ARKIVI:
18 Nëntor 2024

Kosovë-Shqipëri, Presidenti Meta takime në Prishtinë

Shkrime relevante

Raketat e SHBA mund të ndryshojnë tablonë e luftës në Ukrainë: “Mundësi më të mëdha”

Emma Fondenes Øvrebø Marius Medby Ane Mørk Holsen Oliver Bellinder VG Humbje...

Qeveritë Kosovë-Maqedoni e Veriut mbledhje të përbashkët nesër në Prishtinë

-Qeveria e Kosovës sot miratoi nisma para mbledhjes me Qeverinë e...

Shpallen martirë nga Vatikani edhe dy klerikë të tjerë shqiptarë

E shtuna e 16 nëntorit është një ditë historike për Kishën...

Shpërndaj

PRISHTINË, 25 Nëntor 2021/ Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, sot në Prishtinë u prit në takime të veçanta me drejtuesit e institucioneve më të larta të Kosovës, Presidenten Vjosa Osmani – Sadriu, Kryeministrin  Albin Kurti dhe Kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca.

KOMUNIKATAT E DËRGUARA:

PRESIDENTJA OSMANI TAKOI PRESIDENTIN E SHQIPËRISË, Z.ILIR META

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim presidentin e Shqipërisë, z.Ilir Meta.

Duke i konsideruar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të shkëlqyeshme, Presidentja Osmani ka kërkuar nga homologu Meta që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm i Kosovës në organizatat në të cilat vendi ynë nuk është i përfaqësuar.

Presidentja Osmani ka theksuar se është kundër çfarëdo ideje, e cila përpiqet ta trajtojë në mënyrë jo të barabartë Kosovën.

“Kosova nuk mund të bëhet pjesë e iniciativave apo mekanizmave rajonal, poqëse përfaqësimi në këto iniciativa që nga zanafilla nuk është gjithëpërfshirës dhe mbi parimin e barazisë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Duke iu referuar iniciativës Ballkani i Hapur, ajo ka theksuar se nuk mund të mbështetet symbyllur asnjë iniciativë që mund ta rivalizojë apo pengojë procesin e integrimeve në BE dhe orientimin euro-atlantik të rajonit, ku Serbia synon ta ketë rolin kryesor dhe e cila ende nuk e ka njohur Kosovën.   

Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka dëshmuar gatishmëri për vazhdimin  dialogut me Serbinë, porse nuk do të jetë pjesë e asnjë aranzhmani, i cili nuk e garanton sovranitetin, integritetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se së bashku me Shqipërinë duhet të angazhohen për ta përçuar mesazhin në rajon dhe në botë për rrezikun që i kanoset Ballkanit nga politika agresive dhe hegjemoniste e Serbisë.

Më tej, Presidentja Osmani, në vigjilje të Ditës së flamurit, e ka uruar presidentin Meta dhe popullin shqiptar për 109- vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ka theksuar se kjo ditë i bën krenarë shqiptarët kudo që janë. Sipas Presidentes Osmani me Shqipërinë bashkëpunimi i vendosur prej kohësh më shumë fusha do të pasohet edhe me marrëveshje të tjera. Ajo përmendi mbledhjen e dy Qeverive, e cila do të mbahet më 26 nëntor në Elbasan, në të cilën Kosova dhe Shqipëria do të nënshkruajnë 16 marrëveshje të tjera, ndër të cilat ajo për lëvizjen e lirë, shkëmbimin tregtar, fushën e arsimit, drejtësisë apo infrastrukturës.

KRYEMINISTRI KURTI PRITI NË TAKIM PRESIDENTIN E SHQIPËRISË, ILIR META

Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta.

Kryeministri Kurti e njoftoi Presidentin Meta për përgatitjet rreth mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, që mbahet nesër në Elbasan, e ku priten të nënshkruhen rreth 15 marrëveshje.

Teksa foli për menaxhimin dhe situatën aktuale me pandeminë, kryeministri Kurti tha se gjatë muajit nëntor ka pasur 6 raste të vdekjes së të prekurve me COVID 19, deri tani janë administruar 1 milionë e 612 mijë vaksina, me dy doza janë vaksinuar 57 për qind e të rriturve të moshës mbi 16 vjeç, ndërsa me një dozë mbi 64 për qind.

Kryeministri ritheksoi se sipas parashikimit të Bankës Qendrore të Kosovës do të kemi rritje ekonomike prej 9.9 për qind për vitin 2021, ndërsa ky është viti i parë kur në kanalet zyrtare, remitancat e mërgatës pritet të arrijnë shifrën prej 1 miliard euro.

Presidenti i Shqipërisë, z.Ilir Meta, e vlerësoi pozitive transparencën në qeverisje dhe shtoi se duhet më shumë bashkëpunim me biznese, që edhe ata të ndjehen pjesë e qeverisjes.

Duke folur për strehimin e qytetarëve afganë, kryeministri Kurti tha se kemi pranuar 1.341 refugjatë, por aktualisht në Kosovë janë 650 afganë, sepse 691 tashmë janë larguar për në vende të tjera.

U diskutua për bashkëpunimin rajonal dhe iniciativat e reja. Kryeministri Kurti përsëriti qëndrimin se nuk mund të ketë “Ballkan të Hapur” kur Serbia është e mbyllur ndaj Kosovës, nuk ia njeh diplomat, dokumentet e identifikimit, certifikatat e vulat doganore.

Lidhur me dialogun, kryeministri theksoi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të mbetet në fund, por ajo duhet të jetë në qendër të procesit.

Ai kërkoi që Shqipëria ta mbrojë Kosovën nga sulmet e Serbisë në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sidomos ato në të cilat Kosova nuk është anëtare.

KRYETARI GLAUK KONJUFCA PRITI NË TAKIM PRESIDENTIN ILIR META: E ARDHMJA E KOSOVËS ËSHTË NË BE DHE NATO, JO NË INICIATIVAT RAJONALE TË SERBISËKryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca së bashku me këshilltarët, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.Gjatë takimit, ndër të tjera, u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, zhvillimet në rajon dhe procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.

Kreu i Kuvendit falënderoi presidentin Meta për kontributin e madh të shtetit shqiptar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe përkrahjen e vazhdueshme në proceset e saj të shtendërtimit.

Me këtë rast, kryetari Glauk Konjufca përsëriti qëndrimin se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal, por vetëm mbi bazën e barazisë, reciprocitetit dhe përfshirjes së BE-së.Për Republikën e Kosovës janë të papranueshme iniciativat e Serbisë, sikur i ashtuquajturi “Ballkani i Hapur”, që synojnë të anashkalojnë Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. E ardhmja e shtetit tonë dhe e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe në NATO, theksoi kryetari i Kuvendit.

Presidenti Meta konfirmoi zotimin se Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të Kosovës.Kryetari Konjufca dhe presidenti Meta ritheksuan nevojën e bashkëpunimit intensiv dhe bashkërendimit më të ngushtë të politikave zyrtare të Kosovës dhe Shqipërisë në të ardhmen. ​

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu