Zeqir Bekolli, Prishtinë
Zëvendësi i presidentit të Komisionit Evropian, Josip Borell Fonteres, ka nisur betejën për destabilizimin e Ballkanit, duke i fryer zjarrit për ndonjë konflikt të ri, apo më mirë të thuhet për shkatrrimin e Republikës së Kosovës.
Deklarata e tij e sotme pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zemërimi i shfaqur në takim, janë sinjal i mjaftueshëm për Kosovën se nga ky njeri po dalin shkëndijat luftënxitëse dhe shkatërruese për vendin tonë. Në vend që të angazhohet për ndërtimin e paqes dhe të demokracisë në Kosovë, Borell del hapur përkrah Serbisë e cila shkaktoi aq shumë gjakderdhje dhe gjenocid mbi popujtë e ish- Jugosllavisë, përfshirë këtu edhe Kosovën.
Nga paraqitja e tij para mediave u la të kuptohet se ky “misionar” i lartë i BE-së, në vete fsheh një urrejtje, që zanafillën mund ta ketë nga shteti prej nga vjen e i cili ende nuk e njeh Kosovën, por edhe mbi bazën fetare edhe pse nuk guxon që këtë ta thotë publikisht. Edhe naivët e dijnë se Bosnja e Hercegovina u coptua pikërisht për shkaqe fetare, kurse me krijimin e shtetit artificial të Republikës Serbe dhe synimeve të Dodikut për shkëputje, flaka e zjarrit po i kthehet Ballkanit.
Një gjë të tillë Borrell po e dëshiron edhe në Kosovë, për ta krijuar një Republikë Serbe, që do ta qonte Kosovën drejt luftës dhe shkatërrimit definitiv. Është detyrë thelbësore e institucioneve të Kosovës dhe e subjekteve politike pozitë dhe opozitë që të bëhen bashkë për mbrojtjen e Republikës së Kosovës, sa nuk është bërë tepër vonë.
Nëse nuk ndërmerren hapat e tillë, Kosova praktikisht po shkon drejt shkatrrimit, kurse këtij vendi do t’i ndodhë tradhëtia më e madhe, pas asaj kur mbeti nën ish-Jugosllavi.