ARKIVI:
24 Dhjetor 2024

Jo dhunës, Jo Mobing në familje!

Shkrime relevante

Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024, elegji nga Nikolin Shtjefën Lëmezhi

Nikolin Shtjefën Lëmezhi S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet...

Po përsëritet historia! KQZ-ja (s) ka të drejtë!

Prof. Fadil Maloku, sociolog nga Prishtina Në vitin 2013 (si ish anëtarë...

Kontradikta dhe abuzimi politik i Edi Ramës, dëmton rëndë Kosovën dhe Shqipërinë

Nga: Luan Dibrani Kritika ndaj Edi Ramës dhe Pozita e Qeverisë Shqiptare...

Te Nënëlokja e UÇK -së, NËNË STANA!

Nga: Nusret Pllana BRUS - lagjja Peshter Me bashkëluftëtarin tim Ismet Sylejmani, vizituam...

Vuçiq, Albin Kurti nuk është KQZ!

Gani Mehmeti Pas Reagimit ti kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq me rastin...

Shpërndaj

MOBINGU NË FAMILJE
Në kohën e sotme flitet mjaft për mobingun në vendin e punës apo në shkollë, ndërsa mobingu në familje vazhdon të mbetet akoma një temë tabu.
Për këtë temë është folur shumë pak për arsye të dukjes së “mirë” intakte të familjes në publikun e gjerë. Në kohën e sotme virtuale, në kohën e fotove në facebook, instagram e gjetiu për një moment ke përshtypjen që shumica e familjeve tona jetojnë si grofa…por vallë a transmetojnë këto foto lumturi, harmoni e dashuri në kuptimin e plotë të fjalës. Natyrisht që nganjëherë po, mirëpo tendenca që të dukemi sikur tjetri duke kopjuar e imituar të tjerët, po bën që të dukemi jo vetëm fallco por edhe qesharakë.
Vallë a fshihet prapa këtyre fotove “magjepsëse” një realitet tjetër në familjet tona?.
Vallë a fshihet mobingu brenda mureve të shtëpive tona?
Për këtë problem as vetë ai që shkakton mobing nganjëherë nuk është i vetëdijshëm që viktimën (vëllaun/motrën, burrin/gruan, renë/ vjehrrën etj) është duke e dëmtuar rëndë.
Familja duhet të jetë streha e dashurisë, rehatisë, përkrahjes dhe sigurisë emocionale. Çdo prishje e këtij ekuilibri emocional është me pasoja dhe për psikën e njeriut është e rëndë mu sikurse çdo formë tjetër e dhunës.
Por çka është mobingu në të vërtetë?
Definicion të veqantë nuk ka mirëpo mobing do të thotë agresivitet verbal, dhunë psikologjike sistematike e një apo më tepër personave kundrejt një personi, me qëllim shkatërrimi të dinjitetit dhe imazhit të viktimës .
Çka do të thotë agresivitet verbal?
Do të thotë të ofenduarit, përulja, të folurit keq për personin pas shpinës së tij, përqeshja, kritikimi i përhershëm, sharja, bërtitja me zë të lartë, nënqmimi etj.
E përsëris, MOBINGU ËSHTË POSHTËRIM, ËSHTË ABUZIM EMOCIONAL I RËNDË POTHUAJ NJËJTË SA USHTRIMI I DHUNËS FIZIKE.
Cilat janë pasojat e mobingut?
Mobingu nuk është diagnozë medicinale në vete, mirëpo ata që e ushtrojnë mobingun padyshim posedojnë çrregullime të dukshme mentale sidomos çrregullime personaliteti. Mobingu nuk është diagnozë, mirëpo mund të çojë në sëmundje të shumta trupore, mendore dhe çregullime të sjelljes.
Së pari viktima ndihet e pafuqishme, i rritet ndjenja e dyshimit në vetvete, do të thotë humb vetëbesimin dhe ndjenjën e të qenurit e rëndësishme. Me kalimin e kohës ndihet e humbur, ndjenjat e vetëvlerësimit i shkatërrohen…gjëndje e cila mund të shpie tek crregullimet e ankthit, sulmet e panikës, çrregullime të rënda të gjumit e madje edhe depresion e mendime suicidale.
Cilat janë shkaqet kryesore që sjellin tek paraqitja e kësaj dukurie në familje?
– Stilet e gabuara të edukimit prindëror.
– modelet e komunikimit të dëmshëm nė qift.
– dallimi në fëmijë si p.sh. duke ia mbajtur njërit fëmijë anën më shumë se tjetrit.
Ky selektim në fëmijë mund të ketë pasoja fatale në lidhjen e mëvonshme emocionale të fëmijës me rrethin por edhe me vetë prindin.
Internalizimi i mesazheve të tilla nga prindërit përbën bazë thelbësore në krijimin e mëvonshëm të çrregullimeve neurotike. Çrregullimet neurotike pengojnë pastaj marrëdheniet e shëndosha familjare dhe favorizojnë të bërit qoftë person i cili ushtron mobing ose të qenit viktimë e mobingut. Pra kur fëmija njeh vetëm këto dy personazhe në familje viktimën dhe dhunuesin, automatikisht atë model sjelljeje e njeh si të pranueshëm sepse për fëmijët prindërit janë gjithçka dhe për fat të keq në të ardhmen ata rrezikojnë të kalojë në njërin nga këto dy role.
Një rrezik tjetër nga këto çrregullime është zhvillimi i një marrëdhënie dashuri- urrejtje (marrëdhënie bardh-zi). Kjo do të thotë pasiguria ekzistuese te këta persona rritet edhe më shumë, i atakuari nuk di ta kalojë konfliktin në mënyrë të qetë dhe reagon me tërbim ose në të kundërten duke u munduar që pervojat negative ti harrojë, tenton ti sheh me ngulm vetëm ato pozitive kështu që tenton të sillet me butësi. Kjo është mostra bardhë e zi, pra vie te krijimi i këtij modeli të gabuar të sjelljes me pasojë zhvillimin dhe “pjekjen” e mëtutjeshme të çrregullimit borderline. Pra këtu nuk ka mes të artë. Këtu nuk ka ngjyra kompromisi, këtu ka vetëm dy extreme njëkohësisht.
Mobingu në familje është i shprehur tek të gjithë popujt, dmth edhe tek shqiptarët.
Padyshim mobingu ndodh ndaj personit që është emocionalisht më i brishtë.
Një shembull tipik i mobingut në familjet shqiptare qoftë me dashje apo padashje ndodh sidomos kur p.sh. personi i cili ka kontribuar shumë për familjen martohet, pastaj bëhet baba/ nënë dhe duke qenë se i shtohen obligimet familjare nuk ka më para as kohë si më parë për vëllaun, motrën, hallën, dajën etj. Çka ndodh atëherë?
Atëherë papritmas ai nuk është më i mirë në sytë e familjes, është egoist, është koprrac, është, është, është…
Hidhërimi kalon në përmasa patologjike -> urrejtje-> përbuzje->sharje-> akuza sistematike-> thuren intriga të llojllojshme me qëllim poshtërimi-> fillon një luftë e pamëshirshme psikologjike në stilin e koalicioneve- të gjithë kundër njërit->urrehen madje edhe fëmijët e viktimës të cilët mbesin të përjashtuar sikur vërtet të ishin fajtorë që kanë lindur.
Na ka rënë shumë shpesh të dëgjojmë kur një vëlla nga diaspora ka ndihmuar aq shumë, u ka ndërtuar shtëpitë vëllezërve e në momentin që s’ka dërguar më para nuk ka qenë më i dëshiruar në familje, madje është ushtruar mobing ndaj tij dhe familjes së tij. I atakuari nga mobingu duke u konfrontuar vazhdimisht me akuza ndjehet i frustruar, lënduar, zhgënjyer, emocionalisht është jostabil kështu që mund të reagojë në mënyrë jo adekuate. E gjitha kalon në një rreth vicioz.
Mirëpo nuk janë të rralla rastet tjera të mobingut në familje si p.sh. e burrit ndaj gruas e më rrallë anasjelltas, e vjehrrës ndaj resë ose anasjelltas, e njerkës ndaj jetimit etj.
Viktima cilado qoftë fajësohet për gjithçka, madje edhe për lëshime që objektivisht nuk kanë ndodhur. Shpesh janë të nënçmuara rezultatet e punës së viktimës.
Keqtrajtuesi është i pakënaqur me vetveten, me jetën e tij, ndjen xhelozi. Ky është një person me veti specifike të personalitetit, të një kapaciteti të zvogëluar për dashuri, gëzim, lojë, kreativitet, dhurim dhe ndarje të të mirave me të tjerët. Zakonisht është person me pushtet, me dëshirë të madhe për të pasur edhe më shumë fuqi. Me ushtrimin e mobingut e fsheh pafuqinë në ndonjë sferë tjetër të jetës së vet.
Këtë e bën nga frika e tij personale se nuk do të jetë i çmuar apo se do të bëhet vet viktimë e dikujt. Paaftësinë e vet e fsheh me projekcionin drejt viktimës. I ndërmerr meritat e viktimës dhe manipulon me të. Është dyfytyrësh. Në kontakt me viktimën është jashtëzakonisht i pafytyrë, kurse me të tjerët tenton të duket bujar dhe i hapur.
Kur analizon mobingun në familjen shqiptare, mendon seriozisht se çka është duke ndodhur me vlerat shpirtërore e etiko-morale të shoqërisë sonë.
Për t’i eliminuar të gjitha këto nevojitet shumë për të bërë, dhe atë psikoedukim permanent të prindërve, fëmijëve, mësuesve, shoqërisë në tërësi. Shoqëria jonë ka aq shumë nevoja imediate, e para të zhvishet nga patriarkalizmi i rrënjosur në qëlizat më të thella të trurit por edhe të frenojë me paraqitjen që jemi në hap me botën, sepse kjo tendencë për t’u dukur që jemi “IN” na zhveshi nga normat morale që dikur na shquanin. Neve duhet poseduar identitetin tonë unik që përkon me normat morale dhe poashtu të pasqyrojë një civilizim të mirëfilltë.
Për të pasur një identitet të fortë duhet të mburremi me të arriturat tona, me vlerat tona kombëtare e jo të kopjojmë kultura e sjellje perverse e dekadente që gjithnjë e më shumë po na servohen nga lindja e përendimi.
Mungesa e vlerave në çdo sferë të jetës sonë qon në një çorientim të vërtetë. Këtu fillon e keqja…njerëzit që nuk shohin perspektivë të ndritur kanë tolerancë zero ndaj frustrimit. Ata që ndihen të pushtetshëm pa fije empatie shkelin dhe sundojnë të dobëtin, çoftë në vend pune, familje e gjetiu. Ky është mobingu me t’gjitha pasojat e tij. Ne nuk mundemi tërë jetën ta fajësojmë politikën keqbërëse, ne jemi ata që atyre ua dhuruam pushtetin, mjaft më duke luajtur rolin e viktimës.
Nëse mendojmë që meritojmë një dinjitet ndryshe atëherë duhet të rizgjohemi pikërisht ne, i madh dhe i vogël, secili në mënyrën e vet të bëjmë diçka të mirë për ta shpëtuar substancën tonë.
Platforma “Familja dhe Shëndeti” është duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë drejtim, sidomos në vetëdijësimin e shoqërisë. Por nuk mjafton vetëm kjo, neve na mbetet që këshillat e arta dhe gjithçka të mirë që është plasuar këtu t’a jetësojmë në vepër. Vetëm kështu misioni dërgohet deri në fund. Andaj ta fillojmë këtë mision secili nga familjet tona!
Familja është mburoja e shpirtit. Në atë familje ku ka respekt reciprok, aty ka harmoni e lumturi. Pra duke qenë që familja është celula kryesore e një kombi, atëherë ardhmëriia e sigurtë i takon vetëm atij kombi që e ruan integritetin e familjes. Aty ku ka dhunë e zënka aty shemben themelet e integritetit.
Andaj JO DHUNË, JO MOBING në familje!
_______________
Kjo analizë është shkruar para tre vitesh, por për shkak të përmbajtjes dhe natyrës sqaruese që nuk vjetrohet, botohet në portalin Drini.
Autorja e shkrimit Valbona Hysenaj Miftari është mjeke në specializim për psikiatri dhe psikoterapi në Zvicër.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu