Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka propozuar që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit për pranim në Bashkimin Evropian.
Kjo erdhi pas propozimit që Ukraina të pranohet në BE sa më shpejt që të jetë e mundshme.
“Është interes strategjik dhe kombëtar i Kroacisë që shtetet në Evropën juglindore, që kanë deklaruar dhe kanë dëshmuar gatishmërinë dhe qëllimin që t’i bashkohen BE-së, të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian sa më shpejt që është e mundshme. Prandaj, presidenti Milanoviq u ka propozuar iniciatorëve të letrës së hapur që statusi i kandidatit për pranim në BE të kërkohet për Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën dhe që BE-ja, pas premtimeve të përsëritura, menjëherë të nisë negociatat për pranim me Maqedoninë dhe Shqipërinë, që tashmë kanë statusin e kandidatit.
Sa i përket Serbisë, sipas tij, ky shtet duhet të vendosë tash nëse dëshiron t’i bashkohet BE-së apo jo dhe të ndjekë politikën që e cakton.
“Sa i përket Serbisë , në këtë moment të rëndësishëm për paqen evropiane, ai vend duhet të vendosë nëse dëshiron anëtarësimin real në BE apo jo dhe të ndjekë politikën e tij në përputhje me rrethanat. BE-ja duhet t’i bëjë të ditur se ky është momenti i vendimit”, thuhet në komunikatë.