Dritë Ruhani, Prishtinë
Flamuri
Tregim
Nënë Vera, kishte blerë për secilin fëmijë nga një flamur të vogël. Hektori, i pari, me ta marrë në dorë e shtrëngoi fort për gjoksi e pastaj e puthi në një kënd. E puthën edhe fëmijët e tjerë. Prindërit u kënaqën. Skena ku Isë Boletini, puthi flamurin në Vlorë, dukej se iu kishte lënë të gjithëve mbresa të thella.
– Tezja Verë e xhaxhi Lekë, flamurin, njëjtë si Gjergj Kastrioti e si populli që me fanatizëm e ruajtën gjatë shekujve, edhe ne do ta ruajmë me krenari, – iu tha atyre Hektori dhe pastaj u kthye nga fëmijët: – A po, të dashur?
– Pooo! – klithën të gjithë njëzëri.
– Kështjella dhe Skënderbeu janë motivues për secilin. Të dërgojnë në epokën e tyre dhe me historinë e lavdishme të kalisin ndjenjën më të bukur, krenarinë që je shqiptar, – ua bëri nënë Vera fëmijëve dhe duke e lëmuar në kokë Hektorin recitoi:
E ne, o fëmijët e mi
valët okupuese i shuam
retë e zeza i larguam
Po për armikun e zi
plagët kurrë s’u shëruan
Krujën, kurrë s’e harruan!
– Nënë, këtë flamur që na dhurove, a e kishte edhe Skënderbeu?! – e pyeti Rroni me zërin e tij prej fëmije.
– Pooo, – u përgjigjën të gjithë.
– Rron, historia e flamurit tonë filloi me 28 nëntor 1443. Atë ditë të madhe Gjergj Kastrioti, me duar të veta e ngriti atë mu në këtë kështjellë, – tregoi Morea.
– Një vit më vonë, në Lezhë, u mblodhën gjithë princat arbërorë, pa dallim feje: si katolik, latin apo ortodoks, dhe formuan Besëlidhjen kombëtare… – vazhdoi Hektori.
– E mysliman? – e ndërpreu Rroni.
– Atë kohë nuk ekzistonte feja myslimane tek shqiptarët. Të gjithë ishin të krishterë, – i tha Hektori dhe shtoi: – Ata atë ditë, zgjodhën Skënderbeun për prijës. Dhe, pavarësisht që secili prej tyre e kishte flamurin e vet, ata u rreshtuan pas flamurit të Skënderbeut. Atë ditë flamuri i Skënderbeut u bë simbol i unitetit kombëtar dhe me atë flamur hynë në çdo betejë kundër Perandorisë Osmane dhe betejave tjera ndër shekuj. Kurrë nuk mundi askush ta përulë flamurin tonë i cili njihet si më i vjetri në kontinentin tonë.
– Edhe rilindësit me krenari e ngritën atë përsëri më 28 nëntor 1912 në Vlorë, dhe me të shpallën pavarësinë e trojeve shqiptare, – plotësoi zotëri Leka.
– Ky flamur priu, po ashtu, para Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë për liri nga shovinistët serbë si dhe në Maqedoni e Çamëri, për të drejtat e barabarta, – shtoi nënë Vera.
– Edhe pse flamuri i rezistoi shumë shekujve dy elementet e tij, fusha e kuqe dhe shqiponja e zezë me dy krerë, nuk ndryshuan asnjëherë, – vazhdoi Hektori me një ndjenjë krenarie.
– Ku po e di këtë Hektor? – e pyeti Rroni kureshtar.
– Nga historiani Marin Barleti, që ishte bashkëkohës i Skënderbeut, – iu përgjigj ai bindshëm duke e shikuar në sy.
– A vetëm në Krujë ka luftuar Skënderbeu? – vazhdoi Rroni me pyetje për këtë trim të dalluar.
– Ai e ka pasur një strategji shumë të mirë lufte, shpirt. Meqë ushtria turke ishte shumë e madhe, thuhet se ai diku dy mijë ushtarë i linte ta mbronin qytetin, e vet me pjesën dërrmuese të ushtrisë fshihej nëpër pyje dhe i sulmonte në befasi osmanët. Kështu, i mundte pushtuesit, – iu përgjigj i ati.
– Si Robin Hudi, – klithi Albana gjersa po e përkëdhelte Agenën.
– Po shpirt, mu si ai, – qeshi i ati dhe vazhdoi: – Po kush e di se çka simbolizojnë ngjyra e kuqe dhe shqiponja?
– Ngjyra e kuqe, që nga koha e ilirëve, ka simbolizuar luftërat për liri, – tha Morea.
– Para ilirëve, Morea, i kemi pellazgët që në kohën e tyre, kanë besuar në fuqitë e mbinatyrshme dhe kanë menduar se nga hyjnitë varej jeta e tyre, sëmundjet dhe moti, – shpjegoi Hektori. – Për këtë, ata luteshin para tyre, për fat e mbarësi. E një nga këto fenomene mbinatyrore ishte edhe Dielli. Ishte kult për ta. Ishte hyjni, para së cilës gjunjëzoheshin. Dielli, sipas besimeve të lashta, lëvizte në qiell, i drejtuar nga shqiponja dykrenore dhe atë gjatë ditës ndriçonte botën tokësore e në perëndim ndriçonte botën e përtejme. Shqiponja e flamurit e ka zanafillën pikërisht tek këto besime të vjetra të popullit që këtë shpend e hyjnizonin. Kaq shumë është paraqitur shqiponja te arbërit në flamuj dhe emblema të ndryshme, saqë ky simbol, përcaktoi dhe emrin shqiptar.
– Eh, sikur të kishim edhe ne dikë si Skënderbeu me siguri nuk do të kishte asnjë qen nëpër rrugë, po do të jetonim me njerëz nëpër pallate, – klithi Koko e mahnitur nga veprat e këtij trimi legjendar.
– Eh! – ia kthyen qentë e tjerë.
*Marrë nga profili në fb i shkrimtares tashmë të njohur për fëmijë.