Fahri Dahri, Itali
Janë disa shkrime që po lexoj edhe sot lidhur me publikimin e disa treguesave ekonomiko-teknikë. Personalisht jam shumë i habitur pse të gjithë rrahin në një çekan. Të gjithë po “tmerrohen” se dolën në shtyp pagat, numrat e ID, apo dhe patentat. Interesant. Në vend që të trajtohet edhe si veprim pozitiv, po vihet kuja se po bëhet kiamti në këtë fundviti. Të kuptohemi, poziviteti qëndron se nga këto dalje të disa treguesave, duan nuk duan “paritë” do detyrhen të marrin masa për të evituar negativitetet në të ardhmen, do të shkundemi të gjithë nga plogështia, do të rritet siguria, vigjilenca. Sigurisht nëse pushtetarët do të duan të rrisin me ndërgjegje menaxhimin e duhur të forcimit të shtetit ligjor.
Eh, atyre që ju doli emri, numri i kartës së identitetit, paga, ndofta ju vjen keq se u doli sheshit një e vërtetë ose e pa vërtetë. Ta sqarojmë këtë rast. E para Ju vjen keq se në fakt nuk marrin atë pagë, por u binden pagadhënësve duke firmosur atë që nuk marrin; e dyta ju vjen keq se dalin në shesh si servilë, të nënështruar dhe ndihmues në grabitjen e shoqërisë nga pronarët e tyre. Ju vjen keq se u poshtruan si hyzmeqarë të padronëve.
Tjetër bëhet shumë zhurmë qëllimisht në drejtim të kundërt të shkakut dhe pasojës.
Zotërinj, nuk mund të quhet kaq shumë e keqe dalja në shesh e pagave vetëm në drejtimin që po i jepet, përkundrazi këto veprime tregojnë se sa fallcitete përdoren nga shteti dhe bizneset lidhur me shpërdorimin e vlerave materiale dhe morale në këtë vend plot halle. Të fshehësh dhe të fshihesh me mashtrime nga detyrimet ndaj shtetit dhe shoqërisë quhet vjedhje, frikë, i krijon vetes trishtim, dëshpërim, humbje qetësie etj. të cilat në tërësinë e tyre të shkëpusin nga familja, shoqëria dhe në gjuhën popullore mbetesh një “vulë humbur”.
Pse ju analistë, gazetarë, “këshilltarë”, profesorë nuk shkruani atë që është e vërtetë? Veprimet me pagat, ju thoni të larta, nuk janë të larta, janë të pa imagjinueshme, të llahtarëshme, të pa kuptueshme, sikundër dhe mjaft domethënëse. A nuk e mendoni ju se veprime të tilla shpien në disa veprime të paligjëshme? A nuk e mendoni ju se këtu fshihet një mënyrë e PASTRIMIT TË PARAVE? A nuk e mendoni ju se po ecet në ura me dërrasa të kalbura?. Këto paga të pa imagjinueshme, shkojnë ose jo në personat që emrat u kanë dalë, na shpien të gjykojmë në fitime të llahtarshme të padrejta, edhe të jashtë ligjëshme që krijohe evazione fiskal. Zotërimj të gjitha devijimet nga ligjet në ekonomi, shpien në rritje të përkeqësimi të nivelit ekonomik. Kemi dekada që na rriten çmimet me arësyen se: fjala vjen do investohet për ujin, do sigurohet ujë 24 orë, apo në energji etj dhe uji tretet në xhepat e individëve, ja kështu duke paguar rroga të larta, jashtë llogjikës për kohën, etj.
Cilatdo qofshin rastet, na shpien në, jo pa aftësitë e shtetit për kontroll, por në mosdashjen, apo lejimin në heshtje, sepse siç është deklaruar edhe disa vite më parë, duhet të “krijohet klasa e mesme”, pa marrë parasysh metodat që do përdoren. Mungesa e kontrolleve, ose lejimi i pranimit të ryshfeteve”, më saktë “gjobveniet” nga kontrolluesit shtëror në çdo subjek tatimor, për çmimet, punësimin, si dhe fiktivitetet e pagave etj. krijojnë korrupsione galopante në të gjitha drejtimet. Do thotë dikush që shteti nuk ndërhyn tek çmimet, po ashtu duhet të jetë, por ligjërisht shteti detyrohet të përdori leva ekonomike të atilla të cilat sigurojnë ekuilibrat mes shtetit, bisneseve dhe konsumatorit. Leva të cilat dihen, njihen por nuk ka vullnet për zbatim prej dy të parëve. Ç’janë këta këshilltarë që “këshillojnë” institucionet shtetërore dhe jo shtetërore që të paguhen me shifra marramendëse? Ku është aftësia profesionale dhe “urtësia” e tyre që nuk arrijnë të ekuilibrojnë interesat e shtetit, bisneseve dhe konsumatorit? Kemi 30 vjet që hendeqet mes tyre jo që nuk arrihet të “kapërcehen”, përkundrazi zgjaten, zgjerohen dhe thellohen. Pak vite më parë dolën sheshit vjedhjet, manipulimet dhe nepotizmi plus pagat e larta te tyre, por kush ishte rezultati? Vetëm zhurmë, ose si thotë refreni: zhurmë, zhurmë, shumë zhurmë… kjo është Tirana …. etj. Sot po nepotismë kaq i llahtarshëm sa dhe pagat mujore dhe që përfitojnë familjarët e të dy palëve. Por ja që mediat, kontrolli i lartë shtetëror dhe kontrollet e brendshme në hallkat e ekonomisë nuk kanë “këllqe” për ti publikuar dhe eliminuar. Nuk ecet kështu!!! Shpresoj që edhe ky skandal të japë një mësim për t’i dridhur trutë dhe trupin drejtuesave të të gjitha strukturave paralele dhe nga lart poshtë.
Akoma nuk po kuptohet se çdo veprim i mirë nuk mbetet i pa ndryshuar, siç ndryshon dhe veprimi i keq. Nëse e mira kërkon ndryshim për mirë, e keqja tek ne vazhdon të thellohet. Pse? Sepse shteti nuk ka arritur të komandojë, por i ka pëlqyer dhe i pëlqen të komandohet?.
Edhe vite më parë është propozuar me artikullin “Krijimi i Akumulimit fillestar” tek ne, ku veç të tjerave, kërkohet se ka ardhur koha, më plotë i ka ikur koha, prandaj duhet urgjentisht të vendoset për rishikimin e “normës së fitimit”. Shteti drejton me “pengore” dhe jo “hergjele”. Shpenzime tejet abuzive kanë përfshinë çdo fushë menaxhimi. Po, në të gjitha aktivitetet shtetërore, sociale, ekonomike, juridike, kulturore, politike. Nuk them ushtarake, mbasi herë pas here lexojmë artikuj kritikues që tregojnë shqetësime si për shërdorime dhe nënvlerësime. Luftë, ose më qartë një propagandë e madhe prej të gjithëve: “të ndryshojë paga minimale”, dakort por pse nuk kërkohet të vihet kufi maksimal edhe për pagat e larta, në rishikim me raportin e nivelit të zhvillimit ekonomik?.
Sipas publikimit për pagat, marrim për ilustrim rastin e një page 20,000 $ në muaj. E Analizojmë. Paga minimale (gjoja niveli i jetesës) rezulton mesatarisht 200 $ në muaj, afërsisht 100 herë më e ulët se paga e një këshilltari. Një punonjësi të thjeshtë do ti duhen 100 muaj t’a arrijë, ose pak më shumë se 8 vjet!?. Ku është llogjika ekonomike, politike, sociale dhe humane në këtë ekstrem trajtimi të njeriut?
Ka dhe thirrje bajate që e lidhin publikimin e pagave etj. me gjoja rënien e “themeleve të shtetit”, kur shteti përbëhet nga të gjithë edhe nga opozita, institucionet shtetërore dhe ato shoqërore, përfshi gjyqet, brigjet, ushtrinë etj. Nëse themi se “kanë rënë themelet e shtetit”, kur të gjithë bëjmë shtetin, vetvetiu duhet të nxjerrim përgjegjësitë tona. Ku ndidhet opozita? Ku ndodhen organizatat e shumta jo qeveritare? Ku ndodhet policia, ushtria, sistemi i drejtësisë? Ku ka humbur e drejta e Zërit Qytetar? Apo do ecet me mendimin: “Ta lëmë qeverisjen të gabojë rëndë në dëm të gjithë shoqërisë, pastaj të turremi për të zaptuar karriket”. Shoqëria nuk e pret prosperitetin nga karriket “ulu- ngrihu”, por tek mendjet e ndritura që pjellin ide, projekte dhe veprime të dobishme në realizim e tyre.
Për ta përfunduar këtë shqetësim mbarë shoqëror, do të ishte më e udhës që politika dhe aksesorët e saj (gazetarët, analistët, këshilltarët) të ndalen në revanshet propagandistike, ta ulin pak demagogjinë dhe ti kthehen realitetit që ekziston dhe njëherazi ti mëshojnë fort, pa hezitim zbatimit rigoroz të ligjeve. Don dikush, apo nuk don, ta dijnë se ekonomia e çdo vendi, veç legjislacioneve institucionale, vepron dhe me ligje objektive, të cilat i shpartallojnë veprimet politike subjektive. Këtë na e mëson realiteti i djeshëm dhe i sotëm.
Ky shkrim mori shkas nga publikimet e dy-tre treguesave. Mirë apo keq do ta kuptojmë jo shumë vonë. Ashtu siç u kuptua “Babalja në politikë”, do kuptohet edhe “Babalja në ekonomi”. Do ta kuptojmë nëse është “babale” e opozitës apo e pozitës, por sidoqoftë më gjason si një mënyrë që përdoret për të ulur vemendjen nga ngjarjet lidhur me luftën kundër korrupsionit. Shoqëria jonë do i fundosi edhe këto të këqia. Kjo është dialektika që tregon koha e sotme.
- Fafri Dahri është ekspert ekonomie
Më 28/12/2021