Si e kam shpjeguar në disa rate për këto vite, të bisedosh për shkëmbim territori – ndryshim kufijsh të Kosovës, para së gjithash përcillet mesazhi se Kosova nuk është shtet me sovranitet të plotë.
Për më tepër humbja e territorit do të thotë refuzim i vetë shtetit të Kosovës, pavarësisë së tij. Si rezultat, pata evidentuar se mosnjohjet po ndodhin para së gjithash të politikës krejtësisht, aso kohe të presidentit Hashim Thaçi, i cili ia pat dhënë në dorë Serbisë, gurin e provës, se “Kosova nuk është shtet, dhe s’keni pse e njihni, sepse po bisedojmë me ata për territorin”. Pak a shumë ky është mesazhi që Serbia e ka denotuar nga mesazhi i bisedimeve për ‘shkëmbim territori’.
Duke biseduar për territorin, në këtë rast për një pjesë të konsiderueshme, që sipas të gjitha varianteve, në rastin më të mirë Kosova humbiste së paku 5% të tij,
“Disa njerëz mund të zgjedhin ta kontestojnë pavarësinë”
Po ashtu që nga zgjedhja, përkatësisht emërimi i diplomatit Hovenier për ambasador nga presidenti Biden, është zotuar gjatë intervistimit në Senat, se nëse do të zgjidhej ambasador do të angazhohej thellësisht në respektimin e sovranitetit të Kosovës, sikurse edhe për njohje nga pesë vendet e BE-së, që ende se kanë bërë këtë.
Ai mbrëmë tha disa herë, se “Kosova është shtet sovran”. Dhe po ashtu se “Sovraniteti i Kosovës, integriteti territorial i Kosovës, këto çështje nuk janë në pyetje. Ato janë të vendosura”.
Pra, është mëse e qartë se ata deputetë, zyrtarë partish, kryesisht në PDK, dhe analistë në media, që flasin për idenë e shkëmbimit të territoreve, e vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Dhe sikur për t’iu përgjigjur atyre politikanëve dhe mediave, që me forcë po mundohen të fusin në agjendë idenë e ndarjes së Kosovës, Hovenier është përgjigjur: “Kosova është një shtet i pavarur. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kontestojnë atë, por kjo është çfarë është. Kosova është shtet sovran. Dhe, njerëzit mund të argumentojnë sa të duan, por realiteti, faktet në terren flasin vetë”, thuhet në postimin e ambasadës.
Pra, nuk ka asnjë kërkesë ndërkombëtare, lëre më amerikane, që kërkon ndarje, përkundrazi, këta njerëz shihen nga SHBA-të, si kontestuesit e Pavarësisë së Kosovës.
Më e trishta e gjithë kësaj pamje është se, neve duhet gjithmonë të na i zbuloj tradhtarët një i huaj, sado mik që të jetë, ne të tjerët prej kohësh i kishim evidentuar.
Se çfarë djalli fshihet në gjithë këtë dëshirë tradhtie kaq të hapur, sa vështirë është ta ruash qetësinë.
Madje aq hapur flasin për ndarje të Kosovës, sa të shkon në mendje, mos janë aktivizuar nga Serbia, që synon aneksimin e veriut, dhe këta t’i duartrokasin.
Derisa nuk u intensifikua kriza e Ukrainës, këta ishin në heshtje, përveç Baton Haxhiu me disa argatë të tij që mundohej ta mbante si ide aktuale.
Por, Vlora Çitaku, kur ishte ende ambasadore në SHBA mundohej ta fshihte faktin se ka zhvilluar biseda të tilla me diplomatë të huaj.
Ndërsa, tani ata po shpresojnë në shkatërrimin e shtetit të Kosovës, në mënyrë të krijohet një mundësi për shuarjen e gjykatës speciale.
E themeluar nga Kosova, nuk ka kush e shuan atë.
Pra, motivi i vetëm i atyre që e përkrahin ndarjen e Kosovës është shuarja e gjykatës speciale, dhe që ‘heronjtë’ e tyre apo ‘shefat’ e tyre të lirohen pa u gjykuar.
Pra, sërish jemi tek e njëjta situatë, siç e kam argumentuar në vazhdimësi, se Hashim Thaçi e pranoi projektin e Serbisë për ndarje të Kosovës, me shpresë që ta zhbënte pastaj gjykatën speciale, dhe t’i shpëtonte arrestimit dhe gjykimit.
Kësaj përpjekje tashmë po i vie ‘era Rusi’, duke shitur patriotizëm, por gjërat duke i çuar në favor të Serbisë dhe Rusisë!
Idenë për ndarje të Kosovës, i pari e ka thënë publikisht, pas pavarësisë së Kosovës në vitin 2011, Ivica Daçiq.
“Është e nevojshme të përcaktimit të vijës kufitare midis Serbisë dhe Shqipërisë, dhe ky është opsion real. Serbia nuk është dashur të pranojë askënd tjetër si negociator përpos Shqipërisë”, ka deklaruar ai kur ishte ministër i Punëve të Brendshme, duke aluduar në marrjen e veriut të Kosovës.
Ndërsa, vite më vonë do ta rimerrte këtë ide nga ai, presidenti aktual i Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Nga ky e mori Hashim Thaçi, duke e paraqitur fillimisht si ide të tij, që Kosova duhet t’ia kthejë Serbisë, Leposaviçin dhe Leshakun, duke i kualifikuar “si dhurata të Rankoviçit”, pastaj ndryshoi qëndrim duke thënë se kërkon shkëmbim territori, e më pas ra në korrigjim kufijsh, duke aluduar sërish në shkëmbim, pasi shumica e veriut do t’i jepej Serbisë, dhe eventualisht qytetin e Preshevës do ta merrte Kosova, me disa fshatra të Bujanocit e Medvegjës.
Kjo ide u mbyt nga arrestimi i Hashim Thaçit. Dhe që atëherë më në SHBA nuk ka folur askush për rishikim kufijsh apo shkëmbim territoresh.
Administrata e Bajdenit që nga marrja e detyrës, e ka çimentuar edhe njëherë fatin e Kosovës, duke deklaruar hapur, se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, dhe që duhet ta arrijë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, që përmbyllet me njohje reciproke!
Idenë e ndarjes së Kosovës e ka thënë i pari, Dobrica Qosiqi, por duke kërkuar një ndarje afërsisht përgjysmë, pa luftë.