Nga Sejdi BERISHA, Pejë
Në vend të përkujtimit për mikun, krijuesin dhe atdhetarin, Zeqir Lushaj
O MIKU IM, PO SI NA LE KËSHTU TË ETUR PËR VEPRËN DHE FJALËN TËNDE TË NGROHTË DHE ME PESHË, QË TASH U SHNDËRRUA NË MADHËSHTI DHE PËRJETËSI TË PËRHERSHME DHE KRENARE…!
Zeqir Lushaj,
Nuk dua as nuk e pranoj lajmin se sot ka ikur njeriu që nuk është matur me peshën as të jetës, as të dashurisë, as të respektit, as të atdhetarisë dhe as me etjen për lumturin e vetë njeriut, të kombit dhe të atdheut. Që në fillim të dhembjeve që më mbërthyen të tërin në ankth, nuk e prisja se ky mik dhe njeri i veçantë do të ikën në këtë mënyrë dhe kaq vetëtimthi. Ndoshta ka bërë kështu vetëm sa për të na lënë neve të ngarkuar përgjithmonë me mallin dhe kujtimin për jetën dhe veprën e tij aq madhështore dhe të ndritur. Por, ikjet kështu e kanë. Sjellin lotin, mallin etjen dhe dhembjen si kujtim të përjetshëm, por edhe si krenari, që i ngjanë yllit që nuk shuhet. Dhe, beso, Zeqir Lushaj, ti, sot në mendjen, zemrën dhe shpirtin tim qëndron si strall, që ma ndriçon rrugëtimin tim, atë pjesë që ka mbetur…
E si të rreshtohen e radhiten të gjitha ato vepra që i lë sermie e dhuratë vendlindjes, atdheut dhe kombit. Si të komentohen ato vepra në të cilat i përjetësove kujtimet dhe ndijimet tuaja për të mirat dhe të ligat që e kanë përcjellë dhe goditur atdheun. Ishe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por shpirti nuk të ishte i qetë pa tokën dhe popullin tënd, pa e prekur dhe shijuar historinë e kombit dhe dhembjet e tij. Vendose dhe ku ktheve përgjithmonë aty ku u linde, aty ku të ka lindur babë, gjysh e stërgjysh, dhe mu në zemër të Bajram Currit, mu në fshatin Gri e përforcove edhe më shumë historinë e këtij vendi të përvuajtur por krenar dhe stoik.
Andaj, Zeqir,
Tash nëpër damarët e gjakut dhe trupit tim qarkullojnë gjithë ato madhështi njerëzore që na i bëre edhe neve pjesë të jetës por edhe detyrim për të mësuar dhe vepruar se si bëhen veprat e mëdha për njeriun. Shtëpia jote gjithmonë u shndërrua në çerdhe bamirëse dhe e sofrës së sinqertë për të gjithë miqtë, që sot e kësaj dite besoj e kanë në kujtim në thellësinë e shpirtit.
Miku im, Zeqir,
Tani më detyrove që ta theksoj me krenari edhe bujarinë dhe njerëzoren e bashkudhëtares sate, Sabrijes, e cila ishte shembull se si pritet dhe nderohet mysafiri, por që ajo në shtator të vitit kaluar iku në amshim, dhe e di se si të është thyer zemra, e di burrërinë tënde se si ka duruar e qëndruar, dhe vërtetë siç kam shkruar atëherë, pesha e dhembjes dhe e krenarisë nuk matet vetëm me vdekjen. Kjo vlen edhe sot për juve, që sikur mëzi paske pritur që t’i bashkohesh edhe në botën e amshuar…!
Kur më patën thënë se ishe i shtrirë në spital, nuk e besoja, sepse ti i ngjanë lisit që rrëzohet, i ngjaje komplet i kështjelle që përbrenda ka një thesar të tërë të historisë, e të cilën prisnim se do na bësh pjesë të një historie të ndritur e cila akoma është duke ardhur…!
Më kujtohet manifestimi që u organizua për familjen tënde bukëdhënëse dhe për fshatin Gri me histori të veçantë. Edhe ai manifestim tregoi shumëçka për familjen tënde nëpër periudha të ndryshme historike e kohore, e që me angazhimin tënd në këtë aspekt edhe ti u bëre pjesë apo lapidar i kësaj historie.
Puna dhe angazhimi yt për afirmimin e vlerave shpirtërore, kulturore dhe historiografike kombëtare ishte i pandalshëm në të gjitha format. Ndërsa, angazhimi në Portalin “Zemra Shqiptare”, ishe vlerë me të cilën i afirmove krijuesit dhe krijimtarinë e tyre në të gjitha fushat letrare, kulturore, shkencore dhe historiografike. Prandaj, është e rëndë dhe e dhembshme ikja jote miku im i shpirtit, z. Zeqir Lushaj!
Andaj, miku im Zeqir,
Ashtu sikurse edhe në shkrimin për zonjën tuaj, të ndjerën Sabrije, po e veçoj këtë mendim: “Jeta dhe vepra e juaj përgjithmonë do të na bëjë krenarë, dhe do të jetë si uji i freskët i krahinës së Tropojës, dhe i fshatit Gri, do ta bëjë krenarë këtë pjesë të Shqipërisë, do të na bëjë krenarë jo vetëm neve miqve dhe shokëve tuaj, por të gjithë njerëzit që të njohën dhe me të cilët së paku njëherë ke kontaktuar…
Të gjitha këto do ta madhështojnë edhe përjetësinë tënde, edhe pse neve na le të etur për veprën dhe fjalën tënde të ngrohtë dhe me peshë.
Kaq, unë për ty me zemër të thyer, Zeqir Lushaj!
(Pejë, e mërkurë 10 nëntor 2021/17:18)
Zeqir e Sabrie Lushaj
________
- Marrë nga: http://www.zemrashqiptare.net/
- Redaksia e portalit Drini i shpreh ngushëllime të thella familjes dhe të afërmve të shkrimtarit Zeqir Lushaj.
- Ngushëllime i shprehim edhe Redaksisë së Zemra Shqiptare, në krye me udhëheqësin e saj Gëzim Marku, bashkëpunëtor i rregullt së cilës ishte i ndjeri Lushaj.
- Shpirti i Zeqir Lushajt, u prehtë në paqe!