Sot mbushen plot 14 vjet rrugëtim të vështirë të Dardanisë ndërmjet përpjekjeve të paepura të saj, për shtetndërtim dhe tendencave të pareshtura kuislinge për shtetshkatërrim
Republika e Kosovës, më 17 shkurt të këtij viti feston14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe ekzistencës së saj krenare, si shtet i lirë e sovran, e njohur tanimë nga mese 116 shtete anëtare të OKB-së, anë e mbanë botës.
Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, që në ditët e para të konfirmimit si shtet i ri, Kosova u njoh nga shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme evropiane e botërore dhe dhjetëra vende tjera nga të gjitha kontinentet e globit tokësor.
Vulosja e pavarësisë së Kosovës më 22 korrik të vitit 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me qendër në Hagë, si organi më i lartë juridik i OKB-së dhe të gjitha njohjet dhe marrëdhëniet diplomatike me këto shtete, janë arritur në kuadër të kufijve ekzistues, në të cilët edhe janë vendosur themelet e shtetit të ri të Kosovës, si dhe është jetësuar realiteti i ri politik e gjeostrategjik në rajon dhe botë që nga 17 shkurti i vitit 2008-të e këndej.
Kosova, qysh nga çlirimi prej okupimit serb, ka ecur shumë përpara, por sukseseve të saj, papritur u doli në pritë eksponenca me disponim antishtetëror e antikombëtar, nga figura e parti të inkriminuara në krye me PDK-në, të mësuara të mbijetojnë dhe mbajnë pushtetin me vjedhje, zhvatje, korrupsion galopant e kriminalitet të pashembullt, të cilat pas pazareve me tokat tona autoktone, tentuan dhe po orvaten akoma edhe sot, që ta ndajnë e ri-copëtojnë përfundimisht edhe shtetin e ri të Kosovës.
Madje përkundër gjithë ndihmës së pakursyer të SHBA-ve dhe vendeve tjera mike, për njohje të reja, shtet ndërtim dhe ruajtjen e paprekshmërisë territoriale të saj, Kosovën nisën ta rrezikojnë eksponentët e brendshëm partiak e shtetëror, me bazament nga PDK, si kuislingu Thaçi & Co, i cili në qershor të vitit 2011, i vendosi fusnotën statusit shtetëror të vendit, duke e zhvlerësuar pavarësinë e Kosovës dhe zbritur Kosovën në nivel krahine në bisedimet me Serbinë.
Më 19 prill të vitit 2013, Thaçi nënshkroi edhe marrëveshjen për asociacionin një etnik serb, ndërsa më 25 gusht 2015, Isa Mustafa sigloi në mënyrë të kundërligjshme e kundër kushtetuese edhe zgjerimin e kompetencave të këtij asociacioni duke rrezikuar bosnjëzimin e Kosovës dhe krijimin e një “republika srpska” edhe në Kosovë, si hapi i parë vendimtar për ndarjen e Kosovës.
Por, për fat të mirë, në dhjetor të po atij viti, dokumentin mbi asociacionin, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, gjeti në kundërshtim të plotë, me 23 nene të Kushtetutës dhe e hodhi poshtë, si të pa pranueshëm, duke mos e cilësuar as si marrëveshje, por vetëm, dokument të ndërmjetmë, të pa ratifikuar as nga parlamenti i Serbisë.
Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, nisur nga interesa të ngushta personale, duke e vendosur veten mbi interesat e shtetit dhe të popullit të Kosovës, më 25 gusht të vitit 2018 në forumin e vendeve ballkanike në Alpbach të Austrisë, Thaçi doli para kamerave botërore televizive, prej nga u publikuan edhe fotografitë e Thaçit me Aleksandër Vuçiqin kokë më kokë, duke kërkuar publikisht edhe ndihmën e ndërkombëtarëve për ndarjen e Kosovës.
Pak muaj më vonë, falë mbështetjes së pakursyer dhe të vazhdueshme të SHBA-ve, që tash e mbi 23 vite me radhë, kanë dhënë çdo gjë për çlirimin, pavarësimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës, me 14 dhjetor të vitit 2018, u miratua në Kuvend themelimi i ushtrisë shtetërore të Republikës së Kosovës, gjë që pa mbështetjen dhe përkrahjen e SHBA-ve, as që do të mund të formohej ushtria e Kosovës, pasi që edhe vet përfaqësuesit e NATO-s, deklaroheshin kundër.
Me themelimin e ushtrisë, u forcuan edhe më tepër themelet e shtetësisë dhe nga ajo datë, Kosova po frymon edhe me një mekanizëm jetik më tepër si shtetit njëmendë i pavarur e sovran dhe bashkëkohor.
Por siç po dëshmohet edhe nga dokumentet që dita, ditës, po zbulohen në vijimësi, eksponentëve të PDK-së të cilëve duket se nuk u intereson fare shteti e populli i Kosovës, si dhe ligjet as vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe para shtetit të Kosovës dhe vet SHBA-ve, zemra u rrah më tepër për Vuçiqin, njëkohësisht me kërkesat publike të kuislingut Thaçi, në fund korrik të vitit 2018 në Alpbach të Austrisë, Vlora Çitaku, kishte filluar nga Nju Jorku angazhimin e saj të fshehtë e tinëzar, për ndarjen e Kosovës, krahas pagesave prej mbi 168 mijë eurove të taksapaguesve të Kosovës, që këshilltarja e Thaçit dhe Kadri Veselit Dhurata Hoxha, i kishte paguar firmës franceze Majorelle PR & Events, si ministre në Qeverinë e PAN-it, që firma në fjalë, të lobonte edhe në botë për ndarjen e Kosovës.
Madje siç dëshmoi para rreth tre muajsh përfaqësuesja e lartë e Bosnjë Hercegovinës në OKB, politikania e shquar, Sabina Çudiq, gjatë viteve 2018-2020, Vlora Çitaku kishte punuar me aq shumë zell, sa që madje, ishte arritur edhe marrëveshja me palën serbe, për ndarjen e Kosovës, gjë që diplomates së Bosnjës ia kishte konfirmuar edhe serbishte-folësi dhe dhëndëri i Beogradit Matthev Palmer, dhe vetëm pritej momenti më i përshtatshëm që ajo marrëveshje të nënshkruhej në Shtëpinë e Bardhë, për ta shitur pastaj, këtë tradhti të lart antishtetërore e antikombëtare, para shqiptarëve edhe si ngjarje historike?!
Për aq më tepër, eksponentëve antishtetëror brenda PDK-së, duket se nuk u mjaftuan as me këto akte makabre renegate, ndaj pa fije turpi, së fundi, ata shfrytëzuan edhe vizitën e përfaqësuesit më të lartë të mikut më të madh të vendit tonë në botë-Amerikës, si vizita e z.Gabriel Eskobar në Kosovë, për t`iu kundërvënë pa fije turpi as respekti njerëzor e politik, edhe vet SHBA-ve, ndaj 3 nga ata, pikërisht në prag të vizitës së përfaqësuesit të lart amerikan z. Gabriel Eskobar në vendin tonë, shpalosën publikisht kërkesat e tyre tradhtare dhe më të çuditshme antikombëtare e antishtetërore, ashtu siç i kishin ndarë detyrat:
Enver Hoxhaj, kërkoi formimin e asociacionit kundër kushtetues një etnik serb me kompetenca ekzekutive, duke harruar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërsa “hirushja” e z. Thaçi, Vlora Çitaku dhe “bashkëluftëtari” e “çlirimtari” me nam, Ramë (grab)Buja, kërkuan ndarjen e Kosovës dhe këmbimin e territoreve, përderisa SHBA është deklaruar publikisht, kundër këtyre çmendurive të eksponentëve kuisling të PDK-së.
Prandaj në sytë dhe shpirtin e lënduar të popullit të Kosovës, aktet e tilla të këtyre renegatëve, nuk mund të shihet ndryshe, përveçse si tradhti e lartë, pikësëpari ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, SHBA-ve, NATO-së dhe vendeve tjera mike, që gjatë gjithë kohës na përkrahën dhe ndihmuan në çlirimin, pavarësimin dhe shtet ndërtimin e Republikës së Kosovës, e që fatmirësisht garantojnë edhe kufijtë e Republikës së Kosovës, përndryshe nga reaksionarë të këtij lloji, shteti ynë i ri, tanimë do të kishte dështuar dhe përmendur vetëm si histori e pikëlluar.
Siç dihet tanimë botërisht, që nga shpallja e pavarësisë me 17 shkurt të vitit 2008 dhe vulosjes së saj më 22 korrik të vitit 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si organi më i lartë juridik i OKB-së, të gjitha njohjet dhe lidhja e marrëdhënieve diplomatike me këto shtete, janë arritur në kuadër të kufijve ekzistues, në të cilët edhe janë vendosur themelet e shtetit të ri të Kosovës si dhe është jetësuar realiteti i ri politik e gjeostrategjik në rajon dhe botë.Dhe përkundër të gjitha rreziqeve e përpjekjeve meskine për ta rrënuar shtetin tonë nga njerëz e grupe renegatësh, brenda dhe jashtë vendit, Kosova ka ecur shumë përpara dhe përveç arritjeve tjera ndryshimi më i madh pozitiv i cili medoemos duhet theksuar me këtë rast, është se14 vjetori i lindjes së saj, Republikën e Kosovës, e gjen tanimë të konsoliduar edhe me ushtri të vet.
Vend i ri, me perspektivë, në të cilin, nga 14 shkurti i vitit të kaluar, si rrallë kund në rajon, të shiturit, tradhtarët, të shantazhuarit dhe të dështuarit politik, janë nxjerrë tërësisht jashtë loje dhe partitë e inkriminuara janë shkarkuar nga pushteti e hedhur krejt lehtësisht në opozitë, pa shqetësime qytetare e trazira politike, vetëm me votën e lirë të qytetarëve të vetëdijesuar të Republikës së Kosovës.
Prandaj Qeveria e re, përveç luftës së suksesshme për rivendosjen e rendit e të ligjit, duke zbuluar përditë e më tepër aferat korruptive e kriminale të partive të inkriminuara, me miratimin e ligjit për konfiskimin e pasurive të kundërligjshme dhe procesin e VETTING-ut, krahas spastrimit të organeve shtetërore e publike nga të korruptuarit dhe kriminelët, si dhe kthimin e pasurisë së paligjshme shtetit dhe pronarëve legjitim, të gjithë atyre që kërkojnë ndarjen dhe bosnjëzimin e Kosovës, është momenti vendimtar, që tu thotë stop dhe vendos në bankën e të akuzuarve për tradhti ndaj vendit dhe tu jap dënimin maksimal për rrezikim të shtetësisë së Kosovës, në mënyrë që eksponentët e dyshimtë si Hoxhaj, Çitaku e Buja & Co, apo kushdo qofshin ata, përfundimisht ta marrin dënimin e merituar ligjor dhe aventurat e tyre kundër shtetit sovran e të pavarur të Republikës së Kosovës, të marrin fund njëherë e përgjithmonë.
Dhe për fund, me rastin datës historike të 17 Shkurtit, ditës së shenjtëruar të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të gjithë shqiptarëve të Dardanisë, trojeve tjera etnike dhe kudo jetojnë bashkëkombësit tanë në diasporën gjithandej globit, ju urojë nga zemra ditën e pavarësisë së shtetit të dytë shqiptar- Kosovës së pavarur, të lirë dhe sovrane!