Nga: Fahri Dahri, studjues i çështjes së Çamërisë
- Nga ngjarjet në Thesproti/Çamëri.
1.- Situata pas vrasjes së prefektit (shkurt 1942).
Komanda e Xhandarmërisë së Thesprotisë (Zyra e sigurisë publike) e Gumenicës, me datë 27 shkurt 1942, me shkresën nr. Prot.16/22/1a, i drejtohej Komandës së Lartë të Xhandarmërisë së Epirit (zyra e konfidencës) në Janinë “Rreth situatës në Thesproti pas vrasjes së prefektit”.
Në disa nga letra këmbimet mes Komandës së Xhandarmërisë së Thesprotisë me Komandën e Lartë të Xhandarmërisë së Epirit, kuptohen qendrimet zyrtare të shtetit grek ndaj: a) banorëve myslimanë të rajonit të Thesproti/Çamërisë,
b) bashkëpunimi mes Italisë, gjoja pushtuese dhe shtetit Grek, gjoja të pushtuar dhe,
c) përgënjeshtrimi i pastërt i mashtrimeve greke me akuzat e sajuara, gjoja të bashkëpunimit të çamëve me italo-gjermanët.
Siç do kuptohet qartë nga përmbajtjet e disa nga letër këmbimet mes zyrtarëve grekë dhe “pushtuesave” italianë, do të vërtetohen edhe shkrimet e shumta, ku kam deklaruar se gjatë pranisë së trupave italiane në Thesproti/Çamëri, ka patur bashkë qeverisje mes pushtuesave dhe të pushtuarve (grekëve dhe italianëve, ndërsa çamët nuk kanë qeverisje as qendrore dhe as lokale). Por popullsia autoktone e rajonit, jetonte nën trysnitë e qeveritarëve lokalë italo-grekë dhe ardhacakëve aziatikë të 1923-shit.
Shkaqet e këtyre letër këmbimeve, ishin pasojë e ngjarjes kriminale të xhandarit grek Ilia Niku, i cili me datë 14/02/1942, vrau dy burra çamë myslimanë të pafajshëm. Vrasja kriminale, e cila u besua “se erdhi si udhëzim i prefektit dhe i shefave të tjerë të tij”. Prefekti i Thesprotisë ishte me origjinë greke. Sipas atij raporti, thuhet se vrasja e prefektit “u krye për arësyen e kësaj bindje mashtruese të myslimanëve”.
Në Letra këmbimet njihemi me kërkesat që bëheshin për shtimin e forcave të xhandarmërisë në rajonin e Çamërisë, duke i argumentuar ato se për të njëjtat shkaqe që ndodhi vrasja e prefektit, do të vazhdohet edhe me vrasje të tjera. Po kështu, në ato letra kërkohej “transferimi i oficerëve të Thesprotisë dhe të emëroheshin me njëherë oficerë të rinj”.
Njohja e situatës gjeopolitike e kohës, që nga viti 1913, kur rajoni i Çamërisë u shkëput “harbutçe” nga trojet etnike shqiptare dhe popullsia autoktone çame ishte nën poshtërimin dhe deklasimin e gjithëanshëm shtetëror grek, jep të kuptohet se çdo veprim që ndërmerrte shteti ortodoks grek, ishte i paramenduar, me ndikim ligdashës deri në shfarosjen e komunitetit çam. Prandaj duhet të kuptohet arësyeja e vërtetë, siç do njihemi më poshtë edhe forcimi dhe shtimi i forcave policore në rajon. Qartësia ka qenë e dukshme, si drita e Diellit, që çamët myslimanë të ishin gjatë gjithë kohës dhe 24 orë ditë e natë, nën frikën e çizmeve të qindra xhandarëve të Xhandarmërisë greke. Raporti me numrin e protokollit të mësipërmë, është i nënëshkruar nga shefi i komandës: Joanis Kristinidhis – kapiten xhandarmërie. 23/shkurt/1942 (80 vjet më parë).
2. Letra 2. Masa dhe përforcime “për stabilizimin e rendit dhe situatës publike” (Maj 1942).
Me shkresën nr. i prot. konf. 271, Ministria Brendshme e shtetit grek i drejtohej Drejtorisë së Përgjithshme të Xhandarmërisë në Ministri, në Athinë, 2 Maj 1942. Në atë shkresë, mes të tjerash shkruhet: “….të merren masat e nevojshme për përballimin me efektivitet të situatës të trazuar nga pikpamja e sigurisë, që është krijuar në Thesproti”.
Urdhër ministri.
Sekretar i Përgjithshëm L. Batrinos.
Ndërsa Drejtoria e Xhandarmërisë, Drejtoria e Personelit, në Ministrinë e Brendshme të Greqisë, i dërgon Komandës së Përgjithshme të Epirit në Janinë, shkresën me nr. 29/526/116, ku shkruhet: “Kemi nderin….t’ju bëjmë të ditur që kërkuam miratimin e Autoriteteve Italiane për përforcimin e Komandës së Xhandarmërisë së Thesprotisë me 10 nënoficerë dhe 60 xhandarë. Gjithashtu urdhëruam inkuadrimin e 100 xhandarëve, pa shërbim të detyruar në këtë komandë. Me anë të një urdhri tjetër nga ana jonë, u autorizua që kjo komandë të inkuadrojë edhe 90 xhandarë të tjerë. Kështu kjo forcë do të plotësohet”.
Urdhër Minist. Drejtor i Përgjithshëm, A. Kolatos.
Edhe në këtë letër këmbimi, siç kuptohet nga brendia, rezulton megamashtrimi zyrtar grek, i cili manipulonte duke zmadhuar vrasjen e prefektit, si një ngjarje që gjoja sillte rrezik të madh. Në realitet, u tha që vrasja e prefektit ishte pasojë e udhëzimeve të tij për të ushtruar trysni ndaj asaj popullsie dhe që një nga xhandarët vrau pa asnjë arësye dy burra çamë. Ngjarja tregon qartë se konflikti u krijua nga udhëzimet denigruese të prefektit dhe vrasjet e xhandarmërisë; jo nga banorët e Çamërisë.
3.-Letra 3. “Fragment nga raporti i inspektorit ekonomik të Ministrisë së Ekonomisë së Greqisë. Evangjelos Palaskas, për Komandën e Përgjithshme të Epirit, në Janinë, më 22/Qershor /1942.
Situata konfliktuale e krijuar në Thesproti, vuri në lëvizje autoritetet shtetërore greke, për atë gjendje Ministria greke e Ekonomisë, ngarkoi një inspektor ekonomie në rajon me mision njohjen dhe mundësitë e qetësimit të situatës. Në raportin e tij
inspektori ekonomik, ndër të tjera shkruante: “… Para vajtjes time në Thesproti, vizitova bashkë me komandantin e lartë të xhandarmërisë së Epirit dhe me drejtorin e bujqësisë dhe ekonomisë të Administratës së Përgjithshme, konsullin italian që është këtu, zotin Pratto, të cilin e njoftova për qëllimin e udhëtimit tim në Thesproti”.
Inspektori shkruan për bisedat e bëra, kryesisht mbi shkaqet e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, gati një vjeçare mes banorëve myslimanë të Çamërisë dhe krishterëve të ardhur nga Azia e Vogël. [Të ardhurit, shteti Grek i vendosi në atë rajon, duke u dhuruar pronat e tundshme dhe të patundshme të çamëve]. Si dhe ndikimet që patën ato konflikte në dobësimin e dukshëm në administrimin politik të prefekturës, siç ishin ndërprerja pothuajse e plotë e punëve dhe e shërbimeve ekonomike.
Inspektori Evangjelos Palaskas raporton: “Zoti konsull (zyrtar italian-fd) më siguroi që Adiministrata Italiane është në dijeni të këtij çrregullimi të situatës dhe dëshiron rivendosjen e plotë të rendit dhe sigurisë në Thesproti, si dhe funksionimin normal të shërbimeve publike Greke atje….”. “Madje u tregua i gatshëm t’i dërgonte telegram përfaqësuesit të tij në Filat, i emëruar para pak kohësh për çështjet politike të prefekturës së Thesprotisë, zotit Pelissoni, që të pranojë bashkëpunimin me mua gjatë qendrimit tim atje”. Në vazhdim inspektori raporton: “Për sa i përket myslimanëve, të cilët nuk pranojnë të japin taksat e tokës, në vaj dhe në prodhime bujqësore, m’u komunikua që u lëshua nga Autoritetet Italiane një urdhër i prerë për kryerjen e të gjitha detyrimeve tatimore nga të gjithë taksapaguesit në përgjithësi, si rrjedhojë edhe nga myslimanët”. Për kërkesën e inspektorit që nëpunësit ekonomikë, të siguroheshin për kryerjen e detyrave të tyre, vjeljen e taksave nëpër fshatrat myslimane, që të shoqroheshin me burra të Karabinierisë Mbretërore, inspektori shkruan: “Më deklaroi se do të ndihmojë këta nëpunës për verifikimin dhe arkëtimin e taksave, për këtë qellim do të vihet në dispozicion një forcë prej 8 karabinierësh në provincën e Filatit, si dhe në provincat e tjera të Igumenicës, Paramithisë e Margaritit.
Gjithashtu premtoi (konsulli italian-fd) të ndihmoi më vonë në përforcimin e Xhandarmërisë Greke me më shumë burra”.
E shoh të rëndësishme të theksoj edhe për qëndrimin e shtetit grek dhe atij italian lidhur me grabitjen e pronave të palujtshme të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë. Do shkëpus thëniet e inspektorit ekonomik: “Përsa i përket pretendimeve të paraqitura nga myslimanët për t’iu rikthyer atyre pronat (çifligjet) e tjetërsuara që nga viti 1923, me qëllim rehabilitimin e kultivuesave të krishterë, që kishin mbetur pa pronë (ata të krishterë nuk kishin prona në rajonin e Çamërisë, ata ishin të ardhur nga Anadolli), si dhe veprimeve arbitrare, që janë kryer kohët e fundit nga disa prej tyre ndaj të krishterëve, të cilët janë zotërues të ligjëshëm të këtyre pronave, na deklaroi (konsulli italian-fd) edhe këtë rast se që tani e tutje Karabinieria Mbretërore do të ndalojë arbitraritete të tilla të myslimanëve deri në rregullimin përfundimtar të kësaj çeshtjeje nga Qeveria Greke”.
Është fare e qartë që zyrtarët e “pushtuesave” italianë, jo vetëm bashkëqeverisnin me shtetin grek, por përkrahnin masat tejet të egra e të padrejta që ushtronte shteti grek ndaj popullsisë çame. Qendrimet italiane që mbaheshin ndaj banorëve myslimanë të rajonit të Çamërisë, tregojnë të vërtetën e sjelljeve të çamëve. Ata nuk ishin në bashkëpunim me pushtuesit italianë, përkundrazi zyrtarët e palës italiane ishin bashkëveprues me zyrtarët grekë kundër shqiptarëve të Çamërisë, sidomos ndaj pronësis dhe të drejtave për shërbimet publike që shteti ortodoks nuk u a kryente.
Inspektori ekonomik gjatë ushtrimit të misionit që i kishin ngarkuar, në raportin e tij informonte: “Kam mendimin që është i detyrueshëm rregullimi në kohën e duhur si dhe përfundimtar i çështjes së pronave të tjetërsuara të myslimanëve të Çamërisë, me qëllim që të mos lindin më konflikte, si këto të sotmet, midis tyre dhe popullsisë së krishterë”. (kupto: ortodoksve aziatikë të ardhur në vitin 1923).
Konfliktet mes myslimanëve çamë, pronarë të tokave, me të ardhurit nga Anadolli, u shkaktuan mbasi “aziatikët” nuk pranonin tu jepnin dëmshpërblim sipas kushteve të caktuara, pronarëve çamë për tokat që shteti grek u a kishte dhënë në përdorim.
Të krishterët aziatikë nuk pranonin të paguanin detyrimet ndaj çamëve, pronarëve të tokave, si dhe tatimet ndaj shtetit. Po ashtu edhe myslimanët çamë, të cilët kërkonin që shteti grek të detyronte të krishterët e ardhur për të shlyer detyrimet; nuk pranonin të shlyenin detyrimet tatimore për derisa të plotësoheshin kërkesat e tyre.
I gjendur në këto situata, inspektori ekonomik, nëpunës i Ministrisë së ekonomisë i shtetit Grek raporton: “Kuptohet që nëse kjo zgjidhje e përkohshme do të miratohet nga Qeveria, atëhere edhe përqindja, që do të paguhet, do të përcaktohet nga ajo, gjithashtu edhe mënyra e pagimit.
Z. Pratto, gjatë bashkëbisedimit të sotëm – vijon raportimin inspektori – më propozoi që kjo përqindje të jetë në masën 15%”. Gjykohet e arësyeshme që marrjen e taksës prej kultivuesve të krishterë, si dhe pagimin e myslimanëve, në mënyrë që të shmangen konfliktet dhe mos marrëveshjet, ta marrin përsipër shërbimet bujqësore dhe ekonomike të Prefejturës së Thesprotisë, të cilët merren tashmë me verifikimin dhe arkëtimin e taksës së produkteve bujqësore”. Inspektori ekonomik, në rolin e zgjidhjes së konflikteve, duke parë realitetet në terren, shpreh në raportin e tij edhe: “Por paralelisht është i detyrueshëm riorganizimi i shërbimeve publike atje, shumë nga të cilët, siç u konstatua gjatë udhëtimit tim, nuk funksiononin rregullisht dhe në këtë mënyrë vihet në rrezik Adiministrata Greke”.
Lidhur me kryerjen e shërbimeve publike. Administrata shtetërore e shtetit Grek që nga viti 1913, kur rajoni etnik shqiptar i Çamërisë i kaloi shtetit Grek, nuk kryente shërbime publike për banorët myslimanë. Çamët myslimanë ishin të padëshiruar për shtetin grek, madje i quante turq dhe të ardhur në atë rajon në kohën e perandorisë osmane. Edhe gjuhën që flitej në Çamëri, shteti grek e mohonte se ishte gjuha e tyre, duke deklaruar se gjuhën shqipe, çamëve u a mësuan disa bejlerë. I citova këto qendrime për të kuptuar se deri ku arrin marrëzia, dashakeqësia, shpifjet, urrejtja pa kufi, të cilat shpien deri në çekuilibrim, në atë masë se njeriu nuk arrin të kuptojë vetveten se po flet përçart.
Çamët në Paramithi …
Ky ka qenë dhe është shteti ortodoks grek. Ndërsa çamët, banorë autoktonë në Thesproti/Çamëri, të pakët në numur, pronarë në tokat pjellore, trashëgimtarë të një rajoni që mban thesaret më të vyera nga lashtësia, zotërues të të folurës pellazgjike. Anti Krishti i vrau, i masakroi dhe i degdisi me dhunë nga vendlindja e tyre.
Jo vetëm aq, por bashkë me komunistat shqiptarë i poshtroi, i denigroi, i quajti të pabesë, i trajtoi si komunitet të dorës së tretë. Por koha dhe trashëgimia fisnike e tyre, po i rivendos atje ju kanë vendin.
Shënim: Për këtë shkrim i jam referuar edhe shkrimtarit grek z. Jorgos Margaritis: “Bashkëpatriotë të padëshiruar”.
Bot. “BOTA SHQIPTARE” 2009.
Itali, me 27 shkurt 2022