Nga Jusuf BUXHOVI, shkrimtar dhe historian nga Prishtina
Rruga e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe dokumentet partiake (nga idetë e deri te formulimet programore) pa mëdyshje lidhet edhe me rolin e disa personaliteteve të kohës, ndër të cilët gjithsesi duhet përmendur profesor Fehmi Aganin, akademik Gazmend Zajmin dhe historianin Zekeria Cana.
Kjo treshe intelektuale, u kyç në nismën për hartimin e programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në përputhje me konceptin e kërkesave: liri, demokraci dhe barazi, që njëherësh shfaqej edhe platformë e ndryshimeve që kishin përfshirë vendet e ish diktaturës komuniste në rrugën e tyre kah bota perëndimore. Në rrethanat e ish Jugosllavisë, kur tranzicioni, nga udhëheqja e Beogradit kamuflohej me pretendimet që Jugosllavia e Titos të transformohej në një shtet unitar nën mbikëqyrjen e Serbisë, që praktikisht ia hapte rrugën afrisë kah Lindja, formulimet për liri, demokraci dhe barazi nga një parti politike nga shqiptarët e Kosovës, që kishin humbur autonominë dhe statusin e njësisë federative që e kishin me kushtetutën e vitit 1974, kishin rëndësi të veçantë. Meqë me anën e tyre mund të arriheshin dy parametra historik: shkëputja nga ideologjia komuniste, ku ata ishin futur me dhunë nga viti 1944 e këndej, si dhe çlirimi nga tutela e Serbisë, ku ishin rikthyer dhunshëm më 23 mars 1989, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, që nga shqiptarët, me të drejtë, përjetohej një ripushtim tjetër mbas atij të vitit 1944.
Kështu, në parametrat e këtij misioni historik, akademik Gazmend Zajmi, ishte referencë e çfarëdo formulimi të kërkesave kushtetuese, siç ishte formula se “Kosova duhet të ketë statusin e subjektit të barabartë në federatën e Jugosllavisë”, që do të zërë vendin në programin e LDK-së. Sepse, sipas akademik Zajmit avansimi i pozitës kushtetuese të Kosovës në federatë, pra barazimi i plotë me njësitë tjera jashtë statutit dual që e kishte, përjashtonte çfarëdo lidhjeje me Serbinë, siç linte të hapur mundësinë që juridikisht pozita e subjektit të barabartë të fitonte edhe legjitimitet politik dhe ndërkombëtar njëherësh, jashtë anatemës së “rrënimit të Jugosllavisë”, që e lansonte Serbia. Mbi këtë koncept akademik Zajmi u angazhua që këtij procesi t’i përgatitej edhe infrastruktura e legjitimitetit demokratik siç ishte Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për Pavarësi i shtatorit 1991.
Profesor Fehmi Agani, nuk ishte i druajtur si akademik Gazmend Zajmi, që kërkonte të mbetje përherë i pavërejtur. Përkundrazi, “profesori” siç e thërrisnin të gjithë, gëzonte një autorit thuajse në të gjitha qarqet intelektuale dhe shkencore. Afërsia e tij që të bashkëbisedojë me të gjithë, prirja që të dëgjojë me vëmendje dhe të këshillojë me mençuri, ia kishin krijuar oreolin e një autoriteti, që ishte i pakapërcyeshëm në rrethanat kur nga sjellja intelektuale dhe mençuria varej ajo me qenë ose mos me qenë. Andaj, ishte e natyrshme që edhe themelimi i partisë së re ta përfshinte profesor Aganin, ku ai punoi me përkushtim jo vetëm në fazën e themelimit të “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, por edhe në atë transformimit të saj nga një parti në Lëvizje Kombëtare, çfarë në të vërtetë do të bëhet pas dy-tre muajve me mbi 700 mijë anëtarë. Me mençurinë që t’u qaset problemeve edhe më të rënda, me aftësinë politike që t’i bashkojë të gjithë, madje edhe kundërshtarët e deridjeshëm, me durimin që të majtën ekstreme ta inkorporojë në lëvizje si dhe këshillat “rebeluesve” që kërkonin me çdo kusht luftë të parakohshme për t’iu kundërvënë represionit serb, që do të kishte pasoja fatale në ato rrethana pa miq nga jashtë dhe mbështetje ndërkombëtare, profesor Agani u bë dorë e djathtë e presidentit Rugova. Përkundër përpjekjeve të grupeve të ndryshme që nuk e donin këtë nga shkaku i fuqisë dhe shkathtësisë së tij politike, Agani mori përsipër çështjet kyçe politike dhe diplomatike, nga shteti paralel e deri te misionet diplomatike çfarë ishin bisedimet për arsimin me Beogradin dhe të tjerat që dolën në pah pas Dejtonit dhe daljes në skenë të UÇK-së në vitin 1987, kur rezistenca e armatosur duhej të kthehej në mjet të politikës , siç ndodhi në Rambuje.
Natyrisht se profesor Agani, nuk ia doli të përjetojë çlirimin e Kosovës. U vra nga forcat serbe gjatë kohës së fushatës së bombardimeve. Me siguri se me profesor Aganin, rrjedha e shumë ngjarjeve politike gjatë protektoratit dhe veçmas procesi i shpalljes së shtetit të pavarur do të ishte edhe më i kompletuar. Madje, edhe LDK-ja në rrethanat e pluralizmit politik çarë solli protektorati ndërkombëtar, do ta ruante kursin dhe drejtpeshimin politik, që e humbi mbas vdekjes së Rugovës. Por, puna dhe vepra e tij, mbesin në oltarin e historisë së LDK-së, po edhe të shtetformimit në përgjithësi si vlera të përhershme.
Edhe profesor Zekeria Cana pati merita të mëdha për themelimin e “Lidhjes Demokratike të Kosovës”. Si pjesëtar i grupit nismëtar, profesor Cana, u angazhua me përkushtim që të jetë sa më përfshirës në planin intelektual, ndonëse në të njëjtën kohë kryente edhe punën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit për të Drejtat dhe Liritë Njerëzore që ishte themeluar kohë më parë dhe po vepronte me të madhe për mbledhjen e të dhënave që regjimi serb ushtronte ndaj shqiptarëve, jo vetëm me masat e aparhejdit, po edhe me instalimin e regjimit policor-ushtarak në Kosovës, që po ia përgatiste hapësirën fushatës së spastrimit etnik të Kosovës në përputhje me programet hegjemoniste të së kaluarës, që Millosheviqi kishte filluar t’i jetësonte.
….
Akademiku Gazmend Zajmi
Historiani Zekeria Cana