Ndoc Bushgjoka, Tropojë
Për disa bashkëkombas në Kosovë.
Të cilëve nuk u tingëllon në arsye tragjedia e pjesës tjetër të kombit, tragjedi e shkaktuar nga të huajt dhe mercenarët e tyre.
Që nuk duan të ndajnë të drejtën prej padrejtësisë. Që ende jetojnë në tymnajën e nostalgjisë qorre të stalinizmit hoxhist.
Të cilët lotojnë për status quonë kufomë, dhe nuk kanë buzë për musteqet e dritës së ndryshimit.
Pas Kuvendit të demokratëve, pashë me habi se asgjë s’kishin kuptuar, dhe se flisnin me paditurinë e qorrshurdhanit prej së largu. Pas, replikave, habia u kthye në keqardhje, e duke i kundërshtuar, keqardhja i lëshoi vendin neverisë.
“Brengosja” e tyre, ishte as më pak e as më shumë, por paanshmëria mes të drejtës së ujkut të cilit qëngji i Fabulës i turbullon ujin, dhe të mjerit qëngj që “bie në mëkatin e fajit”.
Njëfarë Zymer, i cili e shijon jetën në pjesët më të qeta e të lumura të botës, me sultiash e me kabuni, shkruante se 11 dhjetori është dita e anarkisë në Shqipëri. Dhe se shkaktari i anarkisë ishte “Ai që përmes anarkisë financiare e pat rrezikue edhe vet qenien e shtetit shqiptar më 1997.”
Bravo Zymer sultiashi !
Një tjetër zotëri, me emrin Enver, i ngarkon fajet më të rënda dr Berishës, duke theksuar se po të ishte ndryshe, ” kurrë, nuk do të mbylleshin dyert bujare e humane të SHBA-ve”. Dhe pastaj publikon edhe amanetin e tij se “Atij që ia mbyllë dyert Amerika, është i padenjë të udhëheqë politikën e një vendi ose partie.”
I solla këta dy shembuj se në të njëjtën melodi i binin edhe disa “atdhetarë” amerikanë të tjerë.
Hallin e atdheut nuk e tymosin fare. Vetëm mos po na idhnohet Amerika. Si një patriot në kohën e fashizmit që porosiste mos me e idhnue Duçen, se “me i mbushë arropllanat Italia me bagla na mbyt të tanve!”
Dua tu them zymerëve se Shqipëria edhe shumë dekada nuk do mbyll dot plagët që i ka shkaktuar vetes për lirinë e Kosovës.
Dhe se dr Berisha duke zbatuar programin e Presidentit Bush i Vjetri për lirinë e Kosovës, ka rrezikuar emrin, ekzistencën e tij, por edhe stabilitetin e Shqipërisë. Por, në jetë të jetëve ajo sakrificë i qofte bekuar Kosovës.
Por, të paktën mosmirënjohes mos jeni as ti zymer sultiashi as ti zotni Enver, dhe as zymerët e enverët e tjerë si ju.
Dy momente të hidhërimit suprem, i kanë pasur shqiptarët, dhe unë modestisht: – Shtypjen mizore të demostratave të vitit 1981, dhe genocidin e vitit 1999, nga xhelatët e Beligradit. Dhimbja ishte e madhe, por dhe krenaria ishte sublime, se demonstratat ishin preludi, dhe çlirimi ishte qëllimi madhor.
Në demonstratat e 1981-it kishte disa rryma, e mes tyre edhe të rinj që qëllimin kërkonin ta arrinin përmes rrugës komuniste të Hoxhës.
Asgjë e keqe. Përkundrazi. Por, ajo rrugë nuk çonte në shpëtim. Desh Perendia dhe shqiptarët u bashkuan rreth LDK-së dhe dr Rugovës, siç ishte fat që në krye të shtetit shqiptar ishte dr Berisha që kishte dituninë për Kosovën, dhe shpirtin e djegur për lirinë e saj.
Tani, rryma hoxhiste e demonstratave të vitit 1981, janë thinjur. Por, ora u ka mbetur aso kohe. Janë thinjur, por kryet gjok e mendja zok.
Ashtu siç disa nuk e kanë parë regjimin antinjerëzor e antikombëtar që ka pllakosur në Shqipëri. Siç nuk kanë parë djallëzitë dhe mbrapshtitë e tiranit të Tiranës, jo vetëm kundër Shqipërisë, por edhe kundër Kosovës. Mbrapshti e poshtërsi që me ekpedientë zor që shërohen edhe shumë dekada.
Ahere si duhet bërë zotërinj?
Të jetojmë nën shtypjen e mydirit të Vuçiçit dhe të huajve, apo të kërkojmë ndryshim! Të ikim me kuç e me maç nga Shqipëria e t’ua lëmë sorristëve me afganas, iranianë, bangladeshas e beleshash arabë, apo të lypim shpëtim?
Pse e shihni me armiqësi ndryshimin dhe rrugën e shpëtimit ?