Torturat barbare të grave të burgosura, nga “burrat” e diktaturës

0
173
Eneida Jaçaj

Shkruan: Eneida Jaçaj

Populli shqiptar është shquar për nacionalizmin e lartë ndër shekuj, duke sakrifikuar jetën për të ruajtur territoret nga pushtuesit e huaj. Që prej periudhës mesjetare të Zotit të Arbërisë, udhëheqësit ushtarak, Skenderbeut, e deri në epopenë e lavdishme të luftës çlirimtare që bëri popullit shqiptar, 28 nëntor 1944, nacionalizmi është konsideruar si panteoni i identitetit dhe kulturës shqiptare. Por, paradoksi dhe çudia që kalon majën më të lartë të arsyetimit, nis më 1945-ën, kur u instalua regjimi komunist.

Pas çlirimit të vendit, populli shqiptar vuajti më shumë se në periudhën e luftërave për liri, përjetoi torturat më çnjerëzore, burgosjet, vrasjet gjakatare, duke iu mohuar e drejta për të jetuar. Shqiptarët e kuptuan se burgu më i rëndë, është ai që gjendet brenda vetes! Kombi që luftoi për liri prej shekujsh, u pushtua sërish! Por këtë herë, nga dora e origjinës së vet!! Shpirtra të ndrydhur të tmerruar, të vrarë psikologjikisht e fizikisht, skllevër në vendin e tyre, të varfër, të brengosur e leckosur, të detyruar për të dëgjuar çdo ditë si refrenin më të shëmtuar të jetës, dokrat e një doktrine të shpikur nga një mendje e sëmurë.

Vitet e mbrapshta të izolimit të diktaturës së egër, ndrydhjes së mendimit, censurës, mohimit të së drejtës për liri dhe për të jetuar, lanë pasoja të rënda psikologjike në shpirtrat e njerëzve; shkatërruan qindra jetë dhe familje, si dhe vendin e lanë shumë mbrapa për nga zhvillimi ekonomik, vonuan integrimin, pasoja të cilat i ndiejmë edhe sot.

Torturat çnjerëzore

Në këtë shkrim dua të ndalem te shtypja e femrës dhe torturat barbare ndaj grave intelektuale. Gratë intelektuale, që ngritën kryet kundër skllavërrimit të femrës, ato që luftuan për të mbajtur lart dinjitetin dhe personalitetin e femrës, që luftuan për një Shqipëri demokratike, u burgosën dhe u torturuan nga “burrat” e diktaturës. Torturat ndaj grave nuk ndryshonin nga ato të burrave. Ato vriteshin, gjakoseshin, torturoheshin me metodat më barbare, vetëm sespe ishin të arsimuara, të përgatitura dhe kishin ide europiane për demokratizimin e vendit.

Sipas të dhënave të Qendrës së Rehabilitimit dhe Torturave, deri tani rezulton një total prej 9778 grash të përndjekura gjatë regjimit komunist, prej ku 90 gra janë të ekzekutuara dhe gjashtë të vdekura në burg. Gjatë regjimit komunist, gratë nuk kishin të drejta edhe pse propagandohej me gjasme se komunizmi i respektonte femrat, si qenie të brishta të shoqërisë. Në Shqipëri 8 Marsi nisi të festohej pasi u imponua si festë zyrtare në vitin 1975, nga Kombet e Bashkuara. Gratë nuk e dinin se kjo ishte festa për të drejtat e tyre. Ajo ishte një festë false!

Regjimi komunist është zanafilla nga ku ka marrë jetë, zhvillimi i një mentaliteti dhe kulture për të mbajtur të shtypur masën dhe femrën në veçanti. Burri si qenie njerëzore, i cili duhet të tregojë xhentilesë dhe fisnikëri ndaj gruas, në diktaturë ka dëshmuar plotësisht të kundërtën. Kjo është një kulturë që është trashëguar edhe sot, pasi dëgjojmë plot raste të grave të dhunuara nga burrat. Një mendësi anadollake, që duhet të marrë fund! Hyrie Metalia është një e përndjekur, e cila rrëfen torturat gjatë kohës së burgosjes.

“Më kanë internuar me fëmijë të vogël, s’kam pas qumësht me i dhënë fëmijës. S’kishte as dyqan, as furnizime, kemi jetuar si mos më keq. Kisha 5 vajza e një djalë. Ai i frontit më ka shtyp djalin 7 vjeç me makinë, që i shkoftë shpirti atje ku nuk thuhet!”, ka rrëfyer ajo. Gjithashtu i torturonin me punë të rënda, nga e cila nuk siguronin dot as bukën e gojës. “Na çuan në internim për të punuar në Tërbuf e Lushnjë. Rininë time atje e kalova, duke hapur kanale. Më kanë torturuar policët dhe aty më mbajtën tre vjet dhe prej aty më çuan në Karavasta. Qëndrova tre vjet atje, në kënetë me ujë, kam jetuar për gazep rininë time. Atje më vdiq edhe nëna, isha rrit jetime, ma vranë babën në oborr…”, thotë Bukurie Kaloshi.

Rastet janë të pafundme. Por rasti që më ka mbetur në mendje është ai i Marie Tucit, të cilën e futën në një thes me një mace të egër, ndërsa burrat e Sigurimit e qëllonin me kamzhik derisa ajo gjeti vdekjen. Mendësia e vjetër për të mbajtur të shtypur femrën, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, ka lënë pasoja edhe në ditët e sotme. Janë ndërmarrë shumë nisma për emancipimin e gruas, dhe për rastet e dhunës në veçanti, që femra të mos shihet si plaçkë ku burrat të nxjerrin mllefin e pasigurisë dhe dështimit. Është arritur shumë, por ka akoma ende për të bërë, që burrat të ndryshojnë mendësinë dhe të mos pengojnë zhvillimin e femrës.

SHKRUAJ NJË KOMENT

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu