Shkruan: Faton Bislimi
Pranvera e vitit që po vije do të jetë më e ngrohtë se secila verë që kemi përjetuar deri më tani. Jo në kuptimin meteorologjik, por në atë politik. Kosova do të gjendet edhe njëherë para vendimeve të mëdha. Çdo ditë e humbur sot, e rritë koston që do na duhet eventualisht ta paguajmë nesër.
Çdo huqje diplomatike sot (e të tillat janë të panumërta në MPJ) është kosto nesër. Angazhimi totalisht ad hoc e kryesisht edhe i munguar krejtësisht në avansimin e përkrahjes për Kosovën në qendrat e vendimmarrjes politike botërore, e vecanërisht në Capitol Hill, është shenjë alaramente për dëshmtim nesër, ngase “dështimi për t’u përgatitur, është përgatitje për dështim!”
Nuk mjaftojnë vizitat jashtë vendit sa për photo-op e pa asnjë rezultat konkret. Nuk është zgjidhje assesi ‘kontraktimi i firmave lobuese në Washington, DC’ siç po përgatitet të bëjë MPJ e jonë ngase siç kemi parë në të kaluarën, janë shpenzuar me miliona euro për “lobim” e janë arritë zero, ama bash zero, rezultate për vendin.
Edhe nëse duam, e kemi të pamundur që me ‘pagesa për lobim’ të arrijmë të fitojmë betejën diplomatike aty ku ka nevojë më së shumti. Nëse MPJ mendon se në ditët apo javët në vijim nënshkruan kontratë lobimi me një ose dy firma në SHBA (të dyja që i njohim thellësisht), le ta dijë se nuk do të arrijë as rezultatin më të vogël. Kosova në përgjithësi e MPJ në veçanti e kanë kaqikun e vogël financiar për të fituar betejën diplomatike me para për firma lobiste që sot punojnë për neve, realisht për paret tona, e neser edhe për ato të tejtërkujt. Fundja, dollari amerikan nuk njehë kombësi e as shtet.
MPJ e ka për obligim kryesor, bashkë me krejt qeverinë, që fokusin ta kenë tek ripërtrirja e përkrahjes së parezervë amerikane për Kosovën. Nëse krejt klasa jonë politike – pozitë e opozitë – janë të bindura se nuk do të lejohet krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me të drejta ekzekutive, atëherë ekziston veç një mënyrë se si mund ta shpëtojmë Kosovën nga kjo kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare, kryesisht BE-së: ne duhet që dje, sepse edhe sot veç jemi vonë, të ishim duke punuar intensivisht me miqët tanë të vërtetë në Capitol Hill në Kongresin e SHBA-ve për t’i bindur ata se ky Asociacion e dëmton Kosovën dhe një Kosovë e dëmtuar, e lëndon interesin gjeo-strategjik amerikan në Ballkan e më gjerë.
Ne ende i kemi njerzit që na ndihmojnë në këtë kauzë, ashtu siç na kanë ndihmuar të çlirohemi e të pavarësohemi. Dhe, për këtë, flasin kajrtë faktet historike. Mjafton të bëni një kërkim në Google apo në YouTube për Joe DioGuardin dhe Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe e shihni me sytë tuaj. Që nga viti 1985 e këndej, lidhja jonë me Amerikën zyrtare dhe përkrahje e Washingtonit për kauzën tone kombëtare bëhet përmes DioGuardit dhe shumë e shumë figurave tjera kyçe të politikbërjes amerikane me të cilat na ka lidhë fillimisht pikërisht DioGuardi.
Edhe DioGuardi edhe Liga mbesin edhe sot e kësaj ditë gardianë të vërtetë të lidhjeve tona unike me Amerikën. Sepse, ata këto lidhje i ndërtuan me punë të sinqertë, me fakte historike, me argumente kritike, me perkrahje te mergates sone ne Amerike, dhe me bazë në interesin gjeo-strategjik amerikan, në përputhje të së cilit është edhe vet kauza jonë kombëtare.
Kosova sot ndihmohet duke ruajtur këto miqësi të krijuara tash e mbi tri dekada e jo duke hargjuar kot paranë publike me firma lobiste pa asnjë rezultat konkret. MPJ këtë duhet ta ketë mëse të kjartë. Një miqësi e ndërtuar për dekada, as nuk blihet as nuk shitet. Edhepse po humbim miq të mëdhenjë si McCain e pardje edhe Dole psh, lidhjet me njerzit e tyre nuk kanë vdekë. Përkundrazi, respekti i tyre tek kolegë tjerë është enorm i madh dhe aset veç i atyre që punuan me këta burrështetas për vite të tëra, siç janë Joe e Shirley DioGuardi dhe Liga!
Nuk ka shembull më të mirë se sa deklarata e Kryetarit të Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit të SHBA-ve, z. Bob Menendez, i cili në takim me Ligën shprehet kategorikisht kundër Asociacionit me të drejta ekzekutive. Kjo është beteja që duhet fituar me secilin lider tjetër kyç të Kongresit të SHBA-ve. Dhe, pos Ligës e DioGuardit bashke me znj. Cloyes, nuk ka kush që mundet me pas më shumë sukses në këtë drejtim.
MPJ mund të bëjë çfarëdo kontrate lobiste për të ndrequr imazhin e vet pak ndoshta, por assesi për t’i ndihmuar Kosovës realisht. Jemi në kohën kur edhe minutat e humbur do t’i kushtojnë gjeneratave të ardhëshme. Jemi në kohën e veprimit konkret, të përbashkët, për interesin kombëtar të shtetit tone, jo për rregullimin kozmetik diplomatik.
Kushdo që mendon se “kompromiset e dhimbëshme” që janë përmendur nga amerikanët janë hajgare, është vet veçse një hajgaregji në politikë. Nëse duam t’i sfidojmë suksesshëm këto “kompromise,” rrugën e dijmë (e kemi parë tash e mbi tri dekada), veç a e kemi vullnetin! E përveç vullnetit, na duhet edhe dija, përvoja, njohja e kuluareve të Capitol Hill-it. Përndryshe, kur të jemi para aktit të kryer me marrëveshjen finale mbi tavolinë, ikja nga përgjegjësia do të jetë e pamnudur.
Dr. Faton Bislimi është Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe ish-Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK.