ARKIVI:
25 Dhjetor 2024

Shqipëria në vitet 30, libër i Lazër Radit

Shkrime relevante

Vargje me nismë të mbarë, recension për librin e Bashkim Halilajt, “Gjurmë ecjesh“

Shefqet DIBRANI VARGJE ME NISMË TË MBARË Bashkim Halilaj, “GJURMË ECJESH“, vargje, botoi...

Pabesueshmëria e absurdeve të “BIG BROTHER”

Nga: Lirim Gashi Sara nga Tirana dërgon çdo ditë lutje në qiell,...

Doli nga shtypi libri MALL E DASHURI PËR ATDHE i autorit Florim Zeqa

Sot, nga Shtëpia Botuese “Libri im” në Pejë doli nga shtypi...

Shpërndaj

Lazër Radi

Shqipëria në vitet 30

(Një libër tjetër, i huazuar nga shoku im, Ing. Fisnik Kruja. Përgatitur nga i biri i Lazër Radit, Jozefi.)

E kam takuar edhe vetë Lazër Radin në Tiranë, kur zhvillohej gjyqi i bllokmenëve dhe  në vitin e mbrapshtë 1997,  në zyrat e Lëvizjes për Bashkim Kombëtar, që atëhere drejtohej nga Hazir Shala. Biseduam pak në këmbë. Më kanë mbetur në mendje dy thënie të tij:

  • Duke parë si dalin në gjyq bllokmenët, me kostume dhe kollare, m’u kujtua vetja me shokë, kur na nxorën në gjyq. Nga që na i kishin marrë rripat e pantallonave, tërë kohën i mbanim ato me dorë, që mos të na binin poshtë…
  • Disa kohë më kanë përdorur si përkthyes të librave të ndryshme edhe mësimorë nga gjuhët sllave. E di që ndjehesha disi i lumtur, se në vend të punoja me kazëm, merresha me një punë intelektuale.

Haziri, atë ditë, më përmendi fjalën e urtë popullore ” Qeni i keq ta sjell ujkun në torishtë”. E kishte fjalën për udheheqjen e atëhershme që nuk diti ta kontrollonte gjendjen politike në vend.

Duke shfletuar librin në fjalë, mëson shumë për atë dhjetëvjeçar “të artë” ku lulëzoi mendimi pluralist dhe kulturor shqiptar, sidomos në dy qendrat, Shkodër dhe Korçë, por edhe në Gjirokastër dhe Elbasan. Autori sjell kujtimet e një djaloshi Kosovar, të përzënë nga vendlindja, Prizreni, që nisi të studiojë me etje në shtetin amë, në gjimnazin e Tiranës dhe atë të Shkodrës dhe të përfshihet në lëvizjen rinore dhe kulturore të kohës. Duket si një libër historie, i shkruar me shumë objektivitet. Sa keq që këto shënime nuk janë shfrytëzuar nga historianët! Edhe përshkrimi që ai u bën krijuesve letrarë, analistëve të gazetave, filozofëve të njohur, është plot vërtetësi.

Lazër Radi e vlerëson shumë ndihmesën që dha mërgata shqiptare dhe shtypi i saj për zgjimin kulturor shqiptar. Ndër të tjera, ai shkruan (faqe 33):

“Brezat pasardhës duhet t’u jenë tejet dashamirë atij shtypi që u zhvillue jashtë truallit shqiptar, ndaj atyre botimeve që s’reshtën, prej Stambollit e Bukureshtit, prej Kalabrisë e Athinës, prej Sofies e Bostonit, prej Kajros dhe Brukselit. Ishte ky shtyp që, me mund dhe sakrifica të mëdha, u përhap si rrathët në ujë, kudo që gjendeshin shqiptarët, prej një kontinenti në tjetrin, prej Europës në Amërikë, prej brigjeve të Danubit në rrjedhën e Nilit.. Në faqet e këtij shtypi gjen jo vetëm informacion dhe letërsi por edhe rrahje mendimesh për probleme të rëndësishme të kulturës shqiptare, dëshira e flaktë e një alfabeti të përbashkët, e një gjuhe të përbashkët letrare, probleme të arsimit kombëtar, debate për libra shkollorë, duke i quejtë ata të domosdoshëm për kapërcimin prej robërisë së gjatë në dritën e lirisë kombëtare”

Të bën përshtypje njohja e thellë e shkrimtarëve dhe poetëve të viteve 30. Ja se çfarë shkruan Lazri, fjala vjen, për Milosh Gjergj Nikollën (faqe 135):

“Duke i marrë në bllok të gjitha shkrimet e letërsisë shqipe e duke i krahasue, a mund të gjejmë një tjetër shkrimtar të ri shqiptar, që t’ia ketë qarë hallet të vorfënve e të emargjinumeve, siç ndodhte me Migjenin? Sigurisht që jo! A nuk e meritonte ai të përmendej e të citohej për këtë gjë?  Sigurisht që po! Për çudi, ata që mbushnin gazetat e s’reshtnin së shqetësuemi, s’e kishin gjetë me vend as me e përmendë shkarazi..”

Sa bukur dhe përmbledhazi shprehet ai për Gjergj Fishtën (faqe 138)

“Fishta mund të quhet njeriu i letërsisë së madhe dhe i letërsisë së vogël, i epikës dhe i lirikës, i letërsisë serioze dhe i  humorit të hollë plot ironi e sarkazëm. Mund të vlerësohet si shkrimtar fenomenal, sepse është e vështirë me u gjetë një talent i tillë ,që të shkëlqejë çkado që prekte mendja dhe penda e tij. Atë Gjergj Fishta ishte ‘Mbreti Mida’ i mbarë kulturës shqiptare”.

Me shumë vlerësim shprehet Lazri edhe për Ernest Koliqin (faqe 139):

“Koliqi mbetet magjistar i fjalës dhe i frazës. Kjo mjeshtri e manipulimit të fjalës, kjo renditje kaq e bukur dhe harmonike e frazës, diti me e kthye në muzikë e me lindë prej saj simfoninë koliqiane.”

Në kinematë e Tiranës, në pushimet ndërmjet dy pjesëve të filmit, shfaqeshin pjesë të shkurtëra teatrale, kryesisht komike. Aktorët që luanin ishin zakonisht ata të ardhur nga Shkodra, si Mihal Popi, Mustafa Budini, Matish Prennushi, e shoqja e tij e fundit, Nusha Kodheli.

Lazër Radi nuk mund të entuziasmohesh nga pjesëmarrja e kësaj gruaje, për herë të pare, në shfaqjet teatrore. Pasi edhe në Shkodrën me tradita, rolin e femrave e loznin djem të rinj.

Ai shkruan (faqe 180)

“Nusha Kodheli duhet të konsiderohet pionjerja e teatrit shqiptar. Pa marrë parasysh fjalët dhe thashethemet, ajo iu përkushtue teatrit dhe luajti pjesë mjaft të bukura e të rëndësishme përkrah aktorëve që shkelqenin në ato skena të vogla të komedisë shqiptare”

Autorit i bënte përshtypje pëtrdallimi që bëhej ndaj njerëzve edhe në varrime. Kishte parë një varrim madhështor në Shkodër me pjesëmarrje dhe nderime të mëdha për një person që, duke qenë në poste drejtuese, urrehej nga populli dhe një varrim të thjeshtë të një qytetari të thjeshtë. Ai shpërthen duke thënë (faqe192):

“ Pse ndodh që në jetë njerëzit nderojnë pikërisht ata që i shtypin, i shfrytëzojnë dhe i keqtrajtojnë? Pse me të vërtetë paska popuj që, sa më keq t’i trajtosh, aq më shumë të nderojnë e të respektojnë? Këta janë popuj koti, popuj pa personalitet, të destinuem, sikurse shkruan Noli në poezinë e tij të famshme ‘Moisiu’: Skllevër, bij skllevërish, s’meritoni- se liri s’doni!”

A nuk ka ndodhur kështu edhe më vonë te ne? Kur qanin dhe shkulnin flokët me rastin e vdekjes së diktatorit?

Si shumë të rinj të kohës, edhe Lazri hipnotizohej nga idetë e revolucionit, internacionalizmit, vëllazërimit me popujt e tjerë. Kjo ushqehej me broshurat që vinin në Shkodër edhe nga Mali i Zi, që flisnin  për organizimin e grupve komuniste, për çështjet e besimeve fetare, për jetën “e lumtur” në Bashkimin Sovjetik, për organizimin e rinisë në grupet e Komsomolit, për projektet e organizimit të kolkozeve dhe sovkozeve, për luftën e klasave dhe atë kundër kulakëve etj. Lazri e njihte serbishten dhe merrej me përkthimin e këtyre materialeve. Nisën të vinë edhe vetë të rinj malazezë në Shkodër për të bërë propagandë.

Por, sado të bukura dukeshin idetë internacionaliste, sado madhështore dukej ideja  që të gjithë janë vëllezër që luftojnë për të njëjtin ideal, për të mirën e përbashkët të njerëzimit që vuante dhe shfrytëzohej pa mëshirë prej kapitalizmit dhe kapitalistët, Lazri nuk mund të mos e pyeste veten (faqe 212):

“Po, a kanë ideale sllavët? Ata gjithçka e shfrytëzojnë në funksion të ekspansionit dhe qëllimeve të tyre! Jo! Me ta nuk ka as ideale, as liri!”

I kujtohej vargu fishtian “N’mëni të shoqi-shoqit na jem le..”

Dhe vazhdonte të arsyetonte:

“Me këtë internacionalizëm proletar që na propozojnë, a thue vallë t’i kenë ndryshue pikëpamjet e tyre për ne, shqiptarët? A mund të ketë ndryshue ndopak shpirti i tyre ekspansiv? A thue të jena ba vërtet aq ‘internacionalistë’ sa me na konsiderue vërtet vëllezër e shokë në këtë luftë të përbashkët?

Jo, absolutisht jo! Nuk e besoja!”

Prandaj Lazri, në pranverë 1936,  merr një vendim të rëndësishëm të jetës, të shkëputet nga grupi edukativ me motivacionin (faqe216):

“Unë dhe familja ime jemi detyrue me u largue me dhunë nga Kosova. E pra, ishin politika shoviniste serbe dhe taktikat e tyre që na kishin dëbue, duke na kthyer në muhaxhirë të përjetshëm. Si familja ime, janë mija familje kosovarë që çdo ditë masakrohen dhe përzihen sistematikisht prej trojeve të tyre..Kjo që po ju kallzoj, s’ka ndodhë as një qind  e as dyqind vjet të shkueme, por para katër pesë vjetësh. Sipas meje, kjo është një demagogji sllave e përpunueme hollë..Në rrugën tonë na jena nisë me mendime të sinqerta e me ideale të pastra, por unë s’besoj se serbo-malazezët kanë po këto ideale internacionaliste! Ata kanë veç ideale shoviniste. Këtë diversion të internacionalizmit ata po e përdorin me na shkaktue edhe një përçamje tjetër të madhe, si të mos ishin të mjafta këto që kemi.”

Mu kujtuan shënimet e Zef Malës, njërit nga ithtarët e shquar të komunizmit në Shqipëri. Edhe ai punoi me mish e me shpirt për t’i vënë në jetë mësimet e komunizmit. Por u zhgënjye keqas dhe, kur ishte në burgun enverist, i kërkonte popullit shqiptar falje për atë që kishte bërë..

Interesante është ajo që Lazri tregon për Fejzi Alizotin, që në vitin 1941 ishte emëruar Komisar i Jashtëzakonshëm për tokat shqiptare të çlirueme nga Jugosllavia. E kish pyetur atë se deri ku do i kërkonte kufijtë e Shqipërisë (faqe 270):

“Posi, me gjithë qejf!- dhe nisi me shpalosë para meje një hartë të madhe. Aty pashë  se një vijë e kuqe dhe e trashë e shënonte kufirin përtej Nishit e deri afër Beogradit! Kur unë shpreha habinë, ai më tha se ka parë deri atje njerëz me plisa të bardhë..  Mandej më sqaroi se diplomacia e do të kërkosh shumë dhe pastaj, duke bërë lëshime, të mbërrish deri te kufijtë e vërtetë të Shqipërisë”.

Libri “Shqipnia në vitet 30” përmban më shumë se 470 faqe dhe është plot fakte dhe vlerësime për letërsinë, politikën, gazetarinë dhe jetën kulturore shqiptare atë kohë.

Duke iu kthyer Migjenit ai shkruan (faqe 336):

“ Eh sa thjesht identifikohej Milloshi me hallexhinjtë. Në veprën e tij gjetën vend hallet e punëtorëve, të fshatarëve, lypsarëve, fëmijëve të uritur, shkollarëve të varfër, malësorëve heroikë, pristitutave të braktisura. Meritë e MIgjenit ishte futja e vargut të lirë në poezinë shqipe. Vargu i lirë i tij ishte si të thuash një protestë kundrejt poezisë klasike me vargje të numrueme e të rrokjezueme, megjithse midis poezive të Migjenit, gjen edhe poezi të thurrura bukur në formën tradicionale. Një prej klasikëve, ku ai respekton metrikën, ritmin e rimat eshte  tingëllimi ‘Sonet pranveruer’.”

Më tërhoqi edhe ajo çka thotë Lazër Radi për një ikonë të grave shqiptare, Musine Kokalarin, që në vitet e regjimit komunist u burgos dhe u internua deri sa vdiq nga kanceri dhe u varros vetëm nga punonjësi i komunales, atje në Rreshen.(faqe 376):

“Qysh në rininë e saj, Musineja qe dalluar si vajzë e formuar dhe e pjekur. Erudicioni i saj ishte i thellë e i plotë, talenti i saj i fisëm dhe i padiskutueshëm, aftësia e saj intelektuale e jashtëzakontë. Hapësira e veprimit të saj niste nga letërsia, gazetaria, filozofia dhe përfundonte te politika. Ishte, si rrallë kush ndër moshataret e saj, grua e veprimit dhe e arsyes.  Edhe pse ishim pothuaj moshatarë, më ndodhte ta ndjeja veten- nxanës e dishepull i saj. Ndonëse kishte lexue e studiue, si pak gra  të asaj kohe, prap se prap, ndjehej e pakënaqur me çka kishte arritë. Për çdo gjë të re që mësonte shpërthente në esklamacione duke manifestue atë çudinë e ëmbël dhe gëzimin e saj të pafajshëm. Të çuditesh për gjithë gjërat që mëson dhe t’u gëzohesh si fëmijë atyne, është me të vërtetë lumtuni. Këtë virtut të mrekullueshëm, Musineja e kishte të lindun, e kishte në gjak”

Në kuadrin e modernizimit të jetës shoqërore, në pragun e 25-vjetorit të pavarësisë, u arrit të ngrihej radiostacini i Tiranës. Autori na jep të plotë Fjalimin e Mbretit Zog i Parë me këtë rast faqe 410):

“Të dashtun shqiptarë!

Në këtë cast të lumtun që po festojmë përvjetorin e pavarësisë sonë, ndjej një kënaqësi të veçantë që mundem me ju drejtue urimet si dhe ndjesinat e përzemërta të miat dhe të kombit gjithë bijve të racës shqiptare  brenda, jashtë dhe tej kufijve të atdheut tonë.

Tue inaugurue stacionin radiofonik të Tiranës e quej të tepërt me theksue randësinë që ky përmban për zhvillimin dhe vllaznimin e racës shqiptare.

Me këtë rast, dëshiroj me ju drejtue një porosi, si kryetari suprem i juaj: kudo që të jinni, u shtrini dorën vllazërore njani-tjetrit, tue iu kushtue me një vullnet të papremun punës e përparimit, se s’mjafton fitimi i pavarëisë së atdheut, por, ne duhet me u përpjekë pa pra për vllaznimin e të gjithë shqiptarëve dhe për konsolidimin e lulzimin e lirisë.

Me këto ndjenja ju dërgoj shprehjet e dashurisë sime të thellë”

Në fund, Lazër Radi flet edhe për fillimet e letërsisë të ashtuquajtur e “Realizmit Socialist” (faqe 463):

“Në këtë atmosferë kontradikstash, dy qendrat ma nevralgjike të kulturës shqiptare, Shkodra dhe Korça u ndodhën nën tehun e ideve komuniste të mbështetuna njëra nga Beogradi dhe tjetra prej Athines..pa lanë jashtë vëmendjes se një pjesë aktive e kundërshtarëev të mbretit, i kishte marrë direktivat drejtpërdrejt nga Moska dhe Kominterni. Nën ndikimin e kësaj rryme do të lindte në formën jo fort të natyrshme edhe ajo letërsia sociale. Në fakt, letërsia e kësaj periudhe ishte një trajtë ‘instantane’ e fotografimit të çasteve të gjalla të kësaj periudhe.. Pikërisht kjo letërsi që kishte natyrë të tillë kritike ndaj realitett u quejt edhe ‘letërsia e realizmit kritik’ po edhe socialist ma vonë”.

Nga: Bardhyl Selimi, 10 janar 2022

K O M E N T E

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu