ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Të bashkohemi në Alternativen e re politike

Shkrime relevante

Broçkullat e Albin Kurtit, trimërim për neootomanët…!

Belisar Jezerci, historian ____ Deklaratat e kryeministrit Kurti në medrese "Alauddin" në Prishtinë,...

O Stano, zëdhënësi i Serbisë, Kosovës nuk ka çka t’i duhet integrimi europian “me Serbi” brenda saj!

Gani I. Memeti Zëdhënësi i BE-së ka thënë se çështja e institucioneve...

Lirim Mhehmetaj dhe fjalori i tij trashaman…!

Afrim Caka, Gjakovë ___ …SE MOS E KA PARË DIKUSH TË JETË SKUQUR...

Popesku, turpi bije mbi ata që në shtëpinë e vet i sulmojnë mysafirët…!

Gani I. Mehmeti Në minutat shtesë, tifozët vendas nisën thirrjet raciste, me...

Shpërndaj

Florim Zeqa  

Që nga paslufta, në Kosovë ka filluar rrënimi i së ardhmes në shtetin e lirë me vrasjen dhe eliminimin e intelektualëve dhe njerëzve me kredibilitet moral dhe njerëzor, i vazhduar në heshtje pas rishpalljes së pavavësisë së 17 shkurtit 2008, me rrënimin e vlerave të mirëfillta të lirisë, me uzurpimin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe publike. Për të vazhduar më pas në mënyrë sistematike me injorimin dhe largimin nga skena politike të vlerave të mirëfillta intelektuale dhe njerëzore.

Rrënim sistematik i shtetit dhe vlerave njerëzore

Një dukuri e tillë ndodhi qeveri pas qeverie dhe vazhdon edhe në ditët e sotme, kur bëhen shkarkime (linçime) dhe emërime krejtësisht politike, sipas preferencave partiake, lidhjeve nepotike dhe korruptive, e jo sipas kriterit vlerësues të punës dhe kualiteteve njerëzore apo të përgatitjes profesionale të individit.

Përmasat rrënimit të shtetit janë në rritje këtyre viteve të fundit, ku si rezultat i kapjes së tmerrshme të shtetit nga grupet politike të interesit të lidhura me oligarkët e fuqishëm ekonomik, kemi degradim total të sistemit të drejtësisë, kur kjo e fundit, në vend që të vendosë drejtë dhe në dobi të palëve të dëmtuara, e merrë anën e parasë duke i shpallur të pafajshëm hajdutët dhe kriminelët, huliganët dhe vandalët, dhe jo vetëm kaq, ata më pas edhe shpërblehen me poste të larta shtetërore.

Para dite në gjykatë, pas dite në institucione

Kësisoji ata që deri dje i shinim në bankën e të akuzuarëve për vandalizëm dhe si rrënues të institucioneve, sot i shohim me majat e institucioneve të shtetit!

Por e keqja nuk merr fund këtu, si produkt i vetëdijës së ulët qytetare, pikërisht hajdutët, kriminelët dhe vandalistët dalin ndër më të votuarit në zgjedhjet nacionale dhe lokale!

Të gjithë prijësit e partive dhe nismave politike në Kosovë janë milionerë dhe supermilionerë që nuk e kanë hallin e shtetit e as të qytetarëve, por si të ngriten në poste shtetërore dhe si të pasurohen në mënyrë të paligjshme, si të punësojnë familjarë dhe militant partiakë nëpër institucione shtetërore.

Është sa e dhimbshme, po aq trishtuese të shohësh veprimtarë dhe atdhetarë të shquar të mërgatës të rreshtohen pas partive të dështuara dhe figurave të ricikluara politike, pas milionerëve dhe matrapazëve që u pasuaruan me paratë tona dhe djersën e qytetarëve të Kosovës.

Interesi personal e ka dëmtuar interesin e përgjithshëm

Shtrohet pyetja, çfarë po ndodhë me ne kështu, e jemi i njëjti popull, i cili përgjatë viteve ’90-ta, të okupimit klasik të Serbisë që nuk bënte gara për të përfituar, por bënim garë cili po bëjmë më shumë e më mirë për çlirimin e vendit dhe të mirën e qytetarë!?

Dominimi i personales në raport me interesin e përgjithshëm e ka rrënuar në themel bërthamën tonë shoqërore dhe kombëtare.

Vrapimi i politikanëve pas interesit personal, gjegjësisht tendenca e grabitjes së posteve shtetërore pa asnjë meritë dhe më pas zhvatja e buxhetit të shtetit pa asnjë mëshirë, ka bërë që të bie interesimi i qytetarëve për të ardhmën e tyre në shtetin për të cilin kanë pritur gjatë dhe sakrifikuar jashtëzakonisht shumë.

Ngulitja në mendjen e qytetarëve për largim nga vendi si i vetmin shpëtim nga rrënuesit e shtetit, e ka bërë akoma më të pashpresë dhe të pasigurtë të ardhmen e shtetit të Kosovës.

Vërtetë, Republika e Kosovës është shndërruar në shtet pa përspektivë, ku rrënohet çdo vlerë dhe çdo shpresë për ardhmëri në këtë vend.

Politikanët e papërgjegjshëm, e të gjitha llojeve e ngjyrave janë përgjegjësit kryesor të mungesës së zhvillimit ekonomik, pabarazisë qytetare dhe drejtësisë selektive, ku të fortët e politikës gjithmonë ngadhnjejnë mbi ligjin dhe drejtësinë!

Kjo klasë politike, pa dallime pushtet dhe opozitë janë përgjegjës pse sot Kosova, vendi më i pasur në rajon nuk ka përspektivë të zhvillimit ekonomik, janë shkaktar të kaosit urbanistik, janë rrënues të sistemit shëndetësor dhe atij arsimor, e të mos flasim për kulturën, ku sot në vendin tonë më shumë dominojnë kulturat arabo-aziatike sesa ato kombëtare, më shumë dominon lakuriqëllëku sesa traditat kombëtare!

Politikanët e papërgjegjshëm janë bërë rrënuesit e shtetit, kurse qytetarët me përkrahje janë kthyer në ndihmës të tyre!

Alternativa e re politike e largon të keqën e madhe

Vetëm Alternativa e re politike mund ta shpëtoj vendin nga përbindëshat politik dhe uzurpatorët e shtetit në përgjithësi. Vetëm një Alternativë e re politike do ta nxjerrë Kosovën nga varfëria dhe do ta shpëtojë nga përbindëshat politikë.

Sa më parë që të bashkohemi në Alternativen e re politike, aq më e afërt do të jetë dita e ktheses së madhe dhe ndryshimeve pozitive në vendin tonë. Zgjatja e jetës kësaj klase politike do të thotë vdekje e ardhmërisë së shumë gjeneratave në Kosovë.

I mirëpres të gjithë ata që janë të gatshëm të rreshtohen vullnetarisht në Alternativën e re politike për të mirën e shtetit dhe qytetarëve, pa llogaritur në interesa apo privilegje personale.

Të bashkohemi në Alternativen e re politike për ta dërguar në muzeun historik këtë klasë të konsumuar politike në pushtet dhe opozitë, për t’ia kthyer përfundimisht shpresën dhe dinjitetin qytetarit të vendit tonë, për ta ndarë së bashku të mirën dhe të keqën, gëzimin dhe pikëllimin me njëri-tjetrin në shtëpinë e përbashkët.

P.S.

Ky shkrim nuk ndërlidhet me situatën zgjedhore, por për qëllim ka sensibilizimin e opinionit publik për një rreshtim të ri politik pas zgjedhjeve të 14 nëntorit.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu