PRISHTINË, 17 Dhjetor 2021
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu sot mbajti fjalimin vjetor në Kuvendin e Republikës së Kosovës. “Ne jemi të lumtur që mund të themi që Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane e evropiane, si dhe i të gjithë atyre që u rreshtuan pranë nesh”, theksoi mes tjerash Presidentja Osmani – Sadriu.
FJALIMI VJETOR I PRESIDENTES OSMANI NË KUVENDIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës!
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Shumë i nderuar kryetar i Kuvendit, z.Konjufca
I nderuar kryeministër Kurti dhe anëtarë të kabinetit qeveritar
Të nderuar përfaqësues të vendeve tona mike, shkëlqesi ambasadorë
Të nderuar përfaqësues të medieve;
Të nderuar gjithë ju të pranishëm;
Jam shumë e lumtur që sot në cilësinë e Presidentes së Republikës, t’ju drejtohem nga foltorja e tempullit të demokracisë në përmbylljen e këtij viti, i cili ishte jashtëzakonisht sfidues, sidomos nga pandemia e cila po na përcjell prej dy vjetësh, por njëkohësisht edhe t’ju uroj një vit të mbarë 2022 me dëshirat më të mira për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, për të gjithë ju të pranishëm, për familjet dhe miqtë tuaj, si dhe për mërgatën tonë të dashur!
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës!
Pas zgjedhjeve nacionale të 14 shkurtit, përfaqësuesit tuaj të zgjedhur, duke e respektuar vullnetin tuaj të qartë dhe duke dhënë edhe një herë shembullin e mirë të funksionimit të demokracisë, më dhanë besimin që të udhëheqë me institucionin më të lartë në vend . Gjej rastin që sot, në prag ndërrimit të motmoteve, t’ju falënderoj edhe një herë për këtë besim dhe t’ju siguroj se, sikurse deri më tani, do të jem në funksion të ruajtjes së interesit të qytetarëve të Republikës dhe të interesave të shtetit tonë të dashur.
Të nderuar deputetë!
Viti që po e lëmë pas, ashtu sikurse edhe ai paraprak, ishte me të vërtetë sfidues për ne, por edhe për gjithë njerëzimin, për shkak të pandemisë Covid-19 dhe pasojat që la si tek shëndeti i qytetarëve ashtu edhe tek ekonomia jonë. Pandemia i ka sfiduar jetët tona, duke ndryshuar mbase përjetësisht edhe mënyrën tonë të jetesës. Prandaj, në këtë moment, kur sytë tanë janë orientuar fuqishëm nga shpresa për një të ardhme më të mirë, dua që së bashku me ju t’i kujtojmë të gjithë bashkëqytetarët tanë, të cilët e humbën jetën si rrjedhojë e infektimit me këtë virus; t’u shprehim ngushëllime të sinqerta familjeve që humbën më të dashurit e tyre, por edhe t’ju jemi mirënjohës të gjithë atyre që dhanë ndihmesën e tyre, në cilëndo formë qoftë, për ta sfiduar pandeminë. Dua t’ua shpreh respektin e thellë të qytetarëve të Kosovës sidomos personelit shëndetësor, të cilët na e dhanë shembullin se vetëmohimi dhe përkushtimi për të mirën e përbashkët është gjithmonë i mundur.
Pandemia, krahas ndryshimeve klimatike, krizave humanitare e problemeve gjithnjë e më të shumta globale, na dëshmon se shoqëritë tona janë gjithnjë e më të ekspozuara ndaj sfidave kolektive. Asnjë vend, sado i madh qoftë, nuk është i sigurt dhe nuk mund ta bëjë betejën i vetëm. Na duhet përkushtim global për të luftuar pandeminë e për të mbrojtur ambientin ku jetojmë, sikurse edhe në përballje me plot kërcënime të tjera.
Si presidente e vendit kam bashkëpunuar me institucionet tona në vend në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në vaksina efektive e të sigurta, për t’u mbrojtur nga ky virus. Para së gjithash falë përkushtimit të mantelbardhëve, falë punës së institucioneve si dhe gatishmërisë së qytetarëve tanë për t’u vaksinuar, sot Kosova radhitet ndër vendet më të suksesshme në luftimin e pandemisë për shkak të përqindjes së vaksinimit. Për këtë qëllim, nga dita e parë e mandatit tim i jam përkushtuar bashkërendimit të veprimeve për menaxhim të pandemisë, si dhe kam komunikuar me qytetarët rreth rëndësisë së vaksinimit si dhe me stafin mjekësor, të cilët kanë dëshmuar përkushtim e sakrificë për ta mbrojtur shëndetin publik të qytetarëve tanë. Po ashtu, kam komunikuar vazhdimisht edhe me krerët e shteteve aleate për të kërkuar mbështetje me donacione vaksinash. Padyshim që ndihma më e madhe na erdhi nga miku e aleati i përhershëm i Kosovës, Presidenti i Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Presidenti Biden, të cilit i jemi mirënjohës për miqësinë e treguar, duke ju përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë për një donacion prej gjysmë milion vaksinash. Njëkohësisht, vendet e Bashkimit Evropian e shumë shtete të tjera mike, na qëndruan pranë në momentet e vështira të pandemisë, duke ofruar përkrahjen e nevojshme nëpërmjet donacioneve e vaksinave e të pajisjeve mjekësore. Prandaj, duke i falënderuar qytetarët për vetëdijen e treguar, i lus ata që të vazhdojnë me vaksinimin, përfshirë edhe marrjen e dozës së tretë, apo siç njihet doza përforcuese, e cila është e vetmja mënyrë për të parandaluar valë të re të infektimeve e cila do ta afektonte negativisht si shëndetin e qytetarëve, ashtu edhe ekonominë tonë.
Sikurse edhe shumë herë gjatë historisë sonë, edhe gjatë këtij viti të brishtë ne dëshmuam se në kohët më të vështira, ne gjejmë forcë për të qëndruar së bashku, duke krijuar kohezion mendimesh e veprimesh për të mirën e Republikës. Së bashku, ne dëshmuam se kujdesi ndaj njerëzve tanë dhe humaniteti janë vlerat që na bashkojnë, brenda dhe jashtë institucioneve.
Të dashur qytetarë!
Të nderuar deputetë!
Si Presidente dhe udhëheqëse e politikës së jashtme jam angazhuar që të mbroj dhe të shtyj përpara interesat e Kosovës, të bëj rienergjizimin e aleancave me shtetet mike, si dhe të trasoj rrugën për krijimin e aleancave të reja. Gjatë kësaj periudhe, kam iniciuar praktikën e koordinimit të rregullt ndërinstitucional me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës në funksion të adresimit të sfidave dhe promovimit të qëllimeve të përbashkëta në politikën e jashtme. Për këtë dua të falënderoj për bashkëpunim kryetarin e Kuvendit, kryeministrin e qeverisë së Kosovës dhe zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme.
Kosova është me fat të mirë të ketë miq anë e mbanë botës. Ata që kanë qëndruar me ne në ditët më të vështira, por të cilët me po kaq ngulm dhe përkushtim po na qëndrojnë pranë dhe tani drejt konsolidimit të shtetësisë sonë dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë.
Ne jemi të lumtur që mund të themi që Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane e evropiane, si dhe i të gjithë atyre që u rreshtuan pranë nesh. Prandaj, në vizitat e mija të realizuara këtë vit, përveç se kam shprehur mirënjohjen e palëkundur të qytetarëve tanë për aleancat që i kemi dhe për mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve tanë, jam përkushtuar për të ngritur nivelin e shkëmbimit bilateral me vendet të cilat i kam vizituar, qoftë sa i përket raporteve politike e diplomatike e deri te ato të tregtisë, sigurisë, shëndetësisë, arsimit, turizmit, agjendës së gjelbër, teknologjisë informative e inovacionit, por dhe shumë fusha të tjera në interes të qytetarëve tanë.
Gjatë një viti, në kuadër të përpjekjeve për forcim dhe thellim të raporteve dypalëshe me shtetet tjera, kam takuar dhjetëra krerë shtetërorë, në vizita bilaterale e në forume multilaterale. Gjatë këtyre takimeve me shtete njohëse e jonjohëse, kam shtyrë përpara forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, thellimin e aleancave, shtimin e njohjeve dhe mbështetjen për anëtarësim në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Kosova është një shtet që e meriton mbështetjen e pakursyer të aleatëve tanë, sepse ajo këtë vit, më shumë se kurrë, e ka dëshmuar që është një demokraci e fortë dhe e qëndrueshme. Prandaj, pata nderin që me krenari të prezantoj vendin tonë si një shembull dhe një model i një demokracie të suksesshme në kuadër të Samitit për Demokraci të organizuar nga presidenti Biden.
Po ashtu, vendi ynë mbetet i palëkundur në orientimin Euro-Atlantik. Jemi të bindur se vetëm me integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe në NATO, projekti i Evropës së Bashkuar do të jetë më pranë realizimit të plotë. Ky qëndrim dhe kjo aspiratë e jona është shprehur dhe konfirmuar në çdo takim të realizuar qoftë në vizitën në Bruksel, në takimet me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, e udhëheqës të tjerë të kësaj aleance, me kryetaren Komisionit Evropian dhe takimet me liderët tjerë evropianë, të cilët e kanë vizituar Kosovën gjatë këtij viti. Kosova është fuqishëm e përkushtuar për të realizuar objektivat në rrugëtimin tonë euro-atlantik, sepse ne nuk kemi e nuk kemi pasur asnjëherë orientim tjetër, e këtë po e dëshmojmë edhe nëpërmjet reformave konkrete. Megjithatë, vonesa disavjeçare në procesin e liberalizimit të vizave po dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe kredibilitetin e BE-së. Prandaj po punojmë pareshtur me shtetet anëtare, në veçanti me ato që kanë dyshime, që ky proces të përmbyllet suksesshëm sa më shpejt.
Nga vizitat si dhe takimet bilaterale në shtete si Gjermania, Zvicra, Austria, Shqipëria, Turqia, Estonia, Belgjika, Portugalia, Kanadaja, Japonia e deri tek komunikimi i drejtpërdrejt telefonik me zëvendespresidenten e SHBA e takime me zyrtarë të tjerë amerikanë, komunikimi me presidentin e Izraelit e shumë liderë të tjerë, si dhe takime të shumta në forume rajonale e ndërkombëtare, kam shtyrë përpara fuqizimin e aleancave në interes të Kosovës, duke qartësuar njëkohësisht qëndrimin tonë lidhur me zhvillimet e brendshme, ato rajonale si dhe globale.
Për të avancuar bashkëpunimin rajonal të bazuar në parime të shëndosha të trajtimit të barabartë dhe në shërbim të agjendës për integrim në BE kam takuar liderët e shteteve të rajonit si në kuadër të procesit Brdo-Brijuni ashtu edhe dhe në kuadër të procesit të SEECP në Turqi. Kosova është partner i besueshëm i vendeve të rajonit dhe kundërshtar i vendosur i ndikimit rus dhe nismave destabilizuese të Serbisë. Dhe kjo është dëshmuar edhe me kërkesën drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme për deklarimin si persona non-grata të dy zyrtareve rus të cilët rrezikonin sigurinë tonë kombëtare. Gjithashtu, në funksion të konsolidimit të qëndrimit të shteteve të rajonit kundrejt rreziqeve me të cilat ballafaqohemi, jam takuar shumë herë me presidentin shqiptar, presidentin slloven, atë kroat, malazez, maqedonas dhe boshnjak. Zëri ynë i përbashkët dhe veprimet tona të koordinuara janë e vetmja rrugë përpara.
E këto biseda po konkretizohen gjithnjë e më shumë edhe me vizitat e liderëve në Kosovë. Vetëm në muajin e fundit, Kosova është vizituar nga presidenti i Shqipërisë, presidenti Slloven, kryeministri kroat, presidenti i Maqedonisë së Veriut, e javën tjetër do të presim në vizitë zyrtare presidentin Kroat, së shpejti do të mirëpresim edhe presidentin e Letonisë dhe udhëheqës të tjerë botërorë. Kosova çdo ditë e më shumë do të shndërrohet në vend nikoqir të vizitave të nivelit të lartë, sepse tashmë rajoni dhe bota po e kupton se vendi ynë është një partner serioz, i gatshëm për t’u ballafaquar me sfida, dhe i pjekur për të kontribuar në projekte rajonale e ndërkombëtare.
Në forume të shumta ndërkombëtare, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, pjesëmarrja në diskutimin për Kosovën në Këshillin të Sigurimit, Kongrese e forume të shumta në Kanada, në Berlin, në Antalia e në shumë vende të tjera, zëri i Kosovës është dëgjuar qartë e pa ekuivokë, ndërkaq miqësitë vetëm sa janë thelluar.
Duke e kuptuar rëndësinë e shkëmbimeve tregtare për përafrimin e interesave tona strategjike, jam angazhuar që të mbaj takime dhe diskutime me përfaqësuesit e disa prej bizneseve më të mëdha e më të suksesshme si në Zvicër, Gjermani, Japoni, Austri, Portugali, Turqi e shumë vende të tjera me ç‘rast jam fokusuar në përçimin e mesazhit se Kosova është një vend i sigurt për investitorët dhe një partner i besueshëm për të bërë biznes.
Nisur nga këto vizita, takime e komunikime, mund t’ju konfirmoj se Kosova ka miq dhe aleatë të rinj e të vjetër në secilin kontinent, që janë të palëkundur në mbështetjen që na ofrojnë në rrugëtimin tonë të drejtë të qenit anëtar me të drejta të të plota e barabarta në komunitetin ndërkombëtar.
Dhe e gjitha kjo ka ndodhur përkundër një starti jashtëzakonisht sfidues. Duke aplikuar një politikë të jashtme tërësisht pasive e të çakorduar në të kaluarën, e fatkeqësisht duke pranuar edhe moratoriumin që cenonte rendin tonë kushtetues dhe të drejtën për konsolidimin për subjektivitetin tonë ndërkombëtar, jo vetëm se u dëmtuan interesat tona strategjike, por realisht edhe ishin fikur dritat e politikës sonë të jashtme. Tani këto drita jo vetëm që janë të ndezura, por po punohet pareshtur që Kosovën ta kthejmë mbarë e të ecim përpara ashtu siç e meritojnë qytetarët tanë.
Për të arritur objektivat e politikës së jashtme, Kosovës i duhet një shërbim i jashtëm me diplomatë profesionistë që me nder e me përkushtim i shërbejnë Republikës sonë. Në këtë drejtim, reforma në shërbimin e jashtëm është e domosdoshme dhe hapat që i kemi ndërmarrë po sigurojnë ngritje të kualitetit, meritokracisë e integritetit në këtë shërbim. Kam dekretuar për ambasadorë emra profesionistësh kredibilë të cilët do t`i shërbejnë Kosovës e interesit të saj në ballafaqim me sfida të shumta. Për herë të parë në Kosovë, kemi bërë të mundur që nga të gjithë shefat e misioneve, ¾ të jenë diplomatë karriere, ndërkaq vetëm ¼ të emëruar sipas çelësit politik, përderisa në të kaluarën numrat ishin të kundërt ku, në kundërshtim me ligjin, numri i të emëruarve politikë arrinte deri në 75%.
Të dashur qytetarë,
Si Presidente e vendit, e shoh dialogun me Serbinë si mjet të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit tonë. Kosova do të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në këtë proces duke ofruar propozime konkrete të cilat mbrojnë interesat e vendit tonë, që kanë në qendër të vëmendjes qytetarët tanë si dhe kontribuojnë në paqe e stabilitet afatgjatë në të gjithë rajonin. Për fat të keq, nuk e shohim këtë gatishmëri tek Serbia. Në fakt, qëllimet e tyre mbesin të njëjta përherë, sado që strategjitë mund t’u ndryshojnë. Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës dhe këtë nuk e fshehë as në retorikë e as në veprime. Duke shërbyer si trampolinë e interesave ruse në rajon, Serbia ka për qëllim të destabilizojë shtetet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, duke përdorë logjikën e shekullit të kaluar.
Prandaj, rajoni ynë ka nevojë për intensifikim të vëmendjes amerikane e evropiane, në mënyrë që të neutralizohet ndikimi i mëtejmë agresor ruso-serb në Ballkan.
Sa i përket dialogut ndërkaq, ai nuk mund të ketë sukses nëqoftëse nuk nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës. Nga gabimet e së kaluarës duhet të mësojmë edhe ne, por edhe miqtë tanë në BE që e lehtësojnë këtë proces:
Së pari, dialogu nuk është dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që të shndërrohet në dialog për statusin, për territorin, për funksionalitetin e brendshëm e për rendin kushtetues të vendit tonë. Idetë që kishin për synim ndarjet territoriale në vija etnike dhe aventurat e tjera të rrezikshme nuk do të përsëriten më në vendin tonë. Statusi i Kosovës është vendosur njëherë e përgjithmonë, në përputhje me vullnetin e popullit të saj, nëpërmjet shpalljes së pavarësisë së vitit 2008, e konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si një akt në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
E dyta, idetë e shekullit të kaluar, që kanë për qëllim segregimin e jo integrimin, që kanë për qëllim ndarjet etnike e jo multietnicitetin, nuk janë as në të mirën e Kosovës e as të rajonit. Në fakt, siç dëshmon historia, idetë e tilla krijojnë konflikte të reja e do të krijonin po ashtu jofunksionalitet në vend se të kontribuonin në paqe. Prandaj, me tërë atë që po ndodhë së fundmi në Bosnje e Hercegovinë, është e pakuptueshme se si ende ka zëra që shtyjnë përpara ide që në Kosovë thjeshtë do ta krijonin krizën e njëjtë si në Bosnje e Hercegovinë apo kriza të ngjashme me ato të krijuara nga Rusia në Ukrainë e në Moldavi. Prandaj i ftoj të gjithë që të punojmë bashkërisht për të refuzuar idetë e shekullit të kaluar e të ecim përpara me ide të shekullit 21, ide që janë në frymën evropiane dhe që synojnë integrimin, harmoninë e bashkëjetesën. Shoqëritë dhe shtetet më të suksesshme në botë janë ato që kanë përqafuar vlerat e diversitetit dhe integrimit të të gjithëve pa dallim. Kosova synon pikërisht këtë.
E treta, në dialog duhet të ketë trajtim të barabartë të palëve. Prandaj të akuzohet Kosova si palë kinse penguese e destruktive është njëanshmëri që lëndon kredibilitetin e procesit të dialogut. Të akuzohet Kosova për destruktivitet në një kohë kur Serbia dëshmon me veprime të hapura synimin për cenimin e integritetit tonë territorial, mbështetjen e strukturave ilegale e grupeve trans-nacionale të krimit, shtyrjen përpara të interesave ruse në rajon, nuk zbaton shumicën e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, mbanë peng mbi 1.600 qytetarë tanë në varreza masive, nuk tregon gatishmëri për kërkimfalje e as drejtësi dhe nuk pranon peshën historike të luftërave që i ka shkaktuar në Ballkan; përderisa ajo vazhdon të shkelë të drejtat themelore të qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, sidomos nëpërmjet spastrimit të heshtur etnik me pasivizim të adresave; e shumë e shumë veprime destruktive. Pra. të akuzohet tani Kosova për destruktivitet është jo vetëm njëanshmëri, por akomodimi i një Serbie të tillë cfarë e paraqita dhe cfarë është realiteti është gabim që do t’i kushtojë shumë rajonit tonë e gjithë Evropës. Historia na mëson, se akomodimi i autokratëve asnjëherë nuk sjell më shumë paqe, por më shumë luftëra e vuajtje. Prandaj, të mësojmë nga historia. Sepse, përkrahja dhe inkurajimi i autokratëve, është dekurajimi më i madh ndaj demokracisë në kohën kur demokracia anekënd botës po rrezikohet nga tendencat autoritare në rritje e nga kampanja të dezinformimit me qëllime dashakeqe.
E fundit dhe më e rëndësishmja sa i përket dialogut: dialogu mund të ketë sukses nëse përmbyllet duke pasur në qendër të vetmen zgjidhje e cila sjellë paqe në rajon, e ajo është njohja reciproke, duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës sonë, si dhe të drejtat dhe interesat e qytetarëve tanë.
Prandaj, Serbia duhet të heqë dorë nga tendencat destabilizuese në veri, nga presioni ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, si dhe nga përkrahja e strukturave ilegale, sikurse edhe të heqë dorë nga politikat agresive ndaj fqinjëve të saj. Kjo do të krijonte kushte të favorshme për të shtyrë përpara suksesshëm si procesin e dialogut ashtu edhe zhvillimin ekonomik të rajonit tonë. Poashtu, do të dëshmohej se vlerat fundamentale, sidomos ato të sundimit të ligjit, janë vlerat orientuese të rajonit tonë.
Sa i përket sundimit të ligjit, Kosova ka dëshmuar vendosmëri për ta luftuar krimin e organizuar dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë në gjithë territorin e saj, kurdo që vlerëson se jeta e qytetarëve tanë po rrezikohet për shkak të aktiviteteve të tilla kriminale. Aksionet e policisë, në çdo cep të vendit tonë janë të pashmangshme për ta mbrojtur jetën dhe dinjitetin e shtetasve tanë. Policia jonë nuk i targeton etnitë, por celulat e krimit. E, në luftimin e krimit të gjithë duhet të jemi të pakompromis.
Mbrojtja e shtetit nga kërcënimet e brendshme, rajonale dhe globale nuk është vetëm e nevojshme, por është detyrim i shenjtë i çdo burri dhe çdo gruaje që i shërben shtetit. Krimi i organizuar transnacional dhe korrupsioni shkojnë dorë për dore ashtu si edhe pastrimi i parave, terrorizmi, trafikimi i armëve, narkotikëve dhe, fatkeqësisht, trafikimi i njerëzve. Prandaj, institucionet e sigurisë do të vazhdojnë ta kenë jo vetëm përkrahjen e qytetarëve të vendit, por edhe të institucioneve në luftimin e këtyre dukurive negative. Policia e Kosovës sot gëzon besimin dhe respektin e qytetarëve tanë ngaqë e luftojnë krimin dhe i mbrojnë lagjet dhe familjet tona. E krahas kësaj, agjencitë e zbatimit të ligjit vazhdojnë të luajnë rol kritik në sigurinë tonë kombëtare. Ato meritojnë mbështetjen tonë teksa po reformohen dhe po rigjallërohen çdo ditë. Kemi emëruar profesionistë me integritet në krye të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë të cilët po sigurohen që besnikëria ndaj Republikës sonë e askujt tjetër, disiplina, guximi dhe integriteti të jenë në qendër të çdo vendimi dhe operacioni që ndërmerr ose për të cilin informon Agjencia jonë e Inteligjencës.
Por, krimi luftohet në mënyrë shumë më efektive kur ka bashkëpunim ndërkufitar në këtë drejtim. Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të zbatimit të ligjit është jetik për ne. Kundërshtuesit e këtij procesi duhet ta kuptojnë se kundërshtimi ndaj anëtarësimit të Kosovës është i barabartë me mbështetjen për organizatat kriminale transnacionale.
Të vetëdijshëm se sundimi i ligjit është sfidë e gjithë këtyre viteve, që nga fillimi i mandatit kam ngulmuar që beteja për rend e ligj jo vetëm të mbetet një nga synimet tona kryesore, por e kam trajtuar atë si parakusht, si parakusht për demokraci të qëndrueshme dhe zhvillim të gjithmbarshëm socio-ekonomik. Prandaj, kam insistuar që procesi i vetingut të jetë përpjekja më serioze deri më tani për reforma në sistemin e drejtësisë dhe do të vazhdoj ta përkrahë atë fuqishëm. Vetingu i vazhdueshëm, i bërë me kritere objektive dhe ekspertizë profesionale, i kontribuon integritetit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial, si dhe forcon besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. Që ta nderojmë Republikën tonë dhe të jemi besnikë ndaj saj, duhet të pranojmë kolektivisht se reformat, sado të dhimbshme për dikë, janë rruga drejt konsolidimit tonë si shtet.
Që nga fillimi i mandatit tim si presidente, kam punuar që të ruhet e të përforcohet integriteti i institucioneve të vendit, prandaj edhe çdo emërim e kam bërë duke pasur parasysh vetëm e vetëm këtë parim. Për këtë qëllim, kam bashkëpunuar me secilin institucion dhe kam adresuar secilën brengë të qytetarëve tanë. Zyrën e Presidentes e kemi shndërruar në zyrë të hapur e transparente për të gjithë qytetarët. Institucioni që drejtoj është shpallur si institucioni më transparent në rajon, ndërkaq këtë përkushtim për transparencë të plotë karshi publikut, jo vetëm ndaj atyre që bëjnë kërkesa, gjatë këtij muaji do ta dërgojmë në një nivel tjetër, ku në mënyrë proaktive do të publikojmë shpenzimet e mia dhe të kabinetit tim, natyrisht të gjitha shpenzimet zyrtare, por edhe shpenzimet e viteve paraprake, ku dëshmohet që përderisa shpenzimet tona janë shumëfish më të vogla, puna jonë për vendin është shumëfish më e madhe.
Të dashur qytetarë!
Kosova po konsolidohet çdo ditë si shtet e po e zgjeron rolin e saj si faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Nisur nga kompetencat e mia si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës kemi punuar bashkë që FSK-ja të zhvillohet në ruajtëse të paqes së brendshme e në faktor të rëndësishëm për ruajtjen e paqes globale. Ajo është dëshmuar si partner i besueshëm e i rëndësishëm i ushtrisë më të fuqishme në botë, asaj të SHBA-ve, dhe partnerëve të tjerë brenda aleancës më të fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, atë të NATO-s. Për herë të parë në historinë e forcave tona, trupat tanë zbarkuan në një mision paqeruajtës ndërkombëtar, në Kuvajt, së bashku me ushtrinë amerikane dhe ka validuar kapacitetet e saj të këmbësorisë në nivel kompanie, gjatë ushtrimit më të madh të organizuar pas Luftës së Dytë Botërore “Defender Europe 21”, duke e bërë edhe më të dukshëm kështu e më funksional partneritetin tonë me vendet aleate e duke e ridëshmuar orientimin tonë strategjik. Në anën tjetër, ne jemi shndërruar në vend të besueshëm për partnerët, ngase duke i strehuar refugjatët afganë, në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe me NATO-n, ne kemi dëshmuar se jo vetëm jemi partnerë, por edhe mund të japim kontribut të rëndësishëm në trajtimin e krizave globale. Por mbi të gjitha, si ish-refugjatë vet, kemi dëshmuar shpirtin tonë solidarë dhe ashtu siç u gjinden pranë nesh shumë shtete në vitin 1998-99, ne sot po tregojmë se nuk u mbyllim derën atyre që u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në këtë drejtim, gjatë këtij viti kam autorizuar edhe zbarkimin e parë të FSK-së jashtë vendit, pra atë në Kuvajt, si dhe operacionin humanitar gjatë zjarreve të stinës së verës në Shqipëri. Ushtria jonë është e gatshme të jetë pjesë e operacioneve tjera paqeruajtëse dhe ushtarake jashtë vendit, së bashku me Ushtrinë amerikan edhe ushtritë tjera aleate në vatrat e krizës nëpër botë. Me Shtetet e Bashkuara po zhvillojmë diskutimet për intensifikim të bashkëpunimit edhe më të ngushtë bilateral ushtarak por edhe në çdo vizitë jashtë vendit kam iniciuar thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Së fundi, në krye të Ushtrisë së Kosovës kam emëruar gjenerallejtënant Bashkim Jasharin, i cili sjell me vete përvojë dhe përgatitje profesionale të gjatë dhe i bën nderë ushtrisë tonë, duke mbrojtur namin dhe trashëgiminë e familjes së lavdishme Jashari si dhe te Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës, e në të njëjtën kohë duke e shtyrë FSK-në përpara drejt sukseseve të reja, si ushtri që në të ardhmen e afërt e ka vendin në NATO.
Përderisa punojmë në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse ndaj rreziqeve që vijnë nga jashtë, ne po ashtu duhet ta kuptojmë që një ndër rreziqet më të mëdha që i kanoset një shoqërie është injorimi i dukurive negative të cilat rrënjosin pabarazinë e shpeshherë përfundojnë edhe me humbje jetësh.
Prandaj, fuqizimi, garantimi i të drejtave të barabarta dhe promovimi i të arriturave e sukseseve të grave dhe vajzave tona ka qenë dhe mbetet një prej angazhimeve të mia kryesore. Përgjatë këtij viti, gratë dhe vajzat tona vazhduan ta lartësojnë e nderojnë Republikën tonë në rrafshin rajonal, si dhe atë ndërkombëtar. Jam shumë krenare me arritjen e secilës prej tyre. E mbi të gjitha, jam shpresëplotë, sepse atyre po u jepet mundësia që të shërbejnë si shembulli më i mirë edhe për çdo vajzë e grua tjetër në Kosovë, duke u dëshmuar atyre se ëndrrat bëhen realitet.
Por, është kaq e dhimbshme që disave u prehen ëndrrat në gjysmë e disave u prehen krahët në fluturim e sipër. Paralel me pandeminë COVID-19, edhe Kosova u bë viktimë e pandemisë së dhunës mbi bazë gjinore. Në vitin 2021 numri i rasteve të dhunës mbi bazë gjinore është rritur ndjeshëm ndërkaq vrasjet e aktet mizore kundër grave kanë vazhduar. Janë shumë jetë të humbura, të cilat janë viktima jo vetëm të dhunës së partnerëve të tyre, por janë edhe viktima të mangësive tona si shoqëri për të ngritur nivelin e vetëdijes individuale e kolektive deri në atë pikë ku çdokush e ka të qartë se çdo jetë ka peshë të barabartë, e ku askush e për asnjë motiv, nuk ka të drejtë t’ia cenoj dikujt të drejtën në jetë.
Andaj, është imperativë që të gjithë ne të përkrahim strategjinë kombëtare kundër dhunës mbi bazë gjinore e cila është udhëhequr nga fryma e Konventës së Stambollit, konventë kjo që na bëri bashkë të gjithëve, pa dallim partie, gjinie a etnie, në votimin unanim të saj në mandatin e kaluar. Njëkohësisht, pres përkrahjen tuaj në procesin e harmonizimit të të gjitha ligjeve përkatëse me dispozitat e ligjit për barazinë gjinore, për të garantuar vendin e duhur për gratë tona në institucionet publike dhe në rolet vendimmarrëse.
Për të ndalur epideminë e dhunës mbi baza gjinore, duhet të angazhohemi që të rriten dënimet minimale kundrejt dhunuesve. Viktimat e dhunës në familje përjetojnë akte të vazhdueshme të terrorit, pra jo vetëm një herë, për to çdo ditë është terror, prandaj edhe niveli i dënimeve aktuale, po flas për dënimet minimale, duhet të rritet duke i barasvlerësuar ato me aktet e terrorizmit. Ajo që i ndodhi Marigona Osmanit e shumë grave të tjera nuk është asgjë më pak, sepse ato përjetuan terror më shumë se sa një herë. Ato sot do të duhej të ishin në mesin e të dashurve të tyre, duke bërë plane për realizim të dëshirave për vitin e ri. Dështimi për mbrojtjen e tyre është ndër dështimet më të mëdha në historinë e shoqërisë sonë. E përderisa Kosova është terrorizuar nga akte të tilla, në sistemin tonë gjyqësor ka raste kur gratë e vajzat ndonëse viktima, fajësohen për dhunën ndaj tyre, teksa moralizohet në emër të “nderit” për ta arsyetuar dhunën. Një gjuhë e tillë është e papranueshme për shoqërinë tonë, por mbi të gjitha për njerëzit që punojnë në sistemin tonë të drejtësisë. Le t’i lexojnë këto vendime të gjithë ata që ende kanë dyshime për domosdoshmërinë e vetingut në sistemin e drejtësisë, si parakusht për rritje të integritetit.
Gratë dhe vajzat, sikurse edhe çdo qytetarë i vendit tonë, duhet dhe do ta kenë vendin e merituar në shoqëri dhe të drejtat e garantuara për një jetë të dinjitetshme dhe mundësi të barabarta. Prandaj në dhjetëra aktivitete së bashku me shumë prej jush, kemi dhënë mbështetje institucionale e në raste të caktuara edhe financiare, në mënyrë që projektet që synojnë barazinë gjinore të ecin përpara suksesshëm.
Krahas kësaj, Kosova pasurinë më të madhe i ka fëmijët dhe rininë e saj. Si Presidente angazhohem që t’ju krijojmë mundësinë dhe hapësirën e duhur për të përparuar dhe zhvilluar në një mjedis të sigurt dhe të shëndosh në mënyrë që të arrijnë potencialin e tyre të plotë.
Gjatë këtij viti kam hapur Presidencën ndaj grupeve të ndryshme rinore dhe fëmijëve nga komunitete të ndryshme duke synuar ngritjen e vetëdijes për kauza të rëndësishme, sidomos për fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijë nga grupe të margjinalizuara e fëmijë që po ballafaqohen me beteja shëndetësore në një moshë shumë të re. Ata më së shumti kanë nevojë për përkrahjen tonë, në mënyrë që të kenë mundësi t`i ofrojnë shtetit e shoqërisë potencialin e tyre të jashtëzakonshëm.
Si Presidente e vendit ju siguroj se nuk do të ndalem së angazhuari që ta ndërtojmë bashkërisht një shoqëri të hapur për të gjithë dhe të barabartë. Andaj, mesazhi im për çdo fëmijë, e sidomos ata me nevoja të veçanta, është se të gjithë në një mënyrë ose tjetër ballafaqohemi me kufizime të ndryshme në jetë, porse, do të punojmë fort së bashku për ta shndërruar çdo sfidë në një mundësi të re, në një rast për të arritur gjithnjë diçka më shumë. Do të vazhdojë të angazhohem që të gjithë të trajtohen barabartë, e mbi të gjitha të kenë qasje të plotë në të drejta e në shërbime.
Po ashtu, po punojmë që të shtyjmë tek të rinjtë vlerat e aktivizimit qytetar, vullnetarizmit dhe kontributit në komunitet si themele të një shoqërie të shëndoshë e demokratike. Padyshim se te rinjtë tanë ende ballafaqohen me sfida që moshatarët e tyre në Evropë nuk i hasin. Përkundër këtyre barrierave, shumë të rinj tanë janë kampionë olimpik në sport e në shkencë, janë superyje në fushën e muzikës dhe artit, janë udhëheqës të ndryshimit, si dhe mbeten disa nga mendjet më inovative në rajon e përtej.
E përderisa e kuptojmë se potenciali ynë njerëzor është drejtimi ku duhet të investohet, dua poashtu të theksoj se ekonomia jonë ecë përpara vetëm me një popullatë të shëndoshë. Prandaj jetesa në një ambient të pastër është parakusht themelor për të arritur këtë. Fillimisht si Kryetare e Kuvendit, e po ashtu edhe prej ditës së parë si Presidente, kam prioritizuar angazhimin për promovimin e agjendës së gjelbër në vend, sepse jam e bindur se politikat e gjelbra dhe mbrojtja e mjedisit janë mbi të gjitha garanci për mbrojtjen e shëndetit tonë.
Duke besuar fuqishëm në rëndësinë e gjithpërfshirjes dhe komunikimit të hapur për një të ardhme të ndërtuar rreth konceptit për zhvillim të qëndrueshëm, kam realizuar takime të rregullta konsultative rreth këtyre temave me përfaqësues të shoqërisë civile, komunitetin e biznesit, partnerët rajonal e ndërkombëtar, kam marr pjesë në cdo diskutim të drejtpërdrejt për të ngritur vetëdijen tonë kolektive për rëndësinë e promovimit dhe përqafimit të konceptit zhvillimor të bazuar në politika të gjelbra.
Të dashur pjesëtarë të komuniteteve që jetoni në Kosovë!
Secili komunitet jep një kontribut të rëndësishëm për diversitetin shoqëror në Republikën e Kosovës, dhe si Presidente do të mbështesë të gjitha nismat që bëjnë të njohur dhe promovojnë diversitetin e tillë shoqëror si vlerë. Në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete në Presidencë, që mblidhet aktivisht dhe në takimin e fundit këtë javë, si dhe në komunikimet e rregullta që kam me partitë, shoqërinë civile si dhe me pjesëtarë të komuniteteve dua t’i siguroj se Kosova nuk synon vetëm tolerancën, por edhe vlerësimin e diversitetit kulturor e etnik në të cilën jetojmë. Në këtë drejtim, integrimi i diversitetit kërkon dialog dhe pjesëmarrje mes institucioneve dhe pjesëtarëve të komuniteteve i cili duhet të vazhdojë e të intensifikohet. Në njërën anë, institucionet publike do të vazhdojnë me punën dhe përpjekjet që të krijojnë kushtet ku pjesëtarët e të gjitha komuniteteve kanë mundësinë që të jenë anëtarë me të drejta të plota dhe aktiv në shoqëri. Secili prej nesh duhet të refuzojmë ndarjen mbi linja etnike, dhe duhet të inkurajojmë një kulturë politike që mundëson gjithsecilit të shpreh, ruaj dhe zhvilloj lirisht identitetin etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar. Nga ana e tyre, pjesëtarët e komuniteteve duhet t’i gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre sipas Kushtetutës së Kosovës, por edhe të respektojnë detyrimet e tyre si qytetarë të Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë, pjesëtarët e komuniteteve do të jenë në gjendje të gëzojnë interesat e tyre individuale duke kontribuar njëkohësisht edhe në të mirën e përbashkët të shoqërisë dhe të shtetit tonë.
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë të Kosovës!
Kosova është vend i qytetarëve të saj, në të cilin ndryshimet politike, kulturore e religjioze përbëjnë shtysë për kohezion nacional, sikur që diversiteti i mendimeve përbën thelbin e botëkuptimit tonë për vlerat e përbashkëta. Si pjesë e diversitetit kulturor perëndimor, ndërkaq, ne jemi të përkushtuar që t’i shërbejmë vendit dhe ta respektojmë vullnetin e qytetarëve tanë e ta bëjmë të mundur realizimin e ëndrrave të tyre, në vendin e tyre. E, ëndrrat e qytetarëve tanë sot janë të lidhura me zhvillim të përshpejtuar ekonomik, social e kulturor. Por, historia jonë, është e lidhur ngushtë edhe me mërgatën shqiptare, e cila e ka mbajtur gjallë jetën në vitet ’90 dhe po e mban të pashkëputur lidhjen dhe dorën e ndihmës edhe sot, më shumë se 20 vjet pas. Prandaj, edhe sot këtu para jush dua t’i falënderoj nga zemra për këtë kontribut. Mirëpo, historia jonë po ashtu është e lidhur edhe me miqtë tanë, të cilëve u jemi përjetësisht mirënjohës, sepse vazhdojnë të qëndrojnë krah nesh në synimet tona për forcimin e shtetit të Kosovës dhe integrimin e shpejtë në strukturat euroatlantike.
Të dashur bashkëqytetarë!
Ne po hyjmë në vitin 2022 me shikim kah e ardhmja. Përpara do ta kemi një vit tjetër në të cilin do të mund të përballemi me sfida e vështirësi, do të kemi shumë angazhime, por pa dyshim edhe shumë momente për të festuar.
Jemi të vetëdijshëm se detyrë parësore është ta mposhtim pandeminë, e bashkë me të edhe pasigurinë e pashpresën. Por, edhe që ta krijojmë solidaritetin e nevojshëm për parimet themelore mbi të cilat është krijuar e qëndron shteti ynë. Në një shoqëri si kjo e jona, solidariteti është baza e çdo gjëje.
Kosova jonë po përjeton një etapë të veçantë, atë të bashkëpunimit, koordinimit, e të mirëkuptimit ndërinstitucional në nivele që nuk i kemi parë kurrë më herët. Kjo vetëm sa e shtynë Kosovën përpara. Duke filluar nga koordinimi për politikë të jashtme e deri te çështjet që kanë të bëjnë me pandeminë, të gjitha këto janë interesa të qytetarëve tanë që kanë të bëjnë me mirëqenien e tyre dhe mbesin në qendër të çdo politike e vendimi që e shtyjmë përpara.
Uroj që viti i ardhshëm të jetë vit i krijimit të kohezionit më të madh nacional, që institucionet dhe partitë politike të gjejnë përkushtimin dhe veprimin e përbashkët për të mirën e qytetarëve të vendit, që pikëpamjet e ndryshme, dallimet ideologjike ose politike, të trajtohen si spektër mundësish për zhvillim dhe jo për ndasi e për thellim krizash. Unë do të vazhdoj të punoj për ruajtjen e unitetit të qytetarëve dhe krijimin e një ambienti të shëndoshë, në të cilin ndërveprimi mes nesh si dhe bashkëpunimi në çështje madhore për qytetarët e vendit jo vetëm të jetë i mundur, por të shndërrohet në parim të pakapërcyeshëm për gjithsecilin prej nesh. Sikur e kam thënë në fjalimin tim inaugurues si Presidente e vendit: ne jemi tepër pak për të qenë të ndarë. Ne duhet të kujtojmë vazhdimisht se vlerat mbi të cilat është ndërtuar shoqëria jonë bazohen mbi harmoninë e ndërsjellë.
Si Presidente e juaja, si Presidente e qytetarëve të Republikës së Kosovës në çdo hap e çdo veprim timin, asnjëherë nuk harroj se roli dhe misioni im burojnë nga vullneti qytetar.
Në fund, më lejoni që edhe një herë t’ua shpreh mirënjohjen time dhe falënderimin tim të thellë për besimin tuaj dhe t’ju dëshiroj shëndet e mirëqenie të gjithë juve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës!
Ju faleminderit shumë!