Nga: Bajram Sefaj, shkrimtar
Rilexim nostalgjik
Një kallëzim paksa i vonuar, për një mbresë të pa harruar, nga vizita Kështjellës Elsionor, dhe për një rilexim të këndshëm (më të dashur se për herë të parë) të kryeveprës së letërsisë botërore “Hamleti – princ i Danimarkës” në shqipërim të mrekullueshëm të Fan Stillian Nolit. Në këtë Kështjellë, po pikërisht këtu, në Elsionor, sipas imagjinatës së shkrimtarit ka ndodhur tragjedia e njohur.
Në kryeqytetin e Danimarkës (Noli i thotë Danmarkë), në Kopenhagën e lashtë dhe të bukur, ishim në mesin e njerëzve tan, vëllezërve e motrave tona shqiptare. Kryesisht, me ndonjë rast tepër të rrallë, të gjithë shqiptarët në Kopenhagë, ishin nga Tetova dhe nga viset e tjera shqiptare të Maqedonisë. Thoshin se janë diku rreth gjashtë mijë veta. Jetojnë ata atje qëmoti dhe si njerëz bujarë, punëtorë e fisnikë që janë, kanë krijuar njohtësi e miqësi të mëdha me kopenhagasit dhe me të gjithë njerëzit e tjerë të “Danemarkës”, me të cilët kanë pasur punë e afarizëm. Punëtorët tanë shumëvjeçarë e të shquar dhe të afirmuar dhe në disa punë të tjera intelektuale dhe qytetare, pos në fushën e punës së krahut, janë angazhuar edhe rreth shoqatës “Besa”, që ka 60 anëtarë e që janë angazhuar në të gjitha aktivitetet e saj kulturore e artistike. Ndryshe nga shumë grupe e shoqata të tjera të shqiptarëve, kudo në mërgatë, “Besa” e Kopenhagës dallohet me një veçori, ngase prej 610 anëtarëve të saj të rregullt, madje 200 janë femra, duke filluar prej yllkave, vashave e deri te gratë, madje edhe ato të moshuara.
Të shtegtohet në Kopenhagë e të mos vizitosh Kështjellën Elsionor, është mëkat i madh sikur njësoj si kurse viziton Parisin e nuk e viziton Kullën e Ajfelit, Portën Triumfale, etj.
Moti është lexuar kryevepra e Uliem Shekspirit dhe kryevepra e letërsisë botërore, sikurse janë të prirur të thonë kritikët për “Hamletin – princ i Danimarkës”. As rastësisht nuk na kujtohej se pikërisht aty, në atë Kështjellë, është vendosur ngjarja e madhe e veprës së madh, më të madhes ndër veprat dramatike në botën e letërsisë, të ‘Hamletit”, pra. Na kishte perënduar mendjeje se, pikërisht ajo Kështjellë i kishte huazuar skenografinë e pasur e të denjë, për një ngjarje të madhe letrare.
Dita e mesit të qershorit (të vitit të kaluar) po merrte e mirë. Me një diell verior e sipëri tij me një qiell blu në të çelur, po ashtu veror. Në një vozitje të qetë e tejet të kulturuar e të kujdesshme të të riut tetovar, që dhuna serbe, ia kishte këputur përgjysmë studimet e mjekësisë në Universitetin e Kosovës në Prishtinë, dhe tani e sa vjet kishte marrë mërgimin në Danimarkë, biseda e tij e qetë me fije të dendura mallëngjimi në të, rrugën, atë copë rrugë, midis Kopenhagës dhe kështjellës Elsionor na e shkurtoi shume.
E përftuam saora, pa ditur se ç’distancë kishte ajo, 30, 40 apo ndonjë kilometër më shumë a më pak. Fjalë pas fjale, dhe, ja , në bebëz na shkëlqeu Kështjella Elsionor, aty në det o në oqean (çështje gjeografike) ku Danimarka i jep shaminë e bardhë Suedisë dhe botës së Skandinavisë përgjithësisht. Ishte një vend dhe një kështjellë, kjo e Elsionorit, vërtet impozante dhe e denjë për lodrën (kështu i thotë Nolit lojës) e madhe të tragjedisë më të famshme të William Shakespeare-it.
Kthinave dhe niveleve të kësaj kështjelle famëmadhe, “rrugën” nëpër tërë hapësirën e saj, e bëmë gati-gati pa ndërruar asnjë fjalë. Ndonëse tashti në këtë Kështjellë ishte vendosur një muze i marinës detare (apo edhe të diçkaje më shumë, nuk jemi të sigurt), në atë gjezdisje disa orësh nëpër kthinat e saj, provonim të ndjellim e të sjellim në kujtesë ato shumë skena të fuqishme të tragjedisë së Hamletit, të kësaj vepre madhore letrare që e kishim lexuar dhe ngjarjen e saj e kishim ndjekur sa e sa herë në dërrasat e teatrit, madje edhe në skenën e TPK, me Dibran Tahirin në rolin e Hamletit. Por asgjë nuk ndihmonte. Na ishte zbehur çdo gjë e na kishte tretur nga mendja. Pakëz më të afërt e kishim atë zbërthim gjenial të subjektit të dramës që përkthyesi më i mirë i kësaj vepre në gjuhën shqipe, Fan Stilian Noli i bënë në Introduktën e vet e thotë: “Subjekti i thatë e me pak fjalë është ky: Klavdi ka vrarë në gjumë Mbretin Hamlet të Danemrkës, është martuar me të shoqen e tij, dhe i ka rrëmbyer fronin Princ Hamletit, të nipit të vet. Princ Hamleti informohet për këtë krim prej fantazmës së t’atit dhe i betohet t’ia marrë gjakun. Për të arrirë qëllimin pa vënë t’ungjin në dyshime, Hamleti bën sikur është’ i marrë dhe, pas disa peripecish, e mbaron zotimin plotësisht”.
Pasi që vizitohet Kështjella e famshme Elsionor imponohet leximi i sërish “Hamletit të U. Shekspirit në shqipërim aq të mirë e, aq brilant të të madhit tonë Fan Stilian Noli. Përkujtohen edhe njëherë, me këtë rast atë “diç na u – kalb në mbretëri të Danimarkës”! (Marceli, oficer, faqe 55),
Legjenda: Dibran Tahiri ynë, si Hamlet