Foto 2. Oxhaku në shtëpinë e Fazli Ballës
Dr. Qazim Namani (djathtas) dhe Mr. sc Emin Sallahu (majtas)
Oxhaku në shtëpinë e fortifikuar të Fazli Bllatës
Nga Dr. Qazim Namani & Mr. sc Emin Sallahu
Shtëpia e Fazli Bllatës gjendet në fshatin Rashan, të komunës së Mitrovicës. Kjo shtëpi e ndërtuar me një teknikë të lartë të ndërtimit në një kodrinë piktoreske që shtrihet diku rreth 500m në anën e djathtë prej shkollës së fshatit pasqyron vlerat etno-kulturore të rajonit.
Shtëpia është ndërtuar në mes të dy luftërave botërore, e cila i ka ruajtur tiparet e fazës fillestare të ndërtimit. Objekti është ndërtuar në dy kate, ku në katin e parë ishte shtëpia e zjarrit me oxhak, ndërsa në katin e dytë po ashtu kthina e pritjes me oxhak të punuar me ornamente monumentale nga mjeshtër vendor. Lidhja në mes të kateve bëhej përmes shkallëve të brendshme. Muret e shtëpisë ishin punuar me gurë të gdhendur rrethanor, dhe në disa kënde e kishte edhe sistemin mbrojtës të frëngjive.
Arkitektura dhe stili i ndërtimit të kësaj shtëpi tregon më së miri për kulturën e banimit dhe aftësitë e mjeshtrit shqiptar për të realizuar vepra të artit siç paraqiten në oxhakun e kthinës së kësaj shtëpie në katin e sipërm.
Foto 1. Shtëpia e fortifikuar e Fazli Bllatës
Guri i oxhakut i punuar në vitin 1934, tregon më së miri për traditën e skalitjes së gurëve nga mjeshtër popullorë të kësaj ane. Motivet e skalitura në këtë gurë janë të punuara në mënyrë përsosur ku kemi paraqitjet simetrike të figurave dhe simboleve me domethënie që i japin kuptim të plotë gjendjes politike, sociale dhe ekonomike për popullatën shqiptare në mes të dy luftërave botërore.
Siç shihet poshtë në të dy anët e gurit të skalitur paraqiten brinjët e cjapit si simbol i lashtë te popullata iliro-dardane. Sipër gurit ku ndizej vatra në të dy anët është skalitur ena e ushqimit dhe simbolet e lashta astrale të hënës dhe diellit, që tregojnë mikpritjen dhe bujarinë e familjeve shqiptare.
Në pjesën qendrore të gurit është skalitur ylli gjashtëcepësh, duke u plotësuar në mes të brinjëve më yllin pesëcepësh, ndërsa në qendër të bashkimit të dy trekëndëshave barabrinjës është paraqitur rozeta si simbol i diellit.
Në mes të dy simboleve të yllit gjashtëcepësh është shkruar numri i datës, muajit dhe vitit të punimit të gurit, ndërsa poshtë këtij shkrimi po ashtu janë skalitur dy yje pesëcepëshe, brenda rrethit, që paraqesin fazat e para të lëvizjes komuniste në këto anë. Mbi përshkrim janë skalitur dy katrore që peshojnë në brinjë, ndërsa mbi këta dy katrorë prapë janë skalitur dy yje pesëcepëshe po ashtu të mbyllura në rreth. Paraqitja e katrorit në gur përfaqëson tokën, vendin në besim, ku në rastin konkret në mënyrë figurative shprehet rreziku i humbjes së tokës që përkon me atë periudhë kohore të kolonizimit. Në të dy anët e këtyre dy yjeve pesëcepëshe është skalitur nga një katërkëndësh dhe nga një rozetë në lëvizje në drejtim të kundërt të akrepave të orës. Edhe pse rozetat paraqiten në drejtim të kundërt me akrepa të orës, këtu katërkëndëshi na paraqitet në formë të rregullt, që simbolizon shpresën e unitetit, bashkimit të fiseve që na paraqiten të punuara sipër dy katërkëndëshave.
Foto 3. Skalitja e simboleve dhe figurave në mënyrë simetrike në oxhakun e shtëpisë
Lëvizja e rozetës në drejtim të kundërt me akrepat e orës tregon në mënyrë figurative për gjendjen e vështirë dhe pa perspektivë për jetë të popullatës shqiptare gjatë këtyre viteve të sundimit nga Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, periudhë kjo që karakterizohet me fazat e kolonizimit të tokave shqiptare me serbë, torturave, burgosjes, vrasjes dhe shpërnguljes më dhunë të popullatës shqiptare për në Turqi. Në pjesën e sipërme të gurit është punuar rozeta duke i bashkuar dy trekëndëshat barabrinjës, katrorëve të plotësuar dhe trekëndëshave tjerë mes brinjëve me lulen e jetës në mes, të cilat paraqesin bashkimin e dymbëdhjetë fiseve shqiptare brenda një rrethi që simbolizon kultin e diellit.
Foto 4. Paraqitja e bashkimit të dymbëdhjetë fiseve shqiptare te vatra në shtëpinë e Fazli Balës
Me realizimin e veprave të tilla dëshmohet se mjeshtri i jonë i traditës popullore edhe pse në kushte shumë të vështira në vazhdimësi ka treguar aftësitë e tij për ta paraqitur gjendjen shpirtërore dhe emocionale ndaj vuajtjeve të popullit në përgjithësi, përmes simboleve astrale, htonike dhe gjeometrike që nga lashtësia e deri në ditët e sotme, duke i realizuar në veprat e artit aplikativ në tekstil, dru dhe skalitjes në gurë.