmi me Nënën Tereze, atë po ua dhuroj edhe juve, që të jeni disi “pjesëmarrës” në këtë risi dhe mrekulli të shekulli XX, edhe më tepër, të shumë shekujve, të njerëzimit dhe krishterimit.
Ky botim është shumë burimor, i rrallë, mjaft i dalluar, një lloj “Ungjilli sipas Nënës Tereze”, apo “Ungjiili i pestë”, sepse botohen si tërësi: 7 intervista të saja ekskluzive, 6 më mua dhe një me Mons. Nikollë Minit, pesë vizitat e saja në Kosovë (1970, 1978, 1980, 1982, 1986), fjala e rastit të Nënës Tereze nga “Katedra e Paqes” dhe përshtypjet, përjetimet, përvojat e mia me të gjatë gjithë këtyre viteve, 1969 – 1997.
Çfarë risie sjell ky libër? Atë që Shën Nëna Tereze ka thënë në kohë dhe në hapësira të ndryshme; atë që ajo na ka lënë si testament – amanet shpirtëror; atë që ajo ka dhënë e mbjellë në ndërgjegje, shpirt, mendje, zemër dhe në jetën tonë, që të jemi bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës sonë të madhe.
Prandaj, dëshira ime është kjo: mbarë populli Shqiptar, por edhe popujt dhe vendet tjera, që sa ajo ishte e gjallë dhe ndër ne, nuk kanë pasur mundësi ta shohin, dëgjonin, përjetonin për së afërmi, tani nëpërmjet teksteve, fotografive, dorëshkrimeve burimore, leximeve dhe meditimeve, ta njohim Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Bijën, Motrën, Nënën tonë, tashmë edhe Nënën e mbarë njerëzimit, me këto synime dhe qëllime:
Për ta njohur atë si vërtet ishte dhe është, sidomos në lidhje me Popullin dhe Kishën tonë;
Për ta nderuar dhe falënderuar për dëshmi të mrekullueshme të historisë, lashtësisë, autoktonisë sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, që na ngriti edhe ne në piedestalin e Nobelizmit dhe të Shenjtërisë; veçmas me ata të vuajtjes, pësimit, mjerimit, vetmisë, mungesës së kujdesit dhe të dashurisë;
Për ta dashur dhe imituar, në mirësi dhe dashuri, së paku në rrethe tona personale, familjare dhe shoqërore, apo si do të na thoshte ajo me gojën dhe zemrën e saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe “vepra të vogla me dashuri të madhe”;
Për të krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, shtylla këto pa të cilat jeta s’ka kuptim: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”; “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.
Për ta mësuar artin e jetës dhe të dashurisë, apo për t’i përngjarë Nënës së madhe, sipas parimi: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.
Për t’iu lutur dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësimin e saj te Zoti, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë dhe të lumtur.
Me një fjalë: unë atë po ia kthej Kishës dhe Popullit tonë Shqiptar, në një mënyrë edhe mbarë Kishës katolike dhe botës, sidomos të varfërve ndër më të varfër, të gërbulurve, atyre që janë në buzë të vdekjes, “Nënën time Tereze” duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, bashkime, mendime, porosi, fotografi, dorëshkrime, që çdo njeri i mendjes së hapur, zemrës së mirë, në Shenjtëreshën tonë ta ketë një model jete dhe veprimi, një frymëzim feje dhe dashuri, një ndërmjetëse të fortë dhe të dashur për hapat tanë jetësor në të tashmen dhe në të ardhmen.
Kjo trashëgimi, dhuratë, si shpërblim flijimi dhe martirizimi shekullor, si dëshmi e krishterimit ndër ne, të Ungjillit dhe traditës tonë, duhet gjithnjë të përkujtohet dhe kurrë mos të harrohet.
Risitë e jetës dhe veprës së Nënës Tereze
Nënë e dashurisë universale, si është Zoti krijues dhe shpëtimtar i çdo njeriut; si është jeta, dhuratë dhe mundësi për çdo njeri; si është dashuri, burimi gëzimi, lumturie dhe pavdekësie, amshimi.
Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës:
• tradita dhe përvoja kombëtare ilire, arbërore dhe shqiptare, që mbështetet në këtë parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”;” Mirë së të ka pru Zoti!”…
• si dhe përvoja dhe jeta e dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, kur Jezusi identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjlit, e bëtë për mua” (Mt 25, 40).
• Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë, që ka dy burime të pashtershme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllain apo motrën Njeri. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur dhe zbatuar një vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, agnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.
Kontemplative – aktive, gjithnjë dhe gjithçka me Zotin, për Zotin, si dhe me njeriun dhe për njeriun, pa i ndarë apo përjashtuar kurrë nga jeta dhe veprimtaria. Ky “dualizëm” – Zoti dhe Njeriu apo Njeriu dhe Zoti – kanë krijuar te Nëna Tereze harmoninë e mrekullueshme nëpërmes fesë dhe dashurisë gjithnjë në kërkim dhe në veprim.
Papa Françesku për Nënën Tereze në Shkup ndër të tjera tha : “Uri për bukë, uri për vëllazëri, uri për Zotin. Si e njihte kaq mirë Nëna Tereze këtë uri, ajo që ka dashur që jetën e saj ta themelonte në dy shtylla: Jezusi i mishëruar në Eukaristi dhe Jezusi i mishëruar në të varfër. Dashuri që marrim dhe dashuri që dhurojmë. Dy shtylla të pandashme që e kanë karakterizuar ecjen e saj, e kanë lëvizur, edhe ajo me dëshirë për ta shuar etjen dhe urinë e Tij. Ka shkuar te Zotëria dhe në të njëjtën kohë ka shkuar te vëllai i nënçmuar, i padashur, i vetmuar dhe harruar; ka shkuar te vëllai dhe e ka gjetur fytyrën e Krishtit… “ (Shkup, 7 maj 2019).
Shenjtëresha e Jetës dhe Dashurisë: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”; sidomos mbrojtjen e jetës së fëmijëve të pa lindur, njerëzve të dëbuar dhe të përjashtuar, të varfërve ndër më të varfër, të gërbulurve, të moshuarve, të atyre që gjithnjë pësojnë dhe fare nuk jetojnë, por vuajnë dhe pësojnë. Jeta pa dashuri është vetëm barrë, peshë, kryq, sepse kuptimi i jetës dhe veprimtarisë është Dashuria.
Vuajtja bekim e jo mallkim, duke ia gjetur kuptimin në vuajtjen e motivuar dhe të ofruar, në bashkë-ndarje me Jezusin dhe me çdo njeri. Solidariteti, edhe më tepër, dashuria në veprim është mjekimi universale për çdo të keqe në botë.
Ajo thoshte kështu: ”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim”.
Dhurim falas dhe në tërësi, si risia e pestë e Nënës Tereze, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe me falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëje këtë punë me zemër, ose mos e bëj aspak!”
Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.
Shën Nëna Tereze lutu për Popullin tonë Shqiptar dhe për botën mbarë!
Don Lush Gjergji
Veprat e Don Lush Gjergji-t kushtuar Nënës Tereze:
Nëna jonë Tereze, shqip, 1980; 1990; kroatisht, 1982; 1990; sllovenisht , 1983; italisht, 1983; 1985, 1988; frëngjisht, 1985; spanjollisht, 1988, 2016; hungarisht, 1990; anglisht, 1992.
Lule për Nënën, shqip, 1986; italisht, 1987.
Dashuria në vepër: Nëna Tereze, shqip, 1992; kroatisht, 1995.
Gonxhja jonë – Nëna e botës, 1998.
Madre della carità, italisht, 1990, ribotohet për çdo vit; anglisht, 1991; 2010; frëngjisht, 1993; spanjolisht, 1993, 2010; polakisht, 1994; gjermanisht, 1995; shqip, 2000; 2010; kroatisht, 2007; sllovenisht 2009.
Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, Poezi dhe Uratë, zgjodhi: Dr. don Lush Gjergji, 1998; 2000.
Vivere, amare, testimoniare, La spiritualità di Madre Teresa, dy vëllime, italisht, 1995, ribotohet për çdo vit; anglisht, 1998; polakisht, 1999; shqip, 2016.
Živjeti s Kristom, kroatisht, 1997.
Ljubiti s Marijom, kroatisht, 1997.
Svjedočiti s Crkvom, kroatisht, 1998.
Zraka Božje Ljubavi, kroatisht, 1998.
Madre Teresa, L’amore in azione, italisht, 2002; 2003, 2007; 2009; polakisht, 2002; 2003; litvuanisht, 2003; anglisht 2008; 2010; shqip, 1992; 2010.
Bog ljubi danas preko nas, kroatisht, 2003, sllovenisht, 2009.
Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë, shqip, 2010; italisht, 2010; anglisht, 2010; polakisht, 2010; rumanisht, 2010.
Jeta, Dashuria, Dëshmia. Përshpirtëria e Nënës Tereze, 2016
Shenjtëresha e Dashurisë. Prej Shën Palit te Shën Nëna Tereze, italisht, shqip, kroatisht, 2017.
E kam në zemër popullim tem Shqiptar, 2019.