Në shkrimin paraprak, jam munduar të jap pikëpamjen time se përse programi i Qeverisë Kurti II duhet të jetë i fokusuar në krijimin e një ambienti afarist i cili fut dinamizëm mes firmave afariste të vendit. Gjithashtu, jam munduar të vë në spikamë rëndësinë e promovimit të investimeve private (të vendit dhe të huaja) në pajisje dhe ide të reja (teknologjike dhe menaxheriale), si motori kryesor i çdo ringjallje apo rritjes ekonomike. Investimet private në asete kapitale bashkëkohore u mundësojnë firmave ekzistuese të aplikojnë teknologji të reja dhe në këtë mënyrë të riorganizojnë proceset e prodhimit drejt praktikave më të mira globale.
Në krijimin e një mjedisi afarist dinamik, ku mekanizmi i kreacionit shkatërrues (creative destruction) mes firmave është bartës i rritjes edhe ringjalljes ekonomike, politikat publike luajnë një rol të rëndësishëm mbështetës. Një mjedis politik stabil, një gjendje makroekonomike e qëndrueshme – përfshirë politikat që ndikojnë në konkurrencë, hyrjen në treg, financat, taksat dhe rregullativat tjera afariste – promovojnë investimet private dhe inovacionet. Por, kjo nuk është e mjaftueshme. Për shembull, qasja në financa është thelbësore për të mbështetur investimet. Një qasje me e lehtë dhe me kosto më të ulët të kapitalit financiar u mundëson firmave të konkurrojnë në mënyrë efektive në tregun global; u ndihmon atyre të parashikojnë mundësi të reja afariste, si dhe t’i përgjigjen ndryshimeve në kërkesat e tregut.
Programi i qeverisë 2021-2025, e adreson faktorin financiar, por disi në mënyrë jo shumë të qartë. Në program flitet për një Fond Sovran i cili nuk dihet saktësisht se çfarë përmban. A është ky një fond financiar të cilin qeveria do ta shfrytëzojë për të subvencionuar firmat publike si Trepçën apo PTK-në, me qëllim të mbajtjes së tyre në treg, apo ekziston veç si emër që për qëllim ka të fut nën kontroll institucional këto entitete afariste jo-rentabile, kjo nuk është e saktësuar në program. Unë nuk dua të flas më shumë se si do duhej të menaxhoheshin këto firma publike, edhe pse e kam konceptin tim. Mirëpo, është e domosdoshme që edhe Kosova, siç bëjnë ngjashëm disa shtete në rajon, të krijojnë një mekanizëm publik financiar i cili do të stimulonte firmat në rritje të kapaciteteve dhe zhvillim.
Në “programin e ringjalljes”, krijimi i bankës për zhvillim është një ndër objektivat e qeverisë. Nuk e kam të qartë nëse ky objektiv bazohet në analizë paraprake. Megjithatë, siç u tha më sipër, firmat kosovare kanë nevojë për mbështetje financiare më të mirë. Do të jetë e vështirë të zgjidhet modaliteti më i mirë i mundshëm i sistemit financiar, pasi kjo lidhet me strukturën e përgjithshme politike dhe ekonomike dhe ka karakter afatgjatë. Megjithëse çështjet strukturore janë përtej qëllimit të këtij shkrimi, ka disa masa afatshkurtra që mund të kontribuojnë në përmirësimin e situatës financiare në vend.
Së pari, liberalizimi i kushteve të hyrjes së bankave tjera në tregun e Kosovës, përfshirë përshpejtimin e procesit në marrjen e një licence bankare, do të ndihmonte në rritjen e konkurrencës në sektorin bankar dhe potencialisht do të ulte koston e kredisë. Kjo mund të kërkojë reformim të sistemit financiar, përmirësimin e disponueshmërisë së burimeve specifike të financave – të tilla si kapitali sipërmarrës (venture capital) dhe kapitali privat (private equity).
Veprimi i dytë do të ishte formimi i një banke kombëtare të zhvillimit. Ka arsye të mira teorike për krijimin e një banke të tillë. Kjo bankë mund të ndihmojë në kapërcimin e disa prej dështimeve kryesore të tregut. Në veçanti, një bankë e tillë do të siguronte qasje në fonde me kushte më të favorshme sesa bankat komerciale, veçanërisht për firmat e pajisura me kapacitete inovative, për firmat e reja dhe në rritje, dhe do të mbështeste rritjen e numrit të firmave me kapacitet eksportues.
Në dritën e shumë problemeve institucionale dhe qeveritare, krijimi i një banke të tillë mbart disa rreziqe. Kjo sidomos bëhet shqetësuese kur kemi parasysh kulturën autoritare dhe populiste të liderëve politikë. Por, për të qenë efektive dhe gjithashtu për të qenë e lirë nga ndikimi politik, banka do të duhej të funksiononte nën një statut që artikulon qartë misionin e saj dhe siguron që banka të mbajë përgjegjësi për kryerjen e këtij misioni. Për më tepër, për të mbikëqyrur vendimet operacionale në mënyrë të pavarur, banka do të duhej të drejtohet nga një bord i caktuar në mënyrë të pavarur. Ekzistojnë shembuj të mirë praktikë që tregojnë përparësitë e një banke me këtë lloj mandati, siç është Banka Sllovene për Eksport dhe Zhvillim (në shkrimin vijues, fokus i analizës do të jetë reformimi i sistemit arsimor në Kosovë).