Nga: Jusuf BUXHOVI, shkrimtar dhe historian nga Prishtina
PROGRAMI I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS*
(Dokument autentik i paraqitur në Kuvendin Themelues)
“Kriza e thellë shoqëror, ekonomike dhe politike, në të cilën gjendemi tash e sa kohë, para bashkësisë shumëkombëshe hapi dilema që kanë të bëjnë me ekzistencën e saj të mëtutjeshme. Në opsion tashmë janë shumë programe dhe projekte të nduarndurta që mëtojnë të fitojnë legjitimimet në Jugosllavi. Kjo larmi idesh, propozimesh e deri te programet me profile të qarta politike tregon më së miri se për fatin e Jugosllavisë janë të brengosur dhe të preokupuar të gjithë, dhe se, e ardhmja e saj mund të garantohet po qe se për të angazhohen të gjitha subjektet e saj, pa iu rezervuar askujt e drejta që të flasë apo të vendosë në emër të të tjerëve. Jugosllavinë duhet kuptuar si interes të secilit që jeton në të, pra, edhe të popullatës së Kosovës, e cila ruan të drejtën e saj që lirisht të vendosë për fatin e vet.
Fakti se kriza e thellë dhe e gjithanshme që po rëndon vendin dhe që më fuqimisht e me pasoja më të rënda po shprehet në Kosovë, kërkon kthesa radikale në fushën ekonomike, shoqërore e politike, se ajo mund të përballohet e të tejkalohet vetëm me angazhimin dhe veprimin e të gjitha forcave subjektive e të potencialeve krijuese, dhe se ky angazhim nuk është i mundur në kuadër të monizmit politik dhe të monopolit njëpartiak, ne të nënshkruarit, morëm nismën që të themelojmë:
Lidhjen Demokratiket të Kosovës,
Si Parti për veprim shoqëror-politik e kulturor të të gjithë atyre që aprovojnë orientimet programore të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe intencat e saj.
1
Lidhja Demokratike e Kosovës (në tekstin e mëtutjeshëm LDK) angazhohet për reforma ekonomike e shoqërore që synojnë daljen sa më të shpejtë nga kriza, që mund të bëhet me zhvillim më të shpejtë ekonomik të vendit. Për këtë qëllim LDK angazhohet për ekonomi të tregut, forma të ndryshme të pronësisë, për treg modern dhe për përjashtimin e ndërhyrjes jokompetente të politikës në çështjet ekonomike (nga orientimi i pa kriter i investimeve e deri te caktimi i kuadrit drejtues në ekonomi), gjë që kishte dhe ka pasoja të dëmshme.
Kosova, përkundër potencialeve të veta njerëzore dhe natyrore, është pjesa ekonomikisht më e prapambetur dhe me papunësi më të madhe. Prapambetja ekonomike dhe papunësia janë forma permanente të krizës. LDK vlerëson se pikërisht prapambetja ekonomike dhe papunësia janë problemet kryesore të Kosovës dhe përpiqet për përballimin e tyre. LDK përpiqet për stimulimin e iniciativave dhe të angazhimeve të investimeve, për racionalizimin dhe modernizimin e prodhimit, për rekonstruksione e orientime prodhuese dhe jo për falimentime dhe shuarje të nxituar të organizatave ekonomike; angazhohet për të drejtën e barabartë të secilit në punë – varësisht nga aftësitë; angazhohet kundër privilegjeve në këtë lëmë në baza regjionale, kombëtare dhe të tjera.
LDK angazhohet për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve dhe mundësive të brendshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës; angazhohet për politikë sociale, siç ndodh në të gjitha shtetet moderne dhe angazhohet për solidaritet të të zhvilluarve ndaj të pazhvilluarve.
2
LDK angazhohet për Jugosllavinë demokratike, federative dhe për reformën e sistemit politik në këtë drejtim.
LDK angazhohet për demokraci që do të sigurojë barazinë e plot juridike e politike të qytetarëve, të individit, të dinjitetit dhe të pronës së tij – pavarësisht përkatësisë kombëtare, gjinore apo fetare; angazhohet për shtetin juridik, që respekton kushtetutën dhe ligjin dhe përjashton arbitraritetin politik e pushtetmbajtës.
LDK angazhohet për pluralizëm politik që shpreh strukturat dhe interesat e ndryshme dhe mundëson garën e koncepcioneve politike të ndryshme;
LDK angazhohet për sistem shumëpartiak; angazhohet për mbrojtjen e plotë dhe zgjerimin e lirive të njeriut dhe të qytetarit; angazhohet për të drejtën e mendimit dhe të shprehjes së lirë, për lirinë e fjalës, të shtypit e të organizimit politik; angazhohet për heqjen e çfarëdo censure të fshehur; angazhohet për gjyqet e pavarura dhe për përjashtimin e varësisë së individit, të ndjekjes dhe të ndëshkimit politik të gjyqtarëve.
LDK angazhohet për zhvillimin e raporteve demokratike në Federatë, duke e kuptuar Federatën si bashkësi të subjekteve të barabarta, si bashkësi të qytetarëve dhe të kombeve të barabarta. Pra,angazhohet për një federatë moderne, e cila do të mundësojë barazinë e nacionaliteteve dhe të republikave dhe të krahinave në sistemin parlamentar në bazë të së drejtës së votës së lirë.
LDK do të angazhohet për një shoqëri demokratike, në bazë të traditës më të mirë të qytetërimit njerëzor.
LDK do të angazhohet për zgjerimin e kanaleve demokratike institucionale, drejt ri afirmimit dhe afirmimit të mëtutjeshëm të individualitetit të Kosovës dhe të pozitës së saj kushtetuese si njësi e barabartë e federatës.
LDK angazhohet për afirmimin e subjektivitetit shoqëror, politik e kulturor të shqiptarëve dhe për të drejtën e tyre, që në marrëveshje me popujt me të cilët jetojnë bashkërisht, të shfrytëzojnë format e konstituimit politik dhe juridik që do të afirmonin barazinë e tyre.
3
E vetëdijshme për faktin që bashkëpunimi, mirëkuptimi, miqësia dhe solidariteti i popujve janë rezultat dhe frytet më të rëndësishme të civilizimit, kurse grindjet dhe armiqësitë janë fatkeqësi e madhe, LDK do të angazhohet vendosmërisht për zhvillimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit të gjithanshëm të të gjithë popujve në Kosovës, në Jugosllavi dhe në botë.
Barazia e plotë përbën edhe parakushtin qenësor të miqësisë dhe të bashkëpunimit të popujve. Prandaj, LDK përpiqet për barazi të plotë kombëtare në Jugosllavi e në Kosovë. Ajo do të punojë për afirmimin e vetëdijes se Kosova është e të gjithë atyre që jetojnë në të:
-se shqiptarët, serbët,malazezët, turqit dhe të tjerët historikisht dhe aktualisht Kosovën e kanë të tyre dhe bashkërisht duhet ta zhvillojnë dhe ta përparojnë;
-se jeta në miqësi është bazë e mirëqenies dhe lumturisë së popujve;
-se shumësia e kulturave dhe e traditave, e kuptuar drejt, është pasuri;
-se bashkëpunimi e miqësia e popujve janë të pandashme pa njohjen, mirëkuptimin dhe respektin e kulturave dhe të traditave, të qenieve dhe të interesave të njëri-tjetrit.
LDK do të luftojë kundër çdo qëndrimi ose pikëpamje të pabarazisë. Ajo veçmas do të angazhohet:
-kundër çdo privilegje ose diskriminimi kombëtar;
-kundër konceptet mbi popujt autoktonë dhe shteformues dhe popujve të prezencës së rastësishme e margjinale;
-kundër shovinizmit dhe hegjemonizmit;
-kundër manipulimeve nacionaliste e burokratike me çështjen kombëtare.
LDK përpiqet për barazinë e plotë të nacionaliteteve në Jugosllavi. Angazhohet për zhvillimin e gjithanshëm kulturor të të gjithëve, për arsim të plotë në gjuhën amtare në të gjitha shkallët e shkollimit; angazhohet për ruajtjen e pozitës dhe të dinjitetit moral e material të shkollës; për kultivimin e gjuhës amtare dhe barazinë e saj në komunikim publik dhe në administratë;angazhohet për kultivimin e lirë e të barabartë të traditave kulturore, historike dhe për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe të kremtimit me dinjitet të festave kombëtare; për të drejtën dhe mundësinë që çdo popull të shfrytëzojë rezultatet pozitive të krijimtarisë së vet kulturore dhe shpirtërore kudo që krijohen.
Në këtë drejtim duhet zhvilluar edhe më tutje institucionet që merren me studimin dhe kultivimin e kulturës, të traditës dhe të shprehjes së lirë të individualitetit kombëtar të të gjithëve në Kosovë dhe në Jugosllavi.
4
LDK përpiqet për të vërtetën për Kosovën, duke luftuar kundër dezinformatave e shpifjeve, kundër përpjekjeve që çështjet e sotme të Kosovës të paraqiten e për to të flitet vetëm me terme diskualifikuese, pa u parë ato në tërësinë dhe kompleksitetin e tyre. LDK është kundër represioneve e rikonstruksioneve si zgjidhje të problemeve, është kundër imponimit të pseudovlerave për t’u mbyllur problemet e vërteta, është kundër gjendjeve dhe masave të jashtëzakonshme, kundër izolimeve e kundër proceseve politike si dhe angazhohet për lirimin e të burgosurve politikë. Angazhohet, pra për dialog konstruktiv e mirëkuptim të ndërsjellë dhe kundër diskualifikimeve dhe etiketimeve të çdo mendimi ose kërkese, që ndryshon nga ajo zyrtare e një partie.
5
LDK do të angazhohet për ruajtjen e ambientit të natyrës dhe të resurseve natyrore. Asnjë gjeneratë nuk ka të drejtë që pa nikoqirllëk t’i shfrytëzojë ato që duhet t’u takojnë edhe gjeneratave të tjera.
Në Prishtinë,
Më 23 dhjetor 1989.
Jusuf Buxhovi (Nënshkrimi)
…
* Ky dokument, i mbështetur mbi sugjerimet e akademik Gazmend Zajmit, profesor Fehmi Aganit dhe Ajri Begut dhe me korrigjimet që iu bënë pak para fillimit të Kuvendit, u paraqit në Kuvendin Themelues, i aprovuar njëzërit nga të pranishmit. Dokumenti autentik që gjendet në arkivin personal te autorit bashkë me të tjerët nga themelimi, i paraqitur në librin “Kthesa historike” 1, ka rëndësi ngaqë menjëherë pas aprovimit, në opinion iu nënshtrua përpjekjeve të shumta për t’u falsifikuar. Këso falsifikime, që pastaj u shpërndanë nën firmën e LDK-së, pati në Gjermani dhe Zvicër, mbi të cilat u mbështetën shumë nga shpifjet partisë dhe programit të saj, me ç’rast fjala “barazi në federatë” u zëvendësua me “autonomi” madje edhe nën Serbinë! Këto dhe falsifikime të ngjashme me të cilat u përcoll veprimtaria e pandalshme e LDK-së, shkuan deri aty saqë u lansua edhe shpifja se “programi i përkthyer, me kërkesa autonomiste, u soll nga Serbia”!