Sinan Kastrati, Suedi
Ka disa ditë që rafti që i kam vendosur librat e zgjedhura, sepse një shumicë i kam në Kosovë, Mu ka mbushur me letra që i shkruaj e i fus brenda librave ose i vendos mbi që ti shoh ato në mënyrë që kur të kam ”kohë të lirë”, të shkruaj pa u pengua.
Shpesh letrat më humbin. Dikush mi largon dhe i hedh në koshin e mbeturinave sepse, sipas tyre, po iu prishet ”hijeshia” librave. Kështu mendon N. e cila, edhe librat dëshiron ti mi radhis sipas ngjyrës e dëshirës së saj.
Kot
Është e kot ta bindësh N. e E. që librat dhe raftin me libra mos ti prekin por ti lënë ashtu siq dua unë ndërsa në tavolinën time, të rrijnë librat, fletore e fletë, e pranoj se nuk janë të renditura si duhet por kështu i gjej më lehtë kur të kam nevojë për to, me shkruajt.
Një miku, Sh. G. mjek nga Kosova ma kishte dërgua ”Betimin e Hipokratit”. Po çmë duhet tash ”Betimi i … ” tash kur kam mjaft punë të tjera?
Por pasi i besoj Shukit, e lexova. Nuk ishte i tekst i gjatë e as i mërzitshëm”
“Betimi i Hipokratit është një lloj ligji moral i njeriut me profesionin mjekë që bëjnë para se të fillojnë këtë profesion.
Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal.”
Po kishte edhe ”betime” të tjera, si ”Betimi sokratik”, ”Betimi i nxënësit”.
Gjeta edhe ”Betimin” për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.” Betohem!
Thënë të drejtën më pëlqeu ”Betimi” i deputetit të Kuvendit të Kosovës, punë e madhe se çka flasin e kuvendojnë ”deputetët” në Kuvend. .
Eh qna zuri belaja me këto portale e ”rrjetet sociale” që po shohim, dëgjojmë e lexojmë ato që s`na ka marrë mendja as në ëndërr ti shohim.
”I vike zheg”
Rrezja është një vajzë podrimqake e rrethit të S. shoqe e vajzës sime të dytë, Ajo është shumë e thjeshtë dhe e sinqertë. Një natë, si netët te shqiptarët në mërgim, që nuk din kur është ”boll”, ndejtëm deri në mëngjes.Fëmijët tregonin pjesë nga jeta e tyre kur ishin të vegjël që sapo kishin shkelë në S.
E filluan me mua. Fëmijët e mi mi qitën në”ledinë” atp që kisha thënë e bërë. Qeshnin te gjithë. Edhe unë qeshja ”me zor”.
Dikur i erdhi radha Rrezes e cila na tregoi se si ishte frikësuar kur ajo ishte e vogël e prindërit dilnin … e ajo me vëllain rrinte e vetme në banesë.
”Kur i them tash nanes, që keni lan vetëm, asaj i vjen zheg”
Kishte një kohë të gjatë që s`kisha dëgjuar ”po të vjen zheg” që dikur e përdornim shpesh kur dikujt ia thonim në sy ndonjë të metë ose gabim.
Kisha mendua që të shkruaj edhe një reportazh për dy kolegët e mi: Medi Behramin e Murat Kocin dhe nxënësen Emma Osaj që edhe ashtu kam një obligim moral.
Emma është më meritorja në punën e rregult që unë e angazhova si moderatore në Radio Dardaninë, në Malmö të Suedisë e, Mediu është puntori më i mirë e ”i pa gojë” ndërsa Murati është mendja, truri i gjithë aktivitetve që bënë për shqiptarët. Ai kryen disa punë, por pa pagesë, ndryshe nga prokurorët, polikanët e … profesorët në Kosovë që kanë nga tre deri në gjashtë vende pune, por marrin para të majme, 3 deri në 6 herë më shumë se ne.
Murati tash e disa muaj punon për hapjen e një Radio. Ajo ka fillua në fillim të prillit punën, njëhrë në javë nga një orë, 60 minuta..Po bëhen tetë javë që Radio ”Daradania”, flet në gjuhën shqipe në Skåne, krahinë jugore në Suedi. Ai më ftoi mua e Mediun që ta përkrahim dhe ta ndihmojmë. Dhe këtë, sidomos Mediu po e bënë me shumë dëshirë e zell e profesionalizëm.
E keqja është është se as edhe një femër shqiptare nuk është, pos Emmës, një nxënëse ime shembullore nga Peja që po na ndihmon dhe kryen punën më të rëndë, në STUDIO.
Emma është e thjeshtë dhe e sjellshme. Vjen e vetme në mesin e shtatë -tetë burrave dy herë në javë, kur bëjmë pregatitjet në Shoqatën ”Iliria” të enjten që e udhëheq Murat Koci e si shqiptarët që nuk dim ”mu qu” me llafe ”tuj pre e gri… ”, ajo rri e dëgjon. Emma nuk flet fare. Rrallë propozon se si duhet të jetë skema programore, propozime me vend . Vishet thjesht dhe dallon nga vajzat tjera: Ulet e punon, zgjedh muzikën bashkë me Mediun. Përveç flokëve të krehuara, ajo nuk lyhet e ngjyhet si vajzat e tjera ”të kohës”. Êshtë vajzë për lakmi, ”syni i keq mos e paftë”, thonin plakat, po i them edhe unë Emmës.
Po Murati nuk e ka ndërmend të mos na lerë rehat. Ai përveç ”Konferencës vjetore me mësuesit shqiptarë”, vetë e ka meremetua Shpqatën, se është mjeshtë dhe e ka mbushur me libra, Në mes të një ode, në shoqatë është oxhaku e në të dy anët e oxhakut, ka nga një lëkurë qingji e disa suvenirë, gjera të rralla të trashëgimisë kulturore shqiptare. E pranë oxhakut ulet Haxhiu me çifteli e na këndon këngë trimërie për Ahmet Delinë, përtrimat e Lumës e Shkodrën. Ai në shtator mendon ta filloj së riboturi revistën ”Besa”.
Me shpresë se do ta mbaj fjalën për Emmën, për Mediun e për Muratin, po e mbyll me një letër që e gjeta kush e di kur e kam futur në mes të librave si dikur kur ishim fëmijë që gjerat e gjetura i fusnim në birat e gurëve të kullave tona të gurta.
”U lodha, merzitur jo. Ishte nje udhetim kot ne kohe koti por nuk e kalova keq. Ishalla jam gjallë e shëndosj edhe unë.Te shtrengoj doren se te tjerat u shtrydhen. U shtrenguam me gjera te tjera Tani na mbeten duart. Besoj se kam qene tere jeten e dashur dhe pozitive ne nje bote jo aq te mire por eshte edhe mosha e besimi ka vdekur. Sulo,mbetesh nje mik i mire ne tre vjet te rinise se vone… Cfaredo qe e ardhmja ka per ne, mbetem mirenjohes per ate kohe”.
Koha dhe përsëri u ktheva në kohë. Në kohën kur studjoja letërsinë dhe Letërsinë jugosllave me profesorin e papërsëritshëm, Hasan Mekulin dhe ”Švabica” (Gjermanja) e Laza Lazarevićit, një nga librat që ishim të detyruar ta lexonim…
Rastësisht një shqiptare në Qendrën Kulturore më përshëndeti dhe u prezentua me mbiemrin ”Mekuli”. Kur unë e pyeta për profesor Hasan Mekulin, ajo më tha: po e mbytën në spitalin e Beogradit …
Mendova por nuk isha i sigurtë se edhe kjo ishte një nga letrat e tiranses për Sulon, ish çobanin turjakas që vdiq para disa vjetëve e në varrimin e tij, Sulo kishte dashur të marrin pjesë përveç hoxhës, të afërmëve, edhe çobanët me delet, deshët eogiq me kumona, edhe qenët çobanë.
Vazhdon
Malmö, 17 maj 2021