Në foto: Demonstrata e 27-28 Nëntorit 1968 në Prishtinë – 3 fotografi, mes demonstruesve Behlul Jashari atëherë 15 vjeçar nxënës i klasës së tretë të Shkollës Normale në kryeqytetin e Kosovës
Shkruan: Behlul Jashari, Prishtinë
-Kosova para 53 viteve në demonstrata shqiptare, në prag të ditëfestës së ndaluar të 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe të Flamurit Kombëtar Shqiptar/
-NATA QË BËNTE DRITË – shkrimi im për demonstratat e 27 Nëntorit 1968 në Prishtinë, ku isha pjesëmarrës si nxënës i Shkollës Normale, botuar në Gazetën e rezistencës “Bujku” para 29 viteve në 28 Nëntor 1992/
PRISHTINË, 27 Nëntor 2021/ Para 53 vitesh në Prishtinë e qytete tjera kosovare shqiptarët u ngritën në demonstrata në prag të 28 Nëntorit që festohet tradicionalisht në Kosovë edhe si Ditë e Pavarësisë së Shqipërisë, të shpallur në 1912-tën në Vlorë, edhe si Ditë e Flamurit.
Dita e madhe e gjithë shqiptarëve festohej edhe kur ishte e ndaluar dhe komunikimet si komb ishin shumë të vështira dhe me rreziqe, me sakrifica, me kufirin e hekurt që ndante Kosovën nga Shqipëria.
Në ato rrethana, shqiptarët në Kosovë e në viset tjera etnike nën ish-Jugosllavi në kërkimin e të drejtave kombëtare në prag të 28 Nëntorit 1968 u ngritën në demonstrata të fuqishme gjithëpopullore.
Demonstrata më e madhe ishte ajo e Prishtinës e filluar në orët e pasditës së 27 Nëntorit dhe zgjati deri në orët e para të së nesërmes – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë, me kërkesat për Kosovën Republikë, Kushtetutë, Universitet, që askush të mos luajë me fatin e shqiptarëve kosovarë, e të tjera.
Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 1
Njohësit dhe kronistët e zhvillimeve në Kosovë kanë vlerësuar se, më 1968 filloi ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, me jehonën që paten në botë demonstratat. Shtypi i huaj i dha hapësirë të konsiderueshme ngjarjeve, duke u marrë objektivisht me karakterin thelbësor të tyre, të cilat quheshin shpesh kryengritje shqiptare, ndërsa ishin të ndikuara edhe nga lëvizjet studentore të Evropës.
Në demonstratën në Prishtinë pati një të ri demonstrues të vrarë, ra nxënësi Murat Mehmeti, u plagosën shumë demonstrues, u dënuan mbi 100 veta.
Në Prishtinë, marshi i fillimtarëve të demonstrates, ndër të cilët isha atëherë si nxënës i Shkollës Normale, nisi nga Fakulteti Filozofik (tash Fakulteti Filologjik) dhe në pasditën e mbrëmjen e 27 Nëntorit 1968 mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqytetit të Kosovës përplot demonstrues, shqiptarë që erdhën dhe u bashkuan nga të gjitha anët.
Historianët kanë shënuar se, në vitin 1968 pas demonstratave të organizuara më 6 Tetor në Prizren, më 8 Tetor në Suharekë dhe më 19 Tetor në Pejë, më 27 Nëntor rinia dhe populli shqiptar demonstruan në Prishtinë, Gjilan, Podujevë e Ferizaj dhe më 22 e 23 Dhjetor në Tetovë. Parullat qendrore të këtyre demonstratave që nxorën në rrugë qinda mijëra qytetarë ishin: “Republikë-Kushtetutë”, “Vetëvendosje”, “Kosovë-Shqipni, jemi nji”, etj.
Gazeta Bujku e 28 Nentorit 1992 faqe 5 – shkrimi NATA QË BËNTE DRITË
Ishin këto kërkesa vizionare dhe drejt realizimit nëpër vite. Kosova Republikë dhe e lirë është vullneti e vendimi i popullit të Kosovës, mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vende tjera nga Evropa e bota liridashëse e demokratike. Tash, në 2021-tën, në 53 vjetorin e demonstratave të vitit 1968 Kosova është më shumë se 13 vjet shtet, me pavarësinë e shpallur në 17 Shkurtin historik 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Edhe si kërkesë e demonstratave të vitit 1968, Kosova prej vitit 1974 ka pasur Kushtetutën e vet, e cila i ka siguruar mëvetësi organizative si njësi konstituive me të drejtë vetoje në federatën e atëhershme, nga shpërbërja e së cilës dolën shtatë shtete të reja të rajonit – Kosova, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedona.
Pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën në Mars të vitit 1989 dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, Kosova në vitin 1990 shpalli Deklaratën Kushtetuese në 2 Korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 Shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në vitin 1991, nga 26 deri në 30 Shtator u organizua edhe Referendumi ku kosovarët votuan 99,87 për qind për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur, i cili pasohej me zgjedhjet e para pluraliste, parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, kur President i parë u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.
Sheshi i Demonstratave te Universiteti i Prishtinës
Republika e Kosovës me kushtetutën e vet e institucionet demokratike të zgjedhura atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit të popullit mbi 90 përqind shumicë shqiptare, si edhe pjesëtarëve të komuniteteve pakicë.
Prej vitit 2001 deri në vitin 2008 Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, të miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë defakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Para më shumë se 13 viteve, në 15 Qershor 2008, ka hyrë në fuqi Kushteta e Republikës së Kosovës të njohur ndërkombëtarisht, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Më parë akti më i lartë juridik i shtetit ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në ditën e 9 Prillit, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë.
Dita e Kushtetutës, 9 Prilli, është festë shtetërore, sipas Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, të miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008.
Dekretimi i këtij ligji dhe 40 ligjeve të tjera, të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës, 15 Qershorit 2008. Dekretimin e bëri Presidenti i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë Kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.
Deminstratat në Prishtinë më 27 e 28 Nëntor 1968
Deri në hyrjen në fuqi të Kushtetutës ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës i ka nënshkruar Shefi i Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK-ut.
Në 2021-tën trembëdhjetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur të Kosovës u shënua në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohej 22 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 Qershorin historik të vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe, filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.
Isha në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s, që hynin në Kosovë dhe për Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë raportoja lajmin e madh për shqiptarët e botën se në Kosovë po ndodhëte liria dhe paqja…
Si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare në 1968-tën, pas një viti Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 Nëntor 1969. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 Shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 Shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.
Nga një ekspozitë për demonstratat e vitit 1968 … Foto: Behlul Jashari
Vendi ku nisi marshimi i demonstratës së madhe shqiptare të 27-28 Nëntorit 1968 te Fakulteti i Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) në kompleksin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishina” është emërtuar “Sheshi i demonstratave”…
Në vitin 1968 derisa në Kosovë 28 Nëntori festohej edhe me demonstrata në Prishtinë e qytete tjera me kërkesa për Kosovën Republikë, për Kushtetutë, për Universitet e të tjera për të drejtat e shqiptarëve, në numrin e asaj ditëfeste të gazetës së studentëve “Bota e Re” Ibrahim Rugova, atëherë në vitin e dytë të studimeve, kishte të botuar shkrimin me titull “Pavarësia kombëtare”, me të cilin artikull sikur paralajmëronte nismën e ideve të veta intelektuale e politike, të cilat 20 vjet më vonë, në një kohë shumë të rëndë, do t’i shprehte në mënyrë të qartë dhe konsistente si trinom: Liri, Pavarësi, Demokraci.
Rugova shkruante me rastin e përvjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë nga Ismail Qemali, dhe pasi e quan një nga ditët më të bardha të historisë sonë, vazhdon: “Edhe në këtë tokë të lavdishme janë djegur shpirtrat për liri dhe pavarësi, ende digjen dhe prore do të digjen, gjersa të ndrisë ajo drita flakëruese madhështore, që ngre peshë gjakun e një trungu në çdo stinë të kohës”. Dhe, në përfundim shprehet: “Duam që ta kemi kudo me të vërtetë simbol gjaku, lirie e pavarësie që na shpie më tepër dhe më me hov ndër fitore të reja dhe ngaherë të fitojmë”.
Në prag të demonstratave shqiptare të para më shumë se gjysëm shekulli, gazeta tradicionale Rilindja, që botohej në Prishtinë e me nisje në Prizren në 12 Shkurt 1945 në frymën e Konferencës së Bujanit, ditën e diel të 6 Tetorit të vitit 1968 në ballinë kishte shkrimin me titull “Përdorimi i lirë i flamujve kombëtarë”, që po niste në Kosovë…
Në demonstratat e para 53 viteve në Kosovë në kërkim të lirisë edhe për ta festuar 28 Nëntorin, flamujt shqiptarë me valëvitje si fluturime shqiponjash mbaheshin lart në duar e ngriheshin edhe mbi kulme…
Për ato demonstrata në 24 vjetorin e tyre “Nata që bënte dritë” ishte titulli i shkrimit tim në gazetën “Bujku” të 28 Nëntorit 1992 – të 80 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë, ku në legjendën e fotografisë theksoja: “Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare…”
“Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valonin edhe për Festën e Flamurit që ishte e ndaluar bashkë me flamurin”, përshkruaja pamjet madhështore…Tregoja edhe se si në 28 Nëntorin 1968 për demonstratat shqiptare në Kosovë dhe për Flamurin Shqiptar në ditën e madhe historike kisha shkruar vargje – vjershën “Himni i Flamurit”, të cilën ma botoi gazeta studentore “Bota e Re”…
Shkruaja kështu në gazetën e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.
Nga të gjithë shqiptarët, edhe në demonstrata, përkujtohej e edhe sot e përgjithmonë historia jonë shkruan e flet edhe se Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në Nëntorin e madh 1912 nga fshati Boletin në rajonin e Mitrovicës – nga Kosova me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në Vlorë, Isa Boletini me bashkëluftëtarët nga Kosova përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë Shqiptare të kryesuar nga Kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i Shtetit Shqiptar, firmëtari i parë i Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.
SHKRIMI IM NË GAZETËN E REZISTENCËS “BUJKU” TË 28 NËNTORIT 1992 – NË FAQEN 5:
NATA QË BËNTE DRITË
Kjo rrëfejzë është autentike dhe pa asnjë ndryshim, e rrëfyer dhe e shkruar para njëzet e katër vjetëve, edhe pse tash mund të ngjajë në shpalim kujtimesh.-Për shkak se atëherë ishte i domosdoshëm konspiracioni, rrëfejza ishte pa emrin e rrëfimtarit, dhe kështu është…
Askujt nuk ia dija emrin dhe askend nuk e njihja me përjashtim të njërit. Madje, mbase nuk do ta dija as sa është data sikur të mos e kisha bluar tërë natën e ditën se çka do të jetë ajo: “Në ora katër pas dite, një ditë para 28 Nëntorit…”
Këtë ma kishte paralajmëruar një natë më parë ai që e njihja, që e njihja mirë dhe më njihte mirë. Atë të marte, në përfundim të ditës së pazarit në Prishtinë, tek kishim “dalë të shëtisim” një rruge nëpër terr kah Xhamia e Llapit, mi tha do fjalë që ishin më shumë pëshpërimë, si të m’i thoshte toka: “Shiko, tash po ndahemi…Nësër në ora katër pas dite takohemi në Fakultetin Filozofik. Do të dalim në demonstratë, në prak të Ditës së Flamurit…Për këtë – askujt asnjë fjalë… Mund t’ia thuash vetëm ndonjë shoku shumë të sigurt…” I mora këto fjalë më vete, disi si ti futja shtatë pash në dhe, që t’i fsheh nga bota, nga ata që ndiçnin edhe ëndërrat e njerzëve, dhe u përshëndetëm me natën e mirë…
Nata më dukej tepër e gjatë dhe ishte krejt pa gjumë. Do ta kërkoja nëpër librat e mi, të klasës së tretë të Shkollës Normale, të mësoj diçka për atë “Ditën e Flamurit”, por e dija se kjo është e ndaluar edhe për librat e shkollës sonë. Madje më duhej ta fikja dritën që të nos pengoja gjumin e cimerëve dhe që drita e ndezur në natën e thellë të mos i binte në sy “gazdës”, në bodrumin e te cilit banonim.
Tërë ntën ai që e njihja më rrinte para sysh si një ëndërr me sy çelë, jo vetëm me paralajmërimin e asaj nate të vjeshtës së vonë, po edhe me atë që e kisha parë me sy fëmije, i shashtisur, në një stinë të largët, përcëlluese…Këmbëzbathur qëndoja si një gur që nuk luan vendi dhe me sy të zgurdulluar e shikoja tek hynte në oborrin e shtëpisë me duar të lidhura, madje edhe i shtrënguar fort për krahësh nga milicët. Oborri u mbush plot milicë. Edhe përreth shtëpisë plot milicë. Me armë të gatshme për zjarr. Bërtisnin, flisnin, kërkonin shumëçka që nuk kuptoja. Bastisnin, groponin nëpër oborr, në dhoma, pleme. Nga dheu nxorrën diçka, diçka të qelqtë, të mbyllur mirë…athua çka, çka ka brenda…E morën. Morën edhe libra. E morën edhe të njohurin tim, me duar të lidhura, dhe shkuan. Pasi shkuan dëgjoja tek flisnin njerëzit e shtëpisë: “Në dhe ishte i fshehur flamuri…” Gratë me lotë e burrat me mërrola të mëdha shikonin udhën kah zdirgjeshin milicët që e çonin në burg djaloshin, flamurin… Ai flamur më rrinte para sysh dhe më bëhej se po çlirohej nga prangat dhe po ngritej për Ditën e Flamurit…Dhe, ashtu më çeli drita e ditës së paralajmëruar. Ishte e mërkurë, 27 Nëntor 1968.
Shkova në shkollë. Në të gjitha orët një pyetje e madhe më siellej në kokë: a t’i them dhe cilit shok t’i them për orën katër? T’i them vetëm ndonjërit më dukej se po u bëj një padrejtësi të madhe të tjerëve…Por, si t’i nxjerrë ato fjalë që duhet ruajtur shtatë pash nën tokë. Me shokët fola vetëm që të dalim në korzo para mbrëmjes dhe nëse luan ndonjë film i mirë dhe nëse kemi mundësi të shkojmë ta shohim. Thash vetë më vete, bile le të gjenden në rrugë kur fillojnë demonstratat dhe sigurisht do të bashkohen…
Ora katër pasdite më gjeti si i mbirë në holin e Fakultetit Filozofik. Deri atëherë më dukej gjithëçka e rëndomtë, nuk kishte shumë njerëz siç paramendoja. Po, në atë orë – si të dilnin njerëzit nga toka. Ndër ta edhe i njohuri im, që pasi kishte dalë nga burgu, edhe pse me moshë të shtyrë me vite që i kishte kaluar nëpër burgje, kishte regjistruar dhe filluar studimet. Të gjithë më dukeshin shumë të mëdhenj dhe shumë burrërorë, jo vetëm pse unë isha shumë i ri ndër ta, por për shumëçka tjetër. I njohuri im m’u afrua, ma shtërngoi dorën me “ke bërë shumë mirë që erdhe, tash po nisemi…”
Parullat e shkruara sakaq u gjendën nëpër duar, shpërndanë shpejt, ku ta dish ku ishin shkruar e si ishin sjellë, po m’u duk se vetë mbinë në duart e njerëzve. U nisëm në kolonë. Dorën në zemër, ende nuk e dija fort mirë çka është demonstrata. Megjithatë, e dija mirë pse po dalim dhe se nuk është punë e lehtë të dalim…
Se nuk është lehtë u pa vetëm pas nja njëqind e sa metrave. Pasi kaluam sheshin para Fakultetit Filozofik, ende pa dalë mirë të gjithë në rrugën kryesore, se kah u gjend një milic që doli nga ana tjetër e rrugës kur e pa kolonën e demonstruesve, alarmoi me të shtëna në ajër dhe u përpoq të ndalë kolonën, por – thjesht u shkel nga të parët…
Shpejt e mbushën qytetin parullat e shkruara e edhe të brohoritura: “Duam Universitet”, “Vetëvendosje – Kushtetutë”, “Kushtetutë – Republikë”, “Lironai shokët”, “Poshtë borgjezia e kuqe…” Kolona e demonstruesve rritej e rritej, asaj vazhdimisht i bashkoheshin shumë qytetarë, madje edhe njerëzit që kishin shkuar të falen në xhami dolën e iu bashkuan studentëve, rinisë…Dhjetëra mijëra demonstrues mbushën rrugën kryesore të Prishtinës. Ishin demonstrata shumë të mëdha, por të qeta. Marrim vesh se demonstrata po bëhen edhe në qytete të tjera të Kosovës. Valonin shumë flamuj kombëtarë shqiptarë, valon edhe për Festën e Flamurit, që ishte e ndaluar bashkë me flamurin. Kolporterët shpërndanin numrin më të ri të gazetës studentore “Bota e Re”, që sapo kishte dalë nga shtypi. Parulla “Kosova Republikë” bëhej gjithnjë e më e zëshme. Forcat policore shtoheshin. Shtoheshin kordonët dhe sulmet e tyre, të shtënat e tyre me armë zjarri. Filluan të shtëna edhe nga dritaret e ballkonet e ndërtesave përreth, gjujtjet me saksi, me shishe… Të lënduar, të plagosur. Ata nxirreshin nga kolona për t’iu dhënë ndihmën mjekësore. E, demonstratat nuk ndaleshin, vazhdonin, vazhdonin, madje sa vinte e rritej numri i demonstruesve. Njerëzit vinin edhe nga fshatrat, sapo kishin dëgjuar lajmin për demonstratat në Prishtinë, që u përhap shpejt. Diku afër Shtëpisë së Armatës, tek demonstruesit ishin drejtuar kah Burgu i Qarkut me parullat “Lironai shokët”, midis krismave të armëve, dëgjova: “Na u vra një shok”… Kudo përshkoi dhembja dhe thirrja – LAVDI! Kolona, si e pafund, e demonstruesve, u kthye përsëri anembanë qendrës së qytetit, tash shumë e pezmatuar dhe e mllefosur. Filluan thyerjet e xhamave, rrotullimi i automjeteve të milicisë e e të tjerave. Kisha përshtypjen se muk mbeti xham i dyqaneve të rrugës kryesore pa u thyer… Gurë kishte mjaft – i nxirrnim nga xhadeja. Demonstratat tashmë nuk ishin të qeta. Ishin të përgjakshme… Prishtina, po edhe tërë Kosova po vihej nën shtetrrethim… Dhe, në fund, demonstruesit u kthyen përsëri para Fakultetit Filozofik. Sheshi i gjerë para tij dukej shumë i ngushtë për të zënë gjithë atë masë njerëzish. Kishte propozime: të vazhdojnë demonstratat apo të hyhet brenda në Fakultet dhe të vazhdohet me grevë. Dikur nga megafoni, nga i cili gjatë tërë kohës dëgjohej fjala e demonstruesve dhe e prijësve të tyre, u dëgjua njoftimi-marrëveshja për shpërndarje…
E, çka të bëhej në atë pikënate? Të shkoj në banesë? Jo, jo! Aty është “Gazda” – “Çika Jova”, si i thoshin të vetët. Për të thuhej se ka qenë një oficer i lartë i UDB-ës famëkeqe, i pensionuar pas Plenumit të Brioneve, po që ende e vazhdonte zanatin e vet të zi. Këto mendime m’i ndërpreu takimi me njerëzit e anës sime, të fshatit tim. Po shkojmë në fshat – më thanë. Ishte rrugë e gjatë, mbi njëzet kilometra, duhej të ecnim këmbë dhe ishte natë, por u nisëm. Bashkë me dritën e mëngjesit arritëm. Askush nuk kishte fjetur as në shtëpi. Edhe shumë fqinj ishin aty, ishin bërë bashkë dhe po dëgjonin se çka po lajmëron një transistor që gati krejt i ishin shterë bateritë pse kishte ndejtur ndezë gjithë natën.
Kur na panë u gëzuan shumë. “Tashë ta na tregojnë, s’ka çka na duhet më transistori”, thanë, dhe e fikën. Po, gëzimi i tyre kishte një domethënie shumë më të madhe…
Gjumi më kishte zënë duke shkruar do vargje për demonstratat dhe për flamurin. “Himni i flamurit” ishte një vjershë që ma botoi “Bota e Re”, e ky ishte edhe një perjetim imi shumë i madh.
Ja, kjo është rrëfejza, që si kjo, të ngjashme mund ta tregojnë dhjeta mijëra njerëz, prandaj rrëfimtari mbetet pa emër si vetëm njëri nga të gjithë ata…
Behlul JASHARI
Legjenda e fotografisë që ilustronte shkrimin:
Pas Krujës, Vlorës…edhe në Prishtinë, në demonstratat e vitit 1968, në prag të Ditës së Flamurit, u ngrit flamuri për pavarësinë shqiptare (në mungesë të fotografisë autentike nga këto demonstrate po botojmë këtë fotografi nga demonstratat e mëvonshme)