ARKIVI:
18 Tetor 2024

Lirim Gashi: Një bisedë tjetër edhe më interesante me Ibrahim Kelmendin

Shkrime relevante

Zhdukja është kur individi i fundit i një specieje vdes

Aurel Dasareti https://lapsi.al/2024/10/17/dy-qendrimet-ekstremistet-e-be-kunder-organizatave-humanitare-per-refugjatet-e-gjadrit/ Shqipëria ka filluar të mbushet me “refugjatë” meshkuj nga Azia...

Toka e vinçave: Irani ekzekuton një person çdo katër orë

Ekzekutimi publik i Esmail Jafarzadeh. Foto: Mohsen Zare CC BY 4.0 Arnt...

Hipokrizia e kërkimit shkencor në Shqipëri dhe një Projekt Ligj që zgjidh

Prof. Dr. Pirro Prifti Projekt Ligji për Kërkimin Shkencor të propozuar nga...

Kujtime nga viti 1979, si student, në Shqipëri e mësues, në Suedi

Sinan Kastrati, Suedi ___ Nga Ditari im ___ Në fillim të tetorit (`24) isha sikurse...

Shpërndaj

Lirim Gashi, shkrimtar e publicist nga Prishtina                                                                                                                              

Me Ibrahimin kam zhvilluar shumë biseda interesante, por kjo e sotmja është akoma më e larmishme, interesante dhe frymëzuese. Për t’u bindur pse, merreni mundin dhe lexone me kujdes intervistën e sapo zhvilluar.
Ju siguroj që nuk do të pendoheni.
Lexim të këndshëm ju dëshiroj.

Lirim Gashi: Z. Ibrahim Kelmendi, sa më shumë që të njoh aq më shumë më shtohet oreksi për të njohur akoma më shumë, sepse edhe pse shpesh je kontraverz asnjë herë s’je monoton, pasiv, i njëtrajtshëm dhe bardh e zi. Sikur të ishe femër me siguri 90% të meshkujve do të interesoheshin për ty. E meqë je mashkull me siguri të njëjtin interesim e kanë edhe femrat. Bëhu i sinqertë dhe më trego të lutem sa përqind të tyre t’i dërgojnë në inbox të Facebook-ut zemrat?
Ku e ka zanafillën ky kolorit në personalitetin tënd, gjegjësisht kjo laramani?
Të bëri të këtillë jeta dhe natyra, apo pezhorativi i njërës dhe tjetrës Hamami dhe Hyra?

Ibrahim Kelmendi: Më ke parashtruar pyetje më të vështira sesa instruktorët amerikanë në pyetësorin për patent shofer. E unë patent shofer nuk kam ende. E pata bërë në USA në vitin 1982, por gjermanët nuk ma pranuan dhe unë nga dëshpërimi nuk e bëra më kurrë.
Nëse ndonjë femër e panjohur ndikohet emocionalisht nga mënyra e komunikimit tim, unë e sqaroi shkurt e shqip dhe pa ngurrim: “jam mall i skaduar”.
Ndërsa me shoqe, të cilat terminologjia moderne i ka shndërruar në mikesha, unë komunikoj pa teklif dhe me respekt të ndërsjellë.
Për Hyrën e Shipashnicës së Gjilanit, jevgën sharmante, për të cilën thuhet se i ka “hallakatur” burrat përmes mirëtrajtimit që ua ka bërë në hamamin e saj në Gjilan, unë kam simpati të fjetur. Madje edhe uratë për kënaqësitë që ua ka krijuar dhe dhuruar klientëve të saj.

Lirim Gashi: Shpesh e kam përshtypjen që jeta jote ka filluar me shkronjat LPK.
Bëhu i mirë dhe më trego të lutem, pse janë këto tri shkronja në këtë kombinim dhe radhitje kaq të rëndësishme për ty?

Ibrahim Kelmendi: Sepse kemi pasur peripeci të mëdha deri sa kemi arritur të bëhemi LPK. Shpesh kam qenë i detyruar për të ngrënë edhe gozhda, që të mos përfundoj në burg apo çmendi, nga provokimet tepër të pandershme, djallëzore dhe vulgare të njerëzve që simulonin se janë bashkëveprimtarë.
Ia dolëm disi, por me kurriz të thyer nga mbipesha!

Lirim Gashi: Çfarë emocionesh të krijojnë emrat Ukshin Hoti dhe Behadin Hallaçi, dhe ke ndonjë ide, se kujt mund t’i kenë penguar më së shumti dhe pse?

Ibrahim Kelmendi: Rëndom, unë kam qenë hamall i Lëvizjes, apo njeriu që i ka kryer punët e përditshme, nuk jam angazhuar vetëm gjatë fundjave. Më së shumti isha i angazhuar në sektorin për informimin e “të huajve”, prandaj nuk kisha kohë që të merrem me çështjet organizative në Kosovë. Edhe gjykoja që nuk më takonte të merresha me organizim në Kosovë, duke qenë në ekzil.
Për Ukshinin më së shumti jam informuar nga Bislim Elshani dhe Shemsi Reçica, sidomos për veçoritë e tij impozante atdhetare dhe intelektuale. Por edhe nga beshkëveprimtari i tij dhe imi, shoku Begzat Gashi, jam informuar për peripecitë dhe pengesat organizative që i ka pas Ukshini.
Ndërsa për Behadinin për herë të parë kam dëgjuar kur është “zhdukur”, meqë e kemi shqyrtuar “zhdukjen” e tij në Kryesi të LPK-së. Që do të thotë se për këtë çështje më kompetentë janë bashkëveprimtarët e tij të drejtpërdrejtë. Prandaj ata mund të përgjigjen më së miri në këtë pyetje.
Më ka irrituar sidomos informacioni që në mbledhjen konsultative në Kollare të Kërçovës, në prill të vitit 1993, Hashim Thaçi ka shpifur për Behadinin, duke e etiketuar atë pa asnjë dëshmi valide si një spiun të shërbimeve sekrete të Serbisë. Ka qenë ajo akuzë paralajmërim për zhdukjen e tij?!

Lirim Gashi: Thuhet se ke qenë truri i LPK-së, apo njeriu idetë e të cilit i kanë vjedhur, keqinterpretuar dhe keqpërdorur shumë analfabetë të kompleksuar, të cilët më vonë i kanë keqpërdorur si armë kundër teje.
Supozoj nga urrejtja që i ke njohur si askush tjetër dhe që ua ke deshifruar hieroglifet. Sa është i vërtetë ky pohim dhe nëse po a ke ndonjë anegdotë konkrete që do ta nënvizonte?

Ibrahim Kelmendi: Ka qenë fatkeqësi për mua afirmimi im si “tru i Lëvizjes”, nëse më lejon ta përdor këtë lloj (dis)kualifikimi. Kjo i motivonte armiqtë që të më luftonin edhe më tepër sesa që e meritoja, ndërsa bashkëveprimtarëve u shkaktonte xhelozi. I ironizoja xhelozët duke përdorur slloganin: “Shokët luftojnë, Azemit po i jet nami!”
E vërteta është se unë isha vetëm njëri nga bashkëveprimtarët. Por për dallim prej të tjerëve unë isha 365 ditë në vit i angazhuar për Lëvizjen, ndërkaq të tjerët kryesisht punonin dhe rregullonin standardin familjar, ndërsa për Lëvizjen angazhoheshin pak orë në javë, kryesisht në fundjavë. Që i bie, isha hamalli dhe jo truri i Lëvzjes.

Lirim Gashi: Pse je i lidhur më së shumti emocionalisht me Jusuf Gervallën?
Çka e ka bërë Jusufin kaq të veçantë dhe pse ke kaq shumë respekt për vajzën e tij Doniken?

Ibrahim Kelmendi: Me Jusufin jam njohur në fund të dhjetorit të vitit 1979.
Kur pat ardhur ai në Gjermani, vëllai i tij, Bardhoshi, gjegjësisht Bardhi, siç e thërrisnim nga dashamirësia, më pat telefonuar dhe ftuar ta vizitoja.
Bardhin e kam njohur për herë të parë në verën e vitit 1978. Ai ishte punëtor social, respektivisht i punësuar në Arbeiterwohlfahrt. Detyra e tij ishte përkujdesja për Gastarbeiterat nga ish Jugosllavia. Ishte një punësim zyrtar, në bazë të marrëveshjes përkatëse gjermano-jugosllave. Në atë verë unë isha si student, me punë sezonale verore, tek dhëndrri im në Plochingen. Sharrisnim gurë mermeri. Aty Bardhi pat ardhur për ta ndihmuar kushëririn e dhëndrit tim që t’i plotësonte ca formularë. Qysh në momentin e parë u miqësuam. Nuk më pengoi që ai ishte punëtor social i dërguar nga Jugosllavia, siç e quanin atëherë.
Njohjen me të e thellova përms Hysen Gegës, të cilin po ashtu e pata njoftuar gjatë asaj vere, sa isha te dhëndri, meqë ata ishin shokë mes tyre.
Për profesionin gazetar asokohe kishim konsideratë të jashtëzakonshme. Sapo u njoha me Jusufin krijova për të një ekstra respekt sepse ishte një gazetar shumë i mirë. Në atë kohë ne nuk kishim asnjë kuadro që ishte në gjendje për të përpiluar fletushka propagandistike. Prandaj qysh në fillim nuk patëm fare rezerva ndaj njëri-tjetrit, siç ruheshin rëndom “ilegalët”, meqë ai më njihte nga rrëfimet e Bardhit dhe kishte lexuar fletushkën “Bashkimi” në Kosovë. As unë nuk kisha asnjë rezervë ndaj tij, sepse ishte Vëllai i Bardhit.
Në anën tjetër nuk kisha ndonjë arsye për të qenë i frikësuar, meqë e kisha ndarë mendjen për të vuajtur në ekzil, deri sa të ndodhë çlirimi i Kosovës.
Fatkeqësisht, në fund të janarit informohem nga Hysen Gega, se atë e kishte urdhëruar Riza Salihu për ta vrarë Jusufin.
Riza kishte formuar në Stuttgart Grupin Komunist “Zëri i Kosovës”. Ai ishte Kryetar i tij, ndërsa Hysenin e kishte caktuar si Nënkryetar.
Tashmë Kryetari kishte urdhruar Nënkryetarin për ta vrarë Jusufin, me arsyetimin se kinse atë e kishte dërguar UDB-ja për ta spiunuar Grupin e tij komunist. E informuam Jusufin për atë urdhër dhe u dakorduam të taktizonim ca kohë ndaj Rizait, që të bindëshim se ai ishte kuadër i UDB-së. Taktizuam më shumë se dy muaj, ngaqë Hyseni kishte një inteligjencë brilante, edhe pse në humor e sipër thoshte se ka mbaruar vetëm katër klasë fillore dhe kollin e fruthin. Në fakt ai lexonte të paktën një libër në javë dhe ia rrëfente përmbajtjen dhe mesazhin në manirin e një kritiku letrar.
Në finalizim të taktikës patëm takim ballafaques në banesë të Hysen Gegës në Esslingen, meqë Hyseni na pat treguar ditën dhe orën, kur do t’i shkonte Rizai për “vizitë pune”. Ishim në atë ballafaqim unë, Jusufi, Bardhi, Hyseni, Maksut Saramati dhe cimeri i Hysenit, nga Lugina. E kishim bërë regjinë e ballafaqimit. Kur Riza nuhati rrezikun, zuri të qante, duke i kërkuar falje e mëshirë Jusufit. Zurit të qante edhe Jusufi. Ajo brishtësi e Jusufit na e prishi pak “filmin”…
Unë, Hyseni dhe Maksuti në ato çaste ishim pak ca te zhgënjyer nga Jusufi pse e mëshiroi Rizen.
Në anën tjetër ana e tij humane e forconte kultin për intelektualin e mirëfilltë. Pra, ishtin tipare që na patën nxitur të gjithëve për të pasur respekt të veçantë për Jusufin.
Donikën, përpos që e vlerësoj për hir të Jusufit, me të më lidhin edhe kujtime të posaçme, sepse ishte një fëmijë shumë i dashur, i edukuar dhe i mirësjellshëm. Atëherë brengosesha shumë për fëmijët, meqë ata vuanin ekstra në imigracion, duke u ndier të detyruar për t’u sjellur ekstra si shqiptarë në familje dhe për të simuluar identitet më gjerman se gjermanët jashtë saj. Prandaj isha shumë i afërt dhe hapur me fëmijët e bashkëveprimtarëve. Vetëkuptohet, edhe ata më respektonin dhe më donin shumë.
Të hënën, më 18 janar 1982, pas përfundimit të “intervistës” me SOKO në Heilbronn (ekipin hetues gjerman), u ktheva në shtëpinë e Familjes Gërvalla. Aty më informuan se Sabri Novosella kishte urdhruar që Kryeplak i ceremonisë mortore të ishte udbashi Nuhi Sylejmani. Nuk prishte punë fakti që ata nuk njiheshin mes tyre, Sabriu në Turqi, Nuhiu në Gjermani, meqë Sabriu duhet të ketë pasur eprorë të tjerë UDBashë, të cilët ia kishin bërë skenarin, se si duhet të vepronte pas vrasjeve të bëra me komandim nga UDB-ja.
Kur dikush e ngushëlloi Donikën, ajo iu përgjigj: “Pasi na ka shpëtuar pa u vra axha Ibrahim, nuk po merzitëm shumë…” Nuhiu, si kriminel ordiner e kapi atë për krahu, i bërtiti dhe e dëboi në korridor, duke e kërcënuar: “S’dua ta dëgjojë më atë përgjigje!”
Ishte përjetim që të shtinë në tokë për se gjalli. Në atë çast m’u hidh t’ia përplas kokën për muri, por nuk kisha si, sepse nuk ishte ambienti. Edhe sot e asaj dite habitëm sesi jam përmbajtur.
Pastaj, si jetime që ishte, Donika mbeti nepër duart e sepcialistëve të UDB-së, edhe pse u shpërngul me familjen e saj në Tiranë. Ata e ndërsyen pa masë kundër meje. Unë e duroja, si dënim për pazotësinë për ta mbrojtur nga shpërdoruesit dhe manipuluesit.

Lirim Gashi: Si e vlerëson punën e deritashme të Donikes në krye të Ministrisë së Jashtme?

Ibrahim Kelmendi: Nuk kam edhe aq shumë informacion konkret për punën e Donikës, përpos atyre dy fjalimeve të saj, të parin në Këshillin e Sigurimit dhe të dytin në Kuvendin e Kosovës. Potencimi i gjenocidit të ushtrisë së Hitlerit ndaj popullit serb gjatë Luftës Dytë Botërore ishte i panevojshëm. Sepse gjenocidi në fjalë nuk është i vërtetë. Në anën tjetër, nuk ishte rendi as vendi që të përmendej.
Përndryshe, të dyja fjalimet e saj i kam notuar me notën 8, nëse do të përdornim notimin nga 1 deri në 10.
Uroj që ta reformon diplomacinë tonë joefikase, duke mbyllur ambasada e konsulata në ato shtetet që nuk i duhen Kosovës, dhe natyrisht duke përzgjedhur kuadro sa më profesionale dhe atdhetare.

Lirim Gashi: Si e kupton dhe përshkruan ti fenomenin Albin Kurti në politikën shqiptare dhe çfarë mendimi ke për individin dhe politikanin Albin Kurti?

Ibrahim Kelmendi: Të them të drejtën tashmë Kryeministrin Albin Kurti nuk e njoh, siç i kam njohur bashkëveprimtarët e mi. Vlerësimi serioz mund të fillojë tek pas 100 ditëve të para të qeverisjes. Ndoshta 100 ditë edhe janë bërë, nëse i mbledhim edhe ato të qeverisë dështake “Kurti 1”. Megjithatë, nëse flitet ekskluzivisht për 100-ditshin e qeverisë “Kurti 2”, për momentin nuk kam parashikime që ia vlenë t’i evidentojë.
Në aspektin ideopolitik janë plotë përcaktime të Z. Kurti që më pëlqejnë. Por, meqë ishte fundamentalist në përcaktimet e tij të mëhershme, kisha frikë se mund të na shkaktonin pasoja sepse në “botë” po dominon imperializmi agresiv neoliberlal dhe kapitlaizmi vulgar, prandaj kleptokracitë e shteteve dominuese nuk do ta toleronin një Kosovë me socializëm shtetëror, që herë i ngjanë modelit norvegjez, e herë modelit kinez. Në ndërkohë po më ngjanë tepër fleksibil e konjuktural. Dikur i shihnim dhe përshkruanim rastet e ngjashme të konvertimit, si ca vajza konservative që e ruanin virgjërinë kohë të gjatë me fanatizëm, por kur e prishnin, dalldiseshin, pa iu trembur më as kritikave…
Po presim deri sa të miratohet nga Kuvendi programi i Qeverisë, që të kemi mundësi për të bërë vlerësime lavdëruese apo kritike.

Lirim Gashi: Masakra ndaj vëllait tënd, Qerimit, ende nuk ka epilog. Kush mund të ketë pasur interes sipas mendimit tënd për ta eliminuar aq brutalisht njeriun që aq shumë e ka dashur kombin, atdheun, lirinë, paqen dhe shtetin, saqë kurrë nuk i ka harruar shokët e tij të rënë, e sidomos ata që u eleminuan nga dora e zezë shqiptare në luftë. Thuhet madje se shpesh edhe natën i ka vizituar varrezat e tyre. Si e ke përjetuar ti masakrin ndaj tij dhe çka duhet të bëjnë sipas teje institucionet tona të sigurisë dhe ato juridike për t’i gjetur ekzekutorët dhe urdhërdhënësit?

Ibrahim Kelmendi: Mendoj që shërbimet sekrete serbe kanë pasur “arsye” për t’u hakmarrë, prandaj e kanë gjykuar momentin si të volitshëm. Urdhërdhënësit kanë vlerësuar që kontributi i tij i madh në luftën çlirimtare e meriton një masakër sadiste. Intenca e tyre me siguri ka qenë nxitja e hutisë dhe dyshimeve që do të nxisnin armiqësi ndërmjet bashkëveprimtarëve apo “krahëve” kundërshtarë partiak.
Nuk përjashtohet mundësia që lufta speciale, si specialitet i posaçëm i shërbimeve sekrete serbe dhe argatëve shqipfolës e shqipshkrues, ta ketë nxitur ndonjë grup idiotësh për ta bërë krimin, me bindjen se po hakmerrëshin për vrasjet politike, për të cilat akuzohej Qerimi herë tërthorazi e herë drejtëpërsëdrejti.
Vrasjen e tij e kam përjetuar shumë rëndë dhe po e vuaj, jo vetëm pse e kisha vëlla, por sidomos për shkak të meritave të tij në luftën çlirimtare dhe për mirësjelljet e tij familjare, shoqërore e njerëzore.
Shpresoj që institucionet po bëjnë maksimumin për të zbuluar vrasësit dhe urdhërdhënësit. Ndonjë informim konkret, sa kanë përparuar hetimet, nuk kemi. Po presim, me shpresë.

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu